-
Arbëresh Dalipit i vazhdohet suspendimi pa afat
07 mars 2010
Prishtinë, 7 mars – Koha Ditore, në një shkrim më të gjatë, të botuar në numrin e sotshëm, shkruan se Arbëresh Dalipit, polici që guxoi të rrëfente prapaskenat e hyrjes në grevë të njësive elite të Policisë së Kosovës dhe bisedimet për rritje pagash ndërmjet grevistëve dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajazitit, dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, i është vazhduar suspendimi me pagesë pa afat deri në përfundimin e hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Vazhdimin e suspendimit e ka konfirmuar drejtor i Departamentit të Hetimeve të IPK-së, Valdet Hoxha, dhe vetë i suspenduari Arbëresh Dalipi.
“Dje (të premten v.j.) e kemi pranuar një inicim të procedurës disiplinore nga Komanda rajonale e Gjilanit për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Arbëresh Dalipit dhe ne kemi filluar hetimin disiplinor”, i ka thënë gazetës nëpërmjet telefonit Hoxha.
“I kemi rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës vazhdimin e suspendimit me pagesë deri në përfundim të hetimeve disiplinore”, ka shtuar ai.
Inspektorati Policor i Kosovës ka afat tre muaj që të kryejë hetimet për shkelje të ndryshme disiplinore të policëve dhe brenda këtij afati duhet t’i rekomandojë drejtorit të Policisë që të marrë vendimin përkitazi me propozimin e IPK-së.
Ky vendim për ish-zëdhënësin e grevistëve - policin e suspenduar Arbëresh Dalipi, ishte i pritur. Ai ka thënë se nuk e ka parë vendimin e suspendimit, por ka mësuar nga kolegët se tashmë i është dërguar ky vendim i nënshkruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti.
“Unë kam qenë në Shkup, por më njoftuan kolegët. Suspendimi është pa afat deri në përfundim të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës”, ka saktësuar ai.
Sipas tij, zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë reflektuar në ato që ka thënë në intervistën për “Kohën Ditore”.
“As në këtë situatë, ata nuk kanë ndryshuar mendimin. Njerëzit që nuk i ndryshojnë mendimet më dhimbsen për faktin sepse dyshoj se nuk i kanë fare ato”, ka thënë Dalipi.
Ky zyrtar policor nga Gjilani ka kritikuar Ahmetin për vazhdimin e masës së suspendimit duke mos e përmirësuar gabimin, por ka shkuar edhe një hap më tej për të treguar se ka ende fuqi të bëjë keq.
“Ai mirë nuk mund të bëjë, ai e ka zor në kuptimin pozitiv për t’iu qasur problemit, sepse nuk ka aftësi, as gatishmëri, as kurrgjë, ndërsa për të bërë keq ai ka qenë i gatshëm”, e ka vlerësuar Ahmetin Dalipi.
Arbëresh Dalipi është suspenduar me pagesë të enjten, pas publikimit të një interviste të tij në “Kohën Ditore”, në të cilën ka folur për rrjedhën e bisedimeve në Kishnicë, për rritjen e pagave të policëve. Në këtë intervistë ai ka rrëfyer se durimi i policëve kishte shkuar në pikën e fundit, ndërsa momenti i shpërthimit të protestës në Kishnicë ishte paga e janarit e vitit 2010, që doli të jetë shumë më e vogël sesa kishte premtuar ministri Zenun Pajaziti. Sipas tij, nëse pagat nuk do të rriteshin, vendin e priste një kolaps, për të cilin nuk donin ta ndienin edhe pse kishin vendosur që më pas t’i bartnin të gjitha përgjegjësitë.
Arbëresh Dalipi është një polic i pagraduar dhe pa asnjë pozitë menaxheriale në Policinë e Kosovës, por natën e bisedimeve në Kishnicë ka thënë se i është dhimbsur drejtori i tij, Sheremet Ahmeti, kur i kishte kërkuar t’u thoshte mbi 700 policëve ta ndërprisnin grevën. Pas lutjeve të drejtorit ishte lutur edhe ministri, ai madje edhe ishte frikuar.
“Nuk mund të dal unë para policëve, sepse mund të më ofendojnë”, ka cituar Dalipi ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Situata të vështira kishte shumë. Sikur të mos arrihej marrëveshja, policët e njësive të specializuara po planifikonin që të merrnin autoblindat, veturat dhe të gjithë kombit që kishin dhe planifikonin ta rrethonin Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Në tavolinë, sipas Dalipit, po diskutohej edhe mundësia e krijimit të një shtabi të jashtëzakonshëm të policisë, pasi, sipas tij, drejtori legjitim Sheremet Ahmeti dhe ministri Zenun Pajaziti nuk komandonin asgjë.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt