Imuniteti, PD: Kushtëzimi i referendumit me çështje të tjera, absurde
TIRANE - Partia Demokratike e cilëson si absurde kërkesën e socialistëve për kushtëzimin e referendumit për imunitetin, me referendume për çështje të tjera.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi theksoi vendosmërinë e demokratëve për të thirrur referendumin dhe për të respektuar zërin e qytetarëve. Sipas PD-së, tashmë ka ardhur koha që politikanët të heshtin, pasi është radha e qytetarëve për të vendosur nëse do të shembet muri i imunitetit.
“Tre ditë më parë Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me moton: Jemi për heqjen e imunitetit, por nuk votojmë heqjen e tij, nuk lejoi deputetët e Partisë Socialiste të votonin më dt. 6 gusht në Parlament projektin konsensual për heqjen e imunitetit në të cilin mazhoranca kishte pranuar të gjitha propozimet e Partisë Socialiste. Me këtë akt bllokues, ai shkelmoi para të gjithë shqiptarëve dhe mbarë botës ëndrrën europiane të të rinjve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë të këtij vendi dhe mbrojti me imunitet pasuritë e paligjshme të kontrabandës, fshehjes së taksave, trafiqeve kriminale, grabitjes së pronave të kupolës së miliarderëve në krye të Partisë Socialiste.”-u shpreh zëdhëënësja e PD-së.
Sipas Bardhit, Partia Demokratike në ditët që vijnë, në konsultim me Këshillin Konsultativ të Parlamentit dhe me aleatët e saj, do të vendosë se cilën nga rrugët kushtetuese do të përdorë për thirrjen e referendumit popullor, për heqjen e imunitetit.
“Neni 155 i Kushtetutës së vendit përcakton se: Të drejtën e thirrjes së referendumit në Shqipëri e kanë 50 mijë qytetarë, 1/5 e deputetëve të Parlamentit, Këshilli i Ministrave. Pas bllokimit nga Partia Socialiste për 10 vjet me radhë të heqjes së imunitetit, tani do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të shembin me fuqinë e votës së tyre, murin e imunitetit, murin e korrupsionit dhe do të ç’bllokojnë rrugën e marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit anëtar të Bashkimit Europian. Zoti Rama është i lirë të mbajë cilindo qëndrim ndaj këtij referendumi. Verdikti i sovranit, do të respektohet plotësisht.”- deklaroi Bardhi.
Partia Demokratike i bëri thirrje Partinë Socialiste të ushtrojë të drejtën kushtetuese të referendumit për çdo çështje që e gjykon të rëndësishme.
“Partia Demokratike thekson se; kërcënimi i Partisë Socialiste për thirrje të referendumeve të tjera si kundërpërgjigje e thirrjes nga Partia Demokratike e referendumit për heqjen e imunitetit, është mjerane dhe qesharake. Por, ajo nuk e bën këtë, sepse ka frikë nga zëri i qytetarëve të thjesht. Z. Rama dëgjon vetëm zërin e miliarderëve të kupolës së Partisë Socialiste, mirëpo për imunitetin pas 10 vitesh bllokimi, politikanët duhet të heshtin, tani radha është e qytetarëve. Shqipëria pret verdiktin e tyre!”- përfundoi zëdhënësja e PD.
Balkanweb
Krijoni Kontakt