Për paga 3,5 milionë euro shtesë, përfundoi protesta e policëve?
koha.net
Prishtinë, 5 shkurt
- Zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se ka përfunduar protesta e njësiteve speciale policore, të cilat me disa kërkesa kishin bojkotuar punën dhe ishin mbledhur të enjten në Qendrën e trajnimit në Kishnicë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se sot gjithçka i është kthyer rutinës, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet autoriteteve përgjegjëse dhe këshillit të përfaqësuesve të njësive të specializuara të policisë, për rishikimin e ngritjes së pagave.
“Është marrë vendim që të bëhet rishikimi për një ngritje pagash. Diku rreth 3,5 milionë euro do të ketë shtesë për implementim të pagave”, njoftoi Kelani për Radion Evropa e Lirë.
Moszbatimi i Ligjit për Policinë e Kosovës, mos rritja 100 për qind e pagave bazë dhe mos ndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, ishin vërejtjet kryesore të më shumë se katërmbëdhjetë njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Përfaqësues të këshillit të njësive të specializuara të policisë nuk janë prononcuar në lidhje me zhvillimet e fundit për këtë çështje.
Krijoni Kontakt