Vrau babanë për para,arrestohet 20-vjeçari
» Dërguar më: 13/11/2009 - 14:34
ELBASAN Vdekja e një 75- vjeçari nga fshati Lenie i Gramshit nuk ka qenë natyrale, por ai është mbytur nga i biri, pasi refuzonte t'i jepte para për shpenzimet e moshës. Ky është konkluzioni paraprak i policisë së Elbasanit lidhur me ngjarjen e rëndë, të zbuluar mesditën e së mërkurës në fshatin e largët të Gramshit. "Nga hetimet paraprake të bëra nga ana e Seksionit të Krimeve të Rënda, është arritur në konkluzionin se 20-vjeçari Maksim Hasa është autor i vrasjes së babait të tij, 75-vjeçarit Seit Hasa, i cili u gjet i pajetë në një parcelë me të mbjella në fshatin Lenie pasditen e së mërkurës", - pohuan për "Gazeta Shqiptare" drejtues të policisë së Elbasanit. I njëjti burim konfirmon se provat në vendin e ngjarjes (këqyrja e kufomës), si dhe dyshimet rreth aktivitetit të 20-vjeçarit dhe konfliktet e vazhdueshme në familjen e tyre, që në fillim shtruan pistën e një vrasjeje të mundshme. "Kufoma e 75-vjeçarit kishte shenja dhune në pjesën e fytit dhe dyshohej që të jetë mbytur me duar nga i biri, pas konfliktit të radhës mes tyre në tokën-arë ku ishte duke punuar i moshuari", - shtojnë burimet e policisë. 20-vjeçari u arrestua në orën 10:00 të ditës së enjte, e po në të njëjtën ditë u shoqërua për në dhomat e paraburgimit në Elbasan. Mësohet se policia u njoftua për trupin e pajetë të 75-vjeçarit në orën 14:00 të ditës së mërkurë. Po nga familjarët fillimisht u konfirmua se vdekja ka qenë natyrale. Por policia që administroi ngjarjen, akuzoi dhe vuri në pranga si të dyshuar djalin e viktimës. Nga burime të policisë mësohet se 20-vjeçari Hasa vazhdimisht ishte problematik e konfliktual në familje. Për shkak të gjendjes ekonomike, i ati nuk mund të plotësonte kërkesat e njëpasnjëshme të tij për para. Madje, e kishte denoncuar të birin në polici për këtë fakt. Por asgjë nuk ndryshoi në marrëdhëniet mes tyre, derisa dje 20-vjeçari mbyti me duar të atin teksa po punonte në arë.
Balkanweb
Krijoni Kontakt