
Postuar më parë nga
Silverwings
Me vrasjen e miqve, kemi vrarë lirinë tonë
Gjermani, 5 mars - Vrasja e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit ka shkaktuar indinjatë të thellë të bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në Gjermani. Kjo vrasje e shkaktuar nga një dorë kriminele e një bashkëkombësi tonë vrau dy miq të Kosovës. Vrasja e dy miqve të Kosovës do të thotë se ne me dorën tonë e vramë lirinë tonë. E vramë atë liri të cilën na sollën pikërisht ata ushtarë. Pa ushtrinë amerikane Kosova nuk do të ishte kjo që është sot. Presidenti ynë i madh, Ibrahim Rugova në çdo ceremoni, në çdo urim nuk harronte pa përmendur miqtë tanë të shtrenjtë – SHBA-në, thuhet në një reagim të Kryesisë së degës së LDK-së në Gjermani lidhur me aktin kriminal të Arid Ukës. “Vrasja e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, këtu në Gjermani, na ka prekur shumë. Përpiqemi të ndajmë dhembjen me prindërit dhe të afërmit e dy ushtarëve të vrarë. Dëshirojmë të ndajmë dhembjen me popullin mik amerikan. Kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani, duke e dënuar ashpër këtë akt tradhtie, dëshiron t’i shprehë ngushëllime familjarëve të ushtarëve të vrarë, shtetit amerikan, ambasadës së saj në Berlin dhe konsullatave anembanë Gjermaninë. Përmes këtyre ngushëllimeve dëshiron t’i bëjë me dije se populli shqiptar, përkundër këtij rasti tragjik, do të ruajë dhe do të kultivojë gjithmonë miqësinë me SHBA-të dhe popullin amerikan, ashtu siç na e la porosinë presidenti ynë i pavdekshëm, dr. Ibrahim Rugova”, thuhet pos tjerash në këtë reagim. Në reagim, po ashtu, njoftohet se nënkryetari i Degës së LDK-së në Gjermani, Myftar Dragidella ka vizituar konsullatën e SHBA-së në Frankfurt, ku i ka shprehur ngushëllime konsullit amerikan Edward M. Alford, dhe me pastaj me një grup bashkatdhetarësh kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë ndezur qirinj në monumentin e përkujtimit të tragjedisë së 11 shtatorit 2001, para konsullatës amerikane në Frankfurt.
koha.net
Amerika, mburojë e qenies shqiptare
Gjakovë, 5 mars - Amerika ka qenë një mburojë e qenies njerëzore të shqiptarëve, ajo vazhdon dhe jam i sigurt se do të vazhdojë kështu, ka thënë ndër të tjera akademik Pajazit Nushi, gjatë një debati që është organizuar të shtunën në Gjakovë, me temën “Miqësia shqiptaro-amerikane”. Debati i organizuar nga shoqata e intelektualëve “Jakova”, është nxitur pas incidentit të fundit, kur një qytetar me prejardhje nga Kosova ka vrarë dy ushtarakë amerikanë. “Për këtë arsye, ata që ndihen patriotë duhet të jenë të prekur shumë me këtë akt të rëndë, që ka ndodhur në aeroportin e Frankfurtit, aq më parë kur dihet se nga kjo bazë ushtarake janë organizuar njësitet e NATO-s për sulme gjatë luftës së Kosovës”, ka thënë Nushi. “Çka do të bëhej me shqiptarët po të mos ishte angazhimi dhe përkushtimi i SHBA-së, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe ekonomik, në mbrojtje të qenies njerëzore të shqiptarëve, themelimin e shtetit?. Fati i shqiptarëve ka qenë dhe është i lidhur me emrin e SHBA-së”, ka shtuar Nushi. Masar Rizvanoli, i cili ka folur në rolin e nikoqirit, tha ndër të tjera se ky rast është një damkë më shumë në imazhin Kosovës, i cili edhe ashtu ka rënë shumë, gjë që sipas tij, duhet të na shqetësojë shumë. Në debat kanë folur edhe Ruzhdi Sefa. Sipas tij, “këtë miqësi duhet ta ridëshmojmë, ta kultivojmë e përforcojmë dhe këto vlera të bëhen edhe parim në jetën dhe punën tonë”, ka thënë Sefa. “Derisa ne nuk i realizojmë ato, kjo miqësi dhe kjo mbështetje mund të zbehet”, vlerësoi ai. . Për miqësinë me amerikanët dhe ndihmën e tyre kanë folur edhe Malush Tullumi e Bujar Domi, të cilët kanë treguar edhe për angazhimin praktik të Amerikës për popullin shqiptar të Kosovës.
koha.net
Krijoni Kontakt