Të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë në Kosovë!
Lejimi i zgjedhjeve parlamentare serbe sipas qejfeve të çiftligarëve feudalë të administratës së UNMIK-ut në Kosovë, paraqet dëshminë më të mirë se domethënia e statusit të "pavarësisë së mbikëqyrur," nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimi i "viteve të arta" të autonomisë.
Pas 17 shkurtit, Kosova ka vazhduar të administrohet nga OKB-ja dhe në shtim i ka ardhur edhe një zot tjetër: misioni i sundimit dhe aspak të ligjit (ndërkombëtar, jo sllavo-antishqiptar), EULEX. Prej të dy padronëve ndërkombëtarë, UNMIK-u merret me përpjekjet për të ruajtur "de facto" sovranitetin e Serbisë në Kosovë, edhe pse "de jure" e ka humbur.
Lidhur me problemin e zgjedhjeve, logjika pro-serbe e UNMIK-ut konsideron se, edhe pse në nivel lokal, Serbia nuk mund të mbajë zgjedhjet sepse kjo do të paraqiste "shkelje të rezolutës 1244 të KS të Këshillit të Sigurimit" (
www.lajmet.com, 9 prill 2008), "zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen," siç ka dëftuar zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm. (
www.lajme.net, 11 prill 2008).
Vet ngjitja e termave "pavarësi" me "e mbikëqyrur," është jo logjike, jo normale dhe paradoksale. Nëse je "i pavarur" dhe "i lirë," por dikush të "mbikëqyr" në çdo hap dhe të korrigjon në çdo sjellje që ke duke e ndryshuar me "absolutizëm," kjo nuk do të thotë as liri, as pavarësi në veprim. Rezoluta 1244 parashikon autonomi të zgjeruar për Kosovën në kuadrin e Serbisë. Fakti se Kosovës iu pranua statusi i "pavarësisë së mbikëqyrur" edhe që ajo vazhdon të ketë "ligj absolut" rezolutën 1244, do të thotë se kjo "pavarësi e mbikëqyrur" nuk është diçka tjetër, por autonomi e zgjeruar.
Pra, Kosova nuk është as shtet, as e pavarur, as sovrane, por protektorat UNMIK-EULEX, ku Serbia e fut bishtin me "buzëqeshjet e sinqerta" ndërkombëtare. Pranimi i zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë do të thotë inkuadrimi i saj në sistemin politik çetnik antishqiptar të Serbisë dhe dritën e gjelbër për ndarjen e Kosovës nga ana e UNMIK-ut. Nuk mund të interpretohet njësoj si në rastet kur në një vend mbahen zgjedhje dhe në vendet e tjera ambasadat hapin kutitë e votimit për nënshtetasit e vet, sepse Beogradi nuk e ka njohur Kosovën si shtet, ka qëndrim armiqësor nacionalist agresiv, duke kërkuar rikolonizimin e saj të drejtpërdrejt.
Ky nuk është gjesti i parë i favorizimit të Serbisë nga ana e UNMIK-ut, pas "shpalljes së pavarësisë." Në thirrjet e të ashtuquajturit "ministër serb për Kosovën," Sllobodan Samarziç, UNMIK ka zbatuar urdhrin e tij për lirimin e kriminelëve serbë me 17 mars 2008 dhe nuk ka penguar vizitat e radikalit serb Tomislav Nikoliç në Graçanicë.
Nga kjo shihet se UNMIK-u punon vetëm për Serbinë, mendon vetëm për Serbinë, por, nëse administrata ndërkombëtare ka pranuar zgjedhjet e shtet tjetër në Kosovën e pavarur, atëherë duhet të pranojë mbajtjen edhe të zgjedhjeve të Shqipërisë në Kosovë për të gjithë ata shqiptarë që "i harron" dhe nuk i përmendi aspak "mendja e ndritur" Ahtisari në planin e tij.
Dhe gjithashtu, nëse administrata ndërkombëtare e zbaton pakon Ahtisari në Kosovë, duhet ta zbatojë edhe në Serbi, në IRJM dhe Malin e Zi.
Ndryshe do të mund lirisht të konkludojmë se në fakt përdor dy sisteme matjeje të veprimeve politike, njëri më gjerë për serbët dhe Serbinë dhe tjetri shumë më i shkurtër për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Krijoni Kontakt