Askush s’mund ta përvetësojë Nënë Terezën, ajo vetë është deklaruar se është shqiptare
-Ne jemi jo vetëm tolerantë por edhe jemi për bashkëjetesë dhe bashkëvëllazërim me të gjithë. Sepse të tolerosh, një fjalë kjo që vjen prej latinishtes, do të thotë të bartësh dhe të durosh. Ne jo vetëm që e durojmë njëri tjetrin, por, bashkëpunojmë dhe e duam njëri tjetrin.
Këtë javë qendra për hulumtime strategjike “Forum”, organizoi një tribunë kushtuar Kosovës, ku ishte i ftuar edhe Don Lush Gjergji. Me këtë rast, ai dha një intervistë për gazetat shqipe, “Flaka” dhe “Fakti”.
Dr. don Lush Gjergj, prift katolik i Ipeshkisë Shkup–Prizren, është doktor i shkencës së psikologjisë, ku në Romë më 1975 ka mbrojtur doktoraturën me temë “Gruaja shqiptare”. Veç kësaj ai ka mbaruar tre fakultete, atë të teologjisë, filozofisë dhe sociologjisë. Ka botuar 49 vepra dhe së shpejti pritet dhe vepra e tij e 50-të. Ka qenë shumë i afërt me Nënën Terezën, për jetën dhe veprimtarinë e saj ka botuar 13 vepra të përkthyera në 35 gjuhë të botës. Është themelues i Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë”, më 10 maj 1990. Gjatë këtyre dy dekadave e begatoi mjaft krijimtarinë kulturore dhe fetare. Ai u gjend, gjithmonë atje ku e kërkoi vullneti njerëzor, për paqe, afrim dhe unitet nacional.
-Sa i takon çështjes religjioze të shqiptarëve, ata dallohen si popull me tolerancë të madhe ndërfetare. Ku mendoni se qëndon merita për këtë?
D.L.GJERGJI: Toleranca, për mua është një fjalë tepër e vogël, për gjithë atë çka jemi, duhet të kemi jo vetëm tolerancë, por edhe për bashkëjetesë dhe bashkëvëllazërim të të gjithë shqiptarëve. Sepse të tolerosh, një fjalë kjo që vjen prej latinishtes, don të thothë të bartësh dhe të durosh. Ne jo vetëm që e durojmë njëri tjetrin, por bashkëpunojmë dhe e duam njëri tjetrin. Si të tillë neve, në rradhë të parë jemi vëllezër të gjakut (muslimanë e të krishterë), për njëri tjetrin dhe pastaj vëllezër të fesë me të tjerë që nuk i kemi të gjakut. Një traditë shumëshekullore shqipëtare. Një vëlla mund të jetë i krishterë katolik një tjetër mysliman dhe kjo nuk na ka penguar asnjëherë në jetën e përditshme në begatinë kulturore dhe shpirtërore. Këto begati dhe trashëgimi duhet t’i ruajmë si sytë e ballit.
Ku mendoni se qëndron merita e këtij atributi?
D.L.GJERGJI: Shqipatrët janë të vetëdijshëm se me shekuj kemi qenë të krishterë dhe se ndarja fetare ka ndodhur, fatkeqësisht, por jo edhe përçarja. Turqit janë munduar nëpërmejt sundimit dhe ndikimit fetar të na ndajnë dhe përçajnë, mirëpo fatbardhësisht në rrënjët e popullit shqiptar është i pranishëm edhe krishterizmi edhe islamizmi. Jemi edhe të krishterë edhe muslimanë, por mbi të gjitha jemi njerëz dhe jemi shqiptarë.
Në çfarë niveli qëndon shkalla e besimtarisë fetare te shqiptarët?
D.L.GJERGJI: Shqiptarët janë besimtarë më tepër tradicionalisht se sa personalisht apo bashkërisht. Kjo e ka një të mirë. E mira është se feja nuk paraqet një ngarkesë, pra nuk ka një të keqe. Feja i ka tri aspekte: prej tradicionales kalohet në personale dhe prej saj në atë çka është komunitare apo e bashkësisë. Te shqiptarët besimi është në fazën e parë, tradicinale. Dalngadalë duhet të përvetësohet në nivel personal, që të mund të kalojë në nivelin komunitar. Mirëpo, rrethanat historike nuk na kanë lejuar që të formohemi në nivele më të larta të besimit fetar, sepse kemi jetuar dhe luftuar për të mbijetuar.
-Krijohet përshtypja se serbët, kisha ortodokse e të cilëve zhvillon propagandë kundër tolerancës fetare dhe ndëretnike në Kosovë, janë besimtarë fanatikë. Mos vallë, nga që janë në shkallën e besimit komunitar fetar?
D.L.GJERGJI: Nuk është në pyetje fanatizmi fetar, por keqpërdorimi i fesë për çështje kombëtare. Deri tani Kisha Ortodokse është quajtur Kisha Ortodokse Kombëtare, prandaj është rrezik që të jetë identifikimi i kombit me fenë. Nuk duhet të përzihen këto dy çështje. Kombi e ka vendin e vet dhe feja e ka të vetin. Ato janë si dy binarë dhe po t’i afrosh ato nuk janë më binarë. Fetarja dhe kombëtarja duhet të begatohen dhe ta ndihmojnë njëra tjetrën.
