
Postuar më parë nga
torrkerry
Ashkush nuk ka reaguar, shpresoj qe dikush do ta kete lexuar. Ju dergoj pjesen e dyte, qe flet per doktrinen e kishes mbi gjyqin personal dhe gjyqin e fundit.
«BESOJ NË JETËN E PASOSUR»
1020 Për të krishterin që e bashkon vdekjen e vet me atë të Jezusit, vdekja është si një e shkuar kah Ai dhe një hyrje në jetën e pasosur. Kur Kisha i ka shqiptuar për herë të fundit fjalët e zgjidhjes së Krishtit mbi të krishterin që po vdes, e ka shënuar, për herë të fundit me një vojim forcues dhe i ka dhënë Krishtin në kungimin e fundit si ushqim për udhëtim, i drejtohet atij me këto fjalë të ëmbla dhe që i japin siguri:
Nisu, o shpirt i krishterë, nga kjo botë, në emër të Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm, i cili të ka krijuar, në emër të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit të gjallë, që ka vdekur për ty në kryq, në emër të Shpirtit Shenjt, që të është dhënë si dhuratë; banesa jote qoftë sot në paqen e Jerusalemit të shenjtë. Me Virgjërën Mari, Nënën e Zotit, me shën Jozefin, me të gjithë engjëjt dhe shenjtërit... Ti u kthefsh tek Krijuesi yt, që të ka formuar nga pluhuri i tokës. Kur ta kesh lënë këtë jetë, të daltë përpara Virgjëra Mari me engjëjt dhe shenjtërit... I butë dhe i hareshëm le të duket ty fytyra e Krishtit dhe e soditsh në të gjithë shekujt në amshim .
I. Gjyqi i veçantë
1021 Vdekja i jep fund jetës së njeriut si kohë e hapur për pranimin ose mospranimin e hirit hyjnor të shfaqur në Krishtin . Në Besëlidhjen e Re bëhet fjalë për gjyqin kryesisht në perspektivën e takimit të fundit me Krishtin në ardhjen e tij të dytë, por pohohet disa herë me radhë që pas vdekjes, secilit do t’i jepet menjëherë shpërblimi sipas veprave dhe besimit të tij. Shëmbëlltyra e Lazrit të varfër dhe fjala e thënë nga Krishti në kryq cubit të penduar , si dhe tekste të tjera të Besëlidhjes së Re flasin për një fat të fundit të shpirtit që mund të jetë i ndryshëm për një palë dhe një palë të tjetër.
1022 Çdo njeri që në çastin e vdekjes merr në shpirtin e vet të pavdekshëm shpërblimin e amshuar, në një gjykim të posaçëm që e vë jetën e tij në marrëdhënie me Krishtin, kështu që ose do të kalojë përmes një spastrimi , ose do të hyjë menjëherë në lumturinë e qiellit , ose do të dënohet menjëherë përgjithmonë .
Në mbrëmjen e jetës sonë, do të gjykohemi sipas dashurisë .
II. Qielli 1023 Ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Zotit dhe janë spastruar plotësisht, jetojnë përherë me Krishtin. Janë përgjithmonë të ngjashëm me Zotin, sepse e shohin «ashtu siç është» (1 Gjn 3, 2), faqe-faqas :
Me autoritetin tonë apostolik përcaktojmë se, me vendim të përgjithshëm të Zotit, shpirtrat e të gjithë shenjtërve që kanë vdekur para mundimeve të Krishtit... dhe ata të gjithë besimtarëve të vdekur pasi kanë marrë Pagëzimin e shenjtë të Krishtit, tek të cilët në çastin e vdekjes nuk do të ketë asgjë për të spastruar, ose, në rast se në ta do të ketë pasur ose do të ketë ndonjë gjë për të spastruar, kur, pas vdekjes, do të jenë spastruar..., edhe përpara ngjalljes së trupave të tyre dhe të gjyqit të gjithmbarshëm (universal) – dhe kjo pas Ngjitjes në Qiell të Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jezu Krishtit – kanë qenë, janë dhe do të jenë në qiell, të bashkuar me Mbretërinë e qiejve dhe me Parajsën qiellore me Krishtin, së bashku me engjëjt e shenjtë. Dhe pas mundimeve dhe vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, ata e kanë parë dhe e shohin qenësinë hyjnore në një pamje intuitive dhe ballë për ballë, pa ndërmjetësimin e asnjë krijese .
1024 Kjo jetë e përsosur, ky bashkim jete dhe dashurie me të Shenjtërueshmen Trini, me Virgjërën Mari, engjëjt dhe të gjithë të lumët, quhet «qiell». Qielli është qëllimi (caku) i fundit i njeriut dhe realizimi i dëshirave të tij më të thella, gjendja e lumturisë supreme dhe përfundimtare.
1025 Të jetosh në qiell do të thotë «të jesh me Krishtin» . Të zgjedhurit jetojnë «në të», por duke e ruajtur, madje, duke e gjetur identitetin e tyre të vërtetë, emrin e tyre :
Vita est enim esse cum Cristo; ideo ubi Christus, ibi vita, ibi regnum – Në të vërtetë jeta është të rrish me Krishtin, sepse ku është Krishti, aty është jeta, aty është Mbretëria .
1026 Me vdekjen e vet dhe me Ngjalljen e vet Jezus Krishti na ka «hapur» qiellin. Jeta e të lumëve qëndron në përvetësimin e plotë të fryteve të Ngjalljes të kryer nga Krishti, i cili i bashkon në lumturinë e vet qiellore ata që kanë besuar në të dhe i kanë mbetur besnikë vullnetit të tij. Qielli është bashkësia e lume e të gjithë atyre që janë trupëzuar në mënyrë të përsosur në të.
1027 Ky mister bashkimi të lumtur me Zotin dhe me gjithë ata që janë në Krishtin kapërcen çdo mundësi për ta kuptuar dhe për ta përshkruar. Shkrimi shenjt na flet me shëmbëlltyra: jetë, dritë, paqe, gosti dasme, verë e Mbretërisë, shtëpi e Atit, Jerusalem qiellor, parajsë: «Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan» (1 Kor 2, 9).
1028 Për shkak të trashendencës së vet, Zoti nuk mund të shihet ashtu siç është, përveçse kur Ai vetë hap Misterin e vet për soditje të drejtpërdrejtë nga njeriu dhe i jep aftësinë për këtë. Kjo soditje e Zotit në lavdinë e vet qiellore quhet nga Kisha «pamje lumturuese»:
Kjo do të jetë lavdia jote dhe lumturia jote: të pranohesh për të parë Zotin, të kesh nderin të marrësh pjesë në gëzimet e shpëtimit dhe të dritës së amshuar së bashku me Krishtin, Zotin tënd Perëndi... të gëzosh në Mbretërinë e qiejve së bashku me të drejtët dhe miqtë e Zotit, gëzimet e pavdekësisë së arritur .
1029 Në lavdinë e qiellit të lumët vazhdojnë të zbatojnë me gëzim vullnetin e Zotit në marrëdhënie me njerëzit e tjerë dhe me krijimin mbarë. Tashmë mbretërojnë me Krishtin; me të «do të mbretërojnë në shekuj të shekujve» (Zb 22, 5) .
III. Pastrimi i fundit ose Purgatori1030 Ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Zotit, por janë të pastruar në mënyrë të papërsosur, megjithëse janë të sigurt për shpëtimin e tyre të amshuar, prapëseprapë i nënshtrohen, pas vdekjes, një pastrimi, me qëllim që të arrijnë shenjtërinë e nevojshme për të hyrë në gëzimin e qiellit.
1031 Kisha e quan Purgator këtë pastrim të fundit të të zgjedhurve, që është një gjë krejt e ndryshme nga dënimi i të mallkuarve. Kisha ka formuluar doktrinën e besimit në lidhje me Purgatorin kryesisht në Koncilet e Firences dhe të Trentos . Tradita e Kishës, duke u nisur nga disa pjesë të Shkrimit, bën fjalë për një zjarr spastrues:
Për sa u takon disa fajeve të lehta, duhet besuar që, para Gjyqit, ekziston një zjarr spastrues; në fakt, ai që është e Vërteta, pohon se:«Çdo faj e blasfemi do t’u falet njerëzve, kurse blasfemia kundër Shpirtit Shenjt, nuk do të falet» (Mt 12, 31). Nga ky pohim del se disa faje mund të falen në këtë shekull, por disa të tjera në shekullin e ardhshëm .
