Kërcënuesi shqiptar i ISIS, një ish-imam i Pogradecit. Almir Daci, emër i njohur edhe nga Antiterrori
Ushtari i ISIS që kërcënoi Shqipërinë, me eksploziv dhe terror, është Almir Daci, i cili më parë ishte imam i xhamisë së Leshnicës.
Almir Daci
Daci, nga fshati Leshnicë i Pogradecit, është një emër i njohur në raportet e Shërbimit Inteligjent Shqiptar. I njohur gjithashtu ai është edhe nga Drejtoria e Antiterrorit, pasi flitet si person që më parë rekrutonte të rinj për të luftuar në rradhët e ISIS.
Për herë të parë, publikisht emri i Almir Dacit u përmend nga të afërm të Denis Hamzajt. Pikërisht këtij të riu nga Pogradeci që humbi jetën një vit më parë në Siri.
Hamzaj, një ushtar tjetër nga Leshnica, i marrë me vete nga vetë Daci, u dërgua në frontin e luftës dhe u vra.
Si duket ne videon kercenuese Almir Daci
E ëma e Almir Dacit mohoi përfshirjen e djalit të saj
Familjarët e Almir Dacit nga Leshnica e Pogradecit, pavarësisht akuzave dhe diskutimeve të shumta, nuk e kanë pranuar se ai ka lidhje me rekrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre në Siri. Nëna e Almirit, Nafie Daci, në një intervisë për Panorama Print më datë 19 Mars 2014, ngulte këmbë se djali i saj ndodhet në Arabi duke punuar për të siguruar pak të ardhura dhe për t’i mbijetuar varfërisë, ndërsa nuk hezitoi të thotë se djali i saj nuk ka lidhje me atë çka deklarohet për të.
Myftiu i Pogradecit: Almir Dacin e hoqëm ditën e Bajramit
Rrëfimet tronditëse për rekrutimin e të rinjve në Siri dhe emri i Almir Dacit kanë bërë që edhe Myftinia e Pogradecit të reagojë ndaj abuzimeve në emër të fesë. Më datë 19 Mars 2014, Namik Mahmutllari, rrëfeu për Panorama Print sesi Daci i cili për vite me radhë ka qenë predikues i fesë myslimane devijoi duke bërë që të merret edhe vendimi për shkarkimin e tij nga posti që mbante.
Sipas myftiut, emri i Dacit dhe akuzat e ngritura ndaj tij kanë shkaktuar jo pak tronditje për shkak se ai për 6 vite ka qenë imami i xhamisë së Leshnicës.
“Shkarkimi i tij nuk erdhi brenda një dite. Ishte një veprimi i tij, i patolerueshëm, që na çoi në këtë vendim. Gjithçka erdhi për shkak të disa devijimeve të tij në besimin islam, të cilat i shfaqi kohët e fundit. Vendimi për shkarkimin e tij është marrë pikërisht në ditën e Bajramit kur ne mësuam nga disa besimtarë se Almir Daci nuk kishte lejuar që ata të faleshin në këtë ditë. Sipas tyre ai kishte deklaruar se falja do të bëhej ditën e nesërme, gjë e cila ishte e pajustifikueshme dhe e patolerueshme”,- tha Myftinia e Pogradecit.
Panorama
Krijoni Kontakt