Qasja neutrale ndaj statusit nuk përkon me realitetin
Nga Express më 23.06.2010 në ora 14:24
Çfarëdo rezolute që miratohet për Kosovën, është e mirëpritur nga Qeveria e vendit, ndonëse kjo e fundit nuk pajtohet me qasje të tillë neutrale ndaj statusit të Kosovës, sikur që kishte rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e miratuar dje në Bruksel.
Zëdhënësi i Qeverisë Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se qasja neutrale ndaj statusit nuk përkon me realitetin, me pozicionin e Kosovës dhe të miqve të saj që e kanë pranuar pavarësinë e vendit.
Meqenëse Kosova ende nuk është ende anëtare e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Krasniqi ka thënë se nuk mund të ndryshojë diçka në këtë drejtim, por kjo do të ndodhë atëherë kur Kosova të ketë qasje në këtë asamble.
“Kosova nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës, por shpresojmë që në të ardhmen jo shumë të largët do të kemi mundësi për t’u bërë anëtar, meqenëse jemi në një fazë kur në të ardhmen e afërt mund të mendohet për fillimin e procedurës së aplikimit në mënyrë që edhe qasja e tyre karshi statusit të ndryshojë. Ju e dini që aty janë një numër i caktuar shtetesh të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, siç transmeton Kosovapress.
Prioritetet e përmendura në këtë rezolutë, sipas Krasniqit, janë prioritete edhe të Qeverisë së Kosovës, e cila është duke punuar në drejtim të implementimit të tyre dhe arritjes së rezultateve konkrete në ato fusha.
I pyetur për mundësinë e bisedimeve Prishtinë-Beograd në vjeshtë të këtij viti, Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë afat konkret, por kurdo që të ndodhë kjo, do të jetë vetëm në nivel të barabartë, si dy shtete të pavarura.
“Sa i përket formatit, kohës apo çka do tjetër nuk ka asgjë konkrete tash për tash. Ekziston siç duket një gatishmëri nga Kosova. Kjo gatishmëri ka ekzistuar gjithmonë dhe ne besojmë se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së edhe në Republikën e Serbisë besojmë se do të ketë një ndryshim të mentalitetit të deritashëm në mënyrë që të ndikojë te ndryshimi i qasjes destruktive që kanë pasur deri tash në mënyrë që të hapet një kapitull i komunikimit me qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, teknike, praktike që janë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve në dy vendet tona”, është shprehur ai.
Ndërkohë, zëdhënësi Krasniqi ka shprehur qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës, PDK-LDK, duke mohuar në këtë mënyrë kushtëzimin e buxhetit nga ana e LDK-së, në rast se nuk procedohet Projektligji për Prishtinën.
Ai ka thënë se deri tani ky projektligj është shtyrë për shkak të nevojës për gjetjen e zgjidhjes për dy çështje kontestuese, pronësinë e Pallatit të Rinisë dhe çështjen e grantit shtesë, çështje të cilat janë në finalizim e sipër.
“Është punuar shumë në muajt e fundit, deri tani besoj se kemi arritur afërsisht deri te tejkalimi i problemit dhe shpresojmë se në javët e ardhshme do të ketë një mundësi për ta çuar projektligjin në procedurë parlamentare me një propozim konkret dhe më të implementueshëm sesa që ka qenë mundësia e implementiumit të propozimeve të kaluara”, ka thënë Krasniqi.
Ai nuk ka dashur të komentojë gjatë raportimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Pieter Feith në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, por e ka vlerësuar këtë raportin si mjaft balancues, duke përfshirë zhvillimet dhe të arriturat e Kosovës.
Edhe kërkesën e Feithit për dorëheqjen e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, Krasniqi e ka konsideruar si një opinion të tij, ndërkohë që ka vlerësuar se është përkrahja që kryeministri Thaçi ka marrë nga krerët e lartë të BE-së dhe NATO-s në Bruksel, ajo që e shtynë Qeverinë e Kosovës të vazhdojë me agjendën e saj. .
Krijoni Kontakt