Thaçi pranon favorin e bërë Serbisë !!!
Publikuar: 04.03.2012 - 08:32
Prishtinë, 4 mars – Kryeministri Hashim Thaçi e ka pranuar të shtunën se marrëveshjet që po i arrin me Serbinë në Bruksel nuk kanë ndikim vetëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Kur më përpara është raportuar për këtë, Thaçi e quante dezinformim, shkruan sot Koha Ditore.
“Me marrëveshjet e arritura Kosova i ka ndihmuar vetvetes dhe evropianizimit të rajonit”, ka thënë kreu i Qeverisë, Thaçi, në një konferencë shtypi në Aeroportin e Prishtinës, menjëherë pas kthimit nga Brukseli ku ishte për një vizitë zyrtare.
Gjatë qëndrimit në qendrën e Bashkimit Evropian kreu ka qenë dëshmitar i shpalljes së vendimit që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për integrim. Vetë presidenti Herman van Rompuy, me të cilin edhe Thaçi ka pasur një takim, ka theksuar se vendimi është edhe rezultat i dialogut Beograd – Prishtinë.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar para një jave për formulimin e një fusnote, që do ta shoqërojë denominimin e emrit jokushtetues të shtetit, gjatë përfaqësimit të vendit në nisma rajonale. Marrëveshja parasheh që “Kosovo*” të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe që fusnota ta ketë këtë tekst: “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
E mungesa e arritjes së kësaj marrëveshjeje tetorin e vjetëm kishte lënë pa status kandidati Serbinë. Ndërkaq, Qeveria Thaçi ishte kritikuar se po e ndihmonte Serbinë në këtë proces, duke bërë lëshime në procesin e dialogut. Atëkohë, kryeministri kishte identifikuar “Kohën Ditore” si të vetmin medium që “dezinformonte” për favoret në procesin integrues që ai po i bënte fqinjit verior.
(Gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)
http://www.koha.net/?page=1,13,90195
Krijoni Kontakt