Londër, 26 dhjetor - Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës është shkatërruar në Britaninë e Madhe. Mes anëtarëve të rrjetit ishin dhe 13 shqiptarë. Operacioni është kryer nga policia londineze, e cila sekuestroi një sasi prej 1.5 ton kokainë në portin e anijes The Destini Empress, 200 milje larg brigjeve spanjolle.
Vlera e kokainës e destinuar për në Britani e në gjithë Evropën ishte rreth 450 milionë euro. Operacioni u krye në orët e para të mëngjesit të datës 23 dhjetor, por policia informoi të shtunën për rezultatet e operacionit, transmeton News24.
Task force dhe Agjencia e krimit të organizuar bënë të ditur se trafikantët siguronin drogën në Kolumbi. Operacioni u shtri në katër shtete, Britani, Spanjë, Karaibe e Kolumbi. Droga ishte e klasit A dhe trafikantët akuzohen për pastrim parash në vlerën e miliona eurove.
Sipas inspektorit të policisë britanike, Peter Bejer, kjo ishte një nga sasitë më të mëdha të drogës të kapura ndonjëherë. Ai falënderoi policinë spanjolle për bashkëpunimin.
Në një raport të fundit të Shërbimit Inteligjet në Britani thuhet se në këtë vend operojnë 400 organizata kriminale, ku shqiptarët së fundi kontrollojnë trafikun e heroinës e kokainës dhe gjithë prostitucionin e organizuar.
Veç 13 shqiptarëve që ndodheshin në bordin e anijes, për këtë trafik janë arrestuar edhe persona të tjerë, por nuk jepet kombësia e tyre.
Krijoni Kontakt