Azhensia e Lajmeve "Sot", Friday, 29 May 2009 10:07
“Logjika e Zemrës” sipas Alisë dhe zbatimi pikë për pikë i saj për 19 vite rresht!!Nga Besi BEKTESHI
Nuk është keq kur përpara fushatave elektorale, ato që kanë mundësi të rikuperojnë pamjet filmike dhe dokumentet që shteti dhe media e tij deri në vitet ‘92-‘93 kishte, ti lejojnë të dalin për arsye përfitimi, por që në fakt përfitimin e kanë edhe aty ku duket se ka jo përfitim. Në një nga këto regjistrime si gjithmonë të dobëta, të errëta, të vrazhda, por të kontrolluara dhe të sekretuara shikohet dhe dëgjohet që “Sekretari i Parë i PPSH-së” dhe më vonë Presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia të deklarojë përpara zgjedhësve të tij një sërë batutash, por ajo që më ka bërë të rizgjohem pikërisht në ato vite ishte batuta “me logjikën e zëmrës” që Alia tha në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve që PPSH-ja, e ka ndërtuar për të bërë pikërisht kongreset e saj. Me “logjikën e zëmrës”... fjalë dhe batutë më interesante, më sinjifikative për kulturën gjysmë bolshevike dhe gjysmë feudale të Alisë, për monstruozitetin partiak dhe moral të tij, batutë më alogjike dhe sinjifikative për njerëzit e dyzuar se sa kjo, nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë. Ramiz Alia me thënien e tij “me logjikën e zëmrës” ka dashur ti kthejë zgjedhësit në “copa mishi me dy sy”, ka dashur ti kthejë në figurina të vogla, dhe ka dashur ti mbajë si idiotë të plotë në medemek ecjen drejt demokracisë.
Se si mund të ketë logjikë zemra, vetëm një trashëgimtar i vërtetë, megjithëse servil dhe serfist në politikë si Alia, mund ta thotë. Një muskul që tkurret energjikisht vetëm instiktivisht vendoset në “logjikë” dhe pikërisht zëmrën duhet të pyesin njerëzit kur shkojnë të votojnë. Si si mund të ketë “logjikë zëmra” vetëm një model mbijetese dhe obskurantizmi ideor si te Alia, mund ta ideojë dhe pranojë, por edhe përhapë të të tjerët. Zemra nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë logjikë. Kur bëhen veprimet me zemër, të gjithë e dinë që “logjika mungon”, sepse patjetër nuk është e nevojshme. Këtë njerëzit e kanë vërtetuar në dashuri, sport, art dhe pasione të tjera, ku logjika mungon dhe ka vetë “zemër”.
Gjithmonë i dyzuar, Alia ka deklaruar se edhe “zemra mund të ketë logjikë” dhe zgjedhësit e tij, duhet të votonin me pikërisht logjikën e zemrës e cila as që i bie krahut të logjikës. Mirëpo ne atëherë nuk ja vinin veshin komunistit të vjetër i cili po përgatiste “komunistët e rinj” sipas modelit të “logjikës së zemrës”. Alia me teorinë e “logjikës së zemrës” po shpërndante në të gjithë mjedisin pluralist dhe partiak të Shqipërisë, pikërisht “mungesën e logjikës” që është edhe sot e kësaj dite sunduese. Ai e ka thënë këtë në vitet ‘90-‘91, por zbatimi vazhdon edhe sot e kësaj dite, sepse është një model të menduari dhe jetuari.
