Përparimi i teknologjisë dhe njohuritë e reja nga sondat e misioneve të ndryshme, gjithnjë e më shumë po i eliminojnë pengesat e shumta dhe po i shtojnë gjasat për realizimin e një projekti të tillë. Me gjithë gjasat optimiste, realizimi i ndonjë misioni me njerëz deri në vitin 2030, siç parashohin NASA dhe ESA në projektet e veta, akoma varet nga disa faktorë. Mirëpo, dy janë faktorët kryesorë që duhet tejkaluar: faktori teknik – njësia fluturuese dhe faktori biologjik – vetë njeriu.
Realizimi i një udhëtimi interplanetar me ekuipazh njerëzor, edhe pse duket si një aventurë fiktive, megjithatë, sipas ekspertëve të kozmologjisë, është i realizueshëm. Përparimi i teknologjisë dhe njohuritë e reja nga sondat e misioneve të ndryshme, gjithnjë e më shumë po i eliminojnë pengesat e shumta dhe po i shtojnë gjasat për realizimin e një projekti të tillë. Me gjithë gjasat optimiste, realizimi i ndonjë misioni me njerëz deri në vitin 2030, siç parashohin NASA dhe ESA në projektet e veta, akoma varet nga disa faktorë. Mirëpo, dy janë faktorët kryesorë që duhet tejkaluar: faktori teknik – njësia fluturuese dhe faktori biologjik – vetë njeriu.
Sistemi i sotëm raketor, që funksionon përmes energjisë shtytëse kimike, në të vërtetë mundëson fluturimin e një misioni njerëzor në Mars, por, për shkak të kohës së gjatë fluturuese, paraqet rrezik të madh, si fizik ashtu edhe psikik, për ekuipazhin e misionit. Aktivizimi raketor përmes sistemit shtytës kimik, që mundëson shpejtësi maksimale prej 5.000 m/s, shfrytëzohet vetëm për pozicionimin e sondës në një trajektore eliptike, në të cilën fluturakja, kohën më të gjatë, lëviz pa ndihmën e karburanteve dhe ato i shfrytëzon vetëm në rast të ndonjë manovrimi fluturues ose korrekture të nevojshme. Pasi që mundësitë përmes sistemit aktivizues kimik janë të kufizuara, atëherë duhet kërkuar një burim energjie të ri, i cili do të ishte aktiv gjatë gjithë kohës së fluturimit. Me këtë sistem do të shmangej fluturimi përmes trajektores eliptike dhe do të shkurtohej shumë edhe koha e fluturimit.
Energjia shtytëse fizike funksionon pa ndonjë reaksion kimik dhe mundëson arritjen e shpejtësisë shumë më të lartë se 5.000 m/s. Si alternativë të energjisë shtytëse kimike, së paku teorikisht, janë: energjia elektrostatike, energjia elektrotermike, energjia atomike etj. Si më e mundshmja, edhe pse shumë e rrezikshme për njeriun dhe ambientin në përgjithësi, përfolët ajo atomike.
Thashethemet e para, se NASA është duke punuar në ndërtimin e një sistemi raketor atomik, filluan në fillim të vitit 2004, kur shefi i NASA-s, Sean O Keefe, në një intervistë në revistën “Los Angeles Times”, në mënyrë të çiltër tha se për këtë aspekt do të prononcohet edhe vetë presidenti Bush në fjalimin e tij para dy dhomave të kongresit. Por, projektet për krijimin e një sistemi raketor atomik, nuk janë të reja. Në vitet ’60 amerikanët zhvilluan një projekt të quajtur, “Nerva-Koncept”. Mirëpo, për shkak të kostos së lartë dhe rrezikut që mund të pasojë nga energjia atomike, pas disa vitesh, NASA, së paku publikisht, pezullon punimet në këtë drejtim. Në vitet ’90, në programin e përbashkët ruso-gjerman, u krijua një reaktor bërthamor i quajtur, “Topas-25”, i cili funksiononte me uran të pasuruar – 235. Me këtë reaktor ishte paraparë që të fluturonte një sondë hapësinore drejt planetit Pluton. Për shkak të rrezikut të madh, edhe ky projekt u pezullua, edhe pse një satelit testues fluturoi në gjithësi mbi një vit.
