As OEK-u nuk e përkrahë aksionin e 14 janarin
Prishtinë, (Kosovapress) 12 Janar 2012 13:19
Udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) shprehet kundër aksionit të 14 janarit për bllokimin e dy pikave kufitare me Serbinë dhe thonë se adresa ku duhet të zgjidhen këto probleme është Prishtina dhe institucionet e saj. Të njëjtin mendim e ndanë edhe ambasada e Kroacisë në Kosovë, ku ambasadori i saj edhe pse tha se nuk donë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, tha se në parim e mbështet qëndrimin e OEK-ut.
Shefi i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pas një takimi që pati me ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, të enjten deklaroi se ai nuk e përkrahë aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje të 14 janarit për bllokimin e pikave kufitare dhe shtoi se mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve është Prishtina zyrtare dhe jo kufijtë.
“Duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë se problemet aktuale nuk zgjidhen në kufi në Merdare, ato zgjidhen në Prishtinë. Prandaj adresa ku duhet të zgjidhen këto probleme duhet të jetë Prishtina dhe jo kufiri. Nuk duhet gjithmonë të mësojmë nga të këqijat dhe të këqijtë, është koha kur duhet të promovohen vlera, është koha kur duhet të promovojmë kulturë të dialogimit dhe dialogimi të jetë çelës i suksesit në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë ai.
Ndërsa, ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, edhe pse tha se si përfaqësues i jashtëm i shtetit të tij nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, megjithatë ai tha se në parim pajtohet me mendimin e Gërxhaliut.
“Unë si përfaqësues i jashtëm i shtetit nuk do të duhej të merrem me punët e brendshme, por në parim pajtohem mendoj se pajtohem me zotëri Gërxhaliun se dialogu është gjithnjë më i mirë se sa bllokadat dhe protestat”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në takimin që patën kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe ambasadori i Kroacisë në Kosovë, u bisedua për bashkëpunimin e të dyja vendeve në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Gërxhaliu tha se takimi ishte për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për gjetjen e lehtësirave për lëvizje të lirë të njerëzve, e sidomos të diasporës kosovare, e cila kohëve të fundit ka pasur shumë probleme për qarkullim në kufijtë me Serbinë.
Kurse ambasadori i Kroacisë tha se, edhe pse Kroacia që një vit e ka qeverinë e re, ajo do të vazhdojë ta mbështes Kosovën edhe në të ardhmen, por me impulse dhe ide të reja./Kosovapress/
Krijoni Kontakt