Argumenti për një përkthim "kosovar" është i pavend dhe ofendues ndaj akademikëve shqiptarë të Kosovës. Ekipi i QEP përbëhet nga gjuhëtarë dhe profesionistë të teknologjisë të cilët janë në gjendje të dallojnë gjuhën e shkruar letrare nga ajo e folur nëpër rrugët e qyteteve ku banojnë. Ky është i njëjti ekip që ka nxjerrë edhe softuere të tjera për gjuhën shqipe si Fjalori Drejtshkrimor, Fjalori Elektronik Shpjegues, dhe Fjalor i Termave të Informatikës. Vetë larmia e softuereve e projekteve të realizuar nga QEP tregojnë se ata janë serioz dhe të përkushtuar për punën që bëjnë.
Sa lehtë e hidhni poshtë këtë punë të madhe duke gjetur dy-tre fjalë që nuk përshtaten në sytë tuaj. Fjalën kabllovik nuk e kam parë në Windows Vista, ajo është vetëm në faqen e Microsoft-it, autori i së cilës nuk njihet, por nuk besoj të jetë QEP mbaj mend që ka pasur edhe gabime të tjerë më parë.
Fjala qasje duket se është përkthim i fjalës access dhe shprehja "Lejo qasjen në largësi" është përkthim i "Allow Remote Access". Meqenëse u vritka veshin ky përkthim, si do e përkthenit ju më mirë? Lejo afrimin në largësi? Lejo lidhjet në largësi?
Nëse merrni një të afërmin tuaj që s'di anglisht dhe s'ka përdorur kompjuterin më parë, cilën do kuptojë më mirë: "Lejo qasjen në largësi" apo "Allow Remote Access"?
Unë s'jam gjuhëtar, por kam respekt për punën e kryer sepse kanë gjetur dhe përshtatur fjalët ekzistuese pa humbur kuptimin.
Mendohuni pak për fjalët angleze/amerikane që u duken si të përkryera. Shumë terma të informatikës në anglisht kanë lindur nga fjalë popullore (jo letrare):
- mouse është përshtatur nga miu
- button nga kopsa
- tree (në programim) nga pema
- heap (ne programim) nga kapica/stiva
- dictionary (ne programim) nga fjalorët
- web nga rrjeta e merimangave
- manager nga drejtorët e bizneseve
- laptop përbërë nga lap (prehër) dhe top (mbi)
- desktop përbërë nga desk (tryezë) dhe top (mbi)
- motherboard përbërë nga mother (nënë) dhe board (pllakë)
- hack nga sharroj
- crack nga thyej
- log in/out nga tra
- home (faqja e hapjes në Internet) nga shtëpi
- driver nga shoferi
Të gjitha fjalët e mësipërme janë fjalë popullore që janë përshtatur po nga populli për informatikën. Prandaj, nëse për ju tingëllojnë keq përkthimet në shqip, ju siguroj se edhe për amerikanët kanë tingëlluar po aq keq kur i kanë përdorur për herë të parë në kontekstin e informatikës. Nëse ju vritet veshi nga fjala "pllaka mëmë", edhe për amerikanët ka vrarë veshin fjala "motherboard". Kur në fjalorin anglisht të informatikës gjenden kaq shumë fjalë popullore, është e normale që edhe në fjalorin shqip të informatikës të kemi fjalë popullore. Amerikanët kanë 20-30 vjet që i kanë vënë në përdorim fjalët dhe nuk u bëjnë më përshtypje sepse kane hyrë në përdorim të përditshëm, në libra, faqe Interneti, e kudo. E njëjta gjë do ndodhë edhe me fjalët shqip të informatikës dhe pas 20-30 vjetësh, fjalët e zgjedhur nga QEP tani do duken mëse të përshtatshme.
Nëse i mendoni këto më lart dhe e mirëprisni ndryshimin e Windows Vista në gjuhën shqipe, pas tre-katër javësh përkthimet do ju duken po aq të natyrshme sa ç'ju duket Windows-i në anglisht.
Krijoni Kontakt