Close
Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 68
  1. #1

    Bie mbështetja e Ramës në elektoratin socialist

    Bie mbështetja e Ramës në elektoratin socialist

    Nga L.Progni

    Edi Rama humbet mbështetjen në elektoratin partisë së tij. Një sondazh i para pak ditësh dëshmon se mbështetja e Ramës dhe politikës së tij në bazën e partisë ka rënë krahasuar me vjeshtën e vitit të shkuar. Brenda PS ka grupe të posaçme pune që merren me sondimin e bazës socialiste, por jo vetëm asaj. Ajo ka realizuar një kampionim dhe një sondazh të tillë. Ndërkohë, shkak për këtë rënie mendohet të jetë bashkëpunimi me mazhorancën që kryetari i PS, Edi Rama, vendosi të ketë që në pranverën e këtij viti. Ngjarja e rëndë e Gërdecit dhe pasojat e saj nuk u shfrytëzuan nga opozita, siç pritej nga baza e PS, dhe që këtu nis edhe pezmatimi i bazës së PS me kryetarin e tyre, Edi Rama. Burime pranë PS thanë se në vjeshtën e vitit 2007, Edi Rama kishte mbërritur të siguronte një mbështetje të gjerë në bazën e partisë, por, një vit më vonë, pikërisht këto ditë, një sondazh dëshmon se kjo mbështetje ka pësuar rënie të konsiderueshme dhe në bazë të sondazhit, fenomeni ka ndodhur për shkak të Gërdecit. Socialistët e bazës kërkojnë nga lideri i partisë dhe drejtues të tjerë të saj që të zhvillojnë një luftë të fortë politike me mazhorancën, gjë e cila hedh poshtë edhe fjalinë e përsëritur nga Rama: “Njerëzit janë mërzitur me gërr-vërret e politikës”. Në të vërtetë, baza e PS duket se është mërzitur së tepërmi nga dashuria opozitë-mazhorancë në gjashtë muajt e fundit.


    “Përtej së majtës dhe të djathtës”, parulla e gabuar përgjatë turit të zhvilluar në të gjithë vendin, “Dialog me Shqipërinë”


    Kryetari i PS, Edi Rama, ka përsëritur disa herë parullën “Përtej së majtës dhe të djathtës”, duke pretenduar se pranë PS do të angazhohen edhe anëtarë dhe simpatizantë të partive të tjera, madje edhe të djathtë. Ky slogan i Ramës rezulton të mos jetë mirëpritur nga baza e partisë, kryesisht nga militantet. Përpjekja e Ramës për të përfshirë në PS atë që quhet elektorati gri, është vlerësuar nga njerëzit pranë Ramës si një parullë jo shumë e favorshme për socialistët. Njerëzit pranë Ramës e kanë sugjeruar të mos e përsërisë shpesh “Përtej së majtës dhe së djathtës”, pasi jo vetëm që nuk përfiton elektorat gri, por humbet edhe nga elektorati i partisë, të cilët vazhdojnë të jenë fanatikë dhe gjithnjë të gatshëm për beteja politike me të djathtët.


    Lista


    Një tjetër arsye që ka ndikuar në rënien e mbështetjes së Ramës në bazën e partisë është edhe lista e njerëzve që Rama ka zgjedhur të ketë pranë në të ardhmen. Në këtë listë mungojnë emra të rëndësishëm të Partisë Socialiste, të cilët kanë kontribuar qysh në fillimet e saj, të paktën që në rithemelimin e kësaj partie në qershor të viti 1991, në momentin kur u ndryshua nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Në listën e Ramës mungojnë emra të spikatur të PS në 12 vitet e fundit, ish-ministra dhe ish-drejtues të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie. Në listën e Ramës përfshihen kryesisht emra të rinj të promovuar pak në politikë ose tërësisht të panjohur deri më tani. Andis Harasani, Taulant Balla, Arben Ahmetaj, Besnik Dervishi, Ylli Manjani, Ervin Qafmolla, Bledi Cuci, Damian Gjiknuri, Gjergj Teneqexhiu, Rezar Kola, Ervin Bushati, Arben Molla e të tjerë, janë emrat e zgjedhur prej Ramës si të besuar për të bashkëpunuar me bordin e ekspertëve të huaj në procesin e hartimit të programit të partisë. Të ndarë në fushat përkatëse, ata po punojnë për të përshtatur draftin e paraqitur nga ekspertët e huaj, të cilët po asistojnë PS prej disa muajsh. Në bord bëjnë pjesë figura të spikatura të partive të majta evropiane.

    Burimet pranë PS thanë se lista e publikuar edhe më parë në shtyp me emrat e rinj, të cilët po punojnë aktualisht me programin e partisë, do të jenë edhe stafi më i ngushtë i Ramës në të ardhmen në PS, por edhe në qeveri, në rast se PS fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


    “Të përjashtuarit”


    Në listën e emrave të zgjedhur për t’u angazhuar me çështje kryesore të politikës së PS, mungojnë figura të rëndësishme të kësaj partie përgjatë qeverisjes tetëvjeçare të saj. Veç Fatos Nanos e Petro Koçit, në listën e Ramës mungojnë Arben Malaj, Bashkim Fino, Ylli Bufi, Kastriot Islami, por edhe Arta Dade. Në listën e atyre që do të jenë jashtë vëmendjes së Ramës në përzgjedhjen e stafit të ri, qoftë listë kandidatësh për deputetë apo edhe qeveri, janë edhe të gjithë ata deputetë që mbështetën Nanon në lëvizjet politike kundër Ramës që prej 2005 dhe deri tani. Janë vetëm dhjetë deputetë aktualë, të cilët kanë të garantuar emrin në listën e rikandidimit dhe vendin e tyre pranë strukturave të larta drejtuese të partisë, por nuk kanë asgjë të garantuar në drejtim të posteve ministrore, në rast se PS fiton zgjedhjet, pasi kabineti qeveritar pritet të jetë i përbërë më shumë nga ekspertë të fushave përkatëse sesa deputetë.


    “Pengjet” e Ramës në grupin parlamentar, strategjia e hartimit të listës


    Dihet me siguri se në stafin e ngushtë të Ramës do të jetë Fatmir Xhafa, Gramoz Ruçi, por edhe Ben Blushi, megjithëse ky i fundit është parë gjithnjë si kërcënim për kryetarin Rama. Afër Ramës në PS apo qeveri do të jenë me siguri deputetët e rinj të kësaj partie, Taulant Balla, Andis Harasani, por edhe deputetët besnikë të Ramës, Marko Bello, Erion Braçe apo Alfred Dalipi. Të tjerët duhet të presin momentin kur kryetari i partisë vendos të shpallë zyrtarisht njerëzit që do të bëjnë stafin e kësaj partie në grupin e ardhshëm parlamentar, në listën e kandidatëve për deputetë. Lidhur me këtë çështje, burimet thanë se Rama ka vendosur të mbajë sekret listën e kandidatëve për deputetë deri në kufijtë e kohës kur nevojitet paraqitja e listës zyrtarisht. Kjo, për shkak se deputetët aktualë nuk do të kenë kohë të punojnë kundër Ramës gjatë fushatës dhe se mbetet vetëm një muaj kohë, kur dhe është muaji zyrtar i fushatës, për të vendosur t’i bashkohen një grupimi tjetër politik. Publikimi në këtë moment i listës së kandidatëve e bën të vështirë largimin nga PS drejt një formacioni tjetër politik, pasi duket qartë se largimi nga kjo parti bëhet vetëm për interesa personale dhe jo parimore. Për pasojë, Rama mban “të burgosur” të gjithë ata që sot dhe në vazhdim do të jenë të pasigurt për të ardhmen e tyre në PS, dhe që ende nuk besojnë se ekziston mundësia që ata të mos jenë më kandidatë për deputetë të PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


    Partia e re e Petro Koçit, pasojat dhe kthimi i mundshëm i Nanos


    Ata që kanë kuptuar se në PS nuk kanë më të ardhme, kanë nisur negociatat me partinë më të re, që pritet të zyrtarizohet së shpejti, dhe që do të quhet Partia e Vërtetë Socialiste dhe që do të drejtohet nga deputeti socialist Petro Koçi. Burime pranë grupit të deputetëve socialistë thanë dje se Koçi ka marrë kontakte me disa deputetë socialistë, të cilët janë të bindur se nuk janë të zgjedhurit e Ramës për të qenë në ekipin e ardhshëm të deputetëve të kësaj partie. Nuk ka ende të dhëna, nëse dikush prej këtyre deputetëve ka marrë vendim të mbetet në grupin e PS apo t’i bashkohet koalicionit të ri “E Majta për Integrim”, në të cilin është përfshirë ditët e fundit edhe Koçi, i cili së shpejti do të shpallë themelimin e partisë së re që do dalë nga PS. Nga ana tjetër, kryetari i PS, Edi Rama, ka marrë kontakte me ish-krerët e PS në të gjitha rrethet, të cilët u larguan nga detyra pas zgjedhjeve në PS sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Këta socialistë janë parë nga Rama si kontigjent i mundshëm kundërshtarësh të Ramës në zgjedhjet e vitit 2009, dhe për këtë arsye ai i ka ftuar ata në takim për t’iu afruar mundësi të reja në radhët e PS. Me të njëjtët individë ka patur kontakte edhe Petro Koçi. Kjo kategori ish-zyrtarësh socialistë i përket pikërisht shtresës së mbështetësve të ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, dhe duket që Rama e ka të vështirë të marrë mbështetjen e tyre.

    Jemi në nisje të një viti zgjedhor, ku pritet të zhvillohet një beteje e ashpër politike jo vetëm ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda përbrenda kësaj të fundit. Marrëdhëniet ndërmjet PS dhe LSI po acarohen dita ditës, ndërsa brenda PS janë shfaqur shenjat e kthimit të luftës ndërmjet mbështetësve të Ramës dhe Nanos, luftë e cila kishte pushuar për disa muajsh, që kur Nano la në baltë lëvizjen e Petro Koçit në një miting në Fier. Në këtë situatë, kur opozita duket e shpartalluar, bashkimi i së majtës duket i pamundur dhe për rrjedhojë, rrugës së opozitës drejt fitores së zgjedhjeve të 2009 i shtohen pengesa të mëdha.

    Gazeta Tema


    Nese arrin ta transformoje Partine e 1942 ne nje parti tipike europiane dhe me nje program socialdemokrat, kjo ka per te qene nje arritje e te gjithe politikes shqiptare.

    Sic duket kostoja e kesaj reforme do te jete e larte, por ja vlen, sepse aty ka me te vertete vend per "shock therapy".

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-08-2002
    Vendndodhja
    N.Y.
    Postime
    660
    Jo mo nuk ka mundesi> Duhet te jete gabim. Rama eshte udheheqesi legjendar i ps......Po e con ps nga fitorja ne fitorje.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e OO7
    Anëtarësuar
    07-12-2004
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    3,823
    Citim Postuar më parë nga beni67 Lexo Postimin
    Jo mo nuk ka mundesi> Duhet te jete gabim. Rama eshte udheheqesi legjendar i ps......Po e con ps nga fitorja ne fitorje.
    Rama nuk ka bere akoma garen qe te arij ne fitore (pervec bashkise). Vitin tjeter jan zgjedhjet edhe te shohim.

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-08-2002
    Vendndodhja
    N.Y.
    Postime
    660
    Po po ke te drejte 007, vitin tjeter qenkan. E kisha harru. Po ca ps ista ( ramista ) ketu ne forum i kane thurre kaq shume lavde........

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    haha sa e bukur kjo doli me ne fund sa shume e duan edvinin , ore edvini i ka te humbur zgjedhjet te sigurta nuk e le Meta me Petron Kocin kete te fitoje tani doli qe nuk e duan me as socialistet .

  6. #6
    Obama dhe ne te mbeturit pa liri

    Andrea Stefani

    Nuk është rastësi që edhe sot e kësaj dite Shqipëria mbetet një shtet pa liri, ose me regjim hibrid dhe prandaj edhe i varfër. Është një traditë e vjetër politike në Shqipëri që këmbëngul dhe që nuk e ka pasur kurrë në zemër lirinë. Liderët, politikanët e kanë himnizuar lirinë me fjalë, por e kanë varrosur me vepra. Shkurt, kanë punuar kundër saj. Kështu ka bërë Enveri dhe kështu kanë bërë e po bëjnë Alitë, Berishët, Nanot dhe së fundmi edhe Ramët. Epoka të ndryshme ju kanë imponuar mjete të ndryshme sundimi, por që kanë pasur një viktimë të përbashkët, lirinë. Dhe bashkë me të, edhe drejtësinë. Ndërkaq, nuk është aspak rastësi që SHBA, të cilat sapo përuruan Presidentin e ri, Barak Obama, janë sot shteti më i fuqishëm dhe shpresa e mbarë botës kundër krizave dhe çdo të keqeje. Forca e Amerikës qëndron te populli i saj i bashkuar që në lindje, rreth idealit të lirisë dhe drejtësisë.


    ***

    Sot jo vetëm Amerika, por i gjithë globi po rënkon nga kriza, luftëra dhe konflikte. Sfidat janë shumë të mëdha. Por Presidenti Obama rrezatoi besim dhe shpresë se ato do të përballen me sukses mbi të gjitha, në sajë të rikthimit me vendosmëri të qytetarëve dhe politikës tek ato vlera të përjetshme "që nuk njohin kohë", te puna dhe ndershmëria, kurajoja dhe drejtësia, toleranca dhe kureshtja, besnikëria dhe patriotizmi. Këto vlera, që kanë qenë forca e cila ka nxitur përparimin e SHBA gjatë historisë, do të përballen me "lakminë dhe etjen e papërmbajtur për fitim", që është kryerrënja e krizës së sotme ekonomike. Obama i bëri thirrje Amerikës të bashkohet rreth këtyre vlerave, që janë ato mbi të cilat themelohet liria e bashkë me të drejtësia, barazia dhe lumturia e të gjithë individëve.

    Por çfarë thërrasin liderët tanë dhe ca më keq edhe ata që kanë dalë me premtimin e një "politike të re"? Të gjithë thërrasin bashkim. Berisha thërret bashkim rreth një politike "të premtimeve false, justifikimeve dhe demagogjisë së demoduar", bashkim rreth një qeverisjeje që premtoi punë dhe ofroi papunësi, që premtoi dritë dhe ofroi errësirë, që premtoi liri dhe ofroi nënshtrim për shumë shqiptarë.


    ***

    Edhe lideri i partisë më të madhe të opozitës, Rama, thërret bashkim, duke u betuar se qëllimet e tij janë si ato të Obamës. Do të donim të qe kështu, por mjerisht nuk është, sepse ylli polar i Presidentit Obama, i politikës dhe qeverisjes së tij duket që larg se është liria dhe demokracia. Obama bën thirrje për bashkim të të gjithëve rreth vlerave dhe institucioneve të lirisë që ushqejnë demokracinë, ndërsa Rama po bën thirrje për një bashkim demagogjik populist, tej së majtës dhe të djathtës, tej pluralizmit, tej demokracisë. Në kohë tepër të vështira jo vetëm për Amerikën, por edhe për tërë Perëndimin, në kohën e luftës kundër terrorizmit global, në kohën kur liderë dhe shtete kanë pranuar të sakrifikojnë standardet e lirisë në emër të luftës kundër terrorit, Obama i rikthehet me guxim lirisë dhe forcës së pamposhtur që ajo gjeneron. Për Obamën, mbrojtja dhe siguria nuk janë në raport të zhdrejtë me lirinë, por në raport komplementar. "Hedhim poshtë si false zgjedhjen mes sigurisë dhe idealeve tona", tha Obama. Dhe për këtë Rama e quajti "udhërrëfyesi i ri i botës së lirë". Por mjerisht vetëm me fjalë. Se me vepra i largohet Obamës dhe shembullit të tij. Sepse edhe në Shqipëri ka kohë që ngrihet dilema e zgjedhjes mes sigurisë apo "stabilitetit" nga njëra anë dhe lirisë në anën tjetër. Klasa politike që e ka diskredituar lirinë duke e shndërruar në kaos, kërkon ta sakrifikojë lirinë në altarin e "stabilitetit". Lidershipi i saj më i lartë bëri gabimin e pafalshëm historik të zgjedhë "stabilitetin" në kurriz të lirisë. Ndryshimi arrogant dhe i paprecedent i Kushtetutës nga Rama dhe Berisha, ndryshim që cenoi rëndë atë ndarje pushtetesh që mban gjallë lirinë, është prova më elokuente e kësaj zgjedhjeje tmerrësisht të gabuar dhe kundërliri, një zgjedhje që i ka vënë ata në anën e gabuar të historisë. Rama dhe Berisha bënë pikërisht atë që Obama kritikon. Për përfitime të çastit, hoqën dorë nga idealet e lirisë që hedhin dritë mbi botën. Sepse vërtet sikundër deklaron Rama "pas një epoke ndryshimesh po ndryshojmë epokë", por kjo që po vjen nuk ka për të qenë kurrë epoka e autoritarizmit.


    ***

    E megjithatë, a ka një shpresë, a ka një shpëtim për shqiptarët nga një politikë që këmbëngul te sundimi, nga një politikë e korruptuar që nuk mund ta ketë për zemër lirinë, sepse liria është drejtësi? Po ka. Ai është populli i bashkuar jo rreth liderëve demagogë dhe tej pluralizmit, por i bashkuar rreth kryevlerës universale të lirisë. Është një shpëtim i mundur por i vështirë. Sepse populli duhet të bashkohet rreth punës, por qeverisjet e dënojnë me papunësi; duhet të ngrihet me kurajë, por politika i injekton frikë; duhet të gjejë drejtësi, por ndesh në dhunën e padrejtësisë së pushteteve të korruptuara që s‘dinë të përmbahen; duhet të frymëzohet nga toleranca, por liderët mburravecë e mëkojnë me fanatizëm. Po përsëri ka një shpëtim nga politikat e vjetra dhe të reja të demagogjisë dhe mashtrimit. Kjo do të ndodhë nëse shqiptarët do të guxojnë të ndryshojnë në këtë botë që po ndryshon, nëse do të guxojnë të shndërrohen nga shtetas të përulur në qytetarë që marrin mbi vete përgjegjësi në këtë "epokë përgjegjësish". Padyshim është e vështirë dhe kërcënuese. Prapa dyerve të apartamentit apo biznesit, përgjon hakmarrja e pushteteve të korruptuara, mllefi dhe dhuna e padrejtësisë. Por që të bëhesh i lirë duhet të përballesh me to duke marrë në sy edhe kostot, edhe humbjet. Kjo përballje me kërcënimet e të keqes, kjo mposhtje e frikës që na bën të heshtim ndaj dhunës dhe padrejtësive, është sprova dhe çmimi i lirisë. Njeriu e merr në sy këtë çmim vetëm kur liria bëhet për të një nevojë thelbësore dhe atëherë kjo nevojë nuk mund të mos kthehet në kurajë. Dhe liria nuk është një nevojë për njerëzit, sa kohë që ata mbeten skllevër. Ndaj liria nuk do të vijë kurrë (dhe as drejtësia e begatia të lidhura me të), nëse shqiptarët të mbyllur në guaskat e tyre do të presin t‘ua sjellë politika e re apo lideri i ri, Mesia i ri. Por liria do na bekojë me mirësi e begati vetëm nëse, sikundër tha Obama, kuptojmë se të gjithë ne dhe jo vetëm liderët, "kemi detyrime ndaj vetvetes, ndaj vendit, ndaj botës, që ne nuk i pranojmë me ngurrim, por i marrim përsipër me kënaqësi, të bindur se asgjë nuk kënaq më shumë shpirtin, asgjë nuk i jep më shumë formë karakterit, sesa përmbushja pa rezerva e një misioni të vështirë".

    shqip


    Z.Stefani dhe gjithe liberalo-majtistet qe shkruajne ne te perditshmen Shqip, qe eshte dhe streha e tyre vorfnore, paskan pas besuar se Obama=Rama?!
    Eshte budallallek tipik shqiptaresh te shekullit te 21-te, qe arrijne te bejne krahasime te tilla, krejtesisht te pakrahasueshme.
    Obama nje politikan i dale nga Harvardi dhe i formuar nga demokracia amerikane, nuk mundet e as qe duhet marre guximi qe te krahasohet me nje ish-sportist gallof dhe me nje piktor qe ngjyen me penele vetem fasada te perdala dhe shkarravit mbi shkresa te nje zyre, celesat e se ciles ngjajne me kullen e barit te Selim Myrtes ( shprehje qe ai e ka per zemer ) dhe te nje gjojapolitikani te dale nga kompromise te nendheshme te atyre qe drejtojne ne prapaskene partine vetem me emer te ndryshuar te nomenklatures komuniste dhe te pinjolleve te tyre.
    Lirine e garanton nje sistem demokratik, nje shtet ligjor, nje ekonomi funksionale tregu dhe nje ndarje ligjore e pushteteve dhe aspak fjalet e Berishes e aq me pak te Rames, Metes, apo Nanos.
    Ne duhet te ndertojme sistemin dhe jo te krijojme kulte apo me keq te perpiqemi te klonojme Rama permes ideve te presidentit Obama.
    Ne "shqiptaret" jemi pikerisht pa liri te plote sepse e mendojme ende ate si nje dhurate qe do te duhej te na behej nga dikush, qofte ai Obama e aq me pak qofte nje Rama dhe nuk e pyesim veten se sa jam une i lire si individ dhe cfare duhet te bej une (pervec shkrimeve ne gazeta) per veten time dhe per te gjithe shoqerine.
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 23-01-2009 më 15:16

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Halebi: Shalsi mashtroi për punimet në rrugën “Don Bosko”


    Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 9 në kryeqytet, Armond Halebi, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i cili tha se investimet në rrugën “Don Bosko” kanë mbetur peng si rezultat i mosaprovimit të buxhetit. Halebi tha se deklarata e Shalsit është një mashtrim, sepse investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008 dhe ende nuk është realizuar nga Bashkia e Tiranës. “Jemi këtu me banorët e Bllokut 51, në rrugën “Don Bosko”, të cilët janë mbledhur të shqetësuar nga deklarata e djeshme e nënkryetarit të Bashkisë, i cili tërthorazi kërcënoi me cinizëm ndërprerjen e punimeve të cilat kanë filluar dy javë më parë. E vërteta është se investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008, i cili nuk është realizuar dhe nuk ka lidhje me miratimin ose jo të buxhetit 2009. Për këtë arsye, nënkryetari i Bashkisë nuk mund të mashtrojë opinionin publik dhe komunitetin e këtij blloku se vazhdimi i punimeve kushtëzohet nga miratimi i buxhetit 2009. Ne do të insistojmë gjithashtu në realizimin me cilësi të objekteve për të mos pasur më shembuj si ai i bulevardit "Zogu I", ku gjatë verës qytetarët i mbyt pluhuri dhe në shi kërcejnë pllakat”, - tha Halebi.

    26 Janar 2009
    gazeta albania

  8. #8
    Emathia Maska e MaDaBeR
    Anëtarësuar
    20-05-2003
    Vendndodhja
    Në çdo vend ku ka jetë
    Postime
    5,321
    Eshte mese normale qe mbeshtetja e Rames ne elektoratin e majte ka rene. Arsyet jane shume te thjeshta dhe kushdo mund t'i identifikoje, perveç kryelartesise e krenarise se tepruar te Edvinit dhe maçokeve te tij qe derdellisin perralla me mbrem çdo dite.