1032 Ky mësim mbështetet edhe në praktikën e lutjes për të vdekurit, për të cilët tashmë flet Shkrimi shenjt:«Ja, pra, pse [Juda Makabe] dha të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati» (2 Mak 12, 46). Që në kohët e para, Kisha e ka nderuar kujtimin e të të vdekurve dhe ka kushtuar për ta lutje për freskim, në mënyrë të veçantë flijimin eukaristik , në mënyrë që, pasi të jenë pastruar, të mund të arrijnë tek pamja e lume e Zotit. Kisha porosit edhe lëmoshët, ndjesët dhe veprat e pendesës në dobi të të vdekurve:
T’u japim ndihmë atyre dhe t’i kujtojmë. Nëse të bijtë e Jobit qenë pastruar nga flijimi e atit të tyre , përse duhet të dyshojmë ne që kushtimet tona për të vdekurit mund t’u sjellin atyre ndonjë ngushëllim? Mos të ngurrojmë t’i ndihmojmë ata që kanë vdekur dhe të kushtojmë për ta lutjet tona .
IV. Ferri 1033 Nuk mund të bashkohemi me Zotin po të mos zgjedhim lirisht që ta duam. Por nuk mund ta duam Zotin nëse mëkatojmë rëndë kundër tij, kundër të afërmit tonë ose kundër vetes sonë: «Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar. Dhe mirë e dini se asnjë vrastar nuk e ka në vetvete jetën e pasosur» (1 Gjn 3, 14-15). Zoti ynë na lajmëron se do të ndahemi nga ai po të mos i ndihmojmë në nevojët e tyre të rënda të varfrit dhe të vegjlit, që janë vëllezër të tij . Të vdesësh në mëkat mortar pa u penduar për të dhe pa pritur dashurinë e mëshirshme të Zotit, do të thotë të mbetesh i ndarë përgjithmonë nga ai duke u nisur nga një zgjedhje jonë e lirë. Dhe është kjo gjendje vetë-përjashtimi përfundimtar nga bashkimi me Zotin dhe me të lumët, që shënohet me fjalën «ferr».
1034 Jezusi flet vazhdimisht për «Xheenen», për «zjarrin që nuk shuhet» , që është rezervuar për atë që deri në fund të jetës nuk pranon të besojë dhe të kthehet, dhe ku mund të humbasin si shpirti ashtu dhe trupi . Jezusi paralajmëron me fjalë të rrepta se «do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur... të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur» (Mt 13, 41-42), dhe se do të shqiptojë dënimin: «Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur!» (Mt 25, 41).
1035 Kisha në mësimin e vet pohon ekzistencën e ferrit dhe përjetësinë e tij. Shpirtrat e atyre që vdesin në gjendje mëkati mortar, pas vdekjes zbresin menjëherë në ferr, ku pësojnë vuajtjet e ferrit, «zjarrin e pasosur» . Dënimi kryesor i ferrit qëndron në ndarjen e amshuar nga Zoti; vetëm tek Ai njeriu mund të ketë jetën dhe lumturinë për të cilat është krijuar dhe për të cilat shpreson.
1036 Pohimet e Shkrimit Shenjt dhe mësimet e Kishës në lidhje me ferrin janë një thirrje për përgjegjësi, me të cilën njeriu duhet ta përdorë lirinë e vet duke pasur parasysh fatin e amshuar që e pret. Në të njëjtën kohë përbëjnë një thirrje nxitëse për t’u kthyer: «Hyni nëpër derë të ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë asish që kalojnë nëpër të! Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak asish që e gjejnë!» (Mt 7, 13-14).
