SHKUP-Në Maqedoni vazhdojnë debatet për shkak të një teksti shkollor për klasat e pesta rreth dijeve për Shoqërinë ku u vërejtën gabime të mëdha.
Libri i lëndës së Shoqërisë, mes tjerash, Kosovën ende e paraqet si pjesë të Serbisë, ndërkohë që drejtues emisionesh televizive i ngre si personalitete të shquara të kulturës në Maqedoni.
Sot agjencia e lajmeve shqiptare në Maqedoni, INA bën të ditur se Libri për shkollat fillore u tërhoq edhe për shkak të publikimit të fotove të profetit Muhamed, ka njoftuar sot ministri i Arsimit, Nikolla Todorov.
“Kjo ishte një nga arsyet më serioze. Jam i sigurt se gabimet e tilla më nuk do të përsëriten, për shkak se kemi formuar një ekip serioz të recenzentëve, që i është përkushtuar punës”, ka theksuar ministri Todorov.
Për gabimin e tillë të publikimit të fotos së profetit Muhamedi reagoi edhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë në adresë të Ministrisë së Arsimit, pasi që Islami nuk lejon pamjen vizuele të profetit Muhamed.
Në këtë libër kishte edhe gabime të tjera, ku Kosova njihej si pjesë e Serbisë, ndërsa personalitete të kulturës në Maqedoni ishin përmendur emra të estradës Nora Shaqiri, Ferus Mustafov dhe Toni Mihajllovski.
Për këto arsye, Shoqata shqiptare kërkoi dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, ndërsa ky i fundit thotë se nuk ndjehet fajtor. Ministria e Arsimit ka vendour që libri të rishqyrtohet para se të dalë sërish në qarkullim.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt