AKTUALITET
Berisha: Shokët dhe shoqet e bulevardit, po tentojnë të bllokojnë hetimin e “grushtit të shtetit”
07-02-2011 / Gazeta 55
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se “grushti i shtetit”, i 21 janarit do të zbardhet deri në fund të qelizës së tij të organizimit dhe se organi i akuzës do të ketë gatishmëri të posaçme për kryerjen e hetimeve. Kreu i qeverisë theksoi se për të zbardhur ngjarjet e 21 janarit duhet një hetim i besueshëm, gjithëpërfshirës, i plotë dhe i paanshëm. Ai akuzoi opozitën si autore të ngjarjeve të 21 janarit. “Qeveria është tërësisht e interesuar më shumë se kushdo tjetër për hetim të plotë të të gjithanshëm dhe të rrethanave në të cilat humbën jetën 4 qytetarë. Njëri prej tyre paska qënë rikoshet. Kush i vrau? I vrau dora e zezë, i ekzekutoi, do të keni besim të plotë se do zbardhet gjithçka”. “Gjithçka ishte kjo pjesë e skenarit që, unë të kaloja mbi kufoma. Do zbardhet kush i solli këta njerëz nga emigracioni për të pushtuar Sali Berishën”- u shpreh kryeministri. Më tej Berisha theksoi se qeveria shqiptare shprehet e gatshme të bashkëpunojë me Prokurorinë për një hetim të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit. Berisha tha se pas ardhjes së prokurorit të SHBA-së qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me prokurorinë. “Pas ardhjes së prokurorit të SHBA, qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucione të prokurorisë së këtij vendi. Natyrisht qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të bësueshëm e gjithpërfshirës ashtu siç është e domosdoshme dhe në interesin e popullit shqiptar”- theksoi Berisha duke shtuar se çdo ditë po bëhen përpjekje për të sabotuar këtë proces duke u botuar në media dokumente të dosjeve të hetimit. Ai gjithashtu i cilësoi si trillime publikimet në media se Garda i ka fshehur prokurorisë serverin. “Garda ka qenë transparente e gatshme në çdo kohë të bashkëpunojë”- tha kryeministri. Ndërkohë, kryeministri Berisha ka paralajmëruar se nuk do të lejohen pengesa në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. “Ne kërkojmë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm por paralajmërojmë që pengesa ndaj hetimit nuk do të tolerohet. Shokë dhe shoqe të ngjarjes së Bulevardit po bëjnë çmos për të ndaluar një proces jetik, hetimin gjithëpërfshirës të paanshëm dhe kjo tregon se 21 janari, ishte qartazi një grusht shteti. Askush nuk mund ta parandalojë këtë proces jetik”- theksoi më tej Berisha
Krijoni Kontakt