-Si i vlerësoni tendencat e maqededonasve dhe vllehëve për çkombëtarizimin e figurës së Nënës Terezë?
D.L.GJERGJI: Unë e kam thënë në 13 veprat e mia të botuara në 35 gjuhë të botës, ku gjithmonë fjala e parë ka qenë Gonxhe Bojaxhiu është shqipatre, prandaj më mirë le të mos lodhemi me këto spekulime negative, por ta shikojmë dhe ta ndriçojmë veprën e saj.
-Megjithatë, një tezë mbi gjoja përkatësinë kombëtare vllehe e ka mbështetur edhe shkrimtari nga Shqipëria, Aurel Plasari?
D.L.GJERGJI: E kam lexuar edhe këtë tezë të tij, por edhe ajo është e pabazë. Sepse në asnjë mënyrë, nuk gjendet asnjë argument apo dokument, për një gjë të këtillë. Përkatësinë kombëtare të saj, Ajo e ka dëshmuar edhe në Osllo, me rastin e marrjes së çmimit Nobël duke thënë në praninë e 1.200 gazetarëve se “Unë çdo herë e kam në zembër popullin tem shqiptarë”. Prandaj kush ka të drejtë të interpretojë se kush është Nëna Terezë nëse ajo nuk ka të drejtë ta interpretojë veten e saj? Gjaku, tradita, kultura, të gjitha i kishte shqiptare.
Përse nuk ndodhi shenjtërimi i Nënës Trezë, sikundër paralajmërohej, por vetëm beatifikimi (lumturimi) i saj?
GJERGJI: Kjo është shkalla e rëndomtë, prandaj është një lloj befasie që ka ndodhur edhe lumturimi i saj. Nënë Tereza nuk ka nevojë për përjashtime. Ajo me jetën dhe me veprën e saj i dëshmoi botës mbarë se çfarë do të thotë fuqia e fesë dhe dashurisë, prandaj njerëzit e quajnë atë të shenjtë. Selia e shenjtë, respektoi procedurën dhe ajo së shpejti do shpallet e tillë (shenjtore e dashurisë) edhe pse vetëm me lumturimin veç më është shenjtëreshë, meqë ndërohet si e tillë.
-A do të jeni edhe ju në Shkup me rastin e ardhjes së Ages, mbesës së Nënës Terezë, e ftuar nga Shoqata “Shkupjanja Tereza”
D.L.GJERGJI: Agen, vitin e kaluar e thirëm të merr pjesë në Ditët e Nënës Terezë, që u organizuan në Kosovë, me rastin e beatifikimit të saj nga Kisha e Shenjtë, mirëpo nuk mundi të vijë për shkak se e kishte të sëmurë babanë, Lazrin. Përndryshe, me Agen njihem dhe bashkërisht kemi qenë në Osllo, më 1997 kur Nënës Terezë iu nda çmimi Nobël për Paqe. Më vjen mirë që ajo do të vijë në vendlindjen e Nënës Terezë dhe të atit të saj Lazri, e ftuar nga Shoqata maqedoanse “Shkupjanja Terezë”. Unë nuk jam i ftuar të marr pjesë.
-A është paraparë në Kosovë të zhvillohet ndonjë aktivitet për ndrer të këtij jubileu?
D.L.Gjergji: Sigurisht. Ne i kemi në Kosovë “Ditët e Nënës Terezë”, qysh nga kalimi i saj në amshim, prej 26 gushtit deri më 5 shtator, ndërsa këtë vit kemi edhe përvjetorin e parë të lumturimit apo beatifikimit të Nënës Terezë dhe ky manifestim do të jetë ndër më të mëdhenjtë, shpirtëror dhe kulturor në Kosovë. Ky manifestim organizohet nën patronatin e presidentit Ibrahim Rugova dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe të gjitha qendrat rajonale në Kosovë. Vitin e kaluar këto aktivitete i kemi zgjeruar edhe në Maqedoni dhe Shqipëri, ndërsa këtë vit do t’i zgjerojmë në nivelin ballkanik dhe evropian.
-Keni në dorë dorëshkrimin e veprës së 50-të. Cili është ai libër?
D.L.GJRGJI: “Prej dashurisë në dashuri”, do të jetë titulli i librit që analizon situatën e përgjithshme të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve dhe i ftoj të gjithë që të mendojnë prej asaj që është natyrore të kalojë edhe në sferën shpirtërore apo mbikulturore. Zot është dashuria, Ai i dhuroi jetë dashurisë dhe jetën duke na dhuruar qytete në botë, që neve të jemi ata që ta ndjejmë dashurinë.
Kur mund ta presim të dalë nga botimi ky libër?
D.L.GJERGJI: Shpresoj gjatë këtij viti, me shpresën e Zotit.
Krijoni Kontakt