-
Kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot ne mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike. Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij tek koncepti i grushtit të shteti dhe citoi disa fjalorë dhe agjenci, të cilat shpjegojnë më së miri konceptin e grushtit të shtetit. Kreu i qeverisë ju ka kërkuar deputeteve të mazhorancës, që të zhvillojnë takime të ngushta dhe individuale, për të sqaruar opinionin publik lidhur me atë çfarë ka ndodhur me 21 janar. Gjithashtu kryeministri ka shprehur dhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë dhe të pakufishëm për trimërinë, burrërinë he profesionalizmit që treguan me 21 janar punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Më gjerë në fjalën e tij kryeministri u shpreh:
Puçi i shtetit të 21 janarit dështoi në mënyrën më të turpshme dhe puçistët kapitulluan, në një sulm barbar ndaj Këshillit të Ministrave. Si një ngjarje, që në Shqipëri ka ndodhur vetëm në vitin 1924, kur aventurierët politikë, larguan me dhunë kryeministrin e vetëm në Ballkan të zgjedhur me votën e qytetarëve të tij dhe bënë, që ai të rikthehet dhe ti përzinte nga pushteti, bashibozukët dhe aventurierët, që i morën pushtetin me forcë. 21 janari është dita e turpit e krimit më të shëmtuar kushtetues të këtij vendi.
Të dashur deputetë dhe deputete
Duke ju falënderuar ju me mirënjohjen më të thellë, për atë solidaritet të jashtëzakonshme, shkallë të lartë përgjegjësie, mbështetjen që ju dëshmuat ndaj forcave të rendit, pati shumë prej jush që erdhët drejt Tiranës, latë shtëpitë dhe qytetet tuaja, u bashkuat me mua në Këshillin e Ministrave, apo qëndruat në detyrat ku ishit, në mënyrë që grushti i shtetit të mos mund të kalonte kurrë.
Meqenëse puçistët, të tmerruar nga fytyra e tyre e shëmtuar, nga vepra e tyre kriminale, përpiqen me gjithë propagandën në media të maskojnë atë që bënë, unë dua tu lexoj juve dhe mbarë shqiptarëve, përcaktimet e grushtit të shtetit në të gjitha burimet më serioze të botës. E bëj këtë për të qartësuar çdo shqiptar, që më të drejtë nuk e dinë, nuk e kanë të qartë se çfarë është grushti i shtetit. E bëj këtë gjithashtu për tu thënë puçistëve, që nuk ka maskë, që nuk ka asgjë, që do të mund të mbulojë fytyrën tuaj, në aktin që bëtë.
Do tu referohemi dokumenteve kryesore botërore. Fjalori Heritage amerikan , thotë se; grushti i shteti është përmbysja e papritur e një qeverie, zakonisht nga grupe të vogla personash me pushtet, ose që më parë kanë qenë në pushtet.
Partia e dhunës ka qenë 45 vjet në dhunë, ka qenë 8 vjet gjatë demokracisë, partia e puçistëve dhe nuk besoj se duhet të ketë përkufizim më të plotë më të saktë sesa ky që ndodhi me 21 janar.
Enciklopedia Britanike, përcakton se; grushti i shteti është përmbysja e papritur e një qeverie ekzistuese, nga një grup konspiratorë. Nuk besoj se ka gjë tjetër që përputhet më shumë sesa ky përkufizim me ngjarjen e 21 janarit.
Fjalori i Historisë Ushtarake të Oksfordit, përcakton se, grushti i shteti është një përpjekje për të ndryshuar një qeveri me kërcënime, ose përdorim force zakonisht, por jo gjithnjë i shoqëruar nga ushtarakët. Ndonëse vullneti dhe aftësia, ose mungesa e tyre nga ana e forcave të armatosura për të mbrojtur një qeveri mund të jenë përcaktuese për një grusht shteti.
As edhe një ushtar i vetëm nuk ka dalë nga kazerma, ishin të gatshëm të mbronin qeverinë dhe rendin kushtetues në çdo rast , por heronjtë e policisë dhe të gardës, bënë pluhur skenarin e puçistëve, mercenarëve e 200-300 bashibozukëve, njerëzve të paguar, që donin ti bënin Shqipërisë gjëmën, për karrigen e Edvin Kristaq Ramës, Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit dhe ndonjë tjetri.
Në Fjalorin Politik të Oksfordit, grushti i shteti përcaktohet si rrëzimi i papritur, me forcë dhe ilegal i një qeverie . Shqiptarët e panë se ku ishte synimi i tyre, ne disponojmë të gjitha dokumentet, që ata këtë dhe vetëm këtë synonin. Në Fjalorin e Literaturës Politike, grushti i shtetit, përcaktohet si një marrje e shpejtë dhe deçizive e pushtetit, të një qeverie, nga grupe ushtarake apo grupe politike. Nuk besoj se kreu i Partisë Socialiste dhe Ruçi e Gjinushi drejtonin ndonjë OJQ, por drejtonin forca politike që në traditën e tyre kanë dhunën e terrorin. E kthyen Partinë Socialiste në ditët më të zeza të Partisë së Punës .
Eduard Ludvag në manualin e tij për grushtin e shtetit një nga personalitet më të shquara të planetit, shkruan se një grusht, një puç , konsiston në infiltrimin e një segmenti të vogël, por kritik të aparatit shtetëror, që përdoret më pas për të larguar kontrollin e qeverisë nga ato pjesë që kanë mbetur. Lundvag shkruan se forcat e armatosura nuk janë një tipar dallues për një grusht shteti. Ata që mendojnë se nuk dolën tanket dhe prandaj nuk pati grusht shteti, e kanë gabim ai është grusht shteti.
Në Enciklopedinë Britanike, intervencioni politik quhet gjithashtu grusht shteti dhe nënkupton rrëzimin, e papritur me dhunë të qeverisë ekzistuese nga një grup i vogël. Për suksesin kryesor të një grushti është kontrolli i përgjithshëm i pjesëve të Forcave të Armatosura, policisë dhe elementëve të tjerë ushtarakë, gjë të cilën nuk do ta bënin kurrë dot puçistët në Shqipëri.
Në Fjalorin e Lirë, puç apo grusht shteti është përpjekja e papritur e një grupi për të rrëzuar një qeveri. Në Wikipedia puç apo grusht shteti është përmbysja e papritur dhe ilegale e një qeverie . Nw njw tjetër fjalor thuhet se; gusht shteti është rrëzimi i shpejtë jashtë ligjor i një qeverie.
Wordweb, thotë se; grusht shteti është një ndryshim i shpejtë dhe vendimtarë, ilegal, ose më forcë i një qeveria.
Nonviolence International thotë se; grushti i shteti është përmbysja e papritur me forcë e një qeverie nga një grup komplotistësh kundër saj.
Die.net thotë se; përcaktimi i grushtit të shteti është, një ushtrim i papritur pushteti, pasi ke përmbysur qeverinë ekzistuese pa pëlqimin e popullit.
Definitions. net, thotë se ; grushti i shteti është marrja pushteti me dhunë, është ndryshim i papritur vendimtarë i një qeverie në rrugë ilegale ose me forcë.
Kjo është ajo që u tentua me 21 janar. Kjo është ajo që u bë pluhur me datën 21 janar, falë heroizmit, qëndresës, profesionalizmit, trimërisë, burrërisë së punonjësve të Policisë së Shteti shqiptarë dhe Gardës së Republikës së këtij vendi.
Le tu shprehim dhe njëherë mirënjohjen tonë më të thellë dhe më të pakufishme. Ata dëshmuan se në këtë vend, aventura të tilla nuk mund të kalojnë kurrë. Ne vërtet përjetuam një nga momentet më dramatike ndoshta në historinë tonë të 87 viteve të fundit, por ne nga ana tjetër dëshmuam se cila është forca e ligjit në këtë vend. Dëshmuam se institucionet kushtetuese të këtij vendi, ligjet dhe kushtetuta e tij janë të pathyeshme të pacenueshme. Se mjerë ata që tentojnë ti marrin.
Zhvillimet e mëpastajshme ju i keni njohur. Ajo që është më pozitive në gjithë këtë akt të turpshëm kriminal është fakti se, qeveria shqiptare ka pasur mbështetje të plotë të partnerëve ndërkombëtare në tërësi dhe në mënyrën më të veçantë të qeverisë së Shteteve te Bashkuara të Amerikës, dhe unë dua tu shpreh mirënjohjen më të madhe. Në një institucion hetimi fund e krye të kompromentuar fund e krye me plane të qarta të stadit B, tani hetojnë ekspertë, prokurorë, juristë, të shkëlqyer të këtij vendi dhe unë kam besim të plotë te ky hetim, po kështu edhe shqiptarët duhet të kenë besim të plotë tek ky hetim.
