Prokuroria për krime lufte në Serbi njofton se policia ka arrestuar nëntë ish paraushtarakë të akuzuar për vrasjen e rreth 200 shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Ata akuzohen si të dyshuar për kryerjen e krimit të luftës në Qyshk të Pejës, më 14 maj të vitit 1999.
Aksioni për ndaljen e këtyre personave është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë për krime të luftës, ndërsa siç raportojnë mediat serbe, bëhet fjalë për pjesëtarët e formacionit paraushtarak "Çakej", të mbrojtjes territoriale dhe njësisë rezervë të policisë, të cilëve u ka prirë Nebojsa Minic.
Me urdhër të Tribunalit të Hagës, Minic ishte arrestuar në vitin 2005 në Argjentinë, mirëpo kishte vdekur pak kohë pas arrestimit të tij.
Prokurori Bruno Vekariç tha se gjithsej 26 trupa serbe akuzohen për masakrën e ndodhur në Qyshk të Kosovës në maj të vitit 1999.
Vekariç shtoi se shumë nga të akuzuarit jetojnë jashtë Serbisë.
Krijoni Kontakt