Pas shumë mendimeve e debateve, më në fund u vërtetua se NASA kishte marrë shtesën e nevojshme financiare nga qeveria amerikane për krijimin dhe ndërtimin e një motori të ri raketor të quajtur “Prometheus”, i cili do të funksiononte me ndihmën e energjisë bërthamore. Me ndihmën e kësaj rakete, do të shkurtohej koha e fluturimit për në Mars, nga 6 muaj në vetëm 2, që do të kishte shumë efekte pozitive për shëndetin e astronautëve, pjesëmarrës të misionit. Pasi ata, gjatë gjithë kohës së fluturimit u ekspozohen rrezatimeve kozmike, si dhe gjendjes pa gravitet, kjo shkurtesë kohore do ta reduktonte dukshëm rrezikun serioz që i kanoset organizmit të tyre.
Problem tjetër teknik është edhe energjia elektrike. Furnizimi i sondave, “Qarkorëve”, “Zbarkuesve”, “Roverëve” etj, zakonisht është bërë përmes sistemeve solare. Mirëpo, kapaciteti i këtyre burimeve të energjisë si dhe koha e prodhimit të saj, gjithashtu është mjaft e kufizuar. Ky kufizim i energjisë, paraqet pengesa serioze për shumë misione interplanetare, ndaj edhe për misionet e Marsit. Prandaj, mendohet se projekti “Prometheus”, jo vetëm se do t’i zgjidhte këto probleme, por edhe do ta revolucionarizonte shkencën e kozmologjisë duke hapur një faqe të re në historinë e saj. Dashamirët e këtij projekti, thonë se, jo vetëm që do të shkurtohej koha e fluturimit, por përmes kësaj energjie, mundësohet edhe transporti i ngarkesave dyfish më të mëdha se deri tani, që do ta ulte shumë koston ndërtuese të misioneve. Robert Zubrin, edhe vetë projektues i një plani për Marsin, e përshëndet këtë projekt si një hap shumë pozitiv. “...vendimi për ndërtimin e një teknologjie nukleare për gjithësinë, është një i hap i mëtejmë, që do të kursejë miliarda dollarë dhe do t’i zgjerojë dukshëm mundësitë tona.” – thotë ai.
Natyrisht, që ky projekt, duke pasur parasysh rrezikun që paraqet atomi, jo vetëm për njeriun, por edhe për natyrën në përgjithësi, ka edhe kritikët e vet. Mu për këtë arsye, përdorimi i teknologjisë nukleare në hulumtimin e gjithësisë, prej kohësh është temë e kontestueshme. Edhe pse, për shkak të këtij rreziku, u ndërpren dy projekte të tilla, të cekura më lart, amerikanët, megjithatë, në vitin 1999, lansuan për në planetin Saturn, sondën “Cassini”, në bordin e së cilës kishte plutonium. Kjo dukuri, asokohe, u përcoll me protesta masive publike.
Ekspertët e NASA-s thonë se njerëzimi në Tokë nuk duhet pasur frikë nga ky projekt. Teknologjia atomike, përmes sistemit shtytës kimik, së pari do të bartet lart në orbitën e Tokës, e pastaj, atje, ajo do të montohet dhe tek pastaj do të aktivizohet procesi veprues i energjisë bërthamore. Përmes kësaj rruge, shprehen ekspertët, do të shmanget edhe depërtimi i lëndës radioaktive në raste kritike. Mirëpo, sesi do të shkojë puna e mëtejme e projektit “Prometheus”, emri i të cilit është marrë nga mitologjia greke, mbetet të shihet më vonë.
Përveç faktorit teknik, pengesë tjetër shumë serioze është edhe faktori biologjik, pra vetë njeriu. Prej kohësh, janë duke u marrë me këtë problem, jo vetëm ekspertët e kozmologjisë, por edhe mjekët dhe psikologët. Ata janë duke studiuar, se a do të mund t’i përballojë organizmi i njeriut këto tortura disavjeçare, pa u dëmtuar fizikisht e shpirtërisht.
Një nga problemet kryesore për astronautët, që e sheh medicina kozmike, është ai i gravitetit, që do t’u mungojë atyre me vite të tëra. Secili astronaut që ka qenë në orbitë e ka përjetuar drejtpërdrejt në trupin e tij një ndjenjë të tillë. Lëngu i trupit, pasi që mungon forca gravituese, nuk do të tërhiqet poshtë kah këmbët, por do të shpërndahet në pjesën e sipërme të trupit. Pasojë e kësaj është të ënjturit e fytyrës, që njihet në kozmologji si “Puffer Face”, mukozat e ndryshme të trupit do të gufojnë, këmbët do të fillojnë të hollohen “Spider Legs” etj. Pra, është kjo një fazë akute që njihet si “sëmundja e gjithësisë”, që tek dy të tretat e astronautëve, pas dy-tri ditësh, përcillet me ndjenjën e marramendjes, vjelljeve etj.
