KRIZA SHQIPTARE DHE ILUZIONET E AMBASADOREVE
19/02/2010
Andrea Stefani
Të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre parësorë më të rëndësishëm... Ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre... Baza e ecjes drejt konvertimit të qëndrimeve të kundërta deri më tani është perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës, sidomos në këtë situatë të veçantë”. Kështu ka deklaruar ndër të tjera Helmut Lohan, kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri”, ndërsa ka komentuar rreth krizës së fundit politike. Duhet ta themi që në fillimi se deklarata në fjalë është mishërim i një iluzioni që shpërfill ndjeshmëri, kritika dhe pakënaqësi në rritje ndaj udhëheqësisë politike në Shqipëri. Thjesht duke bërë të shurdhrin, Lohan refuzon të pranojë se ca nga këta udhëheqës politikë nuk janë zgjidhja e problemit, por vetë problemi. Edhe i krizës së sotme ashtu sikundër edhe i të gjithë krizave të djeshme, që nga fillimi i tranzicionit. Me një kortezi “diplomatike” miope, ambasadori refuzon ta shohë këtë fakt, duke besuar se kjo do të bëjë që edhe të tjerët të mos e shohin. Kjo lloj diplomacie të kujton përrallën e danezit Andersen pa çka se diplomati Lohan është gjerman. Të gjithë e shikonin që mbreti ishte lakuriq, por kishin frikë ta deklaronin një të vërtetë të tillë, sepse do të qe me pasoja për ta. Ka 20 vjet që të gjithë e shohin se politikanë të kallëpit të Sali Berishës (por me raste, edhe jo vetëm të këtij kallëpi) kanë ndjekur politika krejtësisht në kundërshtim me ato që çojnë në plotësimin nga Shqipëria të kritereve të Kopenhagenit që do të mundësonin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. E megjithatë, diplomatë si Lohan këmbëngulin të mos e shohin një gjë të tillë, duke e kërkuar zgjidhjen po te liderë si Berisha. Por ndërsa në përrallën e Andersenit njerëzit nuk pranonin të shprehnin atë që shikonin nga frika, është e paqartë se ç’mund ta frikësojë një ambasador të KE-së në Tiranë. Dhe jo vetëm atë, por edhe jo pak diplomatë e ambasadorë të tjerë, që duke mbyllur sytë vetë po ua “nxjerrin” sytë edhe shqiptarëve.
* * *
Pas faktit që “të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre” do të ishte naivitet të besoje se të gjithë ata e kanë me tërë mend këtë objektiv. Aq më tepër liderë si Sali Berisha, që jo vetëm kanë qenë gjithmonë të pranishëm me kontribut në zemër të të gjitha krizave dhe tronditjeve në këto 20 vjet, por që edhe i kanë dhënë shkelmin parimit demokratik të rotacionit të elitave dhe udhëheqësive në një vend si Shqipëria, që ka aq nevojë të dalë nda tradita e sundimit prej pushtetit tiranik dhe shumëvjeçar të një njeriu. Por deklarata ka edhe pjesë të tjera që nuk i qëndrojnë dot logjikës së realitetit të dështuar shqiptar. Sipas Lohan, integrimi europian i Shqipërisë “ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që qëndron pas politikave” të liderëve. Vërtet? Atëherë cila është ajo forcë e madhe lëvizëse që e bën një politikan si Berisha të synojë me një këmbëngulje të paepur, këtu e 20 vjet, përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme, kapjen e gjykatave, të prokurorisë dhe të drejtësisë, kontrollin dhe manipulimin e pushtetit të medias deri në blerje, dhunimin e të drejtave të njeriut deri në përzënie nga punët e atyre që mendojnë ndryshe nga ai dhe pushteti i tij? Çfarë e shtyn një Kryeministër t’i rikthehet si i pushtuar nga amoku, kapjes edhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), edhe pse trashëgon një famë të përgjakur për ish-Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK) që e ktheu nga një shërbim në shërbim të Atdheut në një armë kundër opozitës politike, që është po aq e shtrenjtë për mbrothësinë e Atdheut sa edhe pushteti? Çfarë e shtyn liderin Berisha që në disa vjet qeverisje t’i imponojë me shumicë tiranike Shqipërisë 17 ligje dhe vendime, që për shkak të rrezikut që sjellin për liritë dhe të drejtat e njeriut, detyrojnë Gjykatën Kushtetuese t’i hedhë poshtë si antikushtetuese? Mos vallë forca lëvizëse për të tilla politika dhe projekte mund të jetë “integrimi europian”? Duhet të jesh ose miop, ose i frikësuar që të mos shohësh krejt të kundërtën, atë të vërtetën e hidhur, nga e cila vuajnë sot Shqipëria dhe shqiptarët, të mos shohë se politikanë si Berisha i kanë dalë Shqipërisë në pritë për të penguar integrimin e saj në Europë, se qëllimi i tyre nuk është integrimi, por sabotimi i integrimit.
