G A Z E T A S H Q I P T A R E, 01/06/2010
Skadimi i ultimatumit, parlamenti Europian:
Marreveshje, ose pasoja me vizat
Parlamenti Europian pret arritjen e konsensusit ndërmjet dy liderëve kryesorë politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Shefi i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, i pranishëm në darkën e Strasburgut, në një prononcim për Top Channel tha se mungesa e një marrëveshjeje mes tyre do të kishte efekt negativ tek shumë eurodeputetë që pritet të votojnë mbi liberalizimin e vizave me Shqipërinë. "Vendimi u takon atyre të dyve. Ne u kemi thënë gjithçka mendonim për atë çështje që diskutohet. Greva e urisë që u ndërpre, ishte një sinjal pozitiv nga opozita, si provë që ajo ka vullnet për të biseduar e për të pasur dialog, duke shpresuar një marrëveshje që mund të kthente vendin në normalitet. Marrëveshja është një dokument që firmoset nga dy apo më shumë palë, e në këtë sens them se po presim për të reja nga Tirana", - ka nënvizuar Kukan. Ai është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet së shpejti, duke parë edhe angazhimin e zyrtarëve të lartë evropianë, por në të kundërt ai ka paralajmëruar se gjërat për Shqipërinë mund të vështirësohen.
"Shpresojmë sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit. Sepse shumë çështje kanë ngrirë dhe fakti se Zhozef Dol e Martin Shulz përfshinë prestigjin e tyre personal duke u angazhuar plotësisht në tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, unë mendoj se këto janë prova fort të rënda në fakt dhe nuk mund të imagjinoj se kjo iniciativë mund të dështojë. Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte", - ka shtuar Kukan.
Shefi i delegacionit të PE-së për Ballkanin, Kukan theksoi më pas se "pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg, kuptoj që opozita po merr pjesë në parlament, por rezultati i vlerësimit të Komisionit mbi procesin anëtarësues, pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri, nuk mund të quhet i përfunduar dhe nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t'i bënte dëm vendit".
"Ky mendoj unë se është dhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Europian, se pa këtë lloj marrëveshjeje gjërat nuk do të ecin përpara. Nuk mund të parashikoj se si do të votojë PE nëse propozimi legjislativ i Komisionit për vizat mbërrin ndërkohë që nuk kemi ende marrëveshje politike në Shqipëri. Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht tek shumë eurodeputetë", - ka theksuar ai. Sipas tij, periudha e reflektimit është 2-3 javë, ndaj ende nuk është përcaktuar se kur do të mbahet takimi i dytë i nivelit "Crocodile".
Krijoni Kontakt