Thirrja e ekspertëve ndërkombëtar, e mbështetjes ndërkombëtare për një hetim të pavarur sado që të duket një dobësi, për një vend anëtar të NATO-s mendoj se është 100% e justifikueshme, është 100% e drejtë, është hapi dhe interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, sepse në këtë proces u bë e qartë si drita e diellit se mandat arrestet për tërë zinxhirin e komandës së Gardës së Republikës, të lëshuara vetëm katër orë, pasi Edvin Kristaq Rama do të deklaronte pas mesnate se nesër do të protestojmë kundër horrave të gardës. Kishte një qëllim dhe vetëm një qëllim, të dekapitonin Gardën e Republikës, e cila mbrojti me vetëmohim të madh, pushtimin e Këshillit të Ministrave.
Mbrojti mes plumbave, mes tritoleve që u hodhën drejt saj, ndaj dhe për të vazhduar skenari duhej që ata të dekapitoheshin. Në një moment tjetër pas mbledhjes së parlamentit, ngritjes së komisionit hetimor për hetimin e puçit, u bë i domosdoshëm për shkak të komprometimit total të procesit të hetimit nga Prokurorja e Përgjithshme, ishte shkelja e marrëveshjes. Unë nuk kam ç’të them më, i kam thënë publikisht, por unë mendoj se disa gjëra janë të detyrimin tonë. Është në detyrimin tonë, të bëjmë gjithçka që ky proces të mbetet institucional, mos konfondojë me individ të caktuar institucionet demokratike të këtij shteti dhe ne këtë do të bëjmë sikundër do të qëndrojmë të gatshme për tu dhënë përgjigjen më ekzemplare të çdo tentative të dytë ndaj rendit kushtetues.
Ne qëndrojmë për një hetim, për një trajtim tërësisht institucional dhe ne kemi besim të plotë se ky hetim do të jetë i pavarur dhe transparent, sepse ka një angazhim të plotë. Jo për të ndihmuar një qeveri, absolutisht jo, ka një angazhim të plotë për të ndihmuar shqiptarët në të drejtat e tyre. Angazhim, i cili do të ishte ndaj çdo qeverie që do të ndodhej në situata të tilla, ndaj dhe unë kam shumë mirënjohje, kam mirënjohje ndaj të dërguarit të Baroneshës Ashton, i cili në mënyrë të kristaltë u shpreh se ju jeni partneri ynë, kryeministri legjitim i këtij vendi dhe ke mbështetjen tonë. Mirënjohje të thellë kam për OSBE, e cila ka bërë çdo gjë që ka pasur në dorë, prezenca por edhe kryesia që të qartësojnë zbardhjen e ngjarjes së imagjinueshme, që ndodh në një vend të lirë.
Ndaj dhe ne do të kemi besim dhe ju garantoju dhe çdo qytetari se grushti i shteti nuk do të mund të kalojë dhe se do marrë ndëshkimin e merituar ligjor. Ne kemi respektuar dhe do të respektojmë opozitën me vendosmëri të madhe, natyrisht jemi të hapur për çdo dialog, por kjo pasi puçistët të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. Ne nuk konfondojmë një grup puçistësh ne Partinë Socialiste. Partia Socialiste ka një problem të tmerrshëm, sepse ky grup e ka shndërruar atë në partinë e Hysni Milloshit, është Hysni Milloshi dhe vetëm ai, që për vite të tëra në media do ta cilësonte Sali Berishën, kryefashist dhe qeverinë e tij fashiste, por ai e bënte i frymëzuar nga manifesti i Partisë Komuniste dhe veprat e Enver Hoxhës. Gjatë javëve të fundit Hysni Milloshi, është futur në strofull dhe ka dalë Hysni Milloshi tjetër, Edvin Kristaq Rama që shfrytëzon dhe përdhos mediat duke vlerësuar fashiste, naziste një qeveri anëtare të NATO-s një vend anëtar të NATO-s.
Duke theksuar këto për puçistët natyrisht mbetem i palëkundur në vlerësimin e madh të socialisteve që dënojnë dhunën, që nuk i lidh asgjë në projektin e tyre me një puç dhe që kanë ardhur me qindra herë , kanë protestuar dhe do protestojnë para dyerve të kryeministrisë pa u hyrë dhe një gjemb i vetëm në këmbe dhe do respektohen totalisht, duke mbajtur parasysh se kushtetua e vendit garanton fëmijët e tyre dhe paprekshmërinë e institucioneve shtetërore.
Mendoj se është i domosdoshëm një dialog i juaji në mediat e mbarë vendit dhe me qytetarët duke shmangur tubime të zjarrta dhe entuziaste, sepse nuk ka asnjë nevojë. Unë e kuptoj që njerëzit janë jashtëzakonisht të emocionuar, një miting që thirrëm për të shtunën që kaloi, bëmë mirë që e anuluam, sepse absolutisht qëllimi ishte vetëm anti dhunë, por paraqisja fliste për ndryshe dhe ne nuk kemi nevoje të tregojmë muskuj.
Demokratë dhe demokrate
Ne jemi pushteti legjitim i këtij vendi
Qytetarë dhe qytetare
Në jemi pushteti legjitim i këtij vendi, nuk ka forcë në botë që të mund të na e marrë ne me dhunë. E kam thënë dhe e theksoj, po të jetë një agresion nga jashtë do të përballet me fuqinë e aleancës më të madhe më të furishme të kohërave, kurse grupe nga brenda e panë se çfarë pësuan para kryeministrisë. Ndaj dhe nuk ka asnjë arsye që ne të mendojmë të tregojmë muskujt apo të shkojmë me metoda populiste. Ne jemi të fortë aq sa është e fortë kushtetua e këtij vendi. Ne jemi të fortë aq sa është i forte ligji i këtij vendi, ne jemi të fortë aq sa është e fortë liria dhe vlerat demokratike, ndaj nuk ka asnjë arsye. Po ju do të shkoni në të gjitha zonat tuaja elektorale dhe do të qartësoni gjithçka, atë që ka ndodhur , kjo është e domosdoshme, shqiptarët duhet të dinë të vërtetën.
Kryeministria
31/01/2011
-
-
Makinat e dëmtuara në demonstratë, ja rruga që duhet të ndiqet për dëmshpërblimin
Qytetarët të cilëvë u janë shkaktuar demtime të pronës si djegie makine, dëmtim dyqani, apo dëme të tjera ekonomike gjatë demostratës së 21 janarit, kanë vetëm një mënyrë për të përfituar dëmshpërblimin. Ata duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Policisë për të bërë dokumentimin ligjor të tyre. Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate citone se, materialet proceduriale, të përpiluara për dëmtime të pronës, do t`i kalojnë për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kjo do të thotë se qytetarët që janë dëmtuar materialisht, duhet të presin deri sa prokuroria të hetojë për ngjarjen dhe më pas t’ia kalojë gjykatës për thënien e verdiktit final,nëse do të dëmshpërblehen apo jo.
Nga kompanitë e sigurimeve duket se nuk do të përfitojë asnjë nga 20 personat që me 21 janar panë makinat e tyre në flakë. Automjetet e djegur gjatë demonstratës së 21 janarit iu përkisnin qytetarëve të cilët fare rastësisht kishin parkuar në afërsi të bulevardit.
TV Klan
-
-
PS kërkesë në Kushtetuese kundër komisionit hetimor
TIRANE- Partia Socialiste dërgon në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të shpallur antikushtetues komisionin hetimor të ngritur me votat e PD-LSI për të hetuar ngjarjet e 21 Janarit. Sipas deputetit Sajmir Tahiri “Deputetët e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste sapo firmosën kërkesën për shpalljen antikushtetues të komisionit hetimor të ngritur nga Saliu, për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi, duke dhunuar Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e Shërbimit Informativ dhe vetë opozitën”,- tha ai.
Kërkesa u dorëzua po sot në gjykatë nga sekretari i grupit PS, Taulant Balla..
Deputeti Tahiri theksoi ndër të tjera se opozita do t’i rikthehet protestave duke filluar nga dita e premte. Sipas tij bëhet fjalë për një demonstratë të një forme tjetër e cila do tu komunikohjet qytetarëve në ditët që vijnë.
“Këtë të premte populli opozitar do të jetë përsëri në rrugët e protestët. Demonstrata e së premtes do ketë një formë krejtësisht tjetër që do i bëhet e njohur qytetarëve duke filluar nga nesër. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër; Pa u dorëzuar 6 komandantët e Gradës dhe pa rikthyer Policinë e Shtetit në kornizën e ligjit. Popullit shqiptar i ka lindur e drejta të mbrojë Kushtetutën dhe veten nga një grusht shteti brenda shtetit, të cilit ne do i kundërvëmë të gjithë fuqinë e rezistencës sonë paqësore”,- tha më tej Tahiri.
(m.a/BalkanWeb)
-
-
Fjala e Kryeministrit Berisha në komisionin hetimor parlamentar
Zoti kryetar,
anëtarë të komisionit hetimor parlamentar të puçit të 21 janarit,
të dashur qytetare e qytetarë,
sot jam këtu për të dëshmuar për ngjarjen më të shëmtuar në historinë e shtetit shqiptar, nga qershori i vitit 1924 gjer më sot, për një puç grusht shteti, të organizuar nga trojka Edvin Kristaq Rama, Gramoz, Ruçi, Skënder Gjinushi, për të përmbysur me dhunë pushtetin e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve kohërat e republikave të bananeve, kohërat më të vështira, më të pasigurta e më të pamerituara për qytetarët shqiptarë.
Zoti kryetar,
Puçi i 21 janarit ishte një grusht shteti i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm; ishte një grusht shteti, i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij Rama, Ruçi e Gjinushi; ishte një grusht shteti, i cili u përgatit me frymën e një fundamentalizmi ekstrem, duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë, më negative të Partisë Socialiste.
Grushti i shtetit u udhëhoq nga një treshe në krye të kësaj partie, duke besuar se Partia Socialiste do t’i mbështesë tërësisht ata, pasi e vërteta historike është se kurrë kjo parti nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës. Partia Socialiste është e vetmja parti, e cila në kongresin e saj të qershorit të vitit ’90 do të sanksionohej si trashëgimtare juridike e Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitin ’97, Partia Socialiste përdori dhunën, armët e të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet. Partia Socialiste nuk bëri kurrë zgjedhje të denja për një vend dhe pasi i humbi ato, me drejtimin e ri dhe dua ta theksoj me drejtimin e ri, sepse unë, me gjithë kundërshtinë e jashtëzakonshme që kam pasur me kryetarin e saj të mëparshëm, kam vlerësuar e vlerësoj faktin se ky zotëri pranoi rotacionin e pushtetit, ndërsa udhëheqja aktuale, trojka Rama, Ruçi, Gjinushi, gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse të minojnë me çdo kusht votën e lirë të shqiptarëve, pushtetin e dalë prej saj.
Ky ishte një grusht shteti i kryer ditën për drekë, para mediave të Shqipërisë e të mbarë botës. Banditë, kriminelë, trafikantë, mercenarë, bashibozukë, në numër gjithsej më pak se 300 vetë, rrethuan për 5 orë Këshillin e Ministrave të vendit, kryeministrin e vendit, me vendosmërinë totale për ta pushtuar ndërtesën dhe natyrisht, për të larë hesapet me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e lira.
Zoti kryetar,
për ata, të cilët mund të kenë qoftë edhe dyshimin më të vogël se çfarë ishte ngjarja e bulevardit, siç do të quhej me emrin kod nga puçistët, sepse ishte përgatitur jo vetëm skenari, por edhe semantika, terminologjia që do të përdorej, le t’i referohemi doktrinës së grushtit të shtetit. Në një nga fjalorët më prestigjiozë të botës, fjalorit amerikan Heritage thuhet se “grushti i shtetit është përmbysja e papritur e një qeverie, zakonisht nga grupe të vogla personash me pushtet, ose që më parë kanë qenë në pushtet”.
Zoti kryetar,
ata që rrethuan kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave, ata ishin bajlozë të vjetër. Urdhër banditëve i jepte kryetari i puçit, por edhe ish ministri i Sigurimit të Shtetit Gramoz Ruçi, edhe ish ministri i regjimit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi, madje dua të them dhe ministra e mbi ministra të atyre që shqiptarët i nxorën me votë nga pushteti dhe që erdhën me dhunë.
Në enciklopedinë concize britanike, “grushti i shtetit është përmbysja e papritur e një qeverie ekzistuese nga një grup konspiratorësh”. Grupi që realizoi grushtin e shtetit kishte dy gjysma: anën e shndritshme, ku operonin Rama, Ruçi, Gjinushi, por kishte edhe të tjerë që qëndronin në anën e errët të hënës dhe këta ishin njerëzit e ngjarjes së bulevardit dhe jo vetëm këta. Mendoj se ky përkufizim është bërë kohë më parë, por sikur të bazohej tërësisht mbi atë që ndodhi në 21 janar.
Në fjalorin e historisë ushtarake të Oksfordit, grushti i shtetit është përpjekja për të ndryshuar një qeveri me kërcënime. Shqiptarët përjetuan gjatë dy muajve të fundit kërcënime nga më të papërmbajturat, por veçanërisht 10 ditët e fundit, kreu i grushtit të shtetit Edvin Kristaq Rama do të deklaronte se Kryeministri i vendit ose do të pranojë kushtet, ose populli do të tejkalojë Kushtetutën, se demonstrata e popullit nuk do të kontrollohej, madje natën para asaj dite do të paralajmëronte Kryeministrin se do t’i duhej të kalonte mbi kufoma. Por, siç thotë dokumenti monumental i Oksfordit, suksesi ose jo i grushtit përcaktohet nga qëndrimi i institucioneve që kanë forcën.
Në shumicën e rasteve një grusht shteti, theksohet në këtë dokument, ndërmerren për të përmbysur një apo disa drejtues tipikisht udhëheqës civilë dhe për të vendosur një pushtet alternativ apo një grupi alternativ. Udhëheqësi dhe udhëheqësit që duhej të përmbyseshin ishte koalicioni aktual. Do t’u përsëriteshin mandatet atyre që ishin angazhuar në konspiracion dhe do të merrte kreun e mazhorancës kryepuçisti Edvin Kristaq Rama.
Në fjalorin politik të Oksfordit theksohet se “grushti i shtetit përcaktohet si rrëzimi i papritur me forcë dhe ilegal i një qeverie”. Nuk besoj të ketë gjë më të kristaltë sesa përpjekja që bënë puçistët në datën 21 janar ndaj qeverisë legjitime të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Ata, të cilët imagjinojnë grushte shteti si vërshim tankesh në rrugë, janë gabim. Një nga specialistët më të shquar në botë, Edward Luttwak thekson se “një grusht shteti, një puç konsiston në infiltrimin e një segmenti të vogël por kritik të aparatit shtetëror, që përdoret më pas për të larguar kontrollin e qeverisë nga ato pjesë që kanë mbetur”. Luttwak shkruan se Forcat e Armatosura nuk janë tipar dallues për një grusht shteti. Në Shqipëri, Forcat e Armatosura janë një institucion i shkëlqyer, anëtar i NATO-s, të gatshëm për të mbrojtur rendin kushtetues të vendit, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.
21 janari ishte një grusht shteti, po t’u referohemi të gjitha përcaktimeve që ekzistojnë sot në literaturën botërore për këtë akt të shëmtuar. Enciklopedia britanike thotë se intervencioni politik është grusht shteti dhe nënkupton rrëzimin e papritur me dhunë të qeverisë ekzistuese nga një grup i vogël. Ky grup ishte aq i vogël, aq mjeran! Këta ishin 20, 30, 40 aventurierë, të udhëhequr nga një kryepuçist, me gjithsej 200 deri në 300 bashibozukë, morracakë, të droguar, hajdutë, njerëz që kishin ardhur të rrëzonin një qeveri legjitime.
Në fjalorin e lirë, puç apo grusht shteti është përpjekja e papritur e një grupi njerëzish për të rrëzuar një qeveri. Në një dokument tjetër thuhet se grushti i shtetit është rrëzimi i shpejtë jashtëligjore i një qeverie. Në një tjetër Word Web thuhet se “grushti i shtetit është një ndryshim i shpejtë, vendimtar, ilegal ose me forcë i një qeverie”. Në një dokument tjetër themelor thuhet se grushti i shtetit është përmbysja e papritur me forcë e një qeverie nga një grup puçistësh kundër saj. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk e ka të qartë se cili ishte grupi i puçistëve që kryesohej nga Edvin Kristaq Rama.
Kam këtu mbi 17 përkufizimi, që të gjitha mbi grushtin e shtetit, e cilësojnë si një akt të përmbysjes së një qeverie me dhunë. Por grushti i shtetit të 21 janarit nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. Ai ka pasur skenarin tipik puçist, i cili filloi me montimin, falsifikimin e një video nga Edvin Kristaq Rama, me ndihmën e një hierarku, e një persekutori të vjetër të Sigurimit të Shtetit, njeriut që burgoste me ekspertizat e tij hanxhar të rinjtë shqiptarë, edhe djalin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, të Abaz Kupit, Fatbardh Kupi. Këtu është dokumenti i njeriut që 30 vjet më parë, me dëshminë e tij do të bënte që të dënohej me 12 vjet burg një i ri për hartimin e maturës që kishte bërë dhe ky është çakalli i Edvin Ramës, me të cilin filloi edhe skenari i grushtit të shtetit. U shfaq një video.
Zoti kryetar, reagimi im ndaj asaj videoje ka qenë i fuqishëm dhe jo se unë u lëndova personalisht, por se e perceptova atë si fillimin e një skenari ogurzi. Në rast se qytetarëve u kujtohet në mënyrë të përditshme në parlament dhe kudo, u ndërmorën sulmet më të fuqishme kundër manipulatorit dhe organizatorit të këtij manipulimi. Megjithëse të nesërmen, gazetarët me integritet detyruan çakallin e Ramës që media e tyre të shfaqte pjesën nga ora 13.29.42 sekonda në orën 13.30.4 sekonda, pra, mbi 20 sekonda të prera, gjatë të cilës faktohej se Kryeministri i vendit nuk kishte asnjë lidhje me atë bisedë që Zëvendëskryeministri bënte me ish ministrin e Ekonomisë dhe se në atë bisedë bëhej fjalë jo për kontratë, jo për tender, jo për koncesion, por bëhej fjalë për zëvendësimin e Drejtorit të KESH-it, në përputhje me marrëveshjen midis Partisë Demokratike dhe LSI-së, një kandidat që ishte i PD-së do të zëvendësohej me një kandidat të LSI-së. Por pavarësisht se ishte qartësisht i montuar, sërish Zëvendëskryeministri në aktin e parë iu drejtua me një letër Kryetares së Parlamentit, ku e njoftonte se ai nuk i njihte vetes asnjë imunitet dhe në aktin e dytë erdhi në zyrën time, duke më njoftuar dorëheqjen e parevokueshme, në një akt të lartë qytetarie, por edhe një akt i lartë përgjegjësie politike, pasi, u shpreh zoti Meta, unë nuk pranoj të ulem para prokurorit të shtetit si Zëvendëskryeministër, por si qytetari Ilir Meta. Ndonëse kisha dijeni të plotë, rezultoi se segmente të tjera të videos ishin të manipuluara, rezultoi se 700 mijëshi që përmendet në video ishte në shkresën, me të cilën kompania i drejtohej ish ministrit për dëmin që asaj i krijohej me moszbatimin e vendimit të gjykatës. Por të gjitha këto janë çështje të hetimit dhe unë ju ftoj juve që atë video ta bëni objekt të hetimit tuaj. Prokuroria po heton për korrupsion dhe unë e përgëzoj, por ju duhet të hetoni se aty është fillimi i puçit. Gjithmonë në puçe ka një shkak, duhet të gjendet një pretekst dhe Edvin Kristaq Rama përcaktoi si pretekst shpifjen, trillimin, manipulimin, në bashkëpunimin me një hierark të vjetër të Sigurimit të Shtetit, që u bënte natën e zezë të rinjve shqiptarë, çakallin e tij në Top Channel.
Zoti kryetar,
Hetimi i asaj videoje është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga ana juaj, me lidhje me asgjë tjetër përveçse lidhjes së saj me puçin që përjetoi Shqipëria. Ndonëse video u paraqit para gjithë shqiptarëve dhe manipulimi ishte i qartë si drita e diellit, pati një që njeri u tha shqiptarëve në mënyrën më të pafytyrë se nuk është manipulim, por është e vërtetë dhe ky njeri është kreu i puçistëve Edvin Kristaq Rama. Më pas, puçi vazhdonte. U mblodh Asambleja e Partisë Socialiste, të cilën Edi Rama e shndërroi në parti të dhunës dhe e riktheu në origjinën e vet. Edi Rama nuk u fshehu shqiptarëve qëllimet e tij puçiste. Përkundrazi, shqiptarëve u tha se në demonstratën e 21 janarit populli nuk do kontrollohet, por populli e kontrolloi veten shkëlqyeshëm. Ata që rrethuan kryeministrinë nuk ishin gjë tjetër veçse fundërrina, të cilët mjerisht gjenden në çdo komb. Por kur gjejnë një puçist, në mercenarizmin e tyre ata janë të aftë të mos njohin asgjë. Kështu që populli u kontrollua dhe u kontrollua në mënyrë të shkëlqyer. Mijëra e mijëra socialistë, që me qindra herë kishin ardhur për të protestuar tek dritaret e zyrës së Sali Berishës e të Këshillit të Ministrave dhe që nuk kishin pasur as edhe lëndimin më të vogël, veçse respektin total për liritë e tyre, u larguan nga vendi i ngjarjes.
Zoti kryetar,
Puçi u paralajmërua gjerësisht nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ky i dyti do të më kërcënonte në parlament se 21 janari ishte fundi im. Unë ju them tani se 21 janari ishte triumfi im dhe njëherësh, 21 janari ishte fundi juaj puçist.
Ky ishte një puç i përgatitur me shumë kujdes, me financim të madh, me mjete të veçanta. Por ajo që nuk kishin llogaritur kurrë puçistët ishte se ata nuk dinin që Policia e këtij Shteti, policia e këtij vendi të lirë ishte e aftë dhe e zonja të zmbrapste çdo puç. Ata nuk llogarisnin se Garda e Republikës së këtij vendi ishte e aftë të mbronte me çdo sakrificë institucionet e republikës. Ata nuk dinin se Shqipëria nuk ishte më skafo-republikë e tyre, por ishte vend anëtar i NATO-s dhe shtetit ligjor.
Për 10 ditë resht, deputetë dhe drejtues të PS-së në rrethet Has, Kukës, Pukë, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Peshkopi, Burrel, Tiranë, Durrës, Krujë, Librazhd, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë rekrutuan mercenarët, paguan sipas dokumenteve të pakundërshtueshme 200 deri në 300 dollarë vetëm për dhunën, 50 deri në 100 dollarë për transportin dhe shpenzime të tjera. U mblodhën për t’u shpërndarë nga baronët e krimit të organizuar në krye të PS-së Fidel Ylli, Tom Doshi, Sadri Abazi, Artan Dulaku, Koço Kokëdhima e të tjerë rreth 2 milion euro. Janë shpërndarë 1.3 milion dhe të tjerat janë në rezervë, apo kanë përfunduar në xhepat e tyre, sepse bashibozukët atë ditë u kthyen e po vidhnin protestuesit në mënyrën më çnjerëzore. Me këto para janë siguruar ngarkesat e tritolit, janë siguruar armët e veçantë, kallashnikovët.
Zoti kryetar,
qytetarët shqiptarë kaun dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbërthimin në çdo qelizë të këtij puçi, të këtij akti të shëmtuar. Ata paralajmëruan Kryeministrin e vendit në dhjetëra në mos qindra raste si po përgatitej. Me një shkallë të lartë përgjegjësie, ata u përpoqën, bënë më të mirën për të paralajmëruar njerëzit e tyre që të mos vinin si mish për top të një grushti puçistësh.
Grushti i zhvillua para kamerave. Qytetarët shqiptarë panë se pasi nuk thyen dot pjesën ballore të Policisë së Shtetit, puçistët dhanë urdhër të sulmohej porta e kryeministrisë.
Zoti kryetar,
në mediat e këtij vendi janë transmetuar thirrjet që vinin nga kullat binjake nga drejtuesit e tyre: përpara, hyni, çani portën. Por sot disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se deputetët kryesorë të kësaj partie kërkonin me çdo kusht, urdhëronin me telefon nga lokalet e Fidelit: përpara, ecni, mos kini frikë, të shtënat janë me fishekë manovre, ju do fitoni dhe gjenerali tjetër që pyeste t’u çojmë tani kallashët apo më vonë. Tek Tajvani, një makinë e veçantë ishte e mbushur me tritol, në kallëpe 400 gramëshe, të cilat u shpërndanë dhe i hodhën në mënyrë të përsëritur kundër Gardës dhe Policisë së Shtetit. Makinat me kallashnikovë ishin afër. Edi Rama qëndronte në krye të komandës. Në rast se ndonjëherë një nga puçistët, i sigurt në disfatën, i sugjeroi të largohemi se humbëm, kryepuçisti i thotë në asnjë mënyrë, të vazhdojë beteja. Ëndërronte, besonte se me ata banditë, me ata njerëz të hurit e të litarit, të gurit e eksplozivit do mund të vinte në zyrën e kryeministrit. Kryeministria, Këshilli i Ministrave kishte një mbrojtje të plotë e totale. As 200, as 2000 e as 20 mijë nuk mund ta merrnin atë. Kurrë! Ajo kishte një mbrojtje absolute dhe do të ketë një mbrojtje absolute. Sikundër, në këtë vend të lirë do të respektohet me vendosmërinë më të madhe çdo liri dhe e drejtë e qytetarëve shqiptarë për protestë dhe po me ato ligje, po me atë Kushtetutë do të mbrohen me vendosmëri totale institucionet e këtij vendi.
Pasi mbarova drekën, në orën 14.15 u ktheva në zyrën time. Punonjësve u thashë se institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë. Sado e hidhur, sado e shëmtuar, sado e dhimbshme që është ajo që ndodhi në 21 janar, nga ana tjetër, po kaq madhështore, po kaq heroike, po kaq domethënëse është qëndresa e atyre burrave dhe grave të Policisë së Shtetit dhe Gardës, të cilët bënë të qartë se institucionet, kështjellë të lirisë, nuk jepen, nuk mund t’i pushtojë kush kurrë.
Zoti Kryetar,
Demonstruesit erdhën për protestë paqësore, por një pjesë e tyre ka ardhur e pajisur me armë shumë të veçanta, me çadra pistoletë, me stilolapsa pistoletë, me pistoleta e mjete të ndryshme. Duhej me çdo kusht që kryeministri vendit në qoftë se nuk dorëzohej, të kalonte mbi kufoma, të realizohej ajo që kishte paralajmëruar kryepuçisti Rama. Mbi këtë ngjarje ne sot disponojmë të dhëna të shumta, për çdo qelizë, çdo segment të zhvillimit të saj. Por natyrisht, pjesa më kriminale e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit. Aty, Edvin Kristaq Rama me puçistin Ruçi, Gjinushi, me bllokmenë të tjerë, por dhe eksponentë të mafias që ka, të dy dulakët, me pasardhës të bllokut, me të ashtuquajturit gazetarë, të cilët do të botonin në faqet e zeza të tyre njoftimin se Berisha u arratis, kërkoi strehim në ambasadën serbe. Të gjithë ishin në komandë. Që të gjithë janë të dokumentuar. Në komandë ishin edhe ata deputetë të PS-së që rrethuan me zjarr kryeministrinë dhe i prinë zjarrit. Keni bërë një akt shumë të përgjegjshëm, kërkuat tabulatet. Tek Shekspiri thuhet drama gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Tabulatet u bënë edhe gracka, ku shpirti i puçistëve kapet e bie si laraska. Ata e dinë veten e tyre ndaj këtij akti, çka i ka tronditur puçistët, sepse në ato kontakte janë të gjitha lidhjet e tyre me krimin, në ato kontakte qëndrojnë të gjitha lidhjet e tyre me puçin. Të jeni të sigurt se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t’i dorëzojë të gjithë në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse. Pra, zoti kryetar, kemi të bëjmë me një puç të paralajmëruar.
Në mëngjesin e datës 21 janarit, si akti i parë zyrtar kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe u kam kërkuar t’u transmetojnë Policisë së Shtetit dhe Gardës porosinë time për vetëpërmbajtje maksimale, të dëshmojmë respekt të madh për protestën paqësore, për ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore. Ne kishim informacione të sakta nga shqiptarët, por edhe nga diplomatë të vendeve mike për atë që mund të ndodhet dhe që do ndodhte. Por neve takonte që në asnjë mënyrë, të nisur nga këto informacione, të shfaqej qoftë edhe nervozizmi i vogël. Më mbrapa jam informuar se ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kanë përcjellë me përgjegjësi porosinë time tek të gjithë trupat. Ajo që është e papranueshme dhe që kërkon një hetim të thellë nga juaj është fakti se Shërbimi Informativ Kombëtar, Agjencia përgjegjëse për zbulimin dhe kundërzbulimin në këtë vend, që një nga objektivat kryesor ka mbrojtjen e rendit kushtetues, nuk ka sjellë as edhe informacionin më të vogël. Kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në datën 16 janar dhe ju do keni disponibël dokumentin, kjo Agjenci i përgjigjet se nuk ka asgjë të re. Ndërkohë kur ne kishim informacione të plota për atë që mund të ndodhte.
Cili është shkaku dhe arsyeja, çfarë ia lidhi sytë e i shurdhoi veshët këtij Shërbimi, për të cilin qeveria shqiptare shpenzon sot, për punonjësit e saj 70 përqind më shumë se në vitin 2006. Natyrisht, ishte një shërbim me 1500 vetë dhe i binte të ishte 10 herë më i madh se Shërbimi i Britanisë së Madhe, po ta proporcionojmë për frymë, u ridimesionua dhe arriti në 950 vetë dhe për punonjësit shpenzimet në këtë Shërbim janë rritur 70 përqind, sa asnjë institucion tjetër i vendit. Kjo çështje meriton një hetim i plotë. Nëse këta sy të lidhur e veshë të shurdhur kanë lidhje me vendosmërinë e kryeministrit për të përcaktuar mandatin, është në tagrin tuaj ta hetoni. Pas një kërkesë të bërë nga aleati e vendi që ka përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë unë e shtyva, ndonëse unë mbeten dhe i qëndroj parimit të mandatit. Por një vend që ka bërë gjithçka për Shqipërinë më shumë se kushdo tjetër nuk mund të mos dëgjohej nga kryeministri dhe këtë e bëra pasi bisedova me zyrtarë të qeverisë amerikane me një mirëkuptim. Natyrisht, jo se unë do të hiqja dorë nga mandati, por normale që në çështjet e sigurisë e them edhe haptas ne mbështesim kudo e për çdo gjë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e mbështesim sepse ato kanë përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë e paqes e stabilitetit. Kjo është arsyeja.
Shërbimi Informativ në disa rrethe, ju duhet të hetoni nëse kanë dërguar apo jo të dhëna në qendër, nuk mund ta them. Unë personalisht di të them këtë që thotë policia. Është e papranueshme që gjatë ditës së puçit Drejtori i Shërbimit Informativ nuk i ka hapur telefonin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili i ka telefonuar në mënyrë të përsëritur. Po ditën e puçit, ky zotëri i ka deklaruar Shefit të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake se nuk ka asgjë të veçantë. Dhe kjo është një deklaratë në drekë. Komisioni duhet të hetojë për të gjithë këto. Ai duhet të hetojë edhe për disa probleme të tjera, të cilat nuk kanë interes publik, por që meritojnë një hetim nga ky komision, për disa të vërteta që janë të rëndësishme për ju.
Zoti kryetar,
Pas 5 orë barbarish mbi Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, grushti dështoi dhe ju garantoj se nuk kishte asnjë shans, zero shans. Në këtë përplasje mbetën tre të vrarë. 81 gardistë të plagosur, 27 policisë dhe dhjetëra demonstrues. Unë kam dalë menjëherë para shqiptarëve dhe kam theksuar se duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave, të cilët, sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar nga afër me armë zjarri jo në përdorim të forcave të rendit, pasi këto ishin të dhënat që më erdhën nga spitali, i kërkoj prokurorisë të zbardhë rrethanat e goditjes së tyre në ët gjitha aspektet. Kjo është kërkesa ime në datën 21 janar, në orën 19.00. Natyrisht, e kam theksuar dhe e theksoj se në përpjekjen për një grusht shteti mund të mos ketë asnjë viktimë, mund të ketë 3, mund të ketë 30. Garantoj shqiptarët se kurrë ndonjëherë, cilido të jetë çmimi, një institucion i lirë i këtij vendi të lirë nuk do mund të merret kurrë nga askush. Kjo është jashtë çdo diskutimi. Institucionet nuk preket, liritë e të drejtat e këtij vendi nuk preken. Ky është qëndrimi im. Ndaj dhe unë i kërkova prokurores së shtetit të nisë menjëherë hetimin, pasi kështu është rregulli, si u vranë, kush i vrau, në ç’kushte u vranë. Të gjithë këto, përgjigje që duhet t’i japë ekspertiza. I eliminuan ata që kishin ardhur çadra-pistoletë apo stilolapsa-pistoletë, apo i eliminuan gardistët, të cilët, kur u hap dera, qëlluan në ajër, para të gjithë kamerave, sepse po të qëllonin direkt mbi objekt do të kishte dhjetëra të vrarë, qëlluan direkt, u shkau dora, të gjitha janë çështje të ekspertëve dhe që të gjitha hetohen në një vend të lirë. Dhe vdekja është gjëja më e dhimbshme.
Por puçi nuk ndalonte, humbën një betejë, me turp, me bisht ndër shalë dhe sërish besuan se nuk kishin humbur. Në qoftë se e keni konstatuar atë natë, kreu i puçit Edvin Kristaq Rama ka dalë tre herë në media, përfshirë edhe orën 01.00 të natës. Në orën e fundit, ky puçist do t’u deklaronte shqiptarëve se do të protestojmë nesër kundër horrave të Gardës, e cila ka vite që mbron Edvin Kristaq Ramën dhe e mbron me eficencë të plotë. Këtë do ta deklaronte në orën 01.00. pas kësaj ore, pasi unë e kam zakon të fle vonë, dhe vetëm brenda tre katër orëve, pas shpalljes së kësaj proteste që do të mbahej, një faktor tjetër politik i këtij puçi, siç do faktohej, Prokurorja e Përgjithshme do të vendoste arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës, në mënyrë që puçistët të demonstronin lirshëm kundër horrave të Gardës e të pushtonin institucionet. Ministri më informon herët e më thotë se na ka ndodhur kjo gjë. Por unë kisha informacion edhe për stadin B dhe për stadin C të puçit, ndaj nuk isha aspak i papërgatitur. Në këto kushte, ministri lidhet në telefon me Prokuroren e Përgjithshme dhe i thotë se në rast se arrestonin pa asnjë hetim të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës, me kë do t’i mbrojmë institucionet, pasi ai i kishte shpallur luftë horrave të Gardës që nuk e lanë të realizonte qëllimin e tij puçist. Burimet direkt nga prokuroria e shtetit më informojnë se ishte përgatitur grupi i gatshëm, i cili, në rast se kryeministri nuk do eliminohej me puç, do të merreshin me hetimin e tij. Nga Prokuroria e Përgjithshme më njoftojnë se ky është urdhër direkt i Prokurores së Përgjithshme, në bashkëpunim me kreun e shtetit.
