Close
Faqja 19 prej 29 FillimFillim ... 91718192021 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 181 deri 190 prej 289
  1. #181
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Lajcak: Jepni fund dhunës PD-PS te bejne ate qe BE thote, Berisha anulon mitingun

    TIRANE- I dërguari i BE-së i përcjell kryeministrit Berisha e kreut PS, Edi Rama mesazhin e Brukselit: Mbani përgjegjësi. Askush nuk është mbi instituicione.Diplomati sllovak takime intensive me Topin, Ramen e Berishen. Kryeministri ulet ndaj presionit të BE e SHBA dhe anulon mitingun. Sulmon serish Ina Ramen dhe Edi Ramen: Kush di per "pucin" te deshmoje, do paguhet. Organizata për të drejtat e Njeriut, HRW: Komentet e Kryeministrit dhe kritikat ndaj Prokurores kërcënojnë hetimin e pavarur mbi vdekjen e protestuesve.Opozita te mos nxisë dhunën.

    LAJCAK: JEPNI FUND DHUNES, RAMA E BERISHA TE BEJNE ATE QE BE THOTE
    Ora 13. 00 “Ne jemi me ju. Duam që Shqipëria të ketë një realtet të qartë europian. Duam te shikojmë nje fund të dhunës dhe ulje të tensioneve. Nuk është mënyra europiane e të zgjidhurit të cështjeve politike ajo që pamë të premten.”- ky është mesazhi që Bashkimi Europian i ka përcjellë sot Tiranës zyrtare nëpërmjet të deleguarit special të Brukselit Miroslav Lajcak.

    Ne mesditë Lajcak hapi konferencën për shtyp duke i shprehur ngushëllimet e familjarëve të tre viktimave të demonstratës. Pastaj tepër saktë dhe prerë informoi për gazetarët atë mesazh që ia kishte transmetuar dhe presidentit te republikës Bamir Topi, kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-se Edi Rama në takimet intensive, në selitë përkatëse. Takimet u zhvilluan gjatë paradites së sotme.

    “I theksova nevojën per te ruajtur qetësinë dhe respektin e plotë për shtetin e së drejtës. U kujtova përqafësuesve politike përgjegjësine e tyre. Parandalin e një dhune apo gjakderdhje të mundshme. Funksionimi i institucioneve shtetërore, sepse askush nuk është mbi këto institucione”.- nënvizoi Lajcak.
    Miroslav Lajcak bëri apel për drejtësi për viktimat e demonstratës dhe shmangien e veprimeve që mund ta shtyjnë më tej këtë boshllëk dhe evitimin e veprimeve qe mund të nxisin konflikte.
    "Këto cështje janë të gjitha cështje, të cilat mund të arrihen vetëm nëse qeveria e opozita luajnë ne rolin e tyre. E bera te qarte se e ardhmja europiane e Shqipërisë varet nëse udhëheqesit politikë shqiptarë do të zgjedhin të bëjnë atë që themi ne të bëjmë dhe ta bëjnë tani”- nënvizoi Lajcak.Ai shtoi se BE eshtë e gatshme për të ndihmuar dhe është me shqiptarët.
    “Jemi të gatshëm të kthehemi në Shqipëri. Dhe Eshton e Fule janë të gatshëm të kthehen. Por tashme varet nga politikanët të bëjnë atë që duhet bërë, Ata e dinë saktësisht se c’duhet bërë”.


    LAJCAK TAKON RAMËN NË KONFERENCË PËR SHTYP

    ORA 12:30 Lajcak përfundon takimin me kreun e PS-së Edi Rama në orën 12:30 minuta. Aktualisht ndodhet në konferencë për shtyp me delegacionin e BE-së që e shoqëroi gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të vendit. Lajcak dha ngushëllimet familjarëve të 3 viktimave të demonstratës. "Mesazhi ynë është ky: Ne jemi me ju. Duam që Shqipëria të ketë një realitet të qartë europian. Duam të shikojmë një fund të dhunës dhe ulje të tensioneve. Nuk është mënyra europiane e të zgjidhurit të cështjeve politike ajo që pamë të premten."

    BERISHA NE QEVERI: TE SHTUNEN S'KA MITING

    ORA 11: 30 Kryeministri Sali Berisha ulet ndaj presionit të Bashkimit Europian, SHBA dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe pranon të anulojë mitingun e planifikuar për të shtunën. “Mitingu nuk do të bëhet. Ishte kërkesë e ligjshme dhe logjike e partnerëve ndërkombëtarë që ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri.”- tha Berisha në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se “Mitingu nuk ka patur qëllim, ka qenë vetëm kundër dhunës, por ky qëllim mund të keqkuptohet”.
    “Ju garantoj se në mënyrë absolute nuk ka pasur qëllim tjetër vetëm anti dhunë.”- përsëriti Berisha.

    BERISHA NE QEVERI: GARDA S’DO HETOHET POLITIKISHT, SULMON INA RAMEN: GENJEN

    ORA 11. 30 “Berisha tha se dje kishte shprehur falenderimet SHBA për për të sjellë ekspertët më të mirë pë një hetim të plotë “pasi ata që janë në krye të të këtij institucioni janë pjesë e aktit të shëmtuar”. Ai garantoi se “asnjë gardë apo polic nuk ka asnjë lloj mbrotje ndaj hetimit jo politik.
    Duke iu referuar ndihmës së SHBA për hetimet, Berisha dha garancitë e tij se institucionin e hetimit se do të kenë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive për të kompletuar hetimit”. Por sërish sulmoi Ina Ramën duke e akuzuar për “mashtruese” . “Dy fjalë do i them kryeprokurores. E ftoj të vazhdojë hetimet… Gënjen publikisht kur thotë se nuk ka padi për ato që kanë vënë zjarrin. “