* * *
Nëse integrimi do të qe në mendjen e liderëve shqiptarë atëherë përse sot duhet të ishim në krizë të tejzgjatur? Cila është rrënja e ekzistencës së krizës dhe rrënja e mosekzistencës së konsensusit, përveçse mungesa në kokën e liderëve të një qëllimi të përbashkët sikundër integrimi i vendit apo mungesa e një ndjesie të përbashkët (con-sensus) për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira e të pavjedhura? Nuk mund të thuhet se liderë të tjerë të politikës, sikundër Edi Rama që ndodhet sot përballë Berishës, janë vendosmërisht të atashuar ndaj këtyre qëllimeve dhe vlerave. Kohët kanë regjistruar jo pak luhatje dhe cedime të tyre nga ato. Ama kohët kanë provuar me fakte të dhimbshme se Berisha është vendosmërisht kundër tyre. Por diplomatë si Lohan kanë prirjen ta shohin Berishën e këtyre ditëve të krizës të shkëputur nga Berishat e të gjithë krizave të tjera që ka vuajtur Shqipëria, për shkak të mbifuqisë antidemokratike që ka akumuluar rreth kultit autokratik të tij dhe qëllimeve që i ka vënë vetes. Këta diplomatë harrojnë se Berisha është autokrati i vetëm në Ballkan i mbetur që nga koha e rënies së komunizmit. Dhe kjo harresë, kjo tjetër mbyllje e syve dhe e kujtesës për të djeshmen, nuk të lejon të kuptosh qëllimet e vërteta të Berishës së sotëm. Kush përfiton nga krizat? Kjo pyetje e Ciceronit në gjyqin e famshëm me Krisogonin që e bëri të famshëm, duhet bërë dhe sot për të kuptuar të vërtetën. Dhe përgjigjja është e qartë: Berisha dhe pushteti i tij. Pas 20 vjet krizash, ngritjesh dhe uljesh, ngjitjesh e rrëzimesh, është po Berisha që ka dalë më i fituar se të gjithë. Përherë në majë të politikës, përherë në majë të pushtetit, simbol i qëndresës së autoritarizmit dhe i pafuqisë së demokracisë mbi të. Madje që përdor edhe “demokracinë” si alibi për auokratizmin e tij me moshë sa tranzicioni i dështuar shqiptar. Sikundër përdor sot për alibi drejtësinë kundër transparencës. Falë edhe verbimeve dhe iluzioneve nga të cilat vuajnë sot diplomatë europianë sikundër edhe ambasadori Lohan.
* * *
Janë 20 vjet kriza dhe dhimbje që na provojnë se Berisha nuk di të bëjë konsensuse, por vetëm të imponojë lëshime ndaj projektit të tij autoritarist. Edhe këtë herë atë punë po bën. Dhe falë ca ndryshimeve barabare të Kushtetutës, të mburrura si konsensuse historike nga diplomatë si Lohan, sot ai është në një negociatë me opozitën i ndërmjetësuar nga një President që nuk mund t’i imponojë asgjë as Berishës dhe as opozitës. Dhe përsëri habitesh kur dëgjon diplomatë që shprehen ultimativisht “për një zgjidhje të suksesshme dhe në kohën e duhur” dhe “nën drejtimin e Presidentit”. “Çdo vonesë rrezikon seriozisht integrimin e Shqipërisë” deklaroi Manuel Montobio, ambasadori i Spanjës në Tiranë. Kjo është e vërtetë, por jo e plotë. Sepse integrimin e rrezikon edhe mungesa e standardeve në zgjedhje. Dhe ç’do të thotë zgjidhje e suksesshme? Aq më tepër ç’kuptim ka thënia “nën drejtimin e Presidentit”. Po sikur Presidenti (që nuk duhet harruar se ka qenë figura e dytë në PD dhe i zgjedhur me votat e njerëzve të Nanos që sot qëndron shumë pranë Berishës) të japë një zgjidhje që injoron shqetësimet e opozitës për transparencën e zgjedhjeve, a do quhej kjo një sukses? Mos vallë në një rast të tillë, diplomatë si Lohan apo Montobio, të nxitur nga ethet për të qenë brenda afatit me një axhendë takimesh të ardhshme për integrimin e Shqipërisë, do të bashkoheshin me pozitën për të akuzuar opozitën dhe Ramën, se nuk po pranojnë një zgjidhje të ofruar nga Presidenti “i paanshëm” apo se po vonojnë integrimin? Do të uronim që Presidenti të ofronte një zgjidhje që kënaq të gjithë. Por kjo na duket praktikisht e pamundur. Sepse opozita dhe Rama e shohin shpëtimin te transparenca dhe hapja e kutive, ndërsa pozita dhe Berisha te bllokimi i transparencës me alibinë e stisur të cenimit të vendimit të gjykatave. Askush nuk shfaq shenja se do tërhiqet nga këto pozicione. Dhe a nuk do të ishte e rrezikshme për vetë ardhmërinë europiane të Shqipërisë ti imponoje opozitës, në emër të kapjes së ca afateve kohore, një formulë që kënaq interesat e pozitës, duke cenuar transparencën e zgjedhjeve? Por a nuk do të thotë të qëndrosh në anën e gabuar të historisë, atë kundër integrimit të Shqipërisë, nëse nuk bën gjithçka për të çrrënjosur genin e degjenerimit të sistemit politik që është vjedhja e votës? Eshtë koha që, më në fund, kriza të zgjidhet rrënjësisht dhe jo të bëhen, si në të kaluarën, pazare që e mbajnë të paprekur mekanizmin kriminal të vjedhjes së votës që prodhon kriza. Dhe për këtë nuk ka mbetur mjet tjetër veç zgjedhjeve të reja me standarde që imponohen sot nga zgjedhje që përsëri nuk i kapën dot standardet në kundërshtim me atë që u premtua nga qeveria Berisha. Çdo qëndrim tjetër do provokonte rezistencën e opozitës në bojkot edhe më të zgjatur dhe protesta. Thyerja e këtij bojkoti me blerje deputetësh do qe një tjetër shenjë e korruptimit të sistemit politik, do qe një thyerje e demokracisë dhe konsolidim i autoritarizmit Berishist. Dhe integrimi i këtij të fundit në Europë do të ishte një tjetër iluzion apo verbëri fatale e diplomacisë në Tiranë, ashtu sikundër qe një iluzion i tillë edhe besimi se amendimet e Kushtetutës do të shmangin krizat duke sjellë stabilitet. Kriza e sotme është pohimi i dështimit të këtij iluzioni që po pjell të tjera iluzione.
shqip
Krijoni Kontakt