Duket sikur ka marrë të njëjtën pamje si shumë vjet më parë. Në mes të gjelbërimit ruhet ende shatërvani i vogël bojëqielli i ndërtuar në kohën e Zogut, ndërsa rrethimi me gardh hekuri e plotëson edhe më shumë tablonë e dikurshme. Lulishtja Popullore quhej dikur, një emër që është diskutuar për t'ia rikthyer sërish. Ndërsa sot parku i gjelbër i ndërtuar 80 vjet më parë ka marrë emrin Lulishtja e Parlamentit. Lulishtja Popullore ka nisur të ndërtohet në vitin 1923. Sipërfaqja prej 2700 metra katrorë u rrethua me gardh hekuri dhe për të vizituar parkun ishte një derë kryesore që ruhej nga një roje. Për të zgjeruar dhe modeluar Lulishten Popullore, e cila ndodhej pranë institucioneve të rëndësishme të asaj kohe, u shpenzuan 8000 franga ari.

Rruga e Mbretit
Lulishtja shtrihej në anë të djathtë të rrugës "Karnavon", apo rruga që sot ka marrë emrin "Punëtorët e Rilindjes". Ndryshe, rrugën mund ta cilësojmë si Rruga Mbretërore, pasi godinat më të rëndësishme të qeverisjes në atë kohë ngriheshin aty. Adjutantura Mbretërore, Pallati i Princeshave, Legata Italiane, Departamenti Ushtarak si dhe vetë Pallati i Mbretit Zog kishin zaptuar rrugën "Karnavon". Në fund të rrugës ndodhej Biblioteka, e cila u ndërtua në vitin 1925 me fondet e dhuruara nga Lady Carnarvon. E pikërisht në këtë zonë u ndërtua edhe Lulishtja Popullore, nga e cila mund të kundroje pallatin ku ishte vendosur mbreti Zog. Punimet për zgjerimin e rrugës "Karnavon" nisën në vitin 1925 dhe përfunduan më 1934, pasi këto investime kërkuan edhe shpronësimin e disa prej kopshteve dhe shtëpive të banorëve anë rrugës ekzistuese. Shuma totale e ndërtimit të rrugës ishte 26974 franga ari.

Sot
Bashkiakët ekzistues u kujtuan për Lulishten Popullore, e cila deri në vitin 1999 ka qenë e zaptuar nga ndërtimet e larta. Në vitin 2001 nisi rindërtimi e rizbukurimi i Lulishtes, ku u hodh edhe ideja për riemërimin e parkut me emrin Lulishtja Popullore. Në fakt kjo lulishte u rrethua dhe u mendua që për të hyrë aty do të viheshin orare, kjo për t'i dhënë edhe një rëndësi godinës parlamentare, por në fakt ky plan u la në mes. Tashmë nga Lulishtja Popullore relikt është vetëm shatërvani i vogël i ndërtuar në atë kohë. Rruga "Karnavon" nuk ka ndryshuar shumë. Godinat e vjetra që shtrihen anës saj ruajnë ende peshën e kujtimeve. Edhe pse kanë marrë ngjyra të larmishme Pallati i Princeshave, Legata Italiane, Shtëpia e Adjutantëve, nuk mund ta humbin vlerën e së hershmes. Rrugës që ne e kemi emërtuar Rruga Mbretërore, apo "Punëtorët e Rilindjes", i janë shtuar tashmë edhe pallatet e larta, të cilat nuk mungojnë në asnjë cep të kryeqytetit.