Fertilizimi artificial dhe një baba i panjohur
Jonida Azizaj
Një studim i para disa viteve në Amerikë, nxori përfundimin se femrat në karrierë, ato që kishin mbaruar më shumë se një fakultet, master, apo doktoraturë, e kishin të vështirë të gjenin partner të përshtatshëm apo në nivelin e tyre arsimor. Dukuri e cila bënte që këto femra pa kuptuar të arrinin të dyzetat, moshë e vështirë për të krijuar një lidhje e më shumë akoma për lindur një fëmijë, çka i detyroi shumë femra t’i drejtoheshin fertilizimit artificial me baba të panjohur.
Duket se tani në vitin 2010 kjo dukuri ka prekur edhe një pjesë të femrave shqiptare, të cilat prej vitesh kanë punuar, kanë arritur gjithçka vetë dhe me mundim, duke u bërë kaq pavarura dhe të vetëmjaftueshme, saqë nuk kanë gjetur partner të përshtatshëm për veten e tyre. Mungesë që i çon edhe këto drejt të njëjtit përfundim: fertilizim artificial me një baba të panjohur. Pra një nënë singëll e cila vendos të sjellë e vetme një fëmijë në jetë.
Por ndërsa në botën perëndimore kanë rënë shumë barriera e shumë paragjykime, në shoqërinë tonë ku familja tradicionale është modeli në mos i vetëm, kryesor, një nënë singëll me një baba të panjohur, është ende një tabu. Arsye që i bën reagimet ndaj një rasti të tillë janë tepër negative: “Se ç’është njëra këtu në lagje që ka vendosur të bëjë një fëmijë vetëm, kështu pa baba. Ç’janë këto turpe kështu? Po e shkatërrojnë familjen fare.”
Zëra të tillë nuk e kuptojnë dot një femër që padashur u është afruar të dyzetave dhe e ka gjetur veten pa askënd në krah. Kohë kur kupton se është vonë dhe e vetmja mundësi që i mbetet për të pasur një pasardhës në jetë, është farëzimi artificial. Në këtë çast të jetës së saj, ajo nuk mendon më as për familjen, as për komshinjtë, e as për paragjykimet e shoqërisë. Koha e saj po mbaron dhe ajo kërkon të përfitojë nga ky rast i fundit që i mbetet. Ajo nuk ka faj që jeta i ka ardhur në këtë mënyrë. Që i është dashur të luftojë për të siguruar një vend të mirë pune, me një pagë të mirë. I është dashur të punojë edhe dy, edhe tri punë, për të blerë një shtëpi me kredi. I është dashur të sakrifikojë fundjava të tëra pa bërë pushim, për të fituar më shumë para. Gjatë gjithë kësaj kohe, meshkujt që kanë dalë në rrugën e saj, ose nuk bënin për të, ose ajo nuk gjente kohën e duhur për t’u përkushtuar. Çka bëri që ajo në të dyzetat e saj të mbetet fillikat.
Të gjitha këto nuk janë veçse justifikime të kota për sytë e shoqërisë e të komshinjve, të cilët nuk arrijnë dot të thellohen e të kuptojnë vështirësitë e një femre që zgjedh të jetojë pa u mbështetur në shpatullën e një mashkulli, qoftë bashkëshort, qoftë i dashur, qoftë dashnor biznesmen, apo shef te puna. Jo. Arsyetimi i shoqërisë mbetet përsëri sipërfaqësor: “Eh, po të kishte menduar më parë këtë punë. Të mos priste sa të shkonte dyzetë”.
Ajo që të bën përshtypje në këtë përballje mes një individi të lirë për të zgjedhur më të mirën për jetën e vet dhe shoqërisë që vijon me kufijtë shtrëngues dhe kryqëzimin mospranues, është fakti se askush nuk mendon për këtë fëmijë dhe nuk ngre pyetjen e vetme: A kemi të drejtë të sjellim në jetë një fëmijë dhe më pas të mos kemi ç’t’i themi për të atin? Kjo dëshirë më se e ligjshme e një femre që kërkon të bëhet nënë, a e përligj pozicionin e vështirë ku do të jetë ky fëmijë nesër pasnesër, ndërsa në certifikatën e tij të lindjes nuk do të ketë një emër babai, ndërsa mes shokëve të tij do të ndihet i ndryshëm, pa baba, ndërsa do të do të qëndrojë përpara pasqyrës dhe do të gjejë tipare që nuk i ngjajnë nënës së tij; ndërsa dashur pa dashur do të bëjë pyetjen: “Kush vallë është babai im? Si është? Ku është? A ka qenë i zgjuar? A ka qenë i bukur? Çfarë vetish mund të kem nga ai? Çfarë vesesh? Ku janë rrënjët e mia?
Të gjithave këtyre pyetjeve shumë prej nesh kanë fatin t’u japin një përgjigje, e herë me të qeshur, e herë serioz, mburremi për ato veti që marrim nga etërit. Pikërisht këto pyetje duhet të mendojë shoqëria jonë përpara se të paragjykojë apo të mbështesë një femër që merr një vendim të tillë. E ndërsa falënderojmë shkencën që ka përparuar kaq shumë, ajo që na mbetet ne femrave është të reflektojmë më seriozisht nga raste të tilla dhe të vendosim përparësi në jetën tonë duke vlerësuar më shumë orën tonë biologjike dhe duke mos e shpërdoruar dhuratën që Zoti apo natyra na ka bërë për të qenë nëna.
Gazeta "Shqip"
Krijoni Kontakt