    BERISHA NE QEVERI : KUSH JEP INFORMACIONE PER PUCIN DO PAGUHET
    Ora 11: 30 Kryeministri fton qytetarët të japin dëshmitë e tyre për atë të që ai e quan “puc i shtetit”, demonstrata e 21 janarit
    Kryeministri i kërkoi ministrit të Financave të përcaktojë një fond shpërblimi për cdo dëshmitar, që do paraqesë dëshmi për pucin, organizimin e financimin, komandën dhe cdo gjë. “Informacionet po vijnë dhe ato duhet shpërblehen.”- tha Berisha duke i ftuar “t’i dorëzojnë në komisionin hetimor parlamentar dhe policinë kriminale, dëshmitë do i dorëzohen prokurorisë. “Cdo dokument do shpërblehet”- përsëriti Berisha ne mbledhjen e qeverisë dhe ftoi komisionin hetimor të përcaktojë tarifat.

    BERISHA- RAMES: TENTATIVA E DYTE FATALE PER TY

    ORA 11. 30Berisha tha se më 21 janar qeveria shqiptare u përball me një akt më të shëmtuar në historinë e kombit. Një përpjekje për të marë pushtetin me dhunë, duke e quajtur “Një grush shtetit të planifikuar në faza” Duke thënë se opozita “Dështoi dhe do dështojë në cdo tentativë, Berisha kërcënoi sërish Ramën se “Tentativa e dytë për të rrethuar kryministrinë do të jetë fatale për asnjeri tjetër vecse për atë. Unë jam Sali Berisha. Unë këtu nuk hedh gurin e fsheh dorën. Jap fjalën se cdo njeri do jetë i amnistuar përvec atij”.
    “Provo i them të mos kontrollosh popullin.. E gjithë bota e pa se cili ishte populli yt. Populli yt ishin rrugecër, të droguar të armatosur- tha Berisha duke vazhduar “I kujtoj zotërsië se të shtatat bëhen në familje e jo në bulevard”.

    LAJCAK I BE TAKON BERISHEN, NISET TE RAMA

    ORA 10. 50 Delegacioni i BE-së i kryesuar nga Lajcak në përbërje të të cilit ishin dhe Sabina Stadler dhe Terkel Peterse, e ambasadori të BE në Tiranë Etore Sequi, zhvilluan një takim prej gati një orë dhe me kryeministrin Berisha. Më pas rreth orës 10:50 minuta ji janë drejtuar Selisë PS për të takuar kryetarin Edi Rama. Mbi cfarë u tha në këto bisedime pritet që vetë Derguari i Bashkimit Evropian, Z. Miroslav Lajèák, Drejtor Ekzekutiv ne Shërbimin e Jashtem te Bashkimit Evropian të japë një konferencë për shtyp. Është njoftuar që konferenca të zhvillohet në orën 12. 15 minuta tek Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian. Të pranishëm në konferencë do të jenë dhe Znj. Sabina Stadler, Z. Terkel Petersen nga Sherbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian si dhe Z. Ettore Sequi, Ambasador i Bashkimit Evropian ne Shqiperi.

    PËRFUNDON TAKIMI ME TOPIN, LAJCAK NE KRYEMINISTRI, TAKON BERISHEN
    ORA 09: 36 Takimi i presidentit Bamir Topi dhe të dërguarit të posacëm të BE-së, Mirolav Lajçak ka zgjatur rreth 60 minuta. Tv NEWS24 duke iu referuar burimeve nga presidenca thotë se delegacioni i BE-së, ka ardhur me mesazhe të qarta për politikën për të zgjidhur krizën sa më parë duke arritur një konsensus mes dy palëve. Në orën 09. 25 minuta Lajcak ka lënë presidencën për tu nisur drejt kryeministrisë ku do të pritet nga kryeministri Berisha. Më pas do vijojë takimet me kreun e PS, Edi Rama dhe kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli. Për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare mbi atë cka është biseduar në presidencë mes presidentit Topi e Lajcak.

    LAJCAK E DELEGACIONI I BE NE PRESIDENCE, NIS TAKIMI ME TOPIN
    ORA 08:40 I përpiktë në orar i dërguar i posacëm i BE-së, Miroslav Lajcak, bashkë me delegacionin që e shoqëron ka mbërritur në presidencë në orën 08.30 minuta. Takimi me presidentin Bamir Topi është i pari për ditën e sotme në kuadër të takimeve për të zgjidhur krizën dhe për të arritur një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës. Gjatë ditës do takohet dhe me kryeministrin Berisha dhe kryetarin e PS-së Edi Rama

    Balkanweb

  2. #182
    Maska e *Babygirl*
    Anëtarësuar
    06-07-2006
    Vendndodhja
    Local Disk :D
    Postime
    910
    Na hoqën nga puna pas protestës. "Je komunist"


    Xhevat Balavija, është bashkëshorti i Linditës, ndërsa rrëfen se vetëm për shkak të pjesëmarrjes së të shoqes në protestë të dy ata tashmë janë pa punë. Fëmijët e tyre janë pa bukë, për të mos llogaritur që vetëm për shkak të bindjeve politike, drejtori i shkollës së fshatit ku ka jetuar, nuk pranon të bëjë transferimin e shkollës së fëmijëve të tij. Në një intervistë të shkurtër ai tregon se pas protestës së PS-së ai dhe e shoqja tashmë ndodhen në rrugë.

    Xhevat si e morët vesh se gruaja juaj ishte arrestuar ?
    Po atë atë ditë ishte organizuar protesta dhe mësova se gruaja kishte shkuar atje. Unë isha në punë dhe s'mund ta lija. Për fëmijët po kujdesej djali ynë i madh. Në mbrëmje u ktheva në shtëpi, por gruaja nuk ishte. Mora vesh se Garda kishte vrarë në protestë disa njerëz dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Erdha në vendin e demonstratës, por s'kishte njerëz. Shkova nëpër spitale dhe nëpër vende të tjera ku mund të kishin shkuar të plagosurit, por nuk e gjeta. Mora vesh se pas demonstatës policia kishte arrestuar shumë njerëz pas përfundimit të saj. Shumica mora vesh nga televizionet ishin dhunuar goditur dhe rrahur nga policia. Aty nisa të mendoj se mbase e kishin arrestuar dhe ndaluar.

    Më pas ku e gjetët?
    Shkova në çdo komisariat, që nga komisariati nr.2,3, 4 dhe nr.1. të gjithë më thanë se nuk është pasi verifikuan emrat. Të shtunën shkova në burgun 302, por edhe aty më thanë se nuk ishte, ndërsa më pas u drejtova për në burgun 313. Atje e kam gjetur gruan të shtunën në mbrëmje.


    Çfarë ju thanë në polici, apo në burgun 313 ?
    Më thanë që e kishin arrestuar se kishte marrë pjesë në protestë. Pse duhet të arrestohet një grua që merr pjesë në protestë ? Po kjo s më bën përshtypje mua më sepse unë jam mësuar me dhunën e Partisë Demokratike dhe pushtetit të saj.


    Pse ?
    Kam një vit që kam ikur nga Kukësi dhe nuk më japin dokumentet e fëmijëve të shkollës. Drejtori i Shkollës në Lojm, më kërkon rryfshfet 100 mijë lekë për të marrë dokumentet. E ku t'i gjej, unë ato para ? Më ka futur një sekser Haxhi Misinin, për të bërë dokumentet dhe më ka thënë se duhet të paguaj 100 mijë lekë.


    A jeni në punë ?
    Isha por nuk jam. Isha bashkë me time shoqe. Unë punoja roje në spitalin ushtarak dhe ajo në një firmë private, për t'u kujdesur për kopshtin e një pronari. Të nesërmen që ndodhi protesta më thanë që ik nga puna, ti je komunist se të kanë arrestuar gruan në protestë. Ne socialistët nuk i duam në punë.


    Kush ju tha ?
    Më thanë njerëzit e pronarit të firmës së policisë private. Firma me sa di unë është në pronësi të Skënder Bukçillës, dhe punojnë aty edhe Reshat Ndreu e Zylfi Marku. Këta më thanë që s' punojnë me socialistët.

    Po ata nga e dinin se e arrestuara ishte gruaja juaj ?
    E njihnin. Ajo më sillte çdo ditë bukën në punë. Po edhe atë e hoqën, sapo shkoi në punë pasi e liroi gjykata. Edhe asaj po kështu i thanë. Kam pesë fëmijë zotëri. Në shkollë nuk i dërgoj dot. Në Kukës, nuk po mësonin asgjë sepse nuk kishte mësues po ishin njerëz pa shkollë ata që i mësonin. Ndaj i solla në Tiranë për t'iu dhënë shkollën. Edhe të premten do të jem në protestë pikërisht për këto shkaqe. Do jem bashkë me time shoqe. Ata që arrestuan time shoqe të më arrestojnë edhe mua.

    Shekulli
    Mos jeto pa buzëqeshur...sepse dikush në këtë botë jeton nga buzëqeshja jote ...!

  3. #183
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Ambasadori i Sh.B.A. Alexander A. Arvizu: Falenderoj Kryeministrin Berisha qe anulloi tubimin e se shtunes, i zhgenjyer nga kryetari i opozites Rama qe kerkon te protestoje serisht te premte

    Tekst i Konferencës për Shtyp (26 Janar 2011)


    Mirëdita.

    Që Shqipëria të funksionojë në mënyrë të efektshme si demokraci, është absolutisht e domosdoshme që institucionet e pavarura, sidomos ato të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, ruajtjen e sundimit të ligjit, dhe kryerjen e drejtësisë të lejohen të funksionojnë pa ndërhyrje apo kërcënime nga çdo anë, qoftë kjo qeveri, opozita apo tjetër. Dje pasdite, gjatë konferencës për shtyp në Prokurorinë e Përgjithshme, vura në dukje mbështetjen e plotë dhe tërësore të Shteteve të Bashkuara për atë institucion.

    Shtetet e Bashkuara besojnë se është me rëndësi kritike që të zhvillohet një hetim i besueshëm dhe i gjithanshëm mbi ngjarjet e 21 janarit. Në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për ndihmë teknike nga SHBA për të ndihmuar hetimin e saj, kam kënaqësinë të raportoj që përgjigja jonë është e favorshme. Në ditët dhe javët që vijnë do të punojmë me Prokurorinë e Përgjithshme në përpjekje për të dhënë sa më shumë ndihmë që të jetë e mundur. E kuptojmë që njerëzit duan shpejt përgjigje për pyetjet e tyre. Ndaj, i kërkoj cilitdo që të rezervojë dhënien e gjykimeve deri në kohën kur të dalin në dritë më shumë fakte. Kam këto fjalë për cilindo: lejoni hetuesit të kryejnë punën e tyre. Përpjekja për ta bërë këtë në media nuk i shërben askujt.

    Dje, u ftova për drekë nga Kryeministri Berisha. Gjatë bisedës sonë mbi situatën aktuale, i kërkova të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të Partisë Demokratike të planifikuar për këtë të shtunë. I shpreha gjithashtu që isha i shqetësuar mbi retorikën e ndezur politike nga të gjitha anët dhe kërkova që ai të bënte pjesën e tij për ta ulur atë. Dje në mbrëmje, Z. Filip Gordon, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, i telefonoi Kryeministrit për t’i shprehur shqetësimet tona. Shtetet e Bashkuara përgëzojnë vendimin e Kryeministrit për ta anuluar tubimin. Ishte një vendim prej burri shteti dhe gjëja e duhur. Para pak fola me Kryeministrin për t’ia shprehur këtë.

    Dje në mbrëmje, kalova thuajse 100 minuta me kryetarin e opozitës. I shpreha pikëpamjen që dhuna e mëtejshme nuk do të ndihmojë Shqipërinë për të luftuar korrupsionin apo për të çuar përpara aspiratat e popullit shqiptar. I kërkova Z. Rama të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të opozitës që është planifikuar për të premten. Më vonë në mbrëmje, Z. Gordon i telefonoi kreut të opozitës dhe folën për afro 30 minuta. Edhe Z. Gordon theksoi shqetësimin e tij për potencialin për dhunë dhe i kërkoi Z. Rama të anulonte demonstratën.

    E gjej jashtëzakonisht për të ardhur keq që Z. Rama është shprehur se ka në plan ta kryejë tubimin ditën e premte. E nxis me forcë që ta rishikojë pozicionin e tij.

    Shtetet e Bashkuara nuk marrin anën e asnjërës palë. Ne jemi në anën e popullit shqiptar. Mbështesim institucionet demokratike të Shqipërisë. Nevojitet që edhe udhëheqësit politikë shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë.

    Dje në mëngjes, dola jo larg kryeqytetit në bazën ushtarake të Zallherrit, ku Ministri i Mbrojtjes Imami drejtoi një ceremoni nisjeje për 45 trupa të forcave speciale shqiptare që do të vendosen në Afganistan. Emri i grupit të tyre është Shqiponja Dy. Siç mund të merret me mend nga emri, ekziston edhe Shqiponja Një, e cila është në Afganistan prej kohësh. Shqiponja Dy po shkon në Afganistan për të mbështetur misionin e NATO-s që përpiqet të sjellë paqe dhe stabilitet në atë vend të trazuar. Shqipëria është anëtare e Aleancës Atlantike e prandaj është pjesë e këtij misioni. Kur të arrijnë atje, do të vendosen përkrah ushtarëve amerikanë në jug të Afganistanit, në Kandahar. Ata po shkojnë për të zëvendësuar kontigjentin e parë shqiptar që mbërriti atje në gusht, i cili është lavdëruar nga Komando e Shteteve të Bashkuara për profesionalizmin dhe disiplinën e tyre. Pas ceremonisë, pata mundësinë të takohesha me disa prej këtyre ushtarëve të zotë e të përkushtuar. U shtrëngova duart dhe secilit i shpreha të njëjtën gjë: “Faleminderit për shërbimin tuaj. Dhe ju uroj siguri.” Më pas, u takova edhe me disa anëtarë të familjeve të ushtarëve. Mund të dalloja tek ata njëfarë ankthi, çka është e kuptueshme. Por më shumë se çdo gjë, mund të ndjeja krenarinë e tyre të pamatë. Dhe duhet të ndihen krenarë. Këta të rinj po i shërbejnë vendit të tyre me nder dhe po shquhen. U kërkoj të gjithë shqiptarëve që të marrin një çast sot – vetëm një çast, sot – për t’u lutur për sigurinë e tyre dhe të mendojnë mbi sakrificën që po bëjnë.

    Me këtë ka të bëjë Shqipëria e vërtetë – dhënia e kontributeve dhe si ta bëjmë botën një vend më të mirë – dhe jo vetëm në vende të largëta si Afganistavi, por këtu, në shtëpinë tuaj, në Shqipëri. Shqiptarët kanë fituar të drejtën për të ndjekur aspiratat e tyre – uroj që vendi do të vazhdojë të ecë përpara kësaj rruge, duke punuar së bashku, duke gjetur një mënyrë për të punuar së bashku e tejkaluar diferencat, përfshirë edhe diferencat e fundit politike.

    Kam thënë shumë ditët e fundit dhe nuk jam i sigurt sa ka ende për të thënë por mund t’iu përgjigjem një apo dy pyetjeve tuaja.

    Planet TV: Ju keni zhvilluar takime me shumë udhëheqës politikë. Sa larg një kompromisi mendoni se janë?

    Ambasadori Arvizu: Duhet të punojmë bashkë për të gjetur një mënyrë që të kthehemi tek 20 janari. Është e qartë që dallimet mes palëve janë mjaft serioze. Por, në anglisht kemi një shprehje – aty ku ka vullnet, gjendet zgjidhja. Pra, njerëzit duhet vetëm ta kenë atë vullnet.

    Top Channel: A janë zgjedhjet e parakohshme një zgjidhje?

    Ambasadori Arvizu: Kjo është diçka që duhet ta vendosin palët. Zgjedhjet demokratike janë mënyra në të cilën shoqëritë demokratike zgjedhin qeveritë e tyre, zgjedhin udhëheqësit e tyre. Zgjedhjet vendore janë planifikuar për në maj të këtij viti. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë planifikuar për në vitin 2013. Mua më duket se nëse ka një mekanizëm kushtetues, nëse Kushtetuta i parashikon zgjedhjet e parakohshme dhe, nëse palët bien dakord, pse jo. Por kyçi është që duhet të jetë diçka kushtetuese dhe të gjitha palët duhet të bien dakord me një gjë të tillë.

    Ju faleminderit.

    Ambasada Amerikane, Tirane

  4. #184
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Rama: Protesta s’anulohet, nuk do ketë zgjedhje lokale

    “Isha në mes të turmës në bulevard, kur nisi tensioni”


    Si e vlerësoni apelin e ndërkombëtarëve që të mos zhvillohen të dy protestat në fundjavë?

    Kam mirëkuptuar frikën e faktorit ndërkombëtar për atë se çfarë mund të ndodhë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kushtet në të cilat jemi dhe sigurisht kam mirëkuptuar dhe thirrjen për anulimin e këtyre dy manifestimeve. Unë u kam shprehur qëndrimin tonë se këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj simetrie, nuk bëhet fjalë për t’i vënë kapak çfarëdoqoftë shqetësimi dhe sado e madhe qoftë e panjohura që është përpara nga ana jonë. Nuk është opozita që do të garantojë qeverinë, por është qeveria që duhet të garantojë opozitën dhe çdo qytetar që të shprehë indinjatën dhe zemërimin ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë për dy anë të së njëjtës medalje, po bëhet fjalë për një demonstratë homazh në kujtim të viktimave të dhunës shtetërore dhe për të dënuar me dinjitet europian dhe qytetar terrorizmin shtetëror të ushtruar nga Garda republikane. Ne nuk e anulojmë demonstratën tonë homazh dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë sepse ne nuk kultivojmë frikën në këtë vend, por kultivojmë besimin.
    Nuk i druheni daljes jashtë kontrollit të situatës, ashtu siç ndodhi të premten e kaluar?
    Ne kemi një vend që ka dalë jashtë kontrollit të Kushtetutës dhe shtetit ligjor, i cili është vënë në presionin në rritje të një pushteti që ka ngritur Gardën republikane dhe vetë policinë mbi ligjin, duke shpërdoruar të gjitha këto forca që janë forca të ngritura me shumë mund dhe ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar e duke marrë përsipër përgjegjësinë e moszbatimit të urdhrave të Prokurorisë për ndalimin e 6 komandantëve të dyshuar për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, me argumentin se ka një puç në vazhdim. Pra, këtu ka rënë çdo garanci dhe vendi është jashtë kontrollit të Kushtetutës. Ne nuk kemi lidhje me dhunën, nuk e promovojmë atë dhe nuk besojmë tek dhuna. Ne jemi kundër një pushteti të padrejtësisë, që është kthyer në një regjim dhe rrezikon ta çojë vendin në një tjetër greminë për shkak të Saliut. Ne do t’i thërrasim njerëzit për të demonstruar paqësisht, siç dinë të protestojnë shqiptarët paqësisht, duke ngushëlluar familjet e viktimave, duke i thënë gjithë botës se ne jemi një fuqi që e duam atdheun tonë si një vend ku ka vend për të gjithë.

    Cilat janë garancitë se s’do të kemi të njëjtën situatë si të premten?

    Le të kthehemi tek demonstrata e 21 janarit, sepse unë nuk e kam pranuar dhe s’do ta pranoj kurrë se ajo degradoi për shkak se demonstruesit ushtruan një dhunë që i detyroi në fillim policinë, e pastaj Gardën republikane të finalizonte një krim shtetëror me urdhër të këtij zotërisë, i cili pasi në fillim donte t’ia faturonte vrasjen opozitës, më pas e mori përsipër vrasjen, duke premtuar çdo ditë se do vrasë kryetarin e opozitës. Unë e kam parë me sytë e mi gjithçka ka ndodhur, deri në momentin kur situata ka filluar të degradojë.

    Ku ishit ju në atë kohë?

    Unë kam qenë me Pandeli Majkon, Vangjel Dulen, Lindita Nikollën e me të tjerë duke ecur në bulevard dhe në momentin që kaluam dhe urën e Lanës dhe kemi qenë 200-300 metra distancë nga Kryeministria, kam parë një tension mes protestuesve dhe forcave të policisë, i cili ishte i dukshëm sepse shikoja çadrat dhe pankartat që hidheshin drejt policisë. Ka qenë momenti kur kemi folur me Pandin dhe kemi komunikuar dhe me Gramozin që duhet të ecnim për të sistemuar në bulevard të gjithë masën e madhe të demonstruesve që vazhdonin të vinin. Kam pasur para syve momentin kur u shfaqën dy makinat që u hidhnin ujë protestuesve dhe filluan të kërcisnin bombat me gaz lotsjellës dhe të një lloj lënde, e cila ishte vërtet shumë shqetësuese, dhe në atë moment turma ka lëvizur në drejtim të kundërt të rrjedhës së saj. Dhe ne vetë filluam të ecnim mbrapsht, për shkak të resë së gazit dhe efekteve të saj, gjë që ka ndodhur në një mënyrë shumë të çuditshme, sepse nuk ka polici në botë që t’i hedhë gaz vetes së vet, pasi nga ai gaz janë dëmtuar dhe policët e shkretë, që u rreshtuan atje si mish për top dhe u keqtrajtuan në mënyrën më të keqe nga ky pushtet, i cili provokoi opozitën me ditë të tëra duke bërë deklarata apo kronika stërvitjesh me qen dhe me ministrin e Brendshëm, i cili ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për masakrën e ndodhur. Në këto kushte, gjendja doli nga normaliteti, por nuk ka shkuar kurrë përtej kufirit të një proteste krejtësisht spontane si reagim i atypëratyshëm i reagimit të patolerueshëm dhe provokativ të atyre që drejtonin operacionin. Bashkë me Majkon kemi komunikuar me të gjithë deputetët që të shkonin dhe të tërhiqnin demonstruesit dhe të mos lejonin që situata të dilte jashtë kontrollit, për shkak të reagimit gjithnjë e më absurd dhe kafshëror të atyre që drejtonin operacionin. Në momentin kur tërhiqeshin, janë turrur si kafshë njerëz me xhinse e me xhaketa lëkure, që s’ishin parë kurrë në Shqipëri të turreshin kundër opozitës pas vitit 1996, njerëz që nga protesta na dolën të ishin njerëz të Saliut dhe merrnin zvarrë kë gjenin përpara.

    Protesta homazh është e fundit e opozitës?

    Si homazh shpresoj e lus Zotin të jetë e fundit, si protestë është vetëm e dyta.

    Kur do mbarojnë protestat, kur do të jetë e fundit?

    Duhet një zgjidhje e re, një rrugë e re, një hapësirë e re, ku Kushtetuta, ligji dhe të gjitha garancitë që burojnë nga të drejtat kushtetuese të rivihen në vend dhe ku askush të mos jetë si i huaj në vendin e tij. Jam në krye të kësaj lëvizjeje që s’ka qëllim të marrë pushtetin nga rruga, por t’i mbyllë rrugën këtij pushteti, ku të gjithë të marrin frymë lirisht dhe të realizojnë kërkesa e tyre kudo që janë në çdo fushë. Parlamenti s’mund të jetë vendi i kusarëve, i cili përdhunon sitematikisht opozitën. Qeveria ime s’do të dhunojë opozitën, por do t’i japë asaj çdo të drejtë kushtetuese dhe demokratike.

    Do jenë në seancë deputetët socialistë?

    Deputetët dhe populli opozitar do të jenë në çdo seancë dhe përballë Saliut në çdo hapësirë, për t’u përballur më këtë pushtet, duke refuzuar kthimin e Parlamentit në një hapësirë ku kapërcehet kufiri i politikës dhe hapet fronti i rrugaçërisë.

    Çfarë duhet të ndryshojë?

    Ne duam një zgjidhje të re politike, që i jep mundësi palëve të rikompozojnë hapësirën politike mbi bazën e garancive kushtetuese dhe ligjore. Kjo zgjidhje herët apo vonë do të duhet ta japin palët dhe kështu që ne nuk jemi për të ekstraduar qeverinë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe as për ta nxjerrë jashtë ligjit PD-në. Ne jemi për të garantuar hapësirën që na takon, duke krijuar qendrën e gravitetit demokratik për çdo shqiptar. Kjo do të kërkojë një zgjidhje kompromisi që do të hapë rrugën e zgjedhjeve të reja dhe të lira.

    Cilat janë kërkesat nga të cilat ju nuk do të hiqni dorë?

    Ne jemi të drejtpërdrejtë për arsyet pse jemi në këtë betejë. Ne duam të nxjerrim vendin nga kriza e thellë dhe kjo bëhet duke u kthyer tek populli dhe t’i japim atij atë që ka votuar populli.

    Zgjedhje të parakohshme?

    Zgjedhje të reja edhe të parakohshme.

    Kur mund të jenë ato?

    Ne jemi të vendosur në të drejtën tonë kundër matrapazëve dhe kusarëve të këtij pushteti. Në demokraci, forcave politike u takon ajo që u jep populli.
    Nuk do merrni pjesë në zgjedhjet e 8 majit në këto rrethana?
    Nuk ka asnjë hapësirë ku ne do të mungojmë, por s’mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme nëse nuk ndryshon tabloja në të cilën ndodhet vendi.

    Panorama

  5. #185
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Kantrimen: Partitë të mos përzihen në hetime. PS-ja, jo protestë të premten

    Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Tom Kantrimen u bën thirrje dy palëve në Shqipëri të qetësojnë situatën, nga e cila ka vetëm të humbur dhe nuk mund të ketë fitues.

    Sipas zyrtarit te larte amerikan, Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga mundësia e përsëritjes së dhunës.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zoti Kantrimen e quan të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të vazhduar me planet për organizimin e një proteste tjetër të premten.

    "Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Shqipërinë me hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Institucionet e pavarura në Shqipëri janë të afta të bëjnë hetime të besueshme. Por udhëheqësit politikë, duhet të heqin dorë dhe të mos t’i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik. Ky nuk është një mjet për një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë që hetimet të vazhdojnë", thotë zyrtari i lartë amerikan.

    Panorama

  6. #186
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Berisha: Shpërblim për çdo informacion të vlefshëm për hetimin e 21 janarit

    TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha ka njoftuar sot anulimin e manifestimit të paqes të shtunën, ndërkohë që ka theksuar se hetimi për 21 janarin do të shkojë deri në fund, madje cdo informacion i vlefshëm do të shpërblehet.

    Në fjalën e tij në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ka ngarkuar Ministrinë e Financave që të përcaktojë një fond për hetimin e ngjarjes, duke nënvizuar se shpërblimi do të jetë në varësi të dëshmisë së dhënë.

    “Çdo dokument do të shpërblehet. Ftoj qytetarët të kontribuojnë për këtë hetim pasi një akt të tillë vendi nuk e ka njohur në historinë e tij” theksoi Berisha.

    Ai ka falënderuar SHBA-të për gatishmërinë që treguan për të ndihmuar në hetime, të cilat do të cohen deri në fund.

    Berisha, duke folur për deklaratën e e djeshme të kryeprokurores Ina Rama ka theksuar se ajo ka gënjyer, për të nderuar veten, teksa tha se nuk ka një padi për ata që i vunë zjarrin kryeministrisë.

    “E ftoj (prokuroren e përgjithshme) të vazhdojë hetimin, por se çfarë u thotë shqiptarëve ajo kur i gënjen publikisht se nuk ka padi ndaj atyre që i kanë vënë institucioneve zjarrin, ajo qoftë. Dje dokumenti është bërë publik dhe duhet t’u jepet të gjitha mediave. Është një akt i hollësishëm që përfshin të gjithë organizatorët. Asnjë mos ta marrë si një sulm ndaj institucionit të Prokurorisë, por si një transparencë e domosdoshme. Komisioni hetimor parlamentar nis punën dhe ai do të shqyrtojë vepritarinë e çdo institucioni në hetim”, tha Berisha.

    Sipas Berishës në një rrethim të dytë të institucionit kushtetues, të gjithë do të jenë të amnistuar përvec Ramës. “Një tentativë e dytë për të rrethuar institucion do të jetë fatele për askënd tjetër, përveç atij. Unë jam Sali Berisha dhe nuk hedh gurin dhe fsheh dorën. Çdokush do jetë i amnistuar, përveç atij. Shqiptarët nuk ta kanë borxh zjarrin. Protesto çdo ditë, do të lejohesh. Nesër do të kujtojë të shtatat. E bërë kjo nga partia është makabër, të shtatat i bën familja, miqtë dhe shokët”, tha Berisha.

    Panorama

  7. #187
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    S’paraqiten Doshi e Sterkaj, akuza thërret Pjerin Ndreun

    Sipas Prokurorisë, nga shqyrtimi i materialeve filmike të regjistruara ka rezultuar se Ndreu ka qenë i pranishëm në turmat e demonstruesve, të cilët dogjën disa automjete si dhe sulmuan rrethimin e Kryeministrisë. Nisur nga këto fakte, në kuadër të hetimit për organizatorët e demonstratës, Prokuroria i ka dërguar fletë-thirrje ish-kryepolicit të Tiranës për të dhënë deklarime lidhur me ngjarjen. Po kështu, fletë-thirrje është dërguar edhe në adresë të deputetëve socialistë Paulin Sterkaj dhe Tom Doshi, pasi edhe ata kanë rezultuar nga imazhet filmike të kenë qenë në grupet e demonstruesve që kanë ushtruar dhunë. Dy deputetët pritej të paraqiteshin dje në ora 19:00 në Prokurorinë e Tiranës, por grupi i hetimit ka rënë dakord t'i pyesë në një kohë të dytë, brenda pak ditëve, për shkaqe objektive.

    Sekuestrohen ftesat e PS
    Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë dje edhe një urdhër sekuestrimi për ftesat që Partia Socialiste shpërndau për qytetarët disa ditë para demonstratës. Mediat televizive kanë transmetuar për 2-3 ditë, deputetët e madje edhe vetë kryetarin e PS-së, Edi Rama, teksa u shpërndanin qytetarëve ftesa për pjesëmarrje në demonstratë. Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e ftesës së PS-së për demonstratë, me qëllim verifikimin e përmbajtjes së saj. Hetuesit do të sqarojnë nëse në këtë ftesë ka pasur thirrje apo nxitje për ushtrim dhune.

    Urdhër-ndalime për dhunën
    Prokuroria e Tiranës prej dy ditësh ka nxjerrë pesë urdhra ndalimi për personat që kanë kryer akte të dhunshme gjatë demonstratës së 21 janarit. Prokuroria tha se identifikimi i këtyre personave është bërë falë verifikimit të filmimeve të bëra nga policia dhe nga media. Sipas hetuesve, një ndihmë të madhe për hetimin e çështjes ka dhënë agjencia Reuters, e cila ka bashkëpunuar me policinë dhe Prokurorinë shqiptare, duke i dhënë të gjitha filmimet e kryera prej saj më 21 janar në Tiranë. Sipas Prokurorisë, filmimet e marra nga Reuters kanë qenë cilësore dhe kanë dhënë ndihmesë të madhe në identifikimin e disa episodeve të dhunës që shoqëruan manifestimin e thirrur nga opozita në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

    Armët i kthehen Gardës
    Garda e Republikës ka rimarrë në dorëzim 88 copë armë të sekuestruara nga Prokuroria. Sipas burimeve nga organi i akuzës, nga 140 copë armë që u bllokuan ditën e parë, është bërë përzgjedhja e tyre për ekspertizë dhe janë mbajtur vetëm 52 armë të tipit kallashnikov, si dhe disa automatikë të markës "MP-5". Kthimi i armëve tek Garda e Republikës është bërë për të mos i krijuar pengesa këtij institucioni në kryerjen e detyrave me ruajtjen e objekteve dhe personaliteteve shtetërore. Ndërkohë, Prokuroria ka akuzuar dje Gardën e Republikës se deri më tani nuk ka ofruar bashkëpunim për hetimin e ngjarjes.

    I ndaluari për vjedhje u hakmor ndaj policit

    TIRANE - Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër-ndalimi ndaj një të riu, i cili është identifikuar nga pamjet filmike teksa ushtronte dhunë ndaj efektivave të policisë. Shtetasi O.Topi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë, pasi nga kamerat është parë teksa ushtronte dhunë ndaj policëve të Komisariatit nr.2, që ishin vendosur në hapësirën anësore mes Kryeministrisë dhe Piramidës në Tiranë. Pas ndalimit, i dyshuari së bashku me disa të njohur të tij, kanë dhënë shpjegime lidhur me shkakun e dhunës ndaj efektivave të policisë. Sipas këtyre shpjegimeve, i riu ishte ndaluar në Komisariatin nr.2 tri ditë para demonstratës, pasi dyshohej se kishte kryer një vjedhje. Gjatë mbajtjes në komisariat, i riu ka pretenduar se është rrahur nga një efektiv i policisë së këtij institucioni. Ditën e protestës, shtetasi me iniciale O.Topi e ka parë në radhët e policëve oficerin që katër ditë më parë e kishte rrahur gjatë ndalimit në komisariat. Sipas hetimit, i riu u ka kërkuar disa shokëve të tij që të merrnin pjesë në hakmarrjen e tij ndaj oficerit të policisë që ishte vendosur mes Kryeministrisë dhe Piramidës. Këta efektiva pësuan dëmtime të mëdha, pasi nuk kishin pajisje mbrojtëse.

