Mund të cilësohet si një nga zbulimet më të bujshme të policisë së Tiranës. Tetë deputetë kanë të regjistruar numrat e celularëve në aparatet që dispononin tre të arrestuarit e dy ditëve më parë, të akuzuar për trafik kokaine. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta nga policia e Tiranës, të cilat shtojnë se tashmë do të vijohet me procedurat e tjera për të vërtetuar nëse ekzistojnë lidhje të politikanëve apo jo. Gjithçka është zbuluar pasi janë verifikuar aparatet celulare të Alfred Miles, Vullnet Smakajt dhe Artur Dokës. Dhe, rezultoi se ata kishin të regjistruar numrat e tetë deputetëve. Agjentët e policisë natyrisht nuk japin emrat e tyre, porse konfirmojnë se do të vijojnë me procedurat e tjera. Kryesorja do të jetë të vërtetohet nëse ata kanë lidhje reale me deputetët. Natyrisht mbrojtja që deputetët mund të bëjnë është se nuk do të thotë domosdoshmërish se regjistrimi i një numri do të thotë se ekzistojnë lidhje. Porse një gjë e tillë do të verifikohet.
Arrestimi i trafikantëve
Antidroga e Tiranës ka arrestuar në flagrancë tre persona, të cilët kishin ngritur një laborator droge në një apartament pranë shkollës “Vasil Shanto”. Operacioni i koduar “Aksesorët” ka përfunduar me ndalimin e Alfred Miles, 30 vjeç; Artur Dokës, 43 vjeç dhe Vullnet Shaqirit 35 vjeç; të tre nga Tirana. Arrestimi i tyre është bërë në momentin që po përgatisnin lëndën narkotike. Sasia e drogës është rreth 780 gramë dhe dyshohet të jetë e tipit kokainë. Ndërkohë janë sekuestruar edhe 15 litra aceton, dy peshore elektronike si dhe mjete të tjera që shërbejnë në një laborator droge. Të tre të arrestuarit janë dërguar më pas në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe materialet e tyre i kanë kaluar për hetim të mëtejshëm prokurorisë së kryeqytetit.
Adoleshenti që zbuloi laboratorin e drogës
Laboratori i kokainës në kryeqytet është zbuluar nga ndalimi i një 18-vjeçari dy muaj më parë, i cili ishte kapur me një cigare hashash. Ai për të justifikuar veten, duke thënë që ishte vetëm përdorues, ka përmendur edhe disa emra, që sipas tij merreshin me prodhim dhe tregtim drogash të ndryshme. Mes emrave që ka përmendur adoleshenti ka qenë edhe emri i njërit prej të arrestuarve. Agjentët e Antidrogës së kryeqytetit e kanë përdorur 18-vjeçarin si karrem për të kapur prodhuesit e drogës. Ata e kanë ndjekur djalin në kohën kur ky do të blinte një dozë kokainë dhe në momentin që është takuar me personin që do ja shiste, policët e kanë fotografuar. Në këtë formë kanë nisur hetimet deri sa ata janë kapur në flagrancë, në një apartament pranë shkollës “Vasil Shanto”, të cilin e kishin shndërruar në një laborator kokaine.
FAKTE NGA NGJARJA
Policia arrestoi ditën e dielë Alfred Milen, Vullnet Smakajn dhe Artur Dokën, me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike
Arrestimi i tyre është bërë në momentin që po përgatisnin lëndën narkotike, 780 gramë, e cila dyshohet të jetë kokainë
Për herë të parë zbulohet Shqipëri një laborator që prodhonte kokainë
Laboratori u zbulua në një apartament në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në kryeqytet
Për zbulimin e laboratorit ndihmoi ndalimi rreth dy muaj më parë i një adoleshenti, i cili ishte kapur me një cigare hashash
Ai për të justifikuar veten, duke thënë që ishte vetëm përdorues, ka përmendur edhe disa emra, që sipas tij merreshin me prodhim dhe tregtim drogash të ndryshme
Mes emrave që ka përmendur adoleshenti ka qenë edhe emri i njërit prej të arrestuarve
Agjentët e Antidrogës së kryeqytetit e kanë përdorur 18-vjeçarin si karrem për të kapur prodhuesit e drogës
Ata e kanë ndjekur djalin në kohën kur ky do të blinte një dozë kokainë dhe në momentin që është takuar me personin që do ja shiste, policët e kanë fotografuar
Pasi janë verifikuar aparatet celëulare të Alfred Miles, Vullnet Smakajt dhe Artur Dokës, janë zbuluar të regjistruar në ta numrat e 8 deputetëve
Agjentët e policisë nuk kanë dhënë emrat e deputetëve, porse konfirmojnë se do të vijojnë me procedurat e tjera
Mbrojtja që deputetët mund të bëjnë është se nuk do të thotë domosdoshmërish se regjistrimi i një numri do të thotë se ekzistojnë lidhje
Sipas policisë lidhja ose jo e deputetëve me 3 të arrestuarit për prodhim dhe shitje të kokainës, do të vërtetohet pas përfundimit të të gjitha verifikimeve dhe hetimeve
Tirana O.
Krijoni Kontakt