Ndërkohë, të nderuar deputetë, në deklaratën që kreu i shtetit kishte lëshuar pasdite, në kulimin e agresionit ndaj Këshillit të Ministrave, Shkëlqesia e tij nuk citonte as edhe një herë të vetme fjalën dhunë. Shkëlqesia e tij, Presidenti i republikës i kërkonte të gjithë faktorëve të negocionin për të qetësuar protestuesit. Ndërkohë dërgonte zëdhënësin e tij të pashpallur në Top Channel, ku shprehej se Berisha duhet të negociojë me banditët. Këto janë problemet, një besëprerë dilte aty dhe thoshte se Berisha duhet të shqyrtojë dhe zbërthente, po nuk e kuptova se kush ia kishte shkruar shokut atë komunikatë ky atij, apo ai këtij. Pra, i kërkohej kryeministrit të rrethuar që të turpëronte flamurin e të negocionte me banditë. Kjo është deklarata. Presidenti i Republikës duhet të japë shpjegime se çfarë ia mbylli sytë atij që nuk pa dhunën që panë shqiptarët kundër institucionit kushtetues, cilat ishin ato mure që nuk e lanë atë të shohë, cilat ishin ato ekrane që nuk ia paraqitën atij këtë dhunë. Kjo është çështje, të cilën ju duhet ta hetoni. Shqiptarët duhet ta mësojnë të vërtetën. Një gjë dua t’ju garantoj se ndaj tij në mënyrë të përsëritur kam dëshmuar respekt, respekt dhe vetëm respekt. Që tre muaj kur ka ardhur pas emërimit në Partinë Demokratike, në atë seli ky zotëri ka pasur vetëm mbështetjen dhe respektin e kryetarit të saj. Tani ishte e habitshme.
Të nesërmen, ministri më thotë se kishte një takim presidentin në orën 10.00. E pyes përse e kishte kërkuar atë takim dhe mu përgjigj për arrestimet e Gardës. I them të mos merrej me këtë, pasi unë kam informacionet e mia dhe që gjithçka kombinohej mes Prokurores së Përgjithshme dhe atij. Por meqenëse do të shkosh, pasi nuk ke pse e anulon takimin, i thashë shtroi një pyetje: zoti President, mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave. Dhe përgjigja e Presidentit të republikës ishte kjo: opozita ka vetëm fjalë. Së dyti, kur po diskutohej çështja e arrestimit të zinxhirit të komandës së Gardës, Presidenti i republikës i drejtohet ministrit Basha: ki kujdes ato letrat e tua.
Në një situate të tillë, për të parandaluar zhvillime, Ministri Takon përfaqësuesit kryesor diplomatikë dhe unë i thirra në takime të veçantë dhe në grup. Në këto takime i informova për zhvillimet dhe ju kërkova që të sjellin hetues dhe të kontribuojnë në zbardhjen e kësaj të vërtete. Ne jemi shumë të hapur ndaj çdo hetimi, se do të vlerësoja shukë çdo kontribut në këtë drejtim dhe se nuk kam asnjë tendencë, në mënyrë absolute, për të parandaluar asnjë lloj hetimi. Përkundrazi, të secili nga ata, për të cilët është lëshuar mandat arresti, është i gatshëm të deponojë nga ora 12 e natës në orën 12 të ditës, por jo nën arrest kolektiv, siç veproi kryeprokurorja. Një zhvillim intensiv takimesh, ambasadori i SHBA-ve njoftoi se qeveria amerikane ka pranuar dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për hetimin, pasi besueshmëria e institucionit ishte kompromentuar në shkallën maksimale nga titullari i saj. Ky titullar, por edhe zoti Rama pranuan që ekspertë të shquar të SHBA-ve t’i bashkohen hetimit, duke e konsideruar hetimin si elementi më themelor të zgjidhjes së kësaj krize të rëndë, të krijuar nga tentativa për të marrë pushtetin me dhunë nga kreu i PS-së, sëbashku me Gramoz Ruçin e Skënder Gjinushin. Në mënyrën më të papërgjegjshme, në prani të ambasadorit të SHBA-ve, prokurorja e vendit deklaron para gazetarëve se nuk kishte marrë asnjë padi nga policia për dhunim të rendit kushtetues, në një kohë kur e kishte marrë të paktën 24 orë përpara. Ju kërkua në mënyrë të përsëritur të japë sqarime, pro nuk pranoi. Ajo që është më e rënda, e rëndë njëlloj sa rrethimi i kryeministrisë dhe sulmi ndaj saj, ishte shkelja e marrëveshjes me faktorin ndërkombëtar që bëri prokuroria e vendit. Ne, për të kontribuar në një progres, vendosëm dhe ramë dakord që të gjithë anëtarët e Gardës të paraqiteshin për hetim, urdhrat e arrestit do të anuloheshin e do të vazhdonte hetimi sipas të gjithë procedurave, me gjykatë e gjithçka tjetër. Në mënyrë befasuese, kjo zonjë, pasi kishte dhënë miratim të plotë për një marrëveshje hollësisht të negociuar, e shkel atë dhe gardistëve të paraqitur për hetim kërkon me çdo kusht t’u vërë hekurat, pasi mitingu ishte të premten.
Zotërinj anëtarë të komisionit,
Zoti kryetar,
Hetimi i shkaqeve të shkelmimit të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë një nga pistat kryesore në hetimin e grushtit të shtetit, cila ishte qendra, cili ishte truri, cili ishte bosi që urdhëroi zonjën të grisë marrëveshjen. Ka një rëndësi të madhe për vendin që kjo të gjendet. Prandaj ju djegin shumë tabulatet, se të nesërmen e puçit në orën 5 pasdite, zonja merr në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i kërkon ekzekutimin e mandateve. Drejtori i thotë se i keni plotësuar me lapsuse teknike dhe vetëm 30 minuta më vonë, Edi Rama, kryepuçisti paraqitet para mediave dhe deklaron se policia nuk po ekzekuton mandatet sepse thonë se kanë lapsuse teknike. Unë kam indicet e mia se cili ishte komunikimi i zonjës Rama me zotin Rama, por është në tagrin tuaj dhe un do të përpiqen të jap ndihmesën time. Por sidoqoftë lemeria nga tablatet flet vetë.
Zoti kryetar,
Jam këtu për të shprehur një mirënjohje shumë të thellë qytetarëve të Tiranës, por në tërësi qytetarëve shqiptarë, të cilët me maturinë e tyre të qëndrimit demokratik, me përgjegjësinë e tyre lanë në vetmi 200-300 banditë, njerëz të hurit e të litarit, bënë që një grup aventurierësh të ndryrë në kullat binjake, në lokalin e Fidelit, pinjollë të bllokut, lakej e çakej të tyre përreth, të përjetojnë dëshpërimin dhe turpin më ët madh për dështimin e tyre. Unë dua të falënderoj të gjithë ata qytetarë, të cilët dhanë dhe japin një kontribut të madh për të qartësuar rolin gjithsecilit, atyre që ishin në bunker dhe atyre që ishin në shesh. Unë kam besim të madh se ju do t’i paraqisni parlamentit dhe shqiptarëve raportin më të plotë, me të vërtetat më konkrete. Një seri dëshmitarësh kanë dhënë dëshmi të shkëlqyera, të cilat do t’u jepej juve, por edhe grupit të hetimit.
Zoti kryetar e të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë,
Ky ishte një grusht që dështoi dhe që nuk mund të realizohet dot kurrë. Askush nuk mund të marrë Këshillin e Ministrave apo ndonjë institucion tjetër. Ky grusht, në fazën A synonte marrjen e Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Televizionit Publik Shqiptar dhe ministrive kyçe. Drejtori i Televizionit Publik Shqiptar kërcënimeve me jetë, të bëra ditën para puçit, do t’u përgjigjej; urdhëroni, do më keni para jush lakuriq si kryetarin tuaj të puçit. Natyrisht, edhe zoti Beci kishte ndërmend të mbronte institucionin, njëlloj si unë detyrën time, por ia tha këtë se këtë institucion se merrni dot kurrë. Po kështu parlamentin dhe ministritë. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës.
Dua të falënderoj dhe ju bëj thirrje qytetarëve në të katër anët e vendit të kontribuoni sa më shumë në qartësimin gjithçka rreth kësaj ngjarjeje, më të turpshmen që ka ndodhur në 87 vitet e fundit, në historinë e vendit. I siguroj se demokracia shqiptare, institucionet, liria dhe vlerat e saj janë të pacenueshme. Është e vërtetë që një ndërtesë në bulevard u rrethua nga flakët, por është e vërtetë që shkëlqeu mbi flakët e çdo gjë vendosmëria, trimëria e heroizmi i burrave e grave që mbrojtën atë institucion dhe që janë të gatshëm të mbrojnë me çdo kusht institucionet e shtetit ligjor të këtij vendi e të bëjnë të dështojë çdo puçist e çdo puç.
Dua të informoj ju dhe shqiptarët se në interesin më të mirë të vendit e të shqiptarëve e t’ju garantoj se në vendosmërinë time më të madhe ka ekzistuar një kërkesë konstante që ky problem të trajtohet brenda institucioneve dhe ky është edhe vendimi im. Çka do të thotë se në rast se unë sot bëj transparencën para shqiptarëve për dy tre elementë në krye të institucioneve, nuk ngatërroj aspak institucionet, nuk më lëkundet aspak respekti ndaj institucioneve. Jam i bindur se hetimi është themelor, por jam i bindur edhe se thirrja e ekspertëve më të mirë nga një vend mik e i madh, i cili në çdo moment të vështirë ka ndihmuar më shumë se kushdo Shqipërinë e shqiptarët, ishte hapi i duhur dhe jam i bindur se ky hetim jetik për paqen e stabilitetin e vendit do të realizohet me paanësi, pavarësi dhe sukses të plot brenda institucioneve të këtij vendi.
Zoti kryetar,
Shpreha atë që kam konstatuar për kreun e shtetit, por ju garantoj ju dhe shqiptarët se ai do të respektohet në postin e tij. Natyrisht, para ligjit të gjithë jemi të barabartë. Në këtë kontekst, të gjithë do të dëshmojnë para shqiptarëve për rolin e tyre në këtë akt madhor dramatik që përjetoi vendi. Garantoj çdo institucion se ka respekt të plotë të qeverisë. Kjo është një arritje tjetër e madhe e demokracisë shqiptare. Sikundër, mbetem i vendosur për çdo përgjigje ndaj tentativave puçiste të përsëritura. Puçi nuk kalon në këtë vend. Ata që e ndërmorën duhet të marrin turpin e historisë.
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht dallimeve partiake, që i besojnë lirisë e vlerave të saj, që i besojnë pluralizmit, që i besojnë demokracisë, të dënojnë këtë akt të shëmtuat si ditën më të zezë të demokracisë shqiptare dhe si një nga ditët më të zeza në historinë e kombit shqiptar. I garantoj se kurrë ndonjëherë grushtet nuk do të mund të kalojnë mbi institucionet e këtij vendi. Ju faleminderit.
Kryeministria
31/01/2011
-
-
“Portën e Kryeministrisë e godita se më kërcënuan”
Ai ka pohuar dje se ishte kërcënuar deri me vrasje nga demonstruesit, nëse nuk shkatërronte portën e Kryeministrisë. Gjykata e Tiranës caktoi dje për 50-vjeçarin, masën e sigurisë “arrest me burg”, si edhe e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. Vetë i pandehuri Troski pranoi para gjyqtarit të gatshëm Ardian Kalia se kishte goditur me automjetin e tij portën e Kryeministrisë, por se e kishte bërë këtë nën kushtet e presionit dhe kërcënimeve nga demonstruesit e revoltuar. Në vendimin e saj, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e një masë ekstreme sigurie, si ajo e “arrestit me burg”. Troski akuzohet nga Prokuroria për “kundërshtim me forcë të forcave të rendit” dhe “shkatërrim të pronës shtetërore”.
“PORTE-THYESI”
I pandehuri Troski mohoi kategorikisht dje të kishte qenë pjesë e demonstratës. “Unë nuk kam qenë në demonstratë. Shkova të marr kalamajtë e mi atje. Kam dy djem nga 20 vjeç. Unë kam qenë duke punuar tokën time në fshat. Kur isha tek ura e madhe e Lanës afër Hotel Dajtit, më erdhi turma. Më mori përpara. Më kërcënuan se do të më vrisnin, nëse nuk bëja si më thoshin. Më thanë ta çoja makinën tek Kryeministria. Mua m’u fik makina, pasi më hoqën çelësin nga kuadri, të cilin e kisha me probleme. Më pas e mbaja baterinë gjysmë karikuar, që makina të mos ndizej, por turma më shtyu përreth 50 metra. E ndezën makinën me të shtyrë. Më thyen xhamin e pasmë të makinës. Më detyruan. Nëse shikohet fytyra ime në demonstratë, më dënoni me 100 vjet burg, nëse doni”, u shpreh dje para gjykatës i pandehuri Troski
.
PROKURORIA
Prokurori i çështjes referoi para gjykatës se ekzekutimi i urdhër-arrestit për Agron Troskin ishte kryer në datën 26 janar. Sipas prokurorit, ka rezultuar së Troski “në datën 21.01.2011, në tubimin e organizuar nga subjektet politike ‘Opozita e Bashkuar’, me leje të Drejtorisë së Qarkut Tiranë, të ketë qenë një nga protestuesit që kanë kryer akte dhune ndaj forcave të policisë të ngarkuara me ruajtjen e rregullit dhe qetësisë në këtë tubim, si edhe ka shkatërruar pronën shtetërore”. “I pandehuri me mjetin e tij tip “benz” është futur brenda gardhimit të Kryeministrisë pasi ka goditur portën, si edhe ka dëmtuar bankinën mbrojtëse. Vetë i pandehuri Troski pranon faktin se është futur, por se këtë e ka bërë nën presionin e turmës”, u shpreh dje prokurori i çështjes, i cili kërkoi në fund lënien në masën e sigurisë “arrest me burg” për Troskin. Nga ana e tij, avokati mbrojtës i të pandehurit i kërkoi Gjykatës një masë më të butë sigurie. “Përderisa klienti im nuk e mohon akuzën, por pohon se e ka kryer atë në kushtet e presionit dhe kërcënimit kur turma e ka vënë para, kërkojmë një masë më të lehtë se ajo e ‘arrestit me burg’”, u shpreh para gjykatës avokati.
Gjykata: Burg dy dhunuesve të tre policëve te Piramida
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masat e sigurisë për dy 19- vjeçarë të arrestuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në demonstratën e 21 janarit. Ervis Domi dhe Oltion Topi u paraqitën dje para gjykatës, e cila vendosi që ata të hetohen përkatësisht në masat e sigurisë “arrest me burg me afat 20 ditë” për Domin dhe “arrest me burg” pa afat, për Topin. Sipas vendimit, Gjykata pranoi kërkesat e bëra nga organi i akuzës për dy 19-vjeçarët. Sipas prokurorisë, ata akuzohen për “kundërshtim me forcë të punonjësve të rendit publik”. Për të pandehurin Domi, Prokuroria pohoi se zotëronte deklarime të një shokut të tij, ku e identifikonte si person aktiv në dhunën ndaj policisë në demonstratën e 21 janarit. Vetë i pandehuri Domi tha dje para gjykatës se ndaj tij ishte ushtruar dhunë pas arrestimit dhe se ai ishte detyruar të pohonte se kishte qëlluar me gurë ndaj policisë. Ndërsa për të pandehurin Oltion Topi, prokurori i çështjes pohoi se prania e tij në demonstratë deklarohej nga tre punonjës policie. “Tre punonjësit e policisë e kanë njohur në fytyrë dhe e kanë identifikuar me emër-mbiemër të pandehurin, pasi vetëm tri ditë para protestës ai ishte shoqëruar në polici si i dyshuar për një vjedhje”, u shpreh prokurori. Vetë i pandehuri Topi mohoi para gjykatës të kishte gjuajtur me gurë ndaj punonjësve të policisë, apo makinave pranë demonstratës.
Panorama
-
-
Hetimi i 21 janarit, mbërrin në Tiranë prokurori amerikan
TIRANE - Një prokuror amerikan ka mbërritur dje në Tiranë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të dhënë asistencën e tij ligjore në hetimin e ngjarjeve të dhunshme e me pasoja të rënda që shoqëruan demonstratën e 21 janarit. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se prokurori amerikan ka mbërritur ditën e djeshme ashtu sikurse ishte parashikuar në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë shqiptare për asistencë ligjore dhe teknike në hetimin e dosjes së emëruar tashmë si "21 janari". Burimet bëjnë të ditur se prokurori amerikan ka pasur dje një takim prezantues me grupin hetimor të ngjarjes, të përbërë nga prokurorët shqiptarë. Në ndihmë të këtij hetimi për llogari të Prokurorisë shqiptare, pala amerikane ka angazhuar deri tani edhe dy ekspertë, të cilët po japin ndihmën e tyre teknike në administrimin e provave penale. Ndërkaq, ditën e djeshme, zv.ambasadorja amerikane, Deborah Jones, së bashku me koordinatoren e marrëdhënieve të OPDAT me Prokurorinë, ka qëndruar për disa orë në Prokurorinë e Përgjithshme. Zv.ambasadorja amerikane mësohet se ka kryer një bisedë pune me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, duke i konfirmuar gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar një hetim të plotë, të drejtë dhe të gjithanshëm të ngjarjes. Në të njëjtën kohë, në Prokurorinë e Përgjithshme ka qëndruar edhe një përfaqësues i OSBE-së. Edhe ky zyrtar i huaj mësohet se ka qëndruar në Prokurori për t'u informuar mbi garancitë që ofron procesi hetimor që lidhet me ngjarjet e 21 janarit në Tiranë. Pak ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme kërkoi zyrtarisht ndihmë teknike nga pala amerikane përmes ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Menjëherë ambasadori amerikan në Tiranë u shpreh se kërkesa do të shqyrtohej dhe SHBA-ja do të ofronte ndihmë për një hetim të gjithanshëm nga Prokuroria shqiptare.
Panorama
-
-
PS, plani i protestave në Tiranë e në rrethe
Darina Tanushi
Socialistët kanë vendosur dje që të bojkotojnë komisionet parlamentare, por jo seancat. Ndërkohë, në mbledhjen e grupit të PS-së dje u bë publik edhe plani i ri i demonstratave për rrëzimin e qeverisë “Berisha”. Burimet nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së bënë të ditur se që në fillim ajo është hapur me një minutë heshtje për 3 viktimat që humbën jetën në demonstratën e 21 janarit. “Shteti po bie”, mësohet të jetë shprehur, kryetari i PS-së Edi Rama gjatë fjalës para deputetëve. Ndaj, ka thënë ai më tej, “mbetet përgjegjësi e PS-së që të marrë situatën në dorë dhe të mbrojë shqiptarët nga ky pushtet. Ndërsa ka folur për atë se çfarë duhet të bëjë grupi parlamentar në vijim, Rama ka sugjeruar që të shfrytëzohen të gjitha hapësirat në seancat parlamentare të Kuvendit për të diskretituar kryeministrin Berisha. Por, nisur nga marrëdhënia tashmë e kushtëzuar prej kohësh e deputetëve socialistë me Kuvendit, Rama mësohet se e ka quajtur të panevojshme pjesëmarrjen e deputetëve në komisionet parlamentare për sa kohë që grupi nuk i miraton ligjet. Nga ana tjetër, një porosi që është dhënë prej kreut të partisë dhe kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi për deputetët, është kontaktimi dhe mbledhja e të gjitha dëshmive prej të gjithë të dhunuarve në protestën e datës 21 janar. Secili prej tyre do të ketë një dosje të veçantë në PS, ku do të bëjnë pjesë veç dëshmisë, edhe raporti mjekoligjor, në mënyrë që këto të vihen para drejtësisë përmes denoncimeve. Ndërkohë dje, deputetja Vasilika Hysi i bëri thirrje policisë që të zbatojë urdhër-arrestet e Prokurorisë për ndalimin e 6 gardistëve.
Demonstratat
Ndërkohë, një tjetër porosi që u është dhënë deputetëve ishte ajo që ka të bëjë me përgatitjen e protestave në 4 qytete të vendit ditën e premte. Është menduar një plan i ri protestash, të cilat kanë marrë një format ndryshe. Ruçi mësohet t’u ketë thënë deputetëve që të merren me organizimin e njerëzve sipas qarqeve. Kështu protestat do të zhvillohen në: Tiranë, Vlorë, Korçë e Lezhë të premten, të gjitha në të njëjtin orar, rreth orës 14:00. Kështu në Tiranë do të grumbullohen qytetarët e Tiranës e të Durrësit, në Vlorë do të grumbullohen opozitarët e Vlorës, Beratit e Fierit, në Lezhë do të protestojnë njerëz nga qytetet e Veriut, ndërsa në Korçë do të mblidhen në këtë ditë e orë qytetarë të Elbasanit, Korçës e Pogradecit. Këto nuk do të jenë protesta të ngjashme me ato që janë bërë deri më përpara, pasi tashmë socialistët u kanë vënë emrin “demonstrata”. Njerëzit do të mbajnë në duar pankarta të ndryshme, ku do të denoncohet dhuna e ushtruar në 21 janar, keqqeverisja e kryeministrit Berisha etj. Njerëzit do të jenë në lëvizje gjatë gjithë kohës dhe nuk janë parashikuar fjalime, por sigurisht që do të ketë mesazhe edhe përmes thirrjeve gjatë demonstratës. Ky plan demonstratash do të jetë për këtë javë, ndërkohë që gjithçka për strategjinë në vijim do të diskutohet pas 4 shkurtit. Në ditët në vijim deputetët do të mësojnë edhe detajet e tjera të organizimit të këtyre demonstratave, të cilat mendohet të mos jenë të fundit. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar nuk ka pasur diskutime, veç atij të deputetit Xhemal Qefalia. Ai ka kërkuar që PS të jetë më e pranishme në daljet publike me figurat e saj. Sipas tij duhet që të gjithë të flasin edhe në debate televizive, pasi në PS ka deputetë me dinjitet dhe me vlera.
GSH
-
-
Rama: Gati për dialog. I mirëpritur ndërmjetësimi i miqve ndërkombëtarë
TIRANË- Opozita nuk heq dorë nga protestat kundër qeverisë, por mbetet e hapur për dialog me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Kështu është shprehur sot gjatë një komunikimi me mediat, kreu i PS-së, Edi Rama.
“Jemi gati të dialogojmë dhe çdo mik e partner që ka sot vullnetin për vendosjen e dialogut politik në Shqipëri gëzon respekt dhe mirëpritjen tonë” tha Rama, duke theksuar cdo ndërmjetësim i ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës në vend është i mirëpritur.
Sipas Ramës, dialogu dhe kompromisi janë pjesë e patjetërsueshme e zhvillimit të vendit dhe e vizionit të opozitës.
Rama ka përsëritur rivazhdimin e demonstratave paqësore, në përmbushje të misionit opozitar. Të premten, sipas tij, Tirana, Lezha, Vlora dhe Korca janë të thirrura në demonstratë për zgjidhje të re politike, që i jep popullit të drejtën për të zgjedhur.
Panorama
-
-
Patozi: Rama, përgjegjës për 21 janarin. Dialogu, për të hequr vëmendjen
TIRANË- Një tentativë për të shmangur vëmendjen nga përgjegjësitë për dhunën dhe grushtin e shtetit në 21 janar e ka quajtur kreu i grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, gatishmërinë e liderit opozitar, Edi Rama për dialog.
Në një konferencë për shtyp, pak pas deklaratës së Ramës, Patozi ka garantuar se maxhoranca do të zbardhë deri në fund 21 janarin, për të nxjerrë në dritë para shqiptarëve përgjegjësit dhe shkaktarët e vërtetë të dhunës.
“Garantojmë qytetarët se përgjegjësia do të mbahet për gjithçka ndodhi. Shqiptarët duhet ta mësojnë se kush janë përgjegjësit për dhunën e pashembullt në 21 janar. Ne kemi qenë në dialog të vazhdueshëm me opozitën, madje edhe muajt e fundit, por Edi Rama e shfrytëzoi atë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, pasi e shfrytëzoi për grushtin e shtetit”- tha Patozi.
Panorama
-
-
Kuvendi kërkon tabulatet e gazetarëve kritikë me qeverinë
Komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit do të thërrasë në seancë dëgjimore Presidentin Bamir Topi. Në mbledhjen e djeshme të komisionit, deputeti i PD-së, Viktor Gumi, lexoi kalendarin e seancave dëgjimore që do të zhvillohen gjatë kësaj jave me zyrtarët më të lartë të shtetit. Presidenti do të jetë përpara deputetëve demokratë në komisionin hetimor të enjten, në 3 shkurt, në orën 17.30. Ndërkohë, duke nisur që nga dita e sotme, përpara deputetëve të maxhorancës do të zhvillohen seancat dëgjimore me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, nesër në 2 shkurt do të dëgjohen kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqirim, dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Në 4 shkurt do të zhvillohen seancat dëgjimore me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe në 5 shkurt do të jetë para deputetëve kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Komisioni ka marrë gjithashtu vendim për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve dhe qytetarëve që do t'u merren tabulatet e telefonave që kanë kryer gjatë muajit janar. Deputeti Gent Strazimiri tha në mbledhjen e djeshme se do të kërkohen gjithashtu tabulatet e drejtorit të policisë, Hysni Burgaj, prokurorëve Olsi Çela e Shkëlqim Hajdari dhe gazetarëve Andi Bushati, Filip Çakuli, Sokol Balla e Mero Baze. Në një sqarim të bërë mbrëmë, komisioni jep edhe arsyen përse kërkon tabulatet e telefonave të gazetarëve. "Komisioni informon se kjo kërkesë është bërë pas të dhënave dhe informacioneve të sigurta, të disponuara prej tij, se veprimtaria e katër shtetasve të mësipërm ka lidhje me angazhimin e tyre, në nxitjen dhe inkurajimin e veprimeve të dhunshme, kriminale të datës 21 janar, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues", thuhet në njoftimin për shtyp.
Tabulatet e personave
. Hysni Burgaj
. Olsi Çela
. Shkëlqim Hajdari
. Andi Bushati
. Arben Meçe
. Filip Çakuli
. Sokol Balla
. Mero Baze
Panorama
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt