Lëvizja “Vetëvendosje” ka mbajtur një konferencë për medie rreth mbarëvajtjes së procesit të votimit për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. Ata kanë theksuar se tri qendra të votimit në Mitrovicë, shkolla “Migjeni” me nr.1102b, shkolla “Abdullah Shabani” me nr. 1102x, dhe shkolla “Ismail Qemajli” me numër 1104b, janë pa rrymë, dhe aty ka prani të madhe të aktivistëve të PDK-së të cilët janë duke ushtruar presion ndaj të gjithë pjesëmarrësve në procesin e votimit dhe kanë shtuar numri i votuesve në këto tri qendra të votimit është 25,000.
“Në Drenas, në Gjimnazin “Skenderbeu”, aktivistë të PDK-së janë duke i mbushur kutitë e votimeve. Kemi informacione se në Dardanë, anëtari i PDK-së, Emin Krasniqi është duke u përgatitur që t’i organizojë aktivistët dhe militantët e PDK-së për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Në Deçan, 20 aktivistë të AAK-së kanë hyrë në qendrën e votimit në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në Irzniq, dhe e kanë bllokuar procesin zgjedhor në këtë qendër”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.
Aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë denoncuar më herët në polici këtë ndërhyrje të qartë në procesin zgjedhor. “Aktivistët tanë janë po ashtu në këtë qendër dhe nuk do ta lejojnë asnjë grup ta dëmtojë votën e lirë të qytetarëve. Komisionerët tanë janë tërhequr nga qendra e votimit”, thotë “Vetëvendosje”.
“Vetëvendosje” shpreh shqetësimin e saj se Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, nuk e ka marrë për bazë videon e publikuar nga kjo lëvizje ku shihet një person me disa fletëvotime në duar, jashtë qendrës së votimit në Prizren.
“Valdete Daka deklaroi në fillim të konferencës së fundit për shtyp se KQZ, e as ajo personalisht, nuk janë kompetente për të konkluduar për vlefshmërinë e ankesave pasi që këtë gjë e bën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). E kur u pyet nga gazetarët për video incizimin e zbardhur nga “Vetëvendosje” për shpërndarjen e fletëvotimeve në Prizren, ajo konkludoi se kjo nuk qëndron pasi që ato na paskeshin qenë udhëzime për atë se si të votohet”, thekson “Vetëvendosje”.
Ajo po ashtu deklaroi se ato janë fleta të formatit A4 ndërkohë që fletëvotimet, sipas “Vetëvendosje”-s, janë të formatit A3. Kjo lëvizje shprehet e shqetësuar për faktin se “Daka u shndërrua në eksperte që jep konkluza të bazuara mbi vërtetësinë e denoncimit”.
“Nga raportimi për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, shihej se komunat me përqindjen më të madhe të votuesve ishin ato ku tradicionalisht janë manipuluar votat: në Skenderaj, Malishevë, Drenas, etj.”, thekson në fund “Vetëvendosje”.
http://www.botasot.info/def.php?category=3&id=93016
Krijoni Kontakt