
Postuar më parë nga
fegi
Në kuadër të edicionit të dytë të festivalit të filmit “Prifilmfest”, është shfaqur edhe filmi belg “Dosja K”, me regji të Jan Verhyen, ku luajnë një kastë aktorësh kosovarë. Ky film, i cili është shfaqur edhe në kinemanë “ABC”, tregon për rrjetin mafioz të shqiptarëve në një qytet belg, ku nuk mungon edhe përfshirja e zyrtarëve vendas. Filmi mbështetet në skena vrasjesh dhe trajton gjerë e gjatë edhe funksionimin e krimit, të cilin në film e kryejnë shqiptarët dhe përpjekjet e policisë, e cila për interesat të veta përdor mafiozët shqiptarë për të përçarë strukturat kriminele shqiptare. Ndërsa mafiozët shqiptarë për të qëruar hesapet mes tyre jo rrallë mbështeten edhe në ligjet e Kanunit. Një film i tillë, i cili shqiptarët i paraqet si njerëz të krimit dhe mafiozë të dorës së parë, është parë me rezerva nga kineastët tanë. Për regjisorin Jeton Ahmetaj, filmi “Dosja K” është një film antikombëtar dhe si tillë nuk duhet të shfaqet në mediumet tona. “Thjesht, ‘Dosja K’ është një film antishqiptar dhe antikombëtar, i cili ka qenë turpi i festivalit dhe i kinemasë. Unë apeloj që t’u vihet ‘embargo’ vlerave të tilla, të cilat janë bërë modë të ne”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk është e drejtë që gjithçka që është shqiptare të shikohet zi. Ai ka thënë se ka një pjesë të vogël të shqiptarëve që janë duke na turpëruar me sjelljet e tyre në Perëndim, por kjo assesi nuk e arsyeton filmin ku 100 % e tij i prezanton shqiptarët si njerëz të krimit. “Po ashtu, ky film krijon përshtypjen se në Shqipëri nuk funksionon ligji, por atje bandat në formë këshilli të udhëhequr nga ligjet e Kanunit veprojnë për të vënë rregulla mali, etj.”, ka thënë regjisori Jeton Ahmetaj. Skenaristi Arian Krasniqi është shprehur se ngjarjet e këtij filmi janë ekzagjeruar dhe të konstruktuara në atë mënyrë që e paraqesin popullin tonë si mafioz dhe që identifikimi me mafinë tashmë është bërë një sinonim i produkteve televizive, ose edhe i shkrimeve të shumta nëpër mediume të jashtë botërore. “Ne si kineastë filmat duhet t’i shikojmë si profesionistë, e jo me pasionin e patosit kombëtar, mirëpo edhe ne nuk mund të jemi indiferentë kur shohim plasimin e shumë të pavërtetave në filma të caktuar”, ka thënë skenaristi Krasniqi. Ndërsa aktori dhe producenti Blerim Gjoci ka një mendim më ndryshme. Ai ka thënë se sikur çdo film që ka dramën në mënyrë që të pëlqehet nga shikuesi edhe “Dosja K” e ka. Sipas tij, në Perëndim shqiptarëve u vishen shumë veprimet kriminale, nganjëherë pa të drejtë, por edhe nuk duhet të mbyllim sytë para realitetit, pasi fatkeqësisht komuniteti ynë atje është i përfshirë në shumë veprime kriminale”, ka thënë ai. Gjoci thotë se ka ardhur koha që Aë ne shqiptarët duhet t’ i përmirësojmë gjërat në rrënjë dhe jo të ankohemi kur të tjerët na e tregojnë edhe një anë të realitetit tonë. “Të tjerët nuk do ta ndreqin, ajo detyrë fatkeqësisht na bie neve, mendoj se të tjerët kanë bërë mjaft për ne, këtë nuk mund ta bëjnë”, ka thënë aktori Blerim Gjoci.
Krijoni Kontakt