    1- Perçarja e Opozites eshte faktori kryesor qe elektorati ka humbur besimin tek ky person. Edi Rama nuk mbajti premtimet qe i dha elektoratit ne zgjedhjet vendore, ku i garantoi te gjithe te majtet se nuk do te kishte me perçarje mes opozites. Ai hodhi tutje Meten pas zgjedhjeve duke e quajtur si karte te djegur tashme, sepse kodi elektoral nuk i mundeson Metes fitore ne zgjedhjet e ardheshme.

    2- Drejtimi i keq i Partise Socialiste eshte nje tjeter shkak qe Edvini ka humbur mbeshtetjen nga elektorati i majte. Ai nuk diti se si te menaxhoje situaten paszgjedhore ne parti. Nuk diti te mbaje afer tij figurat me te njohura te PS si Pandeli Majko etj, por afroi femijet e bashkise te gjithe ne parti, duke e kthyer keshtu PS ne nje parti diletantesh. Zeri kryesor ne partine e tij eshte Erion Braçe, qe kur del ne televizor, mua personalisht me duket si ndonje femije i kopshteve te Tiranes. Gjithashtu, eshte dhe Mimi Kodheli nje nga zerat kryesor te PS, por dhe ajo, ne daljet publike risjell vetem ato qe Rama ka thene me perpara. Gjithashtu, ai ka 3 vjet qe eshte kryetari i partise me te madhe opozitare ne vend, dhe akoma nuk ka nje strategji te sakte se si do te manovroje ne fushaten elektorale per te fituar zgjedhjet, e sikur te mos mjaftonte kjo, ai akoma nuk ka nje program qeverises.

    Keto jane dhe dy shkaqet kryesore per mendimin tim perse Edvin Rama nuk gezon me nje mbeshtetje ashtu si me perpara. Keshtu e ka shume shume te veshtire per te mos thene te pamundur qe te fitoje zgjedhjet qe po afrojne dita dites.
    Për inad të Djallit dhe Shqyptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më kambë me nder e me lumni

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Barlet23
    Anëtarësuar
    31-10-2005
    Vendndodhja
    ke Ura Tabakve
    Postime
    214
    Normal, te rrish gjithe diten duke mbjell ndonje peme dhe te dalesh ne tv sikur ke bo ndonje heroizem .. cfare prisni?

  10. #10
    POLITIKË
    Olldashi: Bashkia nuk e realizon dot Unazën e Madhe


    31-01-2009 / Gazeta 55Olldashi: Bashkia nuk e realizon dot Unazën e Madhe

    Ministri i Transporteve Sokol Olldashi i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës për të kthyer përgjigje për dorëzimin e projektit të Unazës së Madhe. "Bashkia të mos gënjejë qytetarët, ajo nuk është e aftë që të realizojë këtë projekt pasi nuk ka fonde", është shprehur minstri Olldashi. Para disa kohësh në prezantimin e këtij projekti Bashkia e Tiranës ka deklaruar se 20-të milionë dollarë do të merren kredi nga Banka Europiane për Zhvillim . "Përfundimi i Unazës së Madhe nga bashkia parashikohet të përfundojë në vitin 2011-të, gjë të cilën institucioni që unë përfaqësoj do ta realizojë më shpejt", ka shtuar Olldashi. Rreth një muaj më parë ministri Sokol Olldashi ka dërguar një letër në Bashkinë e Tiranës ku ka kërkuar dorëzimin e projektit të Unazës së Madhe, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.



    55

Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. K. Frasheri: Ismail Kadare, i subvencionuari i diktaturës
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 130
    Postimi i Fundit: 16-10-2011, 08:32
  2. Shkrimtari shqiptar në metropolin socialist të viteve ’60.
    Nga Arrnubi në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-06-2006, 03:33
  3. Mbështetja për Integrimin bie me 10 përqind
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-12-2004, 08:31
  4. “homo socialisticus” - Arti i Realizmit Socialist
    Nga Eni në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-08-2003, 16:35

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •