Merrma zhgënjimin!
Behxhet Haliti
Një qytetar, i pyetur në sheshin “Nëna Tereze” të Prishtinës, nga gazetari i njërit prej televizioneve tona nacionale, se çfarë ishte viti që po lëmë pas dhe pse nuk ndodhi liberalizimi i vizave për kosovarët gjatë këtij viti, u përgjigj përafërsisht kështu: “
A po e shihni këtë shesh, këtë rrugë të gjerë, këtë shëtitore të madhe? Atë ditë kur të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët, nëpër këtë shesh nuk do të shihni njeri! Jo, jo! Do të ikin!”...
“Nëpër këtë shesh nuk do të shihni njeri”!
Pak si e rëndë, bre!...
Njeriu nuk është optimist!
Është pesimist!
Dhe, e dini atë tregimin për optimistin dhe pesimistin:
optimisti e sheh gotën gjysmë të mbushur, e pesimisti po atë gotë e sheh gjysmë të zbrazur!
Njeriu është, në këtë rast, më tepër se pesimist!
Gotën nuk e sheh as gjysmë të mbushur, e as gjysmë të zbrazur.
E sheh fare të zbrazët!
E sheh bosh!...
Njeriu është i zhgënjyer!
Qe çka thotë Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për zhgënjimin dhe për të zhgënjyerin:
Zhgënjim është “ndjenja që përjetojmë, kur dikush a diçka nuk na del ashtu siç e pritnim ose siç e mendonim, por na del keq, humbja e besimit a e shpresës që kishim te dikush a te diçka; pakënaqësia që lind kur zhgënjehemi”.
Dhe, ka zhgënjime të hidhura (të thella)...
Zhgënjim më të thellë, se ky i qytetarit të përmendur, a mund të ketë?
Ta paramendosh sheshin kryesor të Prishtinës pa asnjë njeri!
Kjo është për “haj ku-ku” e për “haj medet”!
Mendoni se qytetari nuk i do ata njerëz që përditë mbushin sheshin “Nëna Tereze” të Prishtinës?
Se nuk dëshiron t’i shohë e t’i takojë aty?
Jo, jo!
Ai nuk e ka me ta!
Ai e ka zhgënjimin diku tjetër! Me dikë e me diçka tjetër! Sikur edhe të gjithë ne që nuk pamë gjë të mirë në këtë Kosovë gjatë vitit 2011. Edhe para vitit 2011! 2010, 2009... Edhe pak më përtej!
Dhe, askush në këtë botë nuk ka të drejtë t’ia zërë për të madhe atij për dozën e zhgënjimit!
As mua!
Ndoshta, as juve!
Doza: te dikush më pak, te dikush më shumë, te dikush shumë më shumë se shumë!...
A ka nevojë të përmenden këtu arsyet e zhgënjimit qytetar?
Nuk i zë kjo hapësirë, jo!
Na janë sjellë nëpër kokë vetëm të zeza: skandale, afera, korrupsion, krim i organizuar, bastisje, procese gjyqësore, papunësi, varfëri ekstreme...
A thua, vetëm nëpër kokë?
Prandaj, në emër të qytetarit që pashë në televizor, i lutem vitit 2012: Merrja zhgënjimin!
I lutem edhe për vete: Merrma zhgënjimin!
Menjëherë!
(Nëse doni i lutem edhe në emrin tuaj! Nëse doni!)
http://www.zeri.info/artikulli/3/19/...ma-zhgenjimin/
Krijoni Kontakt