Katër të vrarë në përleshjen e armatosur në Radushë
Policia maqedonase ka vrarë katër persona, të cilët dyshohet se kontrabandonin armatim.
Rreth orës 3.00 të mëngjesit të sotëm, në rrugën për në fshatin Radushë të Shkupit, policia maqedonase ka vrarë katër persona, të cilët dyshohet se kontrabandonin armatim, lajmëroi “A1”. Incidenti ka ndodhur kur policia është ndeshur me grupin e kontrabandistëve, të cilët, për momentin, nuk dihet se çfarë kanë kontrabanduar në një makinë. Jozyrtarisht bëhet e ditur se ka edhe disa të plagosur, dy të arrestuar, ndërsa policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme të armatimit. Banorët lokalë kanë konfirmuar sot të shtënat me armë që kanë zgjatur që pas mesnate e deri në orët e hershme të mëngjesit. Televizioni “Alsat-M” raportoi se tre nga viktimat janë identifikuar, ndërsa është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt. Bëhet fjalë për një person nga fshati Gërçec i Shkupi, një nga Prishtina dhe një nga fshati Merovë i Shkupit. Në atë rajon ka pasur forca të mëdha policie, që tashmë janë tërhequr. Policia nuk jep detaje rreth incidentit, duke paralajmëruar se pasdite do të dalin me një konferencë shtypi. Incidenti vijon dy javë pas atij në afërsi të fshatit kufitar Bllacë, ku u gjetën katër bunkerë me armë, ndërsa pati edhe të plagosur nga ana e grupit të armatosur, që u thirr më pas në një komunikatë se bëhet fjalë për njësite të UÇK-së. /Zhurnal/
Krijoni Kontakt