Logjika e pasionit dhe zemrës në besimin e partive dhe lojës pluraliste me to është zbatuar në njerëzit poshtë partitokracisë, militantëve, njerëzve të devotshëm dhe turmave në salla dhe tubime. Alia praktikisht i ka bërë thirrje të gjithëve të humbin mendjen, të mos përdorin trurin dhe arsyetimin, sepse të gjitha këto i zëvendëson “logjika e zemrës”. Sepse me këtë”logjikë idiote” një popull dhe një sera e madhe politikanësh, kishin shtypur dhunuar dhe vrarë popullin e tyre. Tani Alia po tentonte goditjen e fundit që këtë “logjikë zemre” nuk do të shpërndante dhe zbatonte në vetëm PPSH-në dhe pastaj PS-në, por edhe në të gjitha partitë e tjera të pluralizmit shqiptar. “Logjika e zemrës e tyre” si një demagogji e Alisë dhe të gjithë botës komuniste dhe realisht shtypëse, por frymëzuese ndaj personit në drejtim të partisë u shpërnda absolutisht në të gjitha, përfshi akoma më shumë PD-në, e cila duhet të ishte ashpërisht, parti kundër këtij postulati ogurzi ramizian. Me logjikën e zemrës, shqiptarët arritën të prishin të gjitha institucionet e një shteti punist dhe të poshtër, por duke ngritur po me logjikën e zemrës, institucionet e reja njësoj si ato që prishën. Me këtë “logjikë” si PD-ja në vitet e para, por edhe PS-ja mbas luftës dhe shkatërrimit në vitet ‘97-‘99 ndërtuan po këto institucione që nuk ka të bëjnë me demokracinë. Sepse logjikën e merrnin nga zemra.
Muskuli pa tru, por që nga “logjika e madhe, që ka arrin të shkatërrojë dhe të maskarojë çdo gjë”. Sot kemi ardhur në prag të 28-qershorit të vitit 2009-të. Me këtë dua të them se kemi 19-të vite që vazhdojmë me “logjikën e zemrës” së Alisë i cili sot patjetër shikon i kënaqur arritjen e vet madhore që është një Shqipëri as mish as peshk, e masakruar politikisht dhe moralisht, por edhe ekologjikisht dhe në të gjitha sistemet e matshme të botës demokratike dhe europiane.
Me logjikën e zemrës krijuan mega skandalin e firmave dhe vjedhjes masive të lekëve të shqiptarëve, vjedhjen e votave të ‘96-tës që vazhdon edhe sot. Vjedhjen e tenderëve dhe energjisë, por edhe të çdo lloj sistemi tjetër në shërbime dhe sigurime. Me logjikën e zemrës vramë njeri tjetrin dhe dogjëm vendin. Me logjikën e zemrës, arritëm të mbytemi në ujë apo maleve dhe po me këtë logjikë arritëm të shuajmë çdo pjesë të vogël të një karakteri moral të mirë te shqiptarët. Po më këtë logjikë, arrijmë të pranohemi në NATO, të bëjmë Gërdecin dhe të vjedhim pa fund, dhe të kemi një sistem korruptiv dhe latant të drejtësisë dhe po ashtu arsimit dhe shëndetësisë, po me këtë logjikë socialistët kanë vjedhur dikur dhe po me këtë logjikë, vjedhin sot demokratët. Po me këtë logjikë deliri politik i joni çon në piedestale njerëz të hurit dhe litarit, për tu paraqitur në sy të popullit që ka “logjikën e zemrës” si njerëz të idealeve, dhe që zgjidhin hallet e pikërisht popullit.
Të votosh sot me “logjikën e zemrës” domethënë të shkosh mbas të marrëve që nuk kanë lëshuar dhe nuk lëshojnë kurrë pushtetin. Por, po me këtë logjikë shkohet edhe mbas atyre që vijnë me parulla demokracie dhe punojnë vetëm për “demokracinë e xhepit të tyre”. Të shkosh mbas “logjikës së zemrës” domethënë të mos dish se të gjithë ato që janë prej kohe kryetarë partish si fantazma dhe të vërteta, të jenë në jetë të jetëve. Të shkosh mbas kësaj logjike do të thotë ti përjetosh gjithfarë shushunjash politike që pushtetin e përdorin kundër qytetarit model, atij që nuk ka nevojë të integrohet në Europë, sepse ka qenë përjetë aty. Të votosh sot me logjikën e zemrës do të thotë të shkosh mbas atyre që “pronarin e rropën më keq se sa Enveri, për të bërë pronarë një sasi njerëzish që ju duhet për votime”. Të votosh me logjikën e zemrës sipas modelit të Alisë, do të thotë të mos kesh respekt për pronën dhe pronarët, as për punën dhe mbrojtjen sociale. Të votosh me këtë logjikë, do të thotë të ndërtosh një shtet paçavure dhe në shërbim të kastave që po bëhen familje dhe fitojnë e fitojnë pafundësisht. Me logjikën e “zemrës” shkohet drejt shtetit të plehrave dhe tymit, ku të fortët dhunojnë qytetarët dhe ju servilosen pushtetarëve.
Me logjikën e “zemrës” sa më shumë bërtitet për demokraci, aq më pak demokraci ka. Sa më shumë bërtitet për integrim, aq më larg jemi dhe sa më shumë bërtitet për vlera, aq më shumë antivlera prodhohen. Fatkeqësisht në një indoktrimin maksimal përgjatë dekadave nën diktaturë, jetojmë në një vend kur “logjikën e zemrës” e kanë injektuar përditë. Kjo logjikë bën një shumicë njerëzish të vazhdojnë të votojnë për liderë dhe parti që janë si dy pika uji, në ngjashmëri vesesh dhe faktesh si dikur. Janë shumë të tillë dhe janë faktet që tregojnë se prej viteve të famshëm 90-91, nuk kanë lëshuar njëherë pushtetin. Prishin ndërtojnë dhe shkatërrojnë, mbasi kanë ndërtuar dhe kanë vetëm një standard që është ai i shpejtësisë, vetëm në pasurim dhe pushtet të pakufishëm. E keqja është se mungon edhe alternativa, sepse si majtas dhe djathtas po me konceptin ramizist të “logjikës së zemrës” veprojnë. Pa e thirrur një herë të vetme trurin në punë. Vetëm për të pyetur veten. Mos me të vërtetë jemi kaq të qytetëruar sa të konsiderohemi me standarde europiane? Ne, vendi i pluhurit dhe plehrave dhe politikanëve sundimtarë dhe të korruptuar. Ne, vendi i gënjeshtrave dhe parullave gënjeshtare. Ne, vendi ku jeta është e rëndë dhe modeli abuziv shtetëror dhe privat të merr shpirtin. Ne, vendi me një administratë idiote dhe të paaftë për punën që ka, dhe tepër e aftë për të gjithë punët e tjera që duhet të ndalohen me ligj.
Ne, vendi ku drejtësia duket në sjelljet dhe fytyrat e gjykatësve dhe prokurorëve, për të mos u ulur te duart dhe veshjet apo shtëpitë dhe të tilla gjëra “që nuk kanë rëndësi”. Ku të shikosh qytetërim, në rrugë, superstrada apo pallate dhe midis tyre. Ku të hedhësh shikimin, në plazhet tona të “pastra” apo te “çmimet e ulëta” dhe shërbimin e “kulturuar”. Të besosh te diagnostikimi, apo në shërbimin shëndetësor që është një gënjeshtër e madhe dhe një rrjepje masive e popullit që medemek është i siguruar??!! Të besosh te arsimi që gjithkush e kupton se është një farsë që fillon në kopsht dhe mbaron në universitet në vitin e fundit. Po, duhet të “kënaqemi” me rrugët e shtruara dhe investimet e Berishës. Janë më tepër se të socialistëve dhe kjo nuk do shumë debate, sepse kështu është.
Por edhe aty ka vjedhje dhe abuzime dhe gënjeshtra me tepër “kripë” që përdoren pastaj për fushatë. Midis “Shillës dhe Karibdës” njëra me pushtetin qendror dhe tjetra me pushtetin e Tiranës, duhet të zbatojmë pastaj edhe shprehjen e Alisë “me logjikën e zemrës”. Këto janë edhe zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat do të vërtetojnë edhe kartat dhe predispozitën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por a ka mundësi që njerëz që duan të përdoret “logjika e zemrës” të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme??!
Nuk ka mundësi, dhe në qoftë se ka, ajo është shumë e pakët. Vetëm 92-shi ka qenë një logjikë e tillë, por edhe 91-shi më përpara dhe ndoshta zemra aty “hynte në punë edhe pse ishte e marrë nga ajri i lirisë”. Një herë të vetme duhet përdorur truri dhe mëndja, për tu përballur me realitetin dhe për ta ndrequr atë. Por dihet qartë se përpara kemi pikërisht pasuesit e Alisë që edhe pse e shajnë dhe i thonë “komunist” janë tepër, por tepër më të rrezikshëm se sa ai. Sepse janë bijtë e tij moralisht dhe politikisht. Prandaj që çdo gjë të demokracisë e ndërtojnë në bazë të parimi ramizist të “logjikës së zemrës”.
Çdo gjë që në çdo rast ka treguar se nuk është demokraci, dhe nuk ka të bëjë me lirinë. Çdo gjë dhe çdo aspekt.
Krijoni Kontakt