    Panorama

  8. #188
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Rama, Ngjela e Gjinushi në Prokurori

    Padia penale në Prokurori është bërë në datën 23 janar, dy ditë pas demonstratës së mbajtur në Tiranë. Policia deklaroi dje se prej datës 23 janar 2011 ka referuar në Prokurori një kallëzim penal, lidhur me demonstratën e Partisë Socialiste dhe më pas mesazhet që u dhanë nga disa eksponentë të politikës së majtë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, i ka rikujtuar Prokurorisë, se strukturat e rendit në Tiranë i kanë vënë në dispozicion organit të akuzës, thënie të cituara nga personalitetet politike, të marra në shtypin e shkruar dhe mediat elektronike, nga data 15 deri më 22 janar 2011. "Materiali është referuar për veprën penale "thirrje publike për veprime të dhunshme", parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, sipas të cilit thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet", deklaroi mbrëmë zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica. Sipas saj, një grup i posaçëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka administruar të gjitha thirrjet e nxitjet që kanë bërë përfaqësues të ndryshëm të subjekteve politike, si Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Edi Rama, etj, në ditët para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit, që shkaktoi 3 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

    MATERIALET E REFERUARA

    Burime të rezervuara nga Policia e Shtetit, thanë se nxitjet dhe thirrjet për një demonstratë të dhunshme, më 21 janar 2011, kanë nisur që më 15 janar, me një deklaratë në publik të Spartak Ngjelës, kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi. Në këtë datë, Ngjela, në një deklaratë i ftoi të gjithë të dilnin në demonstratë, sepse sipas tij, "më 21 janar fillon rrëzimi i qeverisë". Nga ana tjetër, edhe pas përfundimit të demonstratës, teksa vizitonte të plagosurit në Spitalin Ushtarak, Ngjela deklaroi një demonstratë tjetër të dhunshme. "Vetëm një bandë mund të bëjë masakra të tilla ndaj popullit. U them shqiptarëve: të gjithë në këmbë për të ruajtur lirinë, dinjitetin dhe për të respektuar të vrarët që do jenë dëshmorët e lirisë shqiptare. Është e tmerrshme, një masakër nga të katër anët. Kanë qëlluar me snajperë. Kanë qëlluar me çdo mjet", deklaroi Spartak Ngjela më 21 janar nga Spitali Ushtarak. Policia e ka konsideruar si nxitje edhe deklaratën e bërë nga kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, më 17 janar 2011. Thirrja e Gjinushit ishte: "Të rrëzojmë qeverinë, të ndjekim shembullin e Tunizisë! Duke e cilësuar kabinetin aktual si të mbytur në skandale dhe korrupsion, Gjinushi ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për një skenar të njëjtë me atë të Tunizisë.

    Hetimi, gardistët merren në pyetje brenda rrethimit të Kryeministrisë


    TIRANE - Dy prokurorë dhe tre oficerë të Policisë Gjyqësore kanë mbërritur dje në ambientet e Kryeministrisë, ku kanë marrë në pyetje oficerët e Gardës së Republikës, të plagosur gjatë demonstratës së 21 janarit. Për shkak se oficerët e Gardës nuk kanë lëvizur nga Kryeministria prej katër ditësh, Prokuroria ka kërkuar t'i marrë ata në pyetje dhe për këtë është dashur që të dërgojë grupin e hetimit tek Kryeministria. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se gardistët e plagosur nuk janë dërguar as në spital, por kanë marrë mjekime brenda rrethimit të Kryeministrisë. Dy prokurorët dhe tre oficerët e ngarkuar me kryerjen e veprimeve hetimore në këtë rast, kanë bërë këqyrjen e dëmtimeve që kanë marrë oficerët e Gardës dhe më pas kanë mbledhur dëshmitë e tyre. Mbledhja e deklarimeve nga efektivat e Gardës së Republikës bëhet për llogari të akuzave që janë ngritur në adresë të disa protestuesve për kundërshtim të punonjësve të policisë, si dhe ushtrim dhune e deri në plagosje të punonjësve të rendit dhe sigurisë publike, që ishin vendosur rreth Kryeministrisë ditën e zhvillimit të demonstratës. Fillimisht, Prokuroria ka kërkuar që gardistët të paraqiten në organin e akuzës për të dhënë dëshmitë e tyre, por për shkak se ata shërbejnë tek Kryeministria, është bërë marrja e tyre në pyetje pranë qeverisë. tr.so

    Panorama

  9. #189
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Policia e Shtetit ben publike nje video ku jane filmuar deputete te PS ne demostrate:


  10. #190
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,453
    Postimet në Bllog
    23
    Rama fton qytetarët në demonstratën homazh: Të ndezim qirinj shprese

    TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama, pavarësisht thirrjes së përsëritur të ambasadës së SHBA, apelit ndërkombëtar e së fundi edhe kreut të shtetit për pezullim të cdo tubimi politik, ka deklaruar se nuk tërhiqet.

    “Me rrobat e zisë, me heshtjen e dhimbjes çdo qytetar është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit. Kush dëshiron të lutet është i ftuar të marrë pjesë në homazh në 28 janar. Kush dëshiron t’i tregoj botës, se shqiptarët vriten, rrihen e plagosen në mes të Europës, por as do të jepen në dhunë e as do të fshihen në qoshe, të vijnë të ndezin qirinjte e shpresës”- ka thënë Rama nga selia e PS-së.

    Rama ka theksuar se rruga që ndiqet nuk ka kurrfarë lidhje me dhunën. “Kush beson te verbëria e dhunës nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore. Kush mendon se kjo luftë është për të marrë pushtetin nga rruga, gabohet, kjo është rezistencë paqësore”- tha Rama.

    Panorama

Faqja 19 prej 29 FillimFillim ... 91718192021 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •