Albin Kurti, si nuk e keni lexuar kurrë...
Mira Kazhani
Një vit duke pritur takimin me atë. Vjet në pranverë udhëtova deri në Prishtinë për të realizuar një profil për të, aq shumë të dëshiruar nga unë. Ishte e pabesueshme por mu dësh të kthehem pa mundur të flas as në telefon dhe sapo hodha cantën mbi krevatin tim një mesazh rrufeshën përmbysi inatin tim me të.:- Përshëndetje Mira. Takohemi në orën 17 00 tek Grandi? Albini.
Sigurisht që unë isha kthyer në Tiranë dhe gjithcka u shty. Biseduam dy a tre herë të tjera ndoshta se në shumicën e rasteve mu dësh të flisja me Drenushën asistenten e tij.
Është ora 11 e mbrëmjes unë po fugoj me makinën time drejt ish Bllokut, ku po më pret Albin Kurti. Mund t’ju duket vonë por ishte mundësia e fundit pasi ai gjithmonë vjen për disa takime të organizuara dhe i duhet të kthehët me natë në prishtinë për shkak të punëve që ka. Nuk kam njohur njeri më të paarritshem se ai. Ai është gjitchka përvecse I zakonshëm!
Ai po pret në një cep të rrugës tek ish blloku dhe vendosim të dy bëjmë një copë rrugë në këmbë për të shkuar në një vinotekë ku do të ishte më qetë e unë mund të mbaja shënimet e mija.
Si për cudi në Tiranë nuk është as ajo lagështia e ftohtë e as erë e thatë, pëkrundrazi mbrëmjen e shoqëron një fllad si ato kur kanë celur bliret në Tiranë edhe pse blire tani s’ka.
Çfarë ndjenje të krijon Tirana?
Ai mendohet dhe më thotë se I pëlqen aq shumë, më shumë madje edhe se Prishtina.
Tirana ka rrugë të gjëra , ka bulevard, është një qytet në funksion të hapësirave. Më duket sikur marr frymë lirisht.
Po në Prishtinë?
Atje është ndryshe. Rrugë të ngushta, ndoshta edhe kujtime të trishta. Por pikëspari është një cështje që do ta lidhja me frymëmarrjen. Prishtina është e organizuar rreth ndërtesave të posacme që janë aty në llogari të shesheve që mungojnë. Tirana është revolucionare. Për shkak të shesheve të saj. Prishtina është guerile. Për shkak të rrugicave të shumta.
Nuk ka qënë kështu Tirana, i tregoj unë. Madje ekzistojnë dy përqasje për tiranën.Kanjë palë që thotë se qyteti ka qënë një pazar oriental në vitet -90 deri në 2000. Më pas patëm një kryebashkiak me ngjyra dhe që kish nevojë për ajër. Për fat na dha edhe ne.
Përqasje tjetër është kritike ndaj qytetit. Thuhet se ai burri që na dha ajër edhe na e betonizoi Tirënën. Në vitet e ’90-ta s’e krahasonim dot Tiranën me vetveten. Kalonim ilegalisht kufirin nga Kosova dhe Tirana ishte liria. Një dekadë më vonë, pamë që edhe banorët këtu merrnim frymë ndryshe. Mbase edhe për popullsinë e Shqipërisë në vitet e ’90 Tirana ishte joshëse sepse ishte kryeqytet, kurse një dekadë më vonë kryeqyteti ishte joshës sepse ishte Tirana.
Ndoshta kjo është arsyeja që ai nuk blen shtëpi. Madje thotë se s’ka ndërmend kurrë të ketë një pronë. Ndoshta është cështje frymëmarrje , pyes unë veten dhe atë.
-Jo më thotë, c’ka ta dua një shtëpi. Dhe bën një grimasë injoruese. E të mendosh që shumica e shqiptarëve vdesin të kenë shtëpi. Fakti më futi në mendime, gjithsesi.
Ndërsa ecim të dy dikush e thërrët dhe ai ndalet ta takoj. Njeriu që po e takon është I ekzaltuar nga rastësia, ndërsa ai është I sjellshëm dhe vetëm kaq. Nuk flet shumë kur takohet me njerëzit. E kam rastisur edhe në një party të VV dhe të gjithë flisnin më shumë se ai. Më bëri përshtypje aftësia e tij në të dëgjuar. Ai dëgjon dhe nuk duket sikur e bën se nuk e di atë që po I thua, mundet ta di edhe më mirë por është I vetpërmbajtur.
Ngjisim disa shkallë. Ai është një burrë elegant dhe i hedh hapat shumë lehtë. Mban një cantë me rrip të gjatë dhe ka veshur xhaketën e tij, një kafe ( e vesh shpesh). Ulemi për të porositur. Kamarieri e njeh menjëherë dhe nuk është I vëmendshëm ndaj meje(edhe pse jam femër) sac është ndaj atij.
Verë të ëmbël apo të athët, Pyet kamarieri, një djalë hollak.
- Si e dëshiron ti Mira,më pyet Albini. Unë tha ai, se dua të ëmbël.
- E marrim të athët atëherë , I përgjigjem.
Si është kjo jetë gjithmonë duhet të zgjedhim mes alternativës A dhe B? Por a është kjo liri? E pyes unë.
-Unë zgjodha verë të athët se s’më pëlqen e ëmbël, përgjigjet ai. Nuk besoj se është liri. Liri është të zgjedhësh mes të pafundmes. Kur të duhet të zgjedhësh mes disa alternativash ke fat sepse nuk zgjedh më të keqen, por mund të jesh pafat sepse humbet më të mirën.
Albin a je bërë politikan?
Në një formë s’do të bëhëm kurrë. Por në një mënyrë tjetër ndoshta kam qënë gjithmonë.
Mundohem të mos jem ai lloj politikani që janë mësuar njerëzit të shohin. A e di ti Mira, se cdo të thotë ministër në latinisht? Do të thotë shërbëtor. Maksimumi I karrierrës së një politikani është të bëhet kryeshërbëtor.
Ju e shihni vetën kryeshërbëtor?
Po unë përpiqëm të mos shoh veten. VV nëse do të vij në pushtet, ajo do të jetë falë një fitoreje konceptuale të shoqërisë. Nuk bëjmë llogari aleancash dhe koalicionesh. Nëse të duhet të bësh kaq shumë llogari është më bukur të humbasësh. Kam durimin e duhur unë dhe të gjithë kolegët e mi në VV. Ne do të jemi në pushtet në një kohë që shoqëria do të jetë zhvilluar aq mirë sa vërtet unë, apo dikush tjetër do të jetë shërbëtor I heshtur.
Ai hesht pak dhe vazhdon.
– E dini, institucionet e qeverisë, kryeministria, parlamenti, nuk janë banesa për politikanët. Ata s’duhet të shndërrohen në banorë dhe të rrinë aty si në shtëpi. Kjo është e turpshme.
Pse është turp? Ne në Tiranë kështu e kemi. Jemi ne pushtet , ose jemi drejtues të një force apo lëvizjeje dhe ajo është shtëpia jonë.
Banorët bëhen pronarë. E pronarë duhet të jenë veçse qytetarët si burim i sovranitetit që janë. Politikanët duhet të shërbejnë në shtetin që paraqet shtëpinë e popullit, shoqërisë, kombit.
Si është shqipëria e Albinit?
Ai mendohet disa sekonda. Shqipëria nga njëra anë më vjen si kujtim I brezave, si një tërësi impulsesh. Stërgjyshërit , gjyshërit, prindërit etj. Më vjen si një histori që është bjeshkë. Nga ana tjetër më vjen si ai momenti i zgjimit nga ëndrra në realitet. Por nuk është një ëndërr që ndodhet në kontrast me realitetin por si një ëndërr shumë reale që është pak e mundimshme por që mund të bëhet realitet, duhet të bëhet realitet dhe tashmë disi ka nisur të bëhet realitet. Një ëndërr që mbetet si përshtypje pas zgjimit dhe e transformon zgjimin.
Po ëndrra shikoni? Kur ishit në burg cfarë ëndrrash shikonit?
S’ma ka bërë njeri këtë pyetje. Shikoja dhe shikoj gjithmonë ëndrra. Kur isha në burg 6 muajt e parë shikoja ëndrra sikur isha I lirë. Më vonë e shihja veten të burgosur por nuk isha kurrë në burgun ku ndodhesha. Ëndrrat më conin në një shkollë, qëndër tregtare, në një shtëpi të vjetër të cilat shëndërroheshin në burg me të burgosur por nuk pashë kurrë një ëndërr në burgun ku qëndrova.
A ishit agresiv në ëndrra. Ndoshta vrisnit apo rrihnit dikë?
Jo! Ëndrrat nuk kam si zmbrazje. Gjithmonë shoh situata të jashtëzakonshme dhe kur zgjohem në mëngjes ndiej edhe pak përgjegjësi për veten, më thotë ai si me humor por edhe si pak fëmijë.
E kam ndjekur në një deklaratë të tij në vitin 2000 në burgun e Pozarevacit ne Serbi. Ishte 25 vjec në atë kohë dhe kish një egërsi në sy por përmbajtësi në fjalë.
Albin, a kishe një njeri që të mungoi gjatë kohës së burgut. Ndoshta nëna?
-Nëna ime ka qënë e ashpër me mua. Ajo ka qënë mësuese dhe të mendosh kur isha fëmijë më dukej vetja me dy mësuese. Në burg humbet ndjeshmërinë dhe nuk jepesh në melankoli. U bera I egër por asnjëherë nuk I inatosa. Isha I qetë. Kjo më ka mbajtur gjallë, tregon Albini.
Atë e kanë torturuar me ditë e javë. Madje për disa javë nuk mundte as të ecte për shkak të goditjeve në këmbë. E gjitha sepse ai nuk e pranoi kurrë dënimin e tij dhe ata që e dënuan.
Kur hoqën dorë prej teje? E pyes unë.
Një ditë u lodhën me mua. Kanë menduar kush merret me këtë të cmendur.
Në burg flinte në orën 21 të mbrëmjes dhe zgjohej në 5 të mëngjesit. Dhe unë që naivisht e pyes sepse nuk flinte më shumë?
Ai qesh të paktën për një minutë dhe më kthehet.
Po Mira, atje nuk na kishin dërgu me pushime! Na zgjonin në 5 të mëngjesit dhe ngjitur me krevatin kishim një tryeze dhe një karrike. Ai vendos duart mby tryezë dhe më improvizon sesi duhet të rrinin gjatë gjithë ditës në qeli. Nuk mund të uleshin në krevat për asnjë arsye gjatë ditës. -Tek dera kishte një sy magjik por ndryshe nga realiteti ai shërbente për gardianët që ata mund të shikonin, ne jo sigurisht , më sqaron ai.
(Imagjinoni të rrish në një dhomë i vëzhguar 24 orë dhe të mos mundesh të shtrihesh në krevatin tënd qoftë edhe për të ëndërruar lirinë.) Krevati, më tregon ai është objekt torture në burg. Ti e ke vetem disa cm larg dhe nuk shtrihesh në të. Kur dola, ndër gjërat e para që bëra ishte të shkoja në lagjen Arbëria për të parë lindjen e diellit në Prishtinë dhe tek Bregu i Diellit kërkova perëndimin. Dielli më zhgënjeu. Jo pse nuk ishte siç e kisha parapërfytyruar, por pse ishte mu ashtu. Shumë gjëra që i kisha mezipritur në ato dy vite e gjysmë burg nuk më lanë përshtyje në liri. Jo gjërat që nuk i kisha në burg, por ato që i kisha në një formë tjetër, më tronditën kur dola në liri. Syri magjik i derës kur tashmë shihja unë dhe jo ata nga jashtë, piruni i metaltë dhe jo i plastikës, dritarja nga e cila shikoja unë dhe nuk më shikonin ata, ishin gjëra me të cilat m’u desh kohë të ambjentohesha. Pra, jo ajo që s’e kasha parë, por ajo që kishte kuptim të përmbysur po më bënte shumë më tepër përshtypje.
Por, kishte edhe punë që më mbetën përgjysmë në burg e që i vazhdova në liri. Faqet e fundit të shumë romaneve që kisha lexuar (faqet e fundit ishin grisur kryesisht nga të burgosur të tjerë që u nevojiteshin fletët për të shkruar pikët e fituara gjatë lojës YAMB me zare të punuara nga sapuni) i kam lexuar vetëm vite më pas.
Unë nuk dua ta pyes për torturat sepse kam frikë edhe ti dëgjoj por ai nuk të krijon asnjë pengesë. Ai ka një botë që I bën të gjithë të ndihen ajër dhe të futen në hapësirat e bjeshkës së tij.
Kamarieri afrohet disa herë dhe interesohet për të na mbushur gotat me verë. Sytë e shumë njerëzve aty rrotull bëjnë një rreth tek tavolina jonë hera- herës. Kam një tundim të ngrihem dhe t’ju tregoj në vesh të gjithëve me rradhë se Albini është i jashtëzakonshëm në të zakonshmen e tij. Dua ta njohin edhe ata ashtu si unë besoj që po e njoh sonte.
Të paktën tani fle me dikë besoj, e pyes unë me pak dëshirë për të zbuluar nëse ka një femër në jetën e tij.
Jo aktualisht. Shoqja ime nuk ndodhet në Prishtinë. Përgjigjet ai me një rrjedhshmëri pëfekte.
Unë as që isha në dijeni të një lidhjeje të tij dhe u tundova në kureshti. Mësoj që ajo është norvegjeze dhe quhet Rita. Duket si emër shqiptar vetëm të dashurin e ka shqiptar. Albinin.. Janë njohur që në vitin 2007 në Prishtinë.
Si ndodhi që u dashuruat?
E dallova që herën e parë. Por nuk ishte dashuri me shikim të parë, tregon ai. Ndërsa më flet për Ritën sytë i shndrisin. Kanë në plan të martohen një ditë por Albini më thotë atë që cdo femër në botë do donte që ta dëgjonte.
-E di që do martohem por kjo ka pak rëndësi. Ajo është gruaja e jetës time dhe martesa nuk do e bëj më të rëndësishme.
Sa me fat Rita, i them atij.
- Jo Mira, vec ta njohësh ti atë dhe do kuptosh se fatin e kam unë.
Më duket gati surreale që po dëgjoj Albin Kurtin tek flet për dashurinë. Dhe tek më tregon sesa mirë e ka mësuar shqipen Rita duke ndjekur kurs të shqipes në Tiranë. Ne njerëzit jemi gjithmonë viktima në kurthet e stereotipeve që krijojmë në kokën tonë. Duke e parë atë nga larg kisha besuar se është nga ata që s’kanë bisedë tjetër vec atdheut. Albini ka të drejtë kur thotë se situatat i ka të jashtëzakonshme dhe ai di të jetë edhe i zakonshëm tek flet për gjërat e vogla të jetës së tij. Edhe pse telefonin gjatë ditës më së shumti e mban Drenusha (asistentja) dhe ndoshta Ritës i duhet të pres që njeriu i saj i zemrës të mbaroj mbledhjet e gjata apo protestat e pse jo i është dashur të mbaj zemrën me dorë kur atë e kanë arrestuar. Duhet të jetë kaq e vështirë për të fakti që burri i jetës së saj është nje shqiptarë i rrallë (kjo edhe në qoftë e zakonshme , që për mua nuk është, është e vërteta e tij merituar.)
Albini, ka një aftësi për të gjetur arsyetimin më të mirë të mundshëm. Dhe këto vështirësitë e tij si psh, telefoni, protesta, arrestimet, mbledhjet e gjata, takimet e gjata nuk janë pengesë për dy njerëz kur sic thotë ai vetë:” ngjashmëritë në botëkuptim janë ura për mirëkuptim”!
Ndërsa bisedojmë për dashuritë e tij kuptoj se ai nuk është rebeli që ndonjëri krijon në mendjen e tij. Është i urtë dhe mendohet gjatë përpara cdo përgjigjeje. Burgu nuk e ka bërë të ndihet as hero e as viktimë. Ai ka mësuar gjatë jetës në një kohë të shpejtë gati më xhiro të përshpejtuara që të jetë i duruar dhe mendimet të mos i gatuaj mbi gjuhë por në zemër e në mendje. Nga fundi i bisedës unë nuk mbaj shënime më. Vera e athët me disa djathra të ndryshëm ka shoqëruar mbrëmjen e vonë. E kemi lenë që të takohemi në verë diku nga Jali pasi Albini nuk bën kurrë pushimë në vende të tjera përecse në viset shqiptare. Duke u larguar e kam zakon të më kujtohet ndonjë pyetje.
Albin po si harrova të të pyes nëse ke në plane të bësh fëmijë?!
Po besoj që do kem në një të ardhme, thotë ai duke qeshur lehtë me ato sytë që i rrëzojnë mbi portret një butësi fëmije që duket sikur është rritur para kohe duke parë protestat dhe prej mencurisë së parakohshme dhe karakterit njerëzor ka mundur të mbetet edhe pak fëmijë , gjë që justifikon edhe idealizmin e tij.
Cfarë do t’ju mësosh mësëpari atyre, insistoj unë.
Është i paparashikueshëm. Ndërsa unë pres një këshillë ai më jep një leksion.
-Nuk besoj se do i mësoj. Kush jam unë që të mësoj fëmijët e mi. Do mësojmë nga njëri-tjetri. Askush nuk di aq shumë sa të mësoj të tjerët.
p.s Më besoni, ky është Albin Kurti. Më besoni ju lexues, politikanët e Tiranës e Prishtinës që lidhin fatet tona në kollarët e tyre të mërzitshme. Por edhe ju ndërkombëtar që na flisni për forcën dhe shpirtin vital e që zgjidhni të kërceni tango me ngjalat. Ju kuptoj përse distancoheni nga idealizmi, sepse edhe personalisht besoj që ai nuk ekziston por sonte mu duk se takova një të tillë. Koha do më jap ose jo të drejtë por unë gjithmonë do kujtoj se një të enjte të vonë në Tiranë piva verë të athët me një idealist!
http://www.shqiptarja.com/blog_artic...goria=6&page=2
Krijoni Kontakt