Përveç kësaj, gjendja pa gravitet ka edhe pasojat tjera. “Kockat dhe muskujt, në këtë situatë, do të jenë shumë pasivë, e më këtë do të fillojë edhe shkatërrimi i tyre” – thotë prof. Rupert Gerzer nga Instituti i medicinës hapësinore në Köln të Gjermanisë. Eksperimentet e shumta kanë treguar se edhe programi më aktiv i fitnesit, nuk mund ta parandalojë plotësisht humbjen e kalciumit në kocka dhe të kaliumit në muskuj. Nga një statistikë e NASA-s, që u bë në vitit 1997, rezulton se nga 279 astronautë, 276 prej tyre u ankuan se kishin pasur probleme gjatë qëndrimit të tyre në hapësirë. Gjendja pa gravitet provokon edhe pasoja tjera shëndetësore, si: humbjen e sistemit të imunitetit, për shkak të dobësimit të aftësive limfocite; dobësimi i qarkullimit të gjakut për shkak të aktiviteteve pasive trupore; rreziku i gurëve në veshkë, si pasojë e humbjes së kalciumit dhe mineraleve tjera etj. Vetë NASA, numëron mbi 100 rreziqe medicinale për organizmin e njeriut, si pasojë e mungesës së gravitetit.
Shumë të rrezikshme për trupin dhe jetën e astronautëve janë edhe rrezatimet kozmike, rrezet gama, që burojnë nga “vrimat e zeza” si dhe protonet, që janë si burim i erupsioneve diellore, të cilave ata u janë të ekspozuara gjatë gjithë kohës, si gjatë fluturimit ashtu edhe gjatë qëndrimit të tyre në planetin Mars. Si më të dëmshme për organizëm, cilësohen rrezatimet kozmike, që supozohet se janë krijuar nga shpërthimet e mundshme në galaktikat e ndryshme. Bërthama e tyre jonizuese është shumë më e pasur me energji – disa milion MeV (Mega electronvolt) – sesa protonet e krijuara nga erupsionet diellore që kanë vetëm disa mijëra MeV. Ato depërtojnë me një shpejtësi shumë të madhe përmes mbështjellësit të anijes kozmike deri tek trupi i njeriut, duke dëmtuar rëndë strukturën e molekulave ADN, gjenet dhe qelizat e tij.
Astronautët, në të vërtetë, ka mbi 40 vjet që gjenden në gjithësi, por përveç fluturimit për në Hënë, ata nuk kanë kaluar kurrë kohë të gjatë qëndrimi atje. “Ne e dimë” – thotë Frank Cucinotta nga Space Radiation Health Project, “se sa rrezatime na presin ne, atje jashtë, midis Tokës dhe Marsit, por ne nuk jemi akoma të sigurt sesi do të reagojë trupi i njeriut ndaj tyre.” Një udhëtim i gjatë, si ai për në Mars, pa ndonjë planet në afërsi, fusha magnetike e të cilit do t’i pengonte këto rrezatime, është edhe një sfidë e re për shkencën e kozmologjisë.
Astronautët, akoma nuk e kanë provuar dozën e plotë të këtyre rrezatimeve. Ata, që ndodhen në Stacionin Internacional Hapësinor ISS, pasi ndodhen në një lartësi prej vetëm 400 km, janë të mbrojtur, së paku 50%, nga ato rreze, falë fushës magnetike të Tokës që është edhe e vetmja mbrojtje e sigurt nga ato. Edhe astronautët e misioneve “Apollo”, që kanë pasur shkallë më të lartë rrezatuese, së paku tri herë më shumë se ata të stacionit ISS, për shkak të qëndrimit të shkurtër të tyre në hapësirë (në Hënë) dhe afërsisë me planetin Tokë, nuk e kanë ndjerë veprimin e plotë të atyre rrezeve.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve të NASA-s, një amerikan, i moshës 40 vjeçare, që nuk konsumon duhan, është diku 20% i rrezikuar nga kanceri. Kjo vlen, nëse ai jeton në Tokë. Por, nëse udhëton në Mars, atëherë rreziku është më i lartë. Sipas studimeve të bëra me njerëzit që e kanë mbijetuar Hiroshimën dhe pacientët që kanë kaluar nëpër terapi rrezatuese, rreziku, gjatë një misioni 1000 ditor në Mars, shtohet deri në 19% ndërsa tek gratë, për shkak të gjinjve dhe mitrës, ky rrezik dyfishohet. “Nëse rreziku qëndron në vetëm disa përqind, do të ishte në rregull, por nëse llogaritet se astronauti ynë ka moshë 40 vjeçare atëherë: 20% + 19% = 39%, paraqet një shkallë të lartë rrezikshmërie, që astronauti ynë të sëmuret nga kanceri pas kthimit të tij në Tokë. Kjo për ne është e paakceptueshme” – shprehet Cucinotta. Ai mendon se studimet e bëra me njerëz të rrezatuar, nuk mund të merren si zëvendësim për realitetin që sundon në gjithësi, pasi rrezatimet atje, paraqesin një përzierje të llojit të veçantë.
Astronautët, që do të udhëtonin për në Mars, do t’u ekspozoheshin atyre rrezeve për një kohë mjaft të gjatë, ndoshta 2 vjet, pasojat e të cilave, për momentin, nuk mund të vlerësohen realisht. Mirëpo, eksperimentet simuluese që parashihet të bëhen deri në vitin 2015, sipas Cucinottas, do ta ulin përqindjen e rrezikshmërisë në minimum. Pasi që për momentin një mbrojtje e plotë nga këto rrezatime akoma nuk ekziston, qarkullojnë plane, ose thashetheme, që në këto misione të dërgohen njerëz në moshë të shtyrë.
Një fushë tjetër, mjaftë problematike dhe komplekse, me të cilën medicina kozmologjike ballafaqohet prej kohësh, është edhe fusha psikologjike. Si do të reagojë njeriu kur shkëputet plotësisht nga planeti amë dhe, muaj ose vite të tëra, e percepton atë vetëm si një pikë në largësi? Pra, a do të mundet ekuipazhi i misionit për në Mars t’i përballojë psikologjikisht vështirësitë e ndryshme dhe një izolim kaq të gjatë social?
Qëndrimi i përbashkët i ekuipazhit në një hapësirë të ngushtë, gjatë gjithë asaj kohe, largësia e madhe nga vendi amë, pamundësia e plotësimit të nevojave fiziologjik në rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat do të veprojnë ata, e sidomos ajo seksuale, është shumë afër mendsh, që mund të provokojnë çrregullime të ndryshme psikike, si depresion dhe agresivitet. Kjo është provuar edhe nga misionet e ndryshme, ku pas 30 ditësh qëndrimi të përbashkët, të izoluar në një hapësirë të ngushtë, në mungesë të shumë faktorëve socialë, ose kanë shpërthyer zënkat mes veti ose i gjithë mllefi është zbrazur ndaj qendrës komanduese në Tokë. Gjithashtu, qëndrimi i gjatë në këto rrethana, provokon, përveç depresionit ose agresivitetit, edhe lodhje dhe dobësim të koncentrimit, e që janë shumë të nevojshme për anëtarët e ekuipazhit, për të vazhduar misionin e tyre.
Eksperimenti që u zhvillua në Rusi, kah mesi i viteve ’90, me një grup astronautësh nga e gjithë bota, të cilët duheshin të qëndronin të izoluar për 110 ditë, dështoi. Pas tri javësh qëndrimi, kur një astronaut rus u mundua ta puthë një kolege kanadeze, shpërdheu një përleshje. Pas këtij ekcesi, eksperimenti u ndërpre.
Prof. gjerman Grezer, që është duke eksperimentuar në këtë drejtim, mendon se për misione të tilla është shumë e rëndësishme zgjedhja e saktë e personave adekuatë, ashtu sikurse është vepruar në zgjedhjen e astronautëve të ISS-së. Vetëm astronautët që do t’u rezistojnë ngacmimeve depresive dhe agresive, që do të ndiejnë nxitje të brendshme për veprim, që do të jenë në gjendje të marrin rol udhëheqës në ekip, do të arrijnë në rrethin e ngushtë të zgjedhjes. “Duhet të jenë njerëz me aftësi pune në ekip”, mendon Prof. Grezer.
Shqetësime psikike provokon edhe ndryshimi i bioritmit. Kjo u vërtetua tek astronautët që kishin pasur probleme me gjumin, gjatë qëndrimit të tyre në fluturaket “Space Shuttle”, ku periudha kohore ditë-natë është 23.5 orë. “Shumë astronautë, për këtë shkak, kanë probleme me gjumin dhe flenë, mesatarisht 6 orë, derisa të njëjtit, në Tokë flenë 7-8 orë. Kjo situatë, që provokon molisjen e astronautëve, e ngrit edhe shkallën e rrezikshmërisë aksidentale” – thotë Dr. Kenneth Wright, nga Instituti NSBRI (National Space Biomedical Research Institute). Në Mars, astronautët duhet të përballen me një periudhë më të gjatë kohore sesa ajo që vepron në Tokë, që është mbi 24.5 orë, e cila gjithashtu, mund të provokojë shqetësime serioze. Në këtë drejtim, për ta adaptuar orën e brendshme tek njeriu, janë duke punuar edhe Dr. Wright me kolegët e tij. “Arritja e këtij adaptimi është shumë e rëndësishme për një mision të suksesshëm në Mars” – mendon Dr. Wright.
Nga eksperimentet e shumta, dihet fort mirë, se ndryshimet psikologjike ndikojnë dukshëm edhe në sistemin imunologjik të njeriut. Këtë e kanë konfirmuar shkencëtarët e qendrës “Johnson Space Centres” në Hjuston, të cilët kanë eksperimentuar me astronautët e fluturakeve “Shuttle”. Analizat e bëra në këtë qendër dëshmuan se në sekrecionet e astronautëve, virusi EBV (Epstein Barr Virus), kishte koncentrim katërfish më të lartë se tek personat e testuar në Tokë. Ky lloj virusi, që gjendet në rruazat e bardha të gjakut e që, në të vërtetë, në Tokë, nuk paraqet ndonjë rrezik serioz, aktivizohet në situata të caktuara të stresit. Por, për udhëtarët e Marsit, ky virus mund të kthehet në problem serioz.
Me dobësimin e sistemit të imunitetit, si pasojë e streseve të krijuara nga faktorët e ndryshëm, natyrisht që zvogëlohet edhe rezistenca e organizmit të njeriut ndaj sulmeve të ndryshme infektuese. Me gjithë masat e ndërmarra higjienike, është e pamundur që të eliminohen plotësisht të gjithë mikroorganizmat në bordin e anijes. Hapësira e ngushtë dhe pa gravitet, në bord krijon kushte ideale për zhvillimin dhe shumimin shumë të shpejtë të tyre, e që në sistemin e dobësuar të imunitetit të astronautëve, mund të provokojnë sëmundje të rënda infektuese. “Fatale është, se bakteriet në bordin e anijes kozmike, krijojnë shumë lehtë një bazë stabile dhe mund të shumohen shumë shpejt. Derisa sistemi i imunitetit vjen duke u dobësuar, agresiviteti i embrioneve vjen duke u shtuar” – sqaron Prof. Gerzer.
Problem tjetër, gjithashtu kompleks, është edhe furnizimi i rregullt dhe i bollshëm i astronautëve me elementet kryesore për jetë, si: ushqim, ujë dhe ajër, prej të cilave ata do të jenë të varur gjatë gjithë udhëtimit dhe qëndrimit atje. Mungesa e vetëm njërit nga këto elemente, do të paraqiste fundin e tyre.
Mirëpo, këto nuk janë të gjitha unazat e dobëta në vargun zinxhiror. Akoma mbetet i paqartë skenari i veprimeve të ekuipazhit në rast të nevojës urgjente, pasi që mundësitë e rreziqeve, gjatë misioneve të tilla, janë të shumëllojshme dhe të paparashikueshme. Çfarë do të ndodhë nëse ndonjëri nga anëtarët e ekuipazhit ka nevojë për intervenim kirurgjik, sëmuret rëndë ose edhe vdes? Çfarë do të ndodhë nëse shpërthen një epidemi virusale? Çfarë do të ndodhë, nëse gjatë punës në sipërfaqen e Marsit pason ndonjë incident: ndonjëri e then këmbën-dorën, ndonjë kockë tjetër ose bie pre e fenomeneve të papritura, të ndryshme ta zëmë e plasaritjeve shkëmbore, që nuk janë të rralla atje? Çfarë do të ndodhë nëse pason një defekt teknik, si: rënia e sistemit kompjuterik, dëmtimi i ndonjë aparati elektrik ose dëmtimi i fluturakes nga mikrometeoritët që janë të shumtë në gjithësi? Këto dhe shumë çështje të tjera janë sfida shumë serioze me të cilat shkencëtarët duhet të ballafaqohen, dhe t’u gjejnë zgjidhje para lansimit të misionit të parë njerëzor në Mars.
Fakt është se nuk mund të vlerësohen të gjitha pasojat e mundshme të një udhëtimi kaq të gjatë disavjeçar, mendojnë shumë shkencëtar të NASA-s. Mirëpo, ata janë të bindur se falë punës së madhe, që veç është duke u bërë në shumë laboratore anembanë globit, për mënyrën e zgjidhjes së faktorëve sfidues, si dhe eksplorimeve sistematike që parashihen në vitet pasuese, misioni me ekuipazh njerëzor për në Mars do të jetë i realizueshëm.
Krijoni Kontakt