
Postuar më parë nga
Nice_Boy
BE: Shumë shpejt do hiqen vizat me Shqipërinë
Ministri i jashtëm suedez, Carl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e BE-së e ka siguruar dje homologun Lulzim Basha se Presidenca suedeze do të mbështesë aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për në BE, por edhe do të ndikojë në përmbylljen e shpejtë të marrëveshjes për heqjen e vizave me Shqipërinë, ndoshta në muajt e parë të vitit 2010
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bildt, siguroi homologun e tij shqiptar Lulzim Basha se presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE. Gjithashtu, ai u shpreh se Suedia mbështet përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë. Këtë garanci, Ministri Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha, e mori gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bildt, në Samitin e zhvilluar në datat 9 dhe 10 korrik në Dubrovnik të Kroacisë. Samiti me temë “Imperativët strategjikë të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi”, u organizuar nga Qeveria e Kroacisë në bashkëpunim me qeverinë e Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në këtë takim, merrnin pjesë kryeministra, ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të rajonit të vendeve anëtare të BE-së, të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, NATO-s, etj. Në takimin që zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, dhe me Robert Kuper, Drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Këshillit Evropian, Ministri Basha informoi rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Shqipëri. Bashkëbiseduesit vlerësuan procesin zgjedhor si një test i maturisë së klasës politike në Shqipëri. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha informoi homologun Carl Bild për procesin e formimit të koalicionit të ri qeverisës dhe objektivin e tij themelor, integrimin evropian të vendit. Në këtë kuadër Basha rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara me të gjitha reformat e domosdoshme për integrimin evropian të vendit. Ndërkohë, pjesëmarrësit në Samit vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si një shembull i qartë se reformat dhe vullneti politik për t’i realizuar ato janë vendimtare në arritjen e objektivave të integrimit euro-atlantik të rajonit. Gjatë Samitit u theksua se perspektiva e qartë evropiane e rajonit është domosdoshmëri dhe motiv për të thelluar reformat në këto vende. Liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 për vendet e Ballkanit Perëndimor u vlerësua si një objektiv i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të këtyre vendeve. Në Samit u vlerësua se për të pasur një Evropë të bashkuar dhe të lirë është e domosdoshme që asnjë vend të mos shmanget nga projektet dhe nga gjurmët e gazsjellësve transnacionalë dhe se burimet energjetike duhet të diversifikohen. Të pranishmit në Samit diskutuan edhe për një numër projektesh konkrete të përbashkëta rajonale në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ambientit. Gjatë punimeve të Samitit, Ministri Basha u takua dhe bisedoi dhe me një numër të madh homologësh dhe zyrtarësh të lartë të pranishëm në Samit, si ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit Steinberg, Sekretarin e Shteti të Kanadasë, Keddy, kryeministrat e Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët shprehën urimet dhe konsideratat e tyre për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe fitoren e koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri Berisha.
Krijoni Kontakt