Raporti i Bankës Botërore: Po i varfëron rritja e çmimeve
Nëse çmimet do të rriten edhe më shumë, shtresa e mesme e shoqërisë shqiptare rrezikon të ulet në kufirin e varfërisë. Do të shtohet numri i të varfërve, ndërsa ata që aktualisht ndodhen në kufirin e varfërisë do të bëhen edhe më të varfër.
Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, shqiptarët që jetojnë nën minimumin jetik, shpenzojnë 50 dollarë në muaj, e kaluar kjo vlerë në lekë, do të thotë se secili shpenzon çdo muaj rreth 45 mijë lekë të vjetra. Mesatarisht çdo ditë shpenzohen më shumë se 1.5 dollarë në ditë. Dje, në një takim, përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri kanë referuar se sipas matjes së standardeve të jetesës, kemi një ulje të varfërisë, rritje të nivelit të jetesës. Por nga ana tjetër, nëse do të kemi rritje të çmimeve të herëpashershme, kjo do të rrezikonte shtimin e të varfërve, duke bërë që shtresa e mesme të kalojë shumë pranë të varfërve. Rrjedhimisht nga kjo, të varfrit do të kalojnë në shtresën e shumë të varfërve.
Sipas specialistëve, vlerësimi i varfërisë është shumë i komplikuar, megjithatë me anë të metodologjisë së përcaktuar qartë, matja e mirëqenies, konsumi dhe elementë të tjerë, arrijnë të përcaktojnë të dhënat e përgjithshme. Kufiri i varfërisë identifikon ata që janë të varfër, por nuk tregon se sa të varfër janë ata në të vërtetë.
Rritja e çmimeve
Vala e rritjes së çmimeve mund të ketë pasoja në rritjen e varfërisë. Kriza botore e ushqimeve, që ka prekur edhe Shqipërinë, mund të ketë pasoja më të rënda, dhe sipas BB-së, rritja e çmimeve paralajmëron rritjen e varfërisë. Sipas profesorit italian të Universitetit të Torinos, Paolo Verme, ka një shtresë të mesme të shoqërisë, që ndodhet sipër kufirit ndarës të varfërisë, por kriza e ushqimeve mund t‘i çojë ata shumë pranë këtij kufiri. Nga ana tjetër, përdorimi i drithërave për energji, ka sjellë edhe rritjen e çmimit të tyre në tregjet ndërkombëtare. Në të gjithë botën po rriten çmimi i bukës, produkti kryesor në tryezat e shqiptarëve. Por sa të rrezikuar janë shqiptarët nga kjo rritje, kryeekonomisti i Bankës Botërore, Andrew Dabalen shpjegon se: "Shqipëria është një vend me konsum të lartë të drithërave dhe kjo krizë çmimesh, që duhet theksuar që është ndërkombëtare dhe nuk mund të parandalohet, do të prekë edhe shqiptarët. Ajo që duhet të shohim është se cila do të jetë masa e prekjes dhe cila është pesha e këtyre produkteve në konsumin e përditshëm.
Roli emigrantëve
Raporti i fundit i Bankës Botërore referon se niveli i varfërisë në Shqipëri, krahasuar me vitet e mëparshme, është ulur, po ashtu edhe niveli i jetesës është rritur. Por për këtë qëndrueshmëri ekonomike merita të mëdha kanë emigrantët. Dy në tre emigrantë u dërgojnë të ardhura të afërmve të tyre, por sipas BB-së vërehen rritje të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave.
Sakaq, plot 550 mijë persona në vendin tonë jetojnë në varfëri ekstreme. Shifrat janë bërë publike nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kjo do të thotë se 16.9 për qind e popullsisë jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë për frymë, çka nuk plotëson nevojat më minimale të tyre. Dy ditë më parë, kreu i Sindikatës së Pensionistëve deklaroi se "më shumë se 87 mijë pensionistë shpenzojnë 1.5 dollarë në ditë". Rritja e çmimeve në përgjithësi, rritja e çmimit të bukës dhe energjisë elektrike dhe moskompensimi i duhur nga ana e qeverisë, ka rritur shkallën e varfërisë në moshat e treta.
Të ardhurat nga emigrantët, 947 milionë euro
Transfertat korente si çdo vit marrin formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Gjatë vitit 2007 janë vlerësuar në nivelin 947 milionë euro (me një rritje të lehtë vjetore prej 1.3 për qind) ose 12 për qind e PBB-së. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 44 për qind, me një rënie me 11 pikë përqindjeje kundrejt vitit të kaluar. Prurjet nga emigrantët janë shoqëruar edhe nga transferta të tjera private dhe shtetërore, duke regjistruar 1 miliard euro transferta neto për vitin 2007.
Krijoni Kontakt