“Vetëdorëzohen” në polici 6 gardistët
Gjashtë personat për të cilët Prokuroria nxori urdhër ndalimi një javë më parë, janë: Ndrea Prendi, komandant i Gardës; Alfred Ahmetcenaj, zv.komandant; Dashamir Shehi, komandant njësie; Vladimir Dedaj, drejtues njësie; Altin Kollçinaku, efektiv dhe Fatos Bushati, efektiv. Në orët e mbrëmjes, gjashtë gardistët janë paraqitur në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku kanë qëndruar rreth 2 orë. Ata kanë pohuar se pasi janë vënë në dijeni të urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, menjëherë sapo kanë gjetur mundësinë kohore, janë paraqitur në polici. Ata kanë pohuar se gjatë ditëve të fundit kanë qenë të angazhuar në planin e masave të sigurisë për institucionet dhe personalitetet. Pas paraqitjes së gjashtë gardistëve, salla operative e policisë së Tiranës ka njoftuar menjëherë Prokurorinë. Në këtë kohë, sipas burimeve të policisë, një grup prej të paktën 5 prokurorësh është nisur për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime zyrtare të Prokurorisë i kanë mohuar këto informacione të përhapura nga policia. Prokuroria tha zyrtarisht se është në pritje të ekzekutimit të urdhrave të ndalimit të nxjerrë prej saj. Sipas Prokurorisë, nga e shtuna e javës së kaluar, gjashtë urdhrat e ndalimit nuk janë ekzekutuar, ndërkohë që organi i akuzës pret zbatimin e tyre nga policia. Ndërkohë, sipas policisë, grupi i hetimit ka mbërritur në zyrën ku ndodheshin gardistët dhe ka marrë kontakt të drejtpërdrejtë me personat ndaj të cilëve janë lëshuar urdhrat e ndalimit. Nga burime të policisë, njoftohet se në këtë përballje, të pranishëm kanë qenë edhe disa zyrtarë amerikanë që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë. Ajo çka ka ndodhur pas mbërritjes së prokurorëve në Drejtorinë e Policisë, duket se e ka thelluar edhe më tej ngërçin ku kanë hyrë gjashtë urdhrat e ndalimit. Prokurorët u kanë drejtuar disa pyetje zyrtarëve të Gardës, ndërkohë që këta të fundit kanë dhënë shpjegime verbale. Në mënyrë të vazhdueshme, zyrtarët e Gardës kanë kërkuar të njihen me provat që zotëron Prokuroria në adresë të tyre. Pas më se një ore, përfaqësuesit e Prokurorisë kanë kërkuar që sqarimet e zyrtarëve të Gardës të hidheshin në letër si proces-verbale që do të firmoseshin më pas nga gjashtë drejtuesit e Gardës. Këta të fundit kanë refuzuar të firmosin dhe të vazhdojnë më tej këtë procedurë, duke sqaruar se duhej të paraqiteshin në detyrë. Në këtë mënyrë, pas më se dy orësh përballje me prokurorët, gjashtë gardistët janë larguar nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit për të mbërritur në detyrë. Pak çaste më pas, edhe prokurorët që po hetojnë pasojat e demonstratës së 21 janarit, janë larguar nga Drejtoria e Policisë. Sipas burimeve nga Prokuroria, edhe pas kësaj përballjeje, urdhrat e ndalimit ndaj gjashtë gardistëve nuk mund të konsiderohen të ekzekutuar dhe nuk mund të paraqiten në gjykatë.
Panorama
Krijoni Kontakt