
Postuar më parë nga
Dar_di
Kreksi, pasi që keni vënë si nevojë edhe reagimin e historianëve nga Shqipëria, më lejoni të ju sjell këtu edhe deklaratën e bërë nga Prof. dr. Kristaq Prifti, më datën 25.VIII.2011, e cila u dërgua në adresë të institucionit ku veprojnë autorët e teksteve të historisë në Republikën e Kosovës, e cila më pas iu shpërnda medieve elektronike dhe të shkruara, që e pubikuan në organet e tyre.
"Mësova nëpërmjet lajmeve të kanaleve televizive (“Top-Channel”-20 gusht 2011) reagimin e historianëve shqiptarë të Kosovës, Frashër Demaj, Fehmi Rexhepi etj., ndaj përpjekjeve që janë duke u bërë gjatë ditëve të fundit nga personalitetet shtetërore të Republikës së Turqisë për t’i detyruar historianët shqiptarë të Kosovës të ndryshojnë përmbajtjen e teksteve të historisë për shkollat e Kosovës e në mënyrë të veçantë për të hequr dorë nga vlerësimet që ata u kanë bërë marrëdhënieve të Perandorisë Osmane me popullin shqiptar gjatë pesë shekujve të sundimit të kësaj perandorie në trevat shqiptare, vlerësime që kanë qenë objektive e në pajtim me të vërtetën historike. I përshëndes këta historianë për qëndrimin e drejtë, të argumentuar shkencërisht në mbrojtje të së vërtetës historike, të njohur tanimë botërisht për problemin e marrëdhënieve osmano-shqiptare.
Është plotësisht i drejtë vlerësimi që i kanë bërë autorët e teksteve të historisë në Kosovë invazionit osman në tokat shqiptare, që solli pushtimin e tyre dhe vendosjen e një sundimi e robërie të huaj mbi popullin shqiptar, që për fat të keq ishte nga më jetëgjatët e me rrjedhoja tragjike në historinë e popullit shqiptar.
Pavarësisht nga ndryshimet e nevojshme, që po bëhen në periudhën e sotme në Kosovë e në Shqipëri për rishkrimin e historisë së popullit shqiptar e në këtë kuadër edhe të marrëdhënieve të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, për t’i çliruar ato nga skemat dogmatike të trajtimit të ngjarjeve “bardhë e zi”, për t’i parë ato në mënyrë të gjithanshme e komplekse, me aspektet e tyre negative, por edhe me dukuri pozitive të diktuara nga rrethanat objektive të zhvillimit të ngjarjeve, mbetet gjithnjë i patjetërsueshëm karakteri, përmbajtja themelore dhe rrjedhojat tragjike që pati për trevat shqiptare dhe popullin shqiptar pushtimi pesëshekullor osman. Pushtimi i Shqipërisë nga turqit osmanë, pas vdekjes së Skënderbeut ka hyrë në historinë e popullit shqiptar si një goditje fatale, sepse ndërpreu procesin më të rëndësishëm të historisë mesjetare të popullit tonë, formimin e shtetit të pavarur nacional pikërisht në pragun e realizimit të tij, në shekullin XV dhe integrimin përfundimtar të Shqipërisë në rrugën e proceseve politike, ekonomike-shoqërore e kulturore të përgjithshme europiane, ku kishte hyrë tanimë si vend europian. Ky pushtim u kushtoi shqiptarëve nga pikëpamja e zhvillimit historik një vonesë pesëshekullore për të themeluar shtetin e tyre të pavarur.
Historianët shqiptarë në Kosovë e në Republikën e Shqipërisë bashkohen me përpjekjet e popullit shqiptar për të forcuar më tej marrëdhëniet e ngushta miqësore që janë vendosur ndërmjet dy vendeve tona duke u mbështetur gjithnjë në shembullin e atyre studiuesve turq që respektojnë parimet e mëdha të themeluesit të Republikës Turke, të Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturkut, i cili me likuidimin e sulltanatit e ndau përfundimisht Turqinë e sotme nga politika e vjetër e sulltanëve osmanë.
Si historian e quaj të nevojshme të theksoj me këtë rast se trysni të tilla për të ndryshuar trajtimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me shtetet fqinje e pikërisht për të lënë në harresë, për të shuar nga historia ngjarjet që kanë të bëjnë me politikën agresive, pushtuese që këto shtete kanë ndjekur ndaj tokave shqiptare, e cila solli rrjedhojën më fatale për kombin shqiptar, copëtimin e rëndë të trojeve amtare, pushtimin e aneksimin e një pjese të madhe të tyre, janë bërë e po bëhen edhe nga shtetet e tjera fqinje.
Kërkesa për ndryshimin në tekstet e historisë të shkollave tona të trajtimit të marrëdhënieve greko-shqiptare, duke hequr nga historia e tyre veprimet që i ndajnë popujt tanë (me të cilat nënkuptojnë, pa i thënë hapur, aktet agresive, pushtuese dhe masakrat e ushtrive greke ndaj tokave shqiptare e popullsisë shqiptare) u bënë në fillim të viteve 2000 edhe nga personalitetet shtetërore greke, madje edhe në një konferencë shtypi, pas vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Greqi. Po këto kërkesa na u bënë edhe ne historianëve nga të dërguarit e Hirësisë së tij, Anastas Janullatosit, në kohën kur punonim për Projektin e Historisë së Popullit Shqiptar në katër vëllime. Por si qeveritë shqiptare të asaj kohe e ato që erdhën më pas, ashtu edhe historianët nuk iu nënshtruan këtyre trysnive, i hodhën poshtë ato, duke respektuar në hartimin e Historisë së Popullit Shqiptar trajtimin me objektivitet e me vërtetësi të ngjarjeve historike duke përfshirë edhe ato që u takonin marrëdhënieve shqiptaro-greke." - Prof. dr. Kristaq Prifti
Krijoni Kontakt