Lufta civile në Siri po shndërrohet në një vorbull, që tërheq brenda vetes të gjithë rajonin. Në krye të zhvillimeve, që sjellin këtë shqetësim, renditen aktivitetet terroriste gjithnjë e në rritje në zonë. Si shembull për këtë mund të japim terrorin e PKK-së, që prej një kohe të gjatë kishte më shumë aktivitet në qytetet turke pranë kufirit me Iranin, ndërsa tani është përhapur në rrethet afër kufirit me Sirinë. Sulmi terrorist në Gaziantep, një qytet turk në kufi me Sirinë, është një shembull konkret, që tregon aktivitetin e terrorit të PKK-së në zonën kufitare turko-siriane. Nga ana tjetër, rrëmbimi i dy nënshtetasve turq në Liban dhe përshkallëzimi i tensionimit ndërmjet shiitëve dhe sunitëve në provincën Tripoli, nxjerr në pah se edhe Libani nuk është larg vorbullës siriane. Po t'u shtojmë këtyre edhe disa vende të tjera, ku ia vlen të përmenden Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Katari, do të kuptohet fare lehtë se sa i rrezikshëm është procesi, në të cilin gjendet aktualisht rajoni.
Kjo tablo mund të duket si lajmëtare e një lufte rajonale. Por lufta në fjalë nuk është një e tillë klasike; ajo është një luftë ndërmjet vendeve/grupeve pro Esadit dhe vendeve/grupeve përkrahëse të opozitarëve. Kjo nuk është një luftë “midis shteteve-komb”, por një luftë “ndërmjet aktorëve trans-kombëtarë”, koalicioneve dhe përfaqësimeve. Ndërsa emëruesi i përbashkët i këtyre koalicioneve nuk është interesi politik i shteteve-komb, por interesi i bazuar në probleme sektare dhe etnike. Dallimet etniko-fetare, që gjatë një ecurie të zakontë nuk kanë ndikim, në këtë proces luftimesh po politizohen dhe polarizohen me shpejtësi. Kështu fillojnë të humbasin rendi publik, kufijtë e hegjemonisë, solidariteti shoqëror, siguria, klima e besimit dhe stabiliteti në nivelin e një shteti-komb.
Këto që shpjeguam pak më sipër na sjellin ndërmend një ngjarje historike: Lufta Njëqindvjeçare (Lufta e Trëndafilave) dhe Lufta Tridhjetëvjeçare. Këto luftëra, që ndryshe njihen edhe si përleshjet sektare ndërmjet katolikëve dhe protestantëve, gjatë shekujve XV,XVI dhe XVII e kishin tërhequr Evropën zvarrë në “gjendjen natyrore”, ku sipas filozofit britanik, Tomas Hobs (Thomas Hobbes) nuk ka as drejtësi dhe as padrejtësi, ekziston vetëm lufta dhe mbizotëron anarkia. Gjendja natyrore është një atmosferë kaosi total, ku “të gjithë luftojnë kundër të gjithëve” (Bellum omnium in omnes), “nuk merren parasysh vlera si morali dhe ndërgjegjja”, “i fuqishmi e shtypë të dobëtin si të dëshirojë”, shkurtimisht “një situatë ku zhvillohen kushte të ngjashme me ato të ligjit të pyllit”.
Po t'iu hedhim një shikim kushteve të sotme, pasqyrimet konkrete të “gjendjes natyrore” janë si në vijim:
Humbet autoriteti i shtetit; ndizet gara e armatimit; përhapen ndërhyrjet e fuqive jashtë rajonit; ndërkohë që rriten shitjet e armëve dhe municioneve në rajon, thellohet varfëria ekonomike; si pasojë e shpenzimit të burimeve ekonomike për luftë, bien standardet dhe cilësia e jetesës; problemet ushtarake, shoqërore, ekonomike dhe jetësore shkaktojnë ndryshimin e regjimit ose qeverisë; të gjitha këto mund të kapërcejnë kufijtë e rajonit dhe të përhapen në shkallë botërore.
Disa mund ta shikojnë këtë tablo si “tepër pesimiste dhe të trilluar”. Mund të pretendohet se Evropa mesjetare dhe Lindja e Mesme (post-)moderne nuk jetojnë në të njëjtat kushte botërore, prandaj “gjendja natyrore” nuk do të ishte e vlefshme për sot. Mund të thuhet edhe se institucionet, ligjet, normat dhe ekuilibrat e sotme ndërkombëtare janë më të favorshme, andaj mbizotëron një atmosferë shumë më e kontrollueshme. E megjithatë nuk mund t'i anashkalojmë ngjashmëritë, që shfaqin veçanërisht nga aspekti i analizave etniko-sektare Evropa e periudhës mesjetare dhe Lindja e Mesme (post-)moderne.