Meqë nuk e dimë as ditën as orën, siç na lajmëron Zotëria, duhet të rrini zgjuar pa pushim, në mënyrë që, pasi t’i kemi dhënë fund udhëtimit tonë të vetëm mbi tokë, të meritojmë të hyjmë me të në gostinë e dasmës dhe të numërohemi në mes të të lumëve; as të mos urdhërohemi, si shërbëtorë të këqij dhe përtacë, që të shkojmë në zjarrin e përjetshëm, në errësirën e jashtme, ku «do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh» .
1037 Zoti nuk paracakton asnjë njeri që të shkojë në ferr ; kjo është pasoja e një qëndrimi armiqësor të vullnetshëm ndaj Zotit (një mëkat mortar), qëndrim që mbahet deri në fund. Në liturgjinë eukaristike dhe në lutjet e përditshme të besimtarëve, Kisha lyp mëshirën e Zotit, i cili «nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen» (2 Pjt 3, 9):
Pranoje me dashamirësi, o Zot, kushtimin që po të bëjmë ne, mbarështuesit e tu dhe gjithë familja jote: bëj që t’i kalojmë në paqe ditët tona, shpëtona nga mallkimi i amshuar dhe na prit në grigjën tënde të të zgjedhurve .
V. Gjyqi i fundit 1038 Ngjallja e të gjithë të vdekurve, «e të drejtëve dhe e të këqijve» (Vap 24, 15), do t’i prijë Gjyqit të fundit. Do të jetë «koha kur të gjithë ata që pushojnë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë mirë-do të ngjallen për të jetuar, ata që bënë keq-do të ngjallen për t’u dënuar» (Gjn 5, 28-29). Atëherë «Kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt... do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën... Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur» (Mt 25, 31. 32. 46).
1039 Përpara Krishtit që është e Vërteta, do të dalë në shesh e vërteta lakuriq në lidhje me marrëdhëniet e çdo njeriu me Zotin . Gjyqi i fundit do të tregojë, deri në pasojat e tij më të fundit, të mirën që çdo njeri do ta ketë kryer ose do ta ketë lënë pa kryer gjatë jetës së vet mbi tokë:
Të gjitha mbrapshtitë që bëjnë të këqijtë regjistrohen pa e ditur ata. Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtojë (Ps 50, 3)... ai do të kthehet kah të këqijtë e do t’u thotë atyre: «Unë i kisha vendosur mbi tokë varfanjakët e mi për ju. Unë, kreu i tyre, rrija në qiell në të djathtën e Atit tim, por gjymtyrët e mia mbi tokë kishin uri. Po t’u kishit dhuruar gjymtyrëve të mia, dhurata juaj do të kishte arritur deri tek kreu. Kur i kam vendosur varfanjakët e mi mbi tokë, i kam caktuar si shegertat tuaj që të sillnin veprat tuaja të mira në thesarin tim; ju s’keni vënë asgjë në duart e tyre, prandaj nuk zotëroni asgjë tek unë .
1040 Gjyqi i fundit do të ndodhë në çastin e kthimit të lavdishëm të Krishtit. Vetëm Ati e di orën dhe ditën e tij, vetë ai vendos për ardhjen e tij. Nëpërmjet Birit të vet Jezusit, do të shqiptojë atëherë fjalën e vet përfundimtare mbi të gjithë historinë. Do ta njohim kuptimin e fundit të të gjithë veprës së krijimit dhe të të gjithë Ekonomisë së shëlbimit, dhe do t’i kuptojmë rrugët e mrekullueshme përmes të cilave Provania hyjnore do ta ketë çuar çdo gjë kah qëllimi i vet i fundit. Gjyqi i fundit do të tregojë se drejtësia e Zotit ngadhënjen mbi të gjitha padrejtësitë e bëra nga krijesat e tij dhe se dashuria e tij është më e fuqishme se vdekja .
1041 Mesazhi i Gjyqit të fundit thërret për kthim deri sa Zoti u jep njerëzve «kohën e volitshme, ditën e shpëtimit» (2 Kor 6, 2). Frymëzon frikën e shenjtë para Zotit. Angazhon për drejtësinë e mbretërisë së Zotit. Lajmëron «shpresën e lume» (Tit 2, 13) të kthimit të Zotit tonë, i cili «do të vijë – atë Ditë – për të qenë lavdëruar në shenjtërit e vet dhe për t’u dëftuar i mrekullueshëm në të gjithë ata që të kenë besuar» (2 Sel 1, 10).
VI. Shpresa e qiellit të ri dhe e tokës së re1042 Në mbarim të kohëve, Mbretëria e Zotit do të arrijë në plotësinë e vet. Pas Gjyqit të gjithmbarshëm të drejtët do të mbretërojnë përgjithmonë me Krishtin, të lumturuar në trup dhe në shpirt, dhe vetë gjithësia do të ripërtërihet:
Atëherë Kisha... do të ketë plotësimin e vet... në lavdinë e qiellit, kur të vijë koha e restaurimit të të gjitha gjërave, dhe kur, së bashku me gjininë njerëzore, mbarë bota, që është e lidhur në mënyrë intime me njeriun dhe nëpërmjet tij arrin në cakun e vet, do të gjejë tek Krishti përsosmërinë e vet .
1043 Kjo ripërtëritje e mistershme, që do ta shndërrojë njerëzimin dhe botën, nga Shkrimi Shenjt përcaktohet me shprehjen: «qiellin e ri dhe tokën e re» (2 Pjt 3, 13) . Do të jetë realizimi përfundimtar i planit të Zotit për «të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qenësit që janë në qiell e në tokë» (Ef 1, 10).
1044 Në këtë gjithësi të re , Jerusalemi qiellor, Zoti do të ketë banesën e vet në mes të njerëzve. «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshame, as dhimba më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund» (Zb 21, 4) .
1045 Për njeriun ky mbarim do të jetë realizimi përfundimtar i unitetit të gjinisë njerëzore, të dashur nga Zoti që në krijim dhe për të cilin Kisha shtegtare (në histori) ishte si «një sakrament» . Ata që do të jenë të bashkuar në Krishtin do të formojnë bashkësinë e besimtarëve, «qytetin e shenjtë» të Zotit (Zb 21, 2), «të fejuarën, Gruan e Qengjit» (Zb 21, 9). Ajo nuk do të jetë më e plagosur nga mëkati, nga papastërtitë , nga sedra, që e shkatërrojnë ose e plagosin bashkësinë tokësore të njerëzve. Pamja lumnuese, në të cilën do t’u shfaqet Zoti të zgjedhurve, në një mënyrë të pashterueshme, do të jetë burim i përhershëm gëzimi, paqeje dhe bashkimi të ndërsjellë.
1046 Për sa i takon gjithësisë, Zbulesa afirmon bashkimin e thellë të fatit ndërmjet botës materiale dhe njeriut:
E njëmend, edhe vetë krijesa, me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyut... njëmend në shpresë sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit... Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë me vetvete, duke pritur adoptimin-shpërblimin e trupit tonë (Rom 8, 19-23).
1047 Pra, edhe gjithësia e dukshme, është paracaktuar të shndërrohet, «në mënyrë të atillë që vetë bota, e ripërtrirë në gjendjen e vet të mëparshme, të jetë, pa pengesa, në shërbim të të drejtëve», duke marrë pjesë në lumturimin e tyre në Jezu Krishtin e ngjallur .
1048 «Nuk e dimë kohën kur do të marrin fund toka dhe njerëzimi, dhe nuk e dimë mënyrën si e qysh do të shndërrohet gjithësia. Është e sigurt që kalon pamja e kësaj bote, deformuar nga mëkati. Por dimë edhe nga Zbulesa që Zoti përgatit një banesë të re dhe një tokë të re, në të cilën banon drejtësia dhe ku lumturia do t’i kënaqë në mënyrë të plotë të gjitha dëshirat e paqes që dalin nga zemra e njerëzve» .
1049 «Megjithatë, pritja e një toke të re, nuk duhet ta dobësojë, por përkundrazi ta forcojë zellin për punë në lidhje me tokën e tanishme, ku rritet ai trup i njerëzimit të ri, që tashmë arrin të na japë një pamje të botës së re. Por, megjithëse duhet dalluar me kujdes përparimi tokësor nga zhvillimi i Mbretërisë së Krishtit, prapëseprapë, në atë masë që mund të ndihmojë për ta rregulluar më mirë shoqërinë, një përparim i tillë ka rëndësi të madhe» .
1050 Në të vërtetë... të gjitha frytet e natyrës dhe të veprimtarisë sonë që do t’i kemi përhapur mbi tokë në Frymën e Zotit dhe sipas mësimeve të tij; do t’i gjëjmë më vonë përsëri, por të spastruara nga çdo njollë dhe me një pamje të re, atëherë kur Krishti do t’i dorëzojë Atit Mbretërinë e amshuar dhe universale». Atëherë Zoti do të jetë «gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15, 28), në jetën e amshuar:
Jeta reale dhe e vërtetë është Ati, që nëpërmjet Birit dhe Shpirtit Shenjt, derdh mbi të gjithë pa përjashtim dhuratat e veta qiellore. Për hir të mirësisë së vet na premton me të vërtetë edhe ne njerëzve të mirat hyjnore të jetës së amshuar .
Në sintezë 1051 Çdo njeri merr në shpirtin e vet të pavdekshëm shpërblimin e jetës së amshuar që nga çasti kur vdes, në një gjyq të posaçëm nga Jezu Krishti, gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.
1052 «Në besojmë që shpirtrat e të gjitha atyre që vdesin në hirin e Krishtit... përbëjnë Popullin e Zotit në botën përtej vdekjes, e cila do të mposhtet përfundimisht në ditën e ngjalljes, kur këta shpirtra do të bashkohen përsëri me trupat e tyre» .
1053 Ne besojmë që shumësia e shpirtrave, që janë të bashkuar rreth Jezusit dhe Marisë në Parajsë, formojnë Kishën e qiellit, ku ata, në lumturinë e amshuar e shohin Zotin ashtu siç është, dhe ku janë të shoqëruar, në shkallë të ndryshme, me engjëjt e shenjtë, në sundimit hyjnor të ushtruar nga Krishti i lavdishëm, duke ndërmjetësuar për ne dhe duke e ndihmuar dobësinë tonë me përkujdesjen e tyre vëllazërore» .
1054 Ata që vdesin në hirin dhe në miqësinë e Zotit, por nuk janë të pastruar në mënyrë të përsosur, megjithëse janë të sigurt për shpëtimin e tyre në amshim, i nënshtrohen, pas vdekjes, një pastrimi, me qëllim që të arrihet shenjtëria e nevojshme për të hyrë në gëzimin e Zotit.
1055 Për hir të «shoqërisë së shenjtërve», Kisha ia rekomandon të vdekurit mëshirës së Zotit dhe kushton për ta lutje për freskim, në mënyrë të veçantë Flijen e shenjtë të Eukaristisë.
1056 Duke ndjekur shembullin e Krishtit, Kisha i lajmëron besimtarët «për realitetin e dhimbshëm e të rëndë të vdekjes së amshuar» , e quajtur edhe «ferr».
1057 Vuajtja kryesore e ferrit qëndron në ndarjen në amshim nga Zoti; vetëm tek Zoti njeriu mund ta ketë jetën dhe lumturinë për të cilat është krijuar dhe të cilat i dëshiron me afsh.
1058 Kisha lutet që askush të mos humbasë: «O Zot, mos lejo që të shkëputem kurrë nga ti». Nëse është e vërtetë që askush nuk mund të shpëtojë me forcat vetjake, është po ashtu e vërtetë që Zoti «do që të shëlbohen të gjithë njerëzit» (1 Tim 2, 4) dhe «Hyji mund të bëjë gjithçka» (Mt 19, 26).
1059 E shenjtërueshmja Kishë romake beson dhe rrëfen me ngulm se në ditën e Gjyqit të gjithë njerëzit do të dalin me trupin e tyre përpara gjykatës së Krishtit, për të dhënë llogari për veprat e tyre» .
1060 Në fund të kohëve, Mbretëria e Zotit do të arrijë në plotësinë e vet. Atëherë të drejtët do të mbretërojnë me Krishtin përgjithmonë, të lartësuar në trup dhe në shpirt, dhe vetë gjithësia materiale do të shndërrohet. Atëherë Zoti do të jetë «gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15, 28), në jetën e amshuar.
Krijoni Kontakt