Ndryshuar pėr herė tė fundit nga cunimartum : 02-11-2005 mė 06:27
Historia e Profetit Islam
http://www.albislam.com/libraria/lulishta.asp
Të jetosh si Profeti (a.s.)
Fjalën e fundit e lidhjes se trinomit Allah-Univers-Njeri e ka thënë tablloja e krenarisë njerëzore, zëri më i fuqishëm orientues kah e vërteta, lajmëtari i fundit i Gajbit (të fshehtës), profeti Muhamed (a.s.).
--------------------------------------------------------------------------------
Ai është komentuesi i pagabueshmëm i ngjarjeve. Nga njëra anë, Ai është më i afërti me Allahun, nga ana tjetër është i fundmi, por më i sigurti udhëzues i kurbetit të kësaj bote.
Allahu (xh.sh.) në Kur'an na fton ta ndjekim këtë shembull duke na e vënë kusht të dashurisë së Vet. Ai thotë: "Në qoftë se e doni Allahun më ndiqni mua që t'ju dojë Allahu…" (Al-Imran:2-3)
Pa dyshim që duke zbatuar porositë e tij fetare dhe shoqërore ne do të afrohemi me Allahun e me njerëzit, por edhe në ndjekjen e tij në gjërat e zakonshme, ne do të mund të hedhim hapa të rëndësishëm drejt moraleve të larta. Vetë Profeti (a.s.) thotë: "Mua më ka edukuar Allahu dhe ma ka përsosur edukatën (moralin)." Ndërsa Allahu për të në Kur'an thotë: "Ti vërtet je i pajisur me një moral të lartë."
Atëherë, me qëllim që të përfitojmë sa më shumë nga kjo edukatë dhe të përsosim përherë e më tepër virtytin tonë, duhet që ta ndërtojmë jetën sikurse udhëzuesi ynë, Profeti i mbarë njerëzimit, më fjalëdrejti, më i dhembshuri, më i dashuri, më i urti, më i miri personalitet i pemës njerëzore. Duke vepruar edhe në jetën e përditshme sikurse ai, ne kemi mundësi të marrim shpërblim adhurimi edhe për punët e zakonshme.
Të flasim si ai, të ecim, të qëndrojmë, të hamë, të flemë si ai; të gjitha këto na sjellin ndërmend Profetin e mëshirës dhe rrjedhimisht librin me të cilin ai erdhi dhe të Zotin e asaj fjale hyjnore, Allahun, Krijuesin e gjithësisë.
Le të ndalemi pak në disa aspekte të sjelljes së mësuesit të mendjeve, të dashurit të zemrave, edukuesit të egove, mbretit të shpirtrave tanë.
Le të qëndrojmë tek disa aspekte të sjelljes së tij të zakonshme e të përditshme:
Dita e Profetit (a.s.) fillonte me përmendjen e Allahut e me lutje të cilat zinin vend në gjuhën dhe zemrën e tij gjatë tërë ditës.
Kur takohej me dikë, Profeti (a.s.) përshëndeste i pari dhe nuk largohej derisa të largohej bashkëbiseduesi.
Në fytyrën e tij të bekuar pasqyrohej përherë një buzëqeshje e ëmbël megjithëse jeta e tij kalonte mes brengash therëse. Profeti i brengave i thanë atij.
Kur fliste apo dëgjonte drejtohej me të gjithë trupin kah bashkëbiseduesi dhe nuk kthente vetëm kokën apo sytë. Kur ulej nuk e mbante asnjëherë njërën këmbë mbi tjetrën dhe nuk i zgjaste këmbët drejt njerëzve. Kur ulej përtokë qëndronte ose mbi dy gjunjët, ose këmbëkryq. Kur flinte kthehej nga krahu i djathtë, vendoste dorën e djathtë poshtë faqes dhe këmbët nuk i shtrinte plotësisht.
Kur ecte më i larti i profetëve, nuk e ngrinte kokën lart, por e përkulte pak atë dhe e kërruste paksa trupin saqë dukej sikur ecte drejt një të tatëpjete. Kjo ishte shenjë modestie nga ana e tij.
Kur hante nuk nxitonte, preferonte të hante me njerëz të tjerë, jo vetëm; dhe hante nga njëra anë e enës (pjatës, tepsisë etj.).
Ujin e pinte me tre ndalesa dhe sikurse ushqimin edhe ujin e pinte ulur.
Çdo punë e fillonte me përmendjen e emrit të Allahut (Bismilah) dhe e mbyllte me fjalën (Elhamdu-lilah).
Mëshira e njerëzimit dhe e gjithë botës, profeti Muhamed (a.s.), ishte shumë i dashur dhe i afërt me shokët dhe bashkësinë e vet. Në Kur'an thuhet: "Juve ju erdhi i Dërguar nga mesi juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët" (Teube:128).
Kur dikush kryente një vepër të mirë Profeti (a.s.) e lavdëronte dhe e nxiste duke e bërë shembull edhe për të tjerët; ndërsa kur dikush bënte një gabim nuk ia thonte në fytyrë, por e përgjithësonte çështjen duke e këshilluar xhematin në grup që të mos veprojnë në këtë mënyrë dhe u mësonte atyre të drejtën.
Edhe armiqve më të egër të tij gjatë ftesës dhe pasi pranuan Islamin, ai nuk ua kujtoi armiqësitë e mëparshme, por i nderoi sikur të kishin qenë përherë përkrah tij. Kështu qe sjellë me Halid bin Velidin, Ebu Sufjanin, Vahshiun, madje djalit të Ebu Xhehlit, Ikrimes që e kishte luftuar aq shumë atë, megjithëse kishte mbaruar hixhreti (imigrimi), Profeti i pat thënë: "Mirë se erdhe, o muhaxhir (emigrant)!", në shenjë lavdërimi.
Ai pati duruar dhe i qe përgjigjur me paqe të gjitha sulmeve që i qenë bërë atij personalisht.
"O Zot! Fale popullin tim se ata nuk dinë!", i lutej ai Allahut. Kështu qe lutur ai në luftën e Uhudit, ndërsa armiqtë i patën thyer dhëmbin dhe e patën plagosur. Madje ai nuk pranoi me ngulm edhe shkatërrimin e popullit të Taifit, që e patën ofenduar rëndë dhe i patën mbytur trupin në gjak. "Unë shpresoj prej mëshirës së Allahut që një ditë Ai të nxjerrë prej brezave të tyre së paku një njeri që ta besojë Atë!", pat thënë Profeti i mëshirës, duke mos lejuar shkatërrimin e mundshëm. Madje ai e shikonte fajin tek vetja duke thënë: "I ankohem Allahut për dobësinë e fuqisë sime."
Për sa i përkiste të drejtës së njerëzve të tjerë, Profeti (a.s.) gjëmonte si luan dhe nuk qetësohej derisa drejtësia të vinte në vend.
Megjithëse ai ishte i Dërguari i Allahut, këshillohej për çështje të ndryshme me shokët e vet, shumë herë edhe me bashkëshortet e tij.
Ai ishte aq i thjeshtë sa t'i kërkonte leje gruas së tij që të adhuronte Zotin. Kaq i ndjeshëm ishte ai ndaj së drejtës së secilit. "A më lejon, o Aishe, që këtë natë të qëndroj e të adhuroj Zotin tim?", do të thoshte ai.
Ai do të këshillohej me shokët për martesën e vajzës së vet, do të dilte në Uhud vetëm se shumica kërkonin të dilnin, përballje e cila do të sillte humbjen e 69 muslimanëve, mes tyre edhe të xhaxhait të tij të dashur. Në këtë mënyrë, ai do t'u mësonte njerëzve respektin, bashkëpunimin, frymën e vëllazërimit, jetën në bashkësi, duke sakrifikuar individualitetin, prandaj humbjet ishin të justifikuara.
Si të mëdhenjtë, Profeti i dashurisë dinte të trajtonte edhe fëmijët. Ai i përshëndeste ata, bisedonte me ta si të ishin të rritur, duke iu forcuar atyre personalitetin dhe nuk u bërtiste kurrë, ishte përherë i buzëqeshur përballë tyre.
Enes bin Maliku qëndron dhjetë vjet në shërbim të tij dhe nuk mban mend që të jetë qortuar prej tij për diçka që e ka bërë keq, apo për një punë që se kishte bërë, sepse ai (Enesi) ishte fëmijë.
Në një përshkrim të mbështetur në fjalët e Aliut (r.a.), i Dërguari i Allahut na paraqitet kështu: "Në bujari, i Dërguari i Allahut është më bujari dhe dorëploti i njerëzve. Për nga butësia dhe gjerësia, zemra e tij është më e buta dhe më e gjera zemër e njerëzve. Atij i qenë ngarkuar ngarkesa të rënda që i pati ngritur pa bërë "Of!", u pati vënë gjoksin punëve të papërballueshme e që s'ti rrok mendja dhe pati vepruar gjithmonë njerëzisht ndaj çdo lloj mundimi, torture apo mungese njerëzie. Ai përfaqëson ndër njerëz mënyrën më të qëlluar të të shprehurit."
Ai është njeriu më i drejtë në fjalë. Edhe duke bërë shaka, nuk ka ndodhur që në fjalët e tij të shfaqet kontradikta më e vogël. Nga goja e tij nuk ka dalë gënjeshtër as edhe në ëndërr. Është ulur drejt, është ngritur drejt, ka menduar drejt, ka folur drejt dhe i ka ftuar të tjerët te e drejta. Ai ishte jashtëzakonisht i natyrshëm. Po t'i rrinit pranë, kurrsesi nuk do të ndjeheshit i shqetësuar. Ju qetësonte sikur të ishit duke ndenjur me një shokun tuaj. Kishte një natyrë dhe një shpirt të lartë që asnjë njeri nuk mund të ngjitej në nivelin e tij, nuk mund të rrinte si ai, nuk mund të mendonte si ai dhe nuk mund të bëhej si ai. Ai zbriste me thjeshtësi në nivelin e bashkëbiseduesit ose të kuvendit dhe ata që kishte pranë kurrë nuk i shtypte me ndryshimin që kishte me ta dhe nuk u shkaktonte shqetësim.
Vetë sahabët janë argument i profetësisë së tij. Edhe ata, secili si një yll, kanë ndriçuar njerëzimin me dije, edukatë e mirësi. Ata janë nxënësit më besnikë të shkollës së Muhamedit (a.s.). Ata krenoheshin me Profetin dhe ai krenohej me ta. I donte me gjithë shpirt dhe e donin aq shumë sa ishin gati të flijoheshin në çdo moment në mbrojtje të tij.
Është e pamundur të tregohet një njeri i dytë që të jetë dashur si ai, as para tij e as më pas. Kush me fjalë, kush me qëndrim, e kush me zemër, përshpërit të njëjtat ndjenja për mëshirën e gjithë botërave Muhamedin (a.s.):
Ah, sa nevojë ka njerëzimi dhe këta sytë tanë të përlotur sot për ty, o i Dërguar i Allahut! Sa mall ka shpirti ynë për frymën tënde! Sa dashuri kanë zemrat tona për qenien tënde!
Muhamedi (a.s.) themeluesi i qytetërimit të vërtetë
Një nga trashëgimitë më të rëndësishme që Islami i ka dhënë qytetërimit botëror, është e drejta e tij fetare-sheriati. (Joseph Schacht)
Njeriu e njohu dhe e përvetësoi qytetërimin e vërtetë në sajë te Muhamedit (a.s.). Pastaj çdo përpjekje e treguar në këtë drejtim nuk ka shkuar më tej se imitimi dhe revizionimi i parimeve të sjella prej tij. Nisur nga kjo, do të ishte më e përshtatshme që të quhej ai si themelues i qytëtërimit të vërtetë.
I lindur në Arabi në vitin 570, nisi misionin e tij të predikimit të besimit të fesë Islame (përulje vetëm ndaj një Zoti) në moshën 40 vjeçare dhe u largua nga kjo botë kur ishte 63 vjeç.
Gjatë kësaj periudhe të shkurtër 23 vjeçare, ai ndryshoi Gadishullin Arabik nga paganizmi dhe idhujtaria në adhurimin e një Zoti të vetëm, nga grindjet dhe luftërat fisnore në solidarizimin dhe kohezionin e kombit.
Në daljen e tij si një shpatë e trimërisë dhe fjalës kundër mohimit dhe egërsisë, në shpalljen e së vërtetës pa pushim në të katër anët dhe në tregimin e njerëzimit të rrugëve të ekzistencës së vërtetë, Muhamedi (a.s.) është individualiteti unikal i papërsëritshëm.
Vënia e Muhamedit në krye të listës së personaliteteve më me ndikim në botë, mbase mund t’i befasojë disa lexues, por ai ishte njeriu i vetëm në histori i cili ishte bindshëm më i sukseshmi si në aspektin fetar ashtu edhe shekullor, do të deklaronte M.H. Hart.
Ka qenë Muhamedi (a.s.) i pari që i ka kumtuar njerëzimit lirinë e vërtetë, që u ka bërë të ditura ndërgjegjeve se, njerëzit janë të barabartë para të drejtës dhe ligjit, që e ka kërkuar epërsinë në moral, virtyt dhe devocion.
Bernard Show tha për atë: “Ai duhet të quhet Shpëtimtari i Njerëzimit. Besoj se nëse një njeri si ai do të merrte përsipër drejtimin e botës moderne, ai do t’ia dilte mbanë në zgjidhjen e problemeve të tij përmes rrugës që do të sillte paqe dhe lumturinë e nevojshme.”
Andaj me te drejtë themi se Muhamedi (a.s.) ka grisur perden e hedhur në fytyrën e vdekjes dhe vdekësisë, që e ka treguar varrin si sallon pritjeje të botës së lumturisë së amshuar, që i ka çuar zemrat e çdo moshe që kërkojnë lumturi, të pijnë në burimin e eliksirit të pavdekshmërisë.
Dihet mirë se deri në moshën 40 vjeçare, Muhamedi (a.s.) nuk njihej si shtetar, predikues apo si orator. Atë asnjëherë nuk e kishin parë duke folur për parimet e metafizikës, etikës, drejtësisë, politikës, ekonomisë apo të socilogjisë. Pa mëdyshje kishte një karakter të shkëlqyer, veti mahnitëse dhe kulturë të lartë.
Bazuar në Kur’an, po edhe në forma të tjera të inspirimit që i bëheshin Muhamedit (a.s.), iu vunë themelet një qytetërimi të ri që bëri një kthesë të madhe në avancimin e qytetërimit njerëzor. Barazia fetare, racore, nacionale, gjinore, arsimore si dhe të drejtat individuale e shoqërore që garantoheshin dhe jetësoheshin në kushtet e shoqërisë Islame, ngritën lart imazhin dhe prestigjin e kësaj bashkësie në nivelin qytetërues të kohës.
Qytetërimi ashtu siç e njohim ne sot, nuk është produkt i ndikimit kristian, porse një përzierje jo e përsosur dhe një sintezë dhuratash ardhur nga grekët, hebrenjtë, kristianët dhe muslimanët.
Është edhe një realitet që duhet cekur dhe duhet ta ketë në mendje çdo musliman: Qytetërimi islam nuk mund ta kryejë rolin e ndikimit në qytetërimin njerëzor botëror, nëse bëhet imitues a vjedhës i qytetërimeve të tjera. Ndikimin mund ta arrijë vetëm nëse muslimani beson bindshëm se qytetërimi i tij është i pavarur, me identitet të posaçëm hyjnor, i vlefshëm për çdo kohë e vend, i ngritur mbi baza të forta, i mbështetur në Kur’anin dhe Traditën Profetike.
Pejgamberi (a.s.) ndërtoi shoqërinë islame duke ndryshuar trajtimin dhe botëkuptimin e njerëzve në shoqëri. Ai tregoi dhe vërtetoi se ishte shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Ai hyri në një epokë të re të ndriçimit të mendjes dhe solli një ringjallje konceptuale në zhvillim, së pari të qytetërimit islam; së dyti, bëri që ky qytetërim të ndikojë edhe në zhvillimin e qytetërimit njerëzor. Ai ndërtoi një qytetërim të shëndoshë e të lumtur: pa alkool, pa drogë, pa bixhoz, pa prostitucion, pa Sida e pa shumë të liga të kësaj natyre. Barnes me të drejtë shkruan: “Në shumë pikëpamje qytetërimi më i përparuar në mesjetë ishte qytetërimi i popujve muslimanë”.
Në të tërë periudhën krijuese të historisë muslimane, do të thotë gjatë kohës së pesë shekujve të parë pas kohës së Pejgamberit (a.s.) - shkenca dhe mësimi nuk kanë pasur mbrojtës më të madh se qytetërimi Islam.
Jeta shoqërore gjithashtu ka qenë nën ndikimin e mësimit të Kur’anit. Në kohën kur në Evropën kristiane epidemia është konsideruar qortim i Zotit, të cilës njeriu duhet vetëm që përunjësisht t’i nënshtrohet – në atë kohë, dhe kohë para kësaj, muslimanët kanë ndjekur rekomandimin e Pejgamberit të tyre që i ka udhëzuar që të luftojnë kundër epidemive me izolimin e qyteteve dhe viseve të infektuara.
Gjatë kohës së kryqëzatave qenë trilluar shpifje të llojllojshme kundër Pejgamberit (a.s.). Mirëpo me ardhjen e kohës moderne që karakterizohet me tolerancë fetare dhe liri të mendimit, u bë një afrim i madh në skicimin e jetës dhe të karakterit të tij nga autorët perëndimorë.
Një realitet i tillë u shfaq duke ditur se Pejgamberi (a.s.) kurrë nuk ka pretenduar se është themelues i fesë. Përkundrazi dorëzimi Zotit-Islami- ka qenë, sipas Kur’anit, “prirja natyrore e njeriut” nga agimi i vetëdijes njerëzore, pikërisht këtë e kanë mësuar Ibrahimi (a.s.), Musai (a.s.), Isai (a.s.) dhe të gjithë pejgamberët e tjerë të Zotit, kurse porosia e Kur’anit është vetëm shpallja e fundit hyjnore.
Mesazhi i Islamit e ka konceptuar dhe sendërtuar në praktikë qytetërimin në të cilin nuk ka pasur kurrfarë vendi për nacionalizëm, kurrfarë interesash të veçanta, kurrfarë ndarje të klasave, kurrfarë aristokracie trashëguese, në realitet, kurrfarë funksionesh trashëguese përgjithësisht.
Cilësia më e rëndësishme e këtij qytetërimi të ri-cilësia që e dallon nga të gjitha lëvizjet e tjera në historinë njerëzore – ka qenë fakti se ai është konceptuar me anë të pranimit vullnetar dhe është rritur në pranimin vullnetar të njerëzve të interesuar.
Në kohën kur Islami ishte në kulmin e fuqisë, vetëm një qytetërim, ai kinez, mund të krahasohej me të për nga gjerësia, cilësia dhe shumëllojshmëria e arritjeve. Por qytetërimi kinez mbeti i kufizuar kryesisht në një grup të vetëm racial. Sigurisht që edhe ai, deri diku u eksportua, por vetëm tek popujt fqinj, të së njëjtës familje. Përkundrazi, Islami krijoi një qytetërim botëror, polietnik, multiracial, ndërkombëtar; madje, mund të thuhet edhe ndërkontinental.
Ndërsa në anën tjetër, qytetërimi perëndimor nuk ka qenë në gjendje që ta vërë baraspeshën ndërmjet nevojave trupore dhe shoqërore të njeriut dhe synimeve të tij shpirtërore.
Pa ndonjë orientim të mirëfilltë religjioz, perëndimori nuk mund të ketë dobi morale nga drita e dijes që shkenca e tij pa dyshim e madhe – e rrezaton. Në të mund të aplikohen fjalët e Kur’anit: “U ngjasojnë atyre që e ndezin zjarrin, e kur ai ta ndriçojë rrethin e tyre, Allahu ua merr dritën dhe i lë në terr, dhe ata fare nuk shohin! Të shurdhër, memecë e të verbër janë, kurrsesi që të vetëdijësohen”.
Ata në vend të ungjillores së kristianizmit filluan të përhapin ungjilloren materialiste të mënyrës perëndimore të jetës, besimi se të gjitha problemet njerëzore mund të zgjidhen në fabrika, laboratorë dhe nëpër tavolina statistikore. Në kohën kur madje edhe mbretërit edhe bujarët e Perëndimit pastrimin e kanë konsideruar pothuaj si luks të panjerëzishëm, madje edhe shtëpia më e varfër muslimane e ka pasur së paku një banjo, derisa banjot e përsosura publike kanë qenë shfaqje normale në çdo qytet të muslimanëve, kurse e tërë kjo si thirrje në mësimin e Pejgamberit se “Pastërtia është pjesë e fesë”.
Sot pas një intervali prej 14 shekujsh, jeta dhe mësimet e Muhamedit (a.s.) kanë mbijetuar pa humbjet më të vogla, pa ndryshime ose interpohime. Ato ofrojnë të njëjtën shpresë të pavdekshme për trajtimin e mbarë njerëzimit. Kjo nuk është kërkesë e pasuesve të Muhamedit (a.s.), por konkluzioni i pashkëputur i theksuar nga një histori kritike dhe e paanshme.
Dhe në fund të kësaj teme përmendim thënien e profesor Hurgronjes: “Lidhja e kombeve themeluar nga i Dërguari i Islamit, vendosi parimet e unitetit ndërkombëtar dhe vëllazërimin njerëzor me themele kaq universale saqë u tregon dritën kombeve të tjera”.
----------------------
Burimet:
1. Islami i vërtetë –Bernard Show
2. Muhamedi edukator-Robert L. Gulick
3.Kriteret ose dritat e rrugës –Fethullah Gylen
4.Takvimi 2005 Prishtinë.
5. Rruga për në Mekë –M. Asadi
6. Ku është gabuar? Islami, Perëndimi dhe Moderniteti-Bernard Levis
7. A e njihni këtë njeri?
8.Ç’thonë të tjerët për Muhamedin (a.s.)?
9. Lista e personave më me ndikim në histori - M.H. HART.
O i nderuari
ALBIN te ndihmofte allahu ne te gjitha ne jete, per te gjitha keto qe naj ke dhene ne kete forum.
Krijoni Kontakt