Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Faik
    Anëtarësuar
    27-03-2003
    Vendndodhja
    Australi
    Postime
    690

    Post Numri i shqiptarëve në Beograd

    Numri i shqiptarëve në Beograd sipas regjistrimeve të popullsisë


    Numri i shqiptarëve në Beograd sipas regjistrimeve të popullsisë: 1880-59; 1921- 421; 1948 -1.137; 1953-3.262; 1961-8.262; 1971-6.978; 1981-8.212; 1991-4.985; 2002-1.492

    Sipas regjistrimit të vitit 1991 prej 4.985 shqiptarëve shumica janë deklaruar se i takojnë fesë myslimane, 95 prej tyre janë deklaruar katolikë, 14 ortodoksë, një protestant dhe një judist, njëri prej tyre ka thënë se është fetar por nuk e ka saktësuar se cilit konfesion i takon, 122 thanë se janë ateistë, ndërsa 392 fare nuk janë deklaruar.
    Në vitin 1981 prej 8.212 shqiptarëve të regjistruar, 5.067 ishin meshkuj dhe 3.115 femra, kurse 1.008 prej tyre deklaruan se gjuha e tyre amtare është serbokroatishtja.
    Sipas të dhënave të Dhomës Ekonomike të Beogradit në vitin 1983 në territorin e këtij qyteti prej 7.632 dyqaneve private afër 3% ishin në duart e shqiptarëve. Më së shumti kishte pastiçeri (afër dy të tretat në këtë degë), pastaj bukëpjekës (pak më shumë se një e pesta), në mesin e tyre ishte edhe Elez Nuredini, i quajtur "mbretri i byrekut", të cilit në vitin 1983 iu mor leja për punë (dyqani i tij gjendej te stacioni hekurudhor i Beogradit), prej 570 kafeneve dhe restoranteve njëzet pronarë ishin shqiptarë, tre shqiptarë i kishin ofiqinat për riparimin e automjeteve, disa argjentarë kanë edhe sot dyqane në qendër të qytetit (Angjel Mjeda, Alfonc dhe Kolë Çivlaku, Gjergj Shkreli, Sokol Zeka, deri vonë edhe Lalush Lalevski, dhëndri i Anton Çetës).
    Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 1996 në zonën e Beogradit, 4.415 shqiptarë kishin të drejtë vote. Mirëpo, një numër romësh të detyruar nga pushteti paraqiteshin si shqiptarë. Këta gjatë bombardimeve të NATO-s protestuan me banderola: "Edhe ne shqiptarët jemi kundër bombardimeve".
    Pas luftës 1999, brenda disa jave, nga Beogradi janë shpërngulur më se 300 familje. Në fakt, largimi i shqiptarëve filloi në fund të tetëdhjetave. Meqë ligji nuk e lejonte ndërrimin e banesave me serbët e Kosovës, ai bëhej përmes avokatëve duke bërë vetëm kontrata. Pas luftës shqiptarët që ishin të interesuar ta bëjnë ndërrimin e banesave lutjet i paraqitnin në xhaminë e Beogradit ku serbët dhe shqiptarët viheshin në kontakt.
    Shpeshherë në shtypin beogradas pohohej, dhe këtë e përcillnin edhe gazetat e huaja, se në Beograd kinse jetonin prej 80 deri 100 mijë shqiptarë. Kështu, javorja beogradase "Nedelni telegraf" (më 2 qershor të vitit 1999), shkroi se në Beograd "jetojnë afro 80.000 shqiptarë", duke shtuar se në mesin e tyre "afro 10 mijë janë pronarë të ndërmarrjeve private dhe dyqaneve zejtare". Artikullshkruesi në fund bëri pyetje: "Vallë, a do të bëhet Beogradi viktimë e terrorizmit shqiptar". Këtë propagandë e bënte regjimi i Milosheviqit, i cili dëshironte ta paraqesë kinse rrezikun nga ekspansionizmi i shqiptarëve.

    Si e përjetuan kohën e luftës shqiptarët në Beograd në vitin 1999?
    Pasi që mbaroi lufta, shqiptarët në Beograd përveç problemeve tjera që përjetonin më parë (mosbesimi ndaj tyre, ofendimet, urrejtjet), me ardhjen e refugjatëve serbë nga Kosova jeta e tyre u bë edhe më e vështirë. Një numër i madh shqiptarëve vendosi të shpërngulet nga Beogradi nga frika për të ardhmen. Gjatë kohës së luftës kur disa shqiptarë u larguan nga Beogradi banesat e tyre i zunë refugjatët serbë nga Kosova, me justifikim se ne na kanë përndjekur shqiptarët, prandaj ne kemi të drejtë të veprojmë kështu thoshtin ata. Me saktësi nuk mund të thuhet sesa është numri i atyre që ua kanë zënë banesat. Në mesin e tyre ishte edhe banesa e gazetarit të njohur Bahri Canit, të cilit banesa iu kthye pas tri vitesh. Pushteti fare nuk u ndihmoi shqiptarëve në këto raste. Kur këta kërkonin ndihmë, policia u thoshte duhet t'ia parashtroni ankesën gjykatës. Korriku dhe gushti i vitit 1999 ishin muajt më të vështirë për shqiptarët në Beograd. Disa prej tyre u sulmuan fizikisht, kishte edhe ofendime të rënda. Shumë dyqaneve të shqiptarëve iu thyen xhamat. Një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit në maj të vitit 1999 u burgos me akuzë se ka përgatitur akte terroriste. Gjatë seancës kryesore të të akuzuarit në mënyrë të hollësishme e përshkruan torturën që përjetuan gjatë paraburgimit nga ana e policisë, ku siç thanë ata me mjete dhunuese kanë qenë të detyruar ta pranojnë kryerjen e veprave penale me të cilat janë rënduar. Pas disa muajsh shumica e tyre janë liruar si të pafajshëm.



    Çfarë kanë punuar shqiptarët në Beograd?
    Në fillim të shek. XX në Beograd, jetonin afro njëqind shqiptarë, shumica prej atyre ishin ardhur për bukë goje. Sidomos vëreheshin salepçinjtë dhe bozaxhinjtë, të cilët ishin të veshur me rroba kombëtare shqiptare. Në kokë kishin plisin, e mbështjellur me maramë. Në rrugë gjithashtu mund të shiheshin, sipas historianit të njohur të arkitekturës, Aleksandër Derokut, 'grupet me nga dy-tre turq', siç i quanin atëherë, në rroba të veta nga shajaku i bardhë sharra dhe kambalecat mbi supe. Ata sharronin dru ahu 'në katër prerje, pesë copa' ose 'në tri prerje, katër copa', ashtu siç merreshin vesh". Gazeta beogradase Radniçke novine në vitin 1913, shkroi: "Ne në Beograd shqiptarët i njohim si punëtorë mjaft të vyeshëm, të cilët buzë lumit Sava dhe Danubit i ngarkojnë dhe shkarkojnë barrët. Ata poashtu janë sharraxhinj dhe ende nuk ekziston asnjë beogradas i cili është ankuar në përtacinë e shqiptarit". Në atë kohë në Beograd u shkollua edhe një numër i vogël i shqiptarëve. Midis tyre ishte edhe Nikoll Ivanaj, bashkë me dy anëtarët e familjes së vet, Martin dhe Mirash Dodë Ivanajn, të cilët merreshin me poezi në gjuhën serbe. Ata vjershat i botuan në vitin 1906-1911.
    Në mesin e zejtarëve dhe tregtarëve në Beograd kanë qenë disa shqiptarë. Si tregtar dhe njeri i kamur sidomos ka qenë i njohur Hajrullah Hajrullahoviq (Hajrullahu), pronar i dyqanit të qilimave persian, në qendër të Beogradit. Vëmendjen e beogradasve e ka tërhequr sidomos automobili i tij i madh i bardhë "hispano-suis", të cilin e ka drejtuar një arab me uniformë. Ka rënë në sy edhe bashkëshortja e tij joshëse, hungarezja e re, të cilën e ka sjellë nga Vjena, por me të cilën nuk qe gjatë në martesë. Bashkëshortja e mëparshme ishte turke nga Istambulli, ndërsa e treta nga familja Mahmutbegoviq, familje e njohur e bejlerëve të Pejës me të cilën është martuar në Tiranë, ku mbreti Zogu ia ka besuar kujdesin për doganat, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën të cilën ia ka ofruar ky derisa ishte në egzil në Beograd. (Kushëriri i tij Imer Dauti, ishte oficer i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe historian ushtarak, i cili ka jetuar në Beograd).
    Në gazetën Politika, më 2 prill të vitit 1939, është publikuar artikulli me titull "Shqiptarët - kurbetçinj të cilët u shesin dru me kredi beogradasve", në të cilin gazetari thotë se "njeriu gati do të mund të mendonte: sikur të mos kishte dru kush e di se çka do të ndodhte me shqiptarët, e çka pastaj me Beogradin e varfër sikur të mos kishte shqiptarë". Beogradasit nga shqiptarët kanë blerë dru për nxemje gjatë tërë muajit, kurse e kanë paguar në fillim të muajit tjetër. "Nëse rastësisht lihet anash ndonjë muaj, pagesa vazhdohet deri në verë". Në atë artikull zhvillohet biseda me kurbetçiun, Xhabirin, kryetarin e bursës së kurbetçinjve. Në Beograd ka ardhur nga rrethi i Gostivarit dhe Tetovës.
    Pas Luftës së dytë botërore poashtu shumica e shqiptarëve në Beograd ishin punëtorë fizikë, sharraxhinjtë, pastrues të rrugëve, por me kohë gjithnjë e më shumë kanë punuar në ndërtimtari, sidomos gjatë viteve 70-ta dh 80-ta. Një numër i tyre në atë kohë kanë marrë banesa. Sipas të dhënave të Dhomës Ekonomike të Beogradit në vitin 1983 në territorin e këtij qyteti afro 3% e dyqaneve private ishin në duart e shqiptarëve. Më së shumti kishte pastiçeri, pastaj bukëpjekës, në mesin e tyre ishte edhe Elez Nuredini, dyqani i të cilit ishte deri në vitin 1983, më i vizituar në këtë qytet. Njëzet shqiptarë ishin pronarë të restoranteve, po aq vetë i kishin kamionët e tyre privatë dhe merreshin me transportin e mallrave, tre shqiptarë i kishin ofiqinat për riparimin e automjeteve. Duhet të përmenden edhe pesë argjentarë, prej të cilëve Mjeda dhe Çivlaku edhe sot i kanë dyqanet në qendër të Beogradit. Në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në Kuvendin e Jugosllavisë dhe shërbime tjera punonin rreth 40 përkthyes dhe nëpunës tjerë.

    Dy gazeta beogradase me shkrime në gjuhën shqipe
    Në dhjetor të vitit 1900, në Beograd, filloi të botohet gazeta dyjavore Bratimstvo (Vëllazërimi) emërtimi i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe me shkrimin cirilik. Pronar i gazetës ishte Aleksa Bogosavleviq - Berisha, me origjinë nga vëllazëria Berisha. Gjatë vitit të parë të botimit të kësaj gazete u botuan artikujt edhe në gjuhën shqipe (në shkrimin cirilik). Prej vitit 1902 deri 1906 është botuar gazeta Albania në gjuhën serbe me alfabetin cirilik dhe në gjuhën shqipe në alfabetin latin, në dialektin gegë). Kohë pas kohe është shkruar edhe në gjuhën frënge, rumune dhe italiane. Në kopertinë shkruante në gjuhën shqipe "Shipja e shkiptarëvet" (Shqipëria shqiptarëve). Gazeta përpiqej për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithsej u shtyp në 44 numra. Pronari i saj ka qenë Jashar Erebara. Redaksia e kësaj gazete në atë kohë ishte si qendër kulturore shqiptare në Beograd. Në numrin 30, prej 7 marsit të vitit 1904, lexuesit u njohtuan: "Në redaksi gjenden punimet origjinale, letrare, historike dhe poetike të bashkëvendasve tanë. Gjenden përkthimet nga greqishtja në gjuhën latine dhe nga gjuhët tjera në gjuhën tonë amtare, si dhe librat prej klasës I të shkollës fillore deri në klasën e 4, të gjimnazit si edhe Kurani. Shumica janë shkruar edhe me shkrimin cirilik. Nëse dikujt i nevojitet diçka le të vijë në redaksi, rruga Knez Milosh nr. 23 ose le të drejtohet me letër, kartolinë, dhe redaksia do t'ia dërgojë.

    Beogradi shpesh ishte vendstrehim për emigrantët shqiptarë
    Beogradi u bë vend ku gjatë disa vlimeve politike në Shqipëri për një kohë të shkurtër gjetën strehim disa intelektualë dhe politikanë shqiptarë. Kur në shtator të vitit 1923, Zogu u rrëzua me ndihmën e liberalëve dhe nacionalistëve, të udhëhequr nga peshkopi ortodoks Fan Noli, ai me dhëndrin e vet Ceno beun Kryeziun (Crnoglaviqin) dhe afro 500 përkrahës erdhën në Jugosllavi. Disa muaj Zogu jetoi në Beograd, në hotelin "Bristol". Në fund të vitit të ardhshëm, me ndihmën e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve arriti që me fisin dhe përkrahësit e vet të bëjë përmbysjen në Shqipëri. Pasi e ka rimarrë pushtetin Zogu, një numër i kundërshtarve të tij u arratisen ne Beograd. Në mesin e tyre qe edhe prifti katolik dhe shkrimtari Lazër Shantoja, i cili e shkroi tregimin "Fëmijët shqiptarë në lulishte të hueja..." (në vitin 1925, botuar në vitin 1928). Në këtë përshkruhen dy familje shqiptare, të cilat një ditë të bukur pranvere shëtisnin me fëmijët e tyre në Kalemegdanin e Beogradit dhe bisedonin lidhur me jetën e tyre në Evropë. Duke e qarë fatin e fëmijëve të tyre, njëri prej tyre thotë: "I mjeri fëmí! Ka pá gjith at botë e nuk njeh enè vendin e vet. Rrinte në kafe Moskva të Belgradit në prêhën të general Vešoviçit, e nuk mund të rrije në prêhën të gjyshit e të gjyshes së vet." (Fjala është për gjeneralin Radomir Veshoviç, dikur ministër i Malit të Zi dhe idhtarë i mbretit Nikolla, të cilin mbreti serb Aleksandër e amnistoi.)

    Beogradi dikur ishte qendër e albanologjisë
    Shkencëtari i parë i cili seriozisht filloi ta studiojë gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariqi, katolik i Raguzës, i cili studioi në Gracë dhe në Vjenë. Në vitin shkollor 1920/1921, në kuadër të seminarit nga gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane, e përfshiu edhe Historinë e gramatikës së gjuhës shqipe. Kjo konsiderohet si fillim i albanologjisë në Universitetin e Beogradit. Shumë shpejt doli revista Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologijiu (Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnologjinë) (1923-1926), e para e këtij lloji në botë, pronar i të cilës u bë profesori i universitetit, etnologu i famshëm Tihomir R. Gjorgjeviq. Revista shumë shpejt e tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor botëror dhe u bë prestigjioze. Për këtë revistë punoi një numër i madh i shkencëtarëve të njohur të vendit dhe të huaj.

    Katedra e albanologjisë në Beograd
    Këshilli i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Beogradit, më 31 maj të vitit 1925 e ka marrë vendimin të themelohet Seminari për "filologjinë shqipe", i cili i është besuar Henrik Bariqit. Për lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe është zgjedhur Xhevat Korça, në vitin 1925, emigrant i Shqipërisë, ish-drejtor i gjimnazit në Shkodër. Ai gjatë vitit shkollor 1927/28 e ka mbajtur "Kursin e gjuhës shqipe për fillestarë", pas së cilit është larguar nga Beogradi. Si lektor - vullnetar, për shkak të mungesës së mjeteve, është zgjedhur në vitin 1935 Vojisllav Dançetoviq, serb i Kosovës, i lindur në Vushtrri, i cili ka ditur të flasë shqip mirë. (Dançetoviq, po atë vit e ka mbaruar romanistikën në Zagreb). Në vitin 1937 ky seminar është suprimuar, gjatë kohës së afrimit të Shqipërisë dhe Italisë.
    Në këtë fakultet seminari për gjuhën shqipe e ka rifilluar punën në vitin shkollor 1948/49, dhe për ligjërues është zgjedhur Vojisllav Dançetoviq. Në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1949 dy muaj është suprimuar. Pas kësaj e ka vazhduar punën normalisht. Për asistentë janë zgjedhur Anton Çetta dhe Idriz Ajeti në vitin 1950, të cilët pikërisht e kanë kryer romanistikën në Universitetin e Beogradit. Më vonë të dytë janë bërë shkencëtarë prestigjiozë. Në vitet e 60-ta, Seminari për Albanologji në Fakultetin Filologjik të Beogradit e ka vazhduar punën si Katedër e veçantë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilin e ka udhëhequr dr. Vojisllav Dançetoviq, dhe pas vdekjes së tij dr. Halit Tërnavci dhe një kohe si lektore, dhe pastaj si docente dr. Gjystina Shushka. Në vitet e 50-ta në këtë katedër ka studjuar një numër i madh i intelektualëve të Kosovës, profesorë, shkencëtarë, shkrimtarë, kryeredaktorë të gazetave, në mesin e tyre është edhe dr. Gani Luboteni, dr. Latif Mulaku, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku etj. Për nevojat e mësimit më herët kanë qenë të angazhuar profesorët e Universitetit të Kosovës, mirëpo kjo praktikë është ndërprerë në vitet e 80-ta për shkaqe politike, për çka kjo katedër ka pësuar dëme të mëdha.

    Një kohë Beogradi ishte qendër e studimeve për shqiptarë të Kosovës
    Para Luftës së Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Kosovës studiuan në Beograd. Në Gjimnazin e parë të meshkujve maturoi Mehmed Barjaktereviq (Meto Bajraktari), i cili më parë për shkak të propagimit të komunizmit, u largua nga Medresa e Madhe në Shkup (e quajtur "Medresa e Kuqe"), pastaj u përjashtua nga gjimnazi në Prishtinë, u refuzua nga gjimnazi në Vranjë dhe u ndoq nga gjimnazi në Pejë. Në Universitetitn e Beogradit drejtësinë e studiuan Zejnel Ajdinoviq (Ajdini), Mehmed Barjaktareviq (Meto Bajraktari), Ramiz Sadikoviq (Sadiku), që të tre e kanë humbur jetën si partizanë në Luftën e Dytë Botërore dhe janë shpallur heronj të popullit, Rashiq Dedoviq (Deda), gjithashtu e humbi jetën si partizan, Aziz Sulejmanoviq, luftoi si partizan, Esad Imeroviq (Imeri), Kurtesh Agusheviq (Agushi), Shaip Mustafoviq (Mustafa), njëherë anëtar i PKJ, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore kolaboracionist gjerman, veterinën Esad Mekuloviq (Mekuli), i cili 1933-36, i botoi vjershat shoqërore në revistat përparimtare të atëhershme, agronominë Qamil Ibrahimoviq (Ibrahimi), romanistikën Ferid Peroli, teknikën Hivzi Sulejmanoviq (Sylejmani), pas luftës shkrimtar i njohur, dhe Veli Dediq (Dedi), nga Medvegja në Serbi, i cili më pas në Itali e ka kryer akademinë ushtarake, pas së cilës ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës, ku në vitin 1938 është dekoruar me çmimin e lartë "No pasara", e pastaj është bërë hero si komandant i forcave antifashiste në Marsej, etj.

    Pas Luftës së Dytë Botërore Beogradi një kohë ishte qendër ku studionin shumë shqiptarë të Kosovës. Doktorët e parë të shkencave nga radhët e shqiptarëve të Kosovës dolën nga Universiteti i Beogradit. Idriz Ajeti, disertacionin e mbrojti në vitin 1958 në Fakultetin Filozofik nga lëmi i shkencave filologjike. Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në vitin 1959, në mënyrë madhështore e mbrojti tezën e doktoraturës Dervish Rozhaja nga lëmi i shkencave biologjike, dhe atëherë ishte doktori më i ri i shkencave në Jugosllavi, po këtë vit në lëmin e veterinës doktoroi Esat Mekuli. Hasan Kaleshi në vitin 1960, në Fakultetin Filozofik e mbrojti tezën e doktoraturës. Mehdi Bardhi dhe Hilmi Agani në vitin 1958 ishin të parët që magjistruan në Fakultetin Filozofik në lëmin e albanologjisë. Ali Hadri 1960 në fushën e historisë, poeti Enver Gjergjeku në vitin 1961 në albanologji, që të gjithë këta më vonë u bënë profesorë të njohur në Universitetin e Prishtinës. Deri në vitin 1989 në Beograd doktoruan afro 100 shqiptarë të Kosovës. Në këtë qytet si shkencëtar filloi të formohet edhe Martin Camaj, emigrant nga Shqipëria, poet lirik, i cili diplomoi gjuhën sllave në Fakultetin Filozofik, por si i papërshtatshëm politikisht, ai në vitin 1957 qe i detyruar të largohet nga Jugosllavia me bashkëshorten serbe. Në vitet 50-ta Instituti Etnografik i Akademisë Serbe të Shkencave i angazhoi si bashkëpunëtorë, Mark Krasniqin dhe Kadri Halimin, të cilët në revistat shkencore i botuan disa artikuj me rëndësi për etnologjinë. Akademinë e Arteve Figurative e mbaruan Musli Muliqi, Gjelosh Gjokaj, Ëngjëll Berisha, Bedri Emra, Tahir Emra, Hysni Krasniqi, Sylejman Cara, artet aplikative Mateja Rodiqi, Rexhep Ferri dhe Shyqri Nimani, Akademinë e Muzikës Krist Lekaj, Selim Balata, Mark dhe Gjergj Kaçinari, Bajar Berisha, Fahri Beqiri, Bahri Çela, Selim Kabashi etj., kurse Akademinë e teatrit dhe të filmit, aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci, Xhevdet Qorraj, regjistorët Isa Qosja, Selami Taraku, Emin Halili, Artan Skender, dramaturgjinë Ekrem Kryeziu, Petrit Imami, montazhën Mustafa Presheva, i cili me sukses e ka filluar karrierën në Beograd dhe pastaj e ka vazhduar në Turqi, ku është sprovuar edhe si aktor duke e luajtur rolin e Ata Turkut, meqë ngjan shumë me të.

    U lidhën edhe shumë martesa të përziera
    Në Beograd një numër studentësh shqiptarë kanë lidhur martesë me serbe, Anton Çetta (e ka një djalë në Beograd), Mark Krasniqi (një vajzë), Hasan Kaleshi (dy djem), Hilmi Thaçi (një vajzë), aktorët Bekim Fehmiu (dy djem, Uliksin dhe Hedonin) dhe Faruk Begolli, Mateja Rodiqi (një djalë), Adem Bllaca, ndihmësdrejtor i Bibliotekës Popullore të Beogradit (në fund të viteve të 70-ta ka kaluar në Prishtinë). Martin Camaj ishte i martuar me motrën e Dimitrije Bogdanoviqit (autori i "Librit për Kosovën"), e të tjerë. Shumë nga këto martesa me kohë janë prishur.

    Si ishte jeta e shqiptarëve në Jugosllavinë socialiste?
    Jeta në Beograd për shqiptarët dikur ishte krejt ndryshe. Më parë këtu vinin të punonin dhe të studionin shumë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë. Në shumë organe federative dhe republikane ekzistonin shërbimet e përkthimeve ku punonte një