Centrali telefonik i Llapit me shoqeri..
Nebih Maxhuni
Shkelje serioze në prokurim, shpenzime dyfish më shumë sesa është e lejuar për telefona fiksë dhe mobilë, afër 100 mijë euro për një vit. Kontrata të shpërblyera pa respektuar kurrfarë procedurash. Këto janë vetëm disa nga shkeljet që ka gjetur ZAGJ-i në Zyrën e kryetarit Fatmir Sejdiu.
Prishtinë, 15 shtator — Zyra e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu vetëm për vitin e kaluar 2007 ka harxhuar afër 100 mijë euro shpenzime për telefona fiksë dhe mobilë. Për vitin 2007, sipas pasqyrave financiare që janë audituar nga Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës, Zyra e presidentit Fatmir Sejdiu ka harxhuar telefon fiks afër 33 mijë euro. Telefon roaming kjo zyrë ka shpenzuar 34.435 euro, ndërsa që për rimbushje të kartelave ka shpenzuar para nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, afër 35 mijë euro.
ZAGJ-i ka gjetur edhe keqpërdorimin e parasë publike nga zyrtarët e zyrës së kryetarit Fatmir Sejdiu, ku 14 nga 23 të punësuar në Presidencë, edhe pse kanë pasur telefonat roaming, kanë vazhduar që gjatë gjithë vitit të kaluar të marrin edhe kartela rimbushëse të Valës, e që kjo është e ndalur me udhëzim administrativ, i cili në përpikëri cakton se kush sa mund të shpenzojë telefon dhe se cilët zyrtarë kanë të drejtë të pajisen më rimbushje telefoni.
“Ne kemi gjetur se Zyra e presidentit të Kosovës nuk kishte vendosur procedura për të siguruar që shpenzimet e saj të telefonit ishin të kontrolluara në mënyrëadekuate. Rrjedhimisht ZPK-ja kishte bërë shpenzime të paarsyeshme telefonike”, thuhet në raport.
Auditorët me këtë rast kanë bërë një llogari, ku, sipas tyre, sikur Presidenca për 52 punëtorët e vet sa numëron, të lejonte që për një person në muaj të shpenzoj telefon fiks dhe mobil, për 75 euro në muaj, atëherë shpenzimet për telefoni fikse dhe mobile për një vit do të silleshin përafërsisht në 46.800 euro apo përgjysmë më pak sesa kanë shpenzuar (91.453.24 euro). Shkelje serioze dhe të tmerrshme ZAGJ-i ka gjetur edhe në zyrën e prokurimit në Presidencë.
DISA NGA TË GJETURAT NË ZYRËN E FATMIR SEJDIUT:
- ZPK-ja nuk harmonizon regjistrat e saj kontabël me të dhënat financiare të Free Balance;
- Shpenzime të tepruara për telefona;
- Avanset për udhëtime nuk janë mbyllur me kohë;
-Moszbatim i Ligjit të prokurimit;
- Auditimi i brendshëm duhet të përqendrohet në fushat e rrezikshmërisë së lartë;
-Menaxhimi i pasurisë nuk bëhet në bazë të UA 2005/11, të nxjerrë nga Departamenti i Thesarit.
Shpenzimet telefonike
- Telefoni fikse 32.137.82
- Telefoni roaming – mobil 24.879.42
- Mbushje për telefona 34.435.00
- Totali 91.452.24 euro.
Shpenzime të udhëtimit jashtë vendit: 33,709.84
Shpenzime për telefoni fikse: 32, 137.82,
Shpenzime për telefoni mobile: 59.556.92 euro
Furnizim me pajisje-kompjuter: 5.350.97 euro
Furnizimin për zyra, kompjuterë: 7.525.40
Rimbushje e parasë së imët: 6.936.83
Furnizime për zyrë: 50,633.21
Furnizimin me pije dhe ushqim: 21.123.00
Avanse për udhëtime zyrtare: 145.091.00
Mirëmbajtje dhe riparim i automjeteve 62.885.84.
"Ne kemi zbuluar shkelje serioze të Ligjit të prokurimit për të gjitha prokurimet që kemi rishikuar. Rrjedhimisht ne do të nxisim ZPK-në që të ndërmarrë veprime urgjente për të siguruar që kontrollet e saj të brendshme të jenë në përputhje me Ligjin e prokurimit. ”
ZAGJ
Krijoni Kontakt