Përcaktimi i mendimeve dhe sjelljeve të njeriut sipas përfitimeve etniko-sektare dhe jo sipas interesave politike moderne, përbën një problem shumë serioz. Në këtë rast problemi nuk qëndron vetëm tek bashkëpunimi apo konflikti trans-kufitar i katolikëve me protestantët ose i sunitëve me shiitët, por tek potenciali i shumë nënsekteve apo nënetnive. Ashtu siç e thekson edhe Tomas Hobsi në teorinë e tij mbi gjendjen natyrore, koalicionet, që luftojnë në Lindje të Mesme, nuk janë specifike dhe të dallueshme. Brenda “kampit hipotetik” të quajtur suni ka shumë nëngrupe, e njëjta gjë vlen edhe për “kampin hipotetik” të quajtur shii. Njëkohësisht duhet të marrim parasysh që tek turqit, kurdët, arabët, persët etj. nuk kemi të bëjmë me grupime homogjene. Këtyre ndarjeve mund t'u shtojmë edhe një sërë burime konfliktesh anësore të bazuara në koncepte politike dhe gjeopolitike si e majtë-e djathtë, vendor-rajonal, historik-modern dhe totalitarizëm-demokraci. Po ti shikojmë nga ky këndvështrim, për fat të keq jemi të mendimit se kushtet e Lindjes së Mesme (post-)moderne janë më të rrezikshme, luftërat e bazuara në sektarizmin dhe etnicizmin e sotëm janë më shkatërruese, më të dhunshme dhe madje zgjasin më shumë.
Atyre, që mund të më kundërshtojnë duke thënë “jo, kjo nuk ndodh”, dua t'iu rikujtojë luftën 8-vjeçare Iran-Irak, luftën civile mbi një dekadë në Liban, luftën civile, që vazhdon prej 20 vitesh në Irak, por edhe procesin 30-vjeçar të terrorit të PKK-së në Turqi. Duke u nisur nga kjo, liderëve, popujve, njerëzve të rajonit dhe më gjerë në botë u drejtojë këto pyetje: A na garanton kush se këto luftime, që vazhdojnë prej 30 vitesh, nuk do të vazhdojnë për 30 apo më shumë vjet të tjera? Duke qenë se pjesërisht e dimë përse shpërthejnë këto luftëra dhe përse nuk arrihen të merren nën kontroll lehtësisht, a mund të themi se këtej e tutje ato do mund të merren nën kontroll?
A ekziston ndonjë njeri që nuk e di se shkaku më i rëndësishëm i përleshjeve rajonale të 30 viteve të fundit është një “luftë” ndërmjet përfundimeve të Revolucionit Iranian të vitit 1979 dhe fuqive, që nuk i pranojnë këto rezultate? Nëse nuk ekziston, atëherë a do të vazhdojnë popujt dhe autoritetet e rajonit të bëhen pjesë e këtij procesi? Po të marrim parasysh se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kërcënojnë Iranin thuajse çdo ditë me ndërhyrje ushtarake, vallë a nuk është e qartë se cili është burimi esencial i konfliktit?
Nga ana tjetër, a nuk e vërejnë Teherani dhe përkrahësit e tij që përshkallëzimi i luftimeve nuk hedhë në zjarr vetëm palën e tyre, por të gjithë rajonin?
Vallë a arrini ta kuptoni se ky proces konflikti po e tërheqë zvarrë të gjithë rajonin nga sistemi i botës moderne drejt “gjendjes natyrore”?
Në qoftë se arrini t’iu jepni përgjigje vullnetmira dhe realiste të tëra pyetjeve të lartrenditura, atëherë ju lutem bëni çmos dhe ndaleni këtë ecuri të rrezikshme! Por nëse nuk i merrni në konsideratë këto pyetje dhe nuk bëni atë që duhet, a nuk ju shkon aspak ndërmend se po e shtyni rajonin drejt një katastrofe dhe po mëkatoni duke u sjellë të papërgjegjshëm ndaj brezave të ardhshëm dhe sistemit hyjnor?!
Por një gjë duhet ta dini mirë, nëse nuk arrini ta ndalni apo nuk arrini ta mendoni, në rrezik tepër serioz nuk është vetëm rajoni, por edhe e ardhmja juaj!
Autor: Ramazan Gozen
Krijoni Kontakt