Ligji për vlerat e luftës po negociohet me FMN-në
Nga Express më 20 korrik 2011 në ora 16:45
Më kot kanë pritur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të mërkurën të procedohet në Qeveri Ligji për vlerat e luftës së UÇK-së, siç kishin marrë premtim nga kryeministri Hashim Thaçi gjatë një takimi javën e kaluar. As në këtë mbledhje nuk është proceduar ky ligj, ndërkohë krerët e ekzekutivit thonë se mund të procedohet gjatë javës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka dashur të pranojë se është thyer premtimi i kryeministrit për procedim të ligjit të mërkurën, duke thënë se java nuk ka përfunduar dhe se në rast të një përgjigje të shpejt, atëherë Qeveria do të mbajë mbledhje të veçantë për këtë çështje.
“Dua të them që ligji është në negocim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i kemi pranuar vërejtjet, i kemi kthyer me ndryshimet që kanë menduar ata. Po presim përgjigje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sa i përket premtimit të kryeministrit, është gjysma e javës, ende nuk është fundi i javës. Nëse e marrim përgjigje shumë shpejt, atëherë do ta mbajmë një mbledhje të veçantë për këtë”, ka thënë Kuçi.
Gjatë javës së kaluar, kryeministri Thaçi u kishte premtuar veteranëve grevistë të cilët sot janë në ditën e 59 të grevës se deri të mërkurën (sot), ai ligj do të aprovohet në Qeveri dhe do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim, raporton KosovaPress.
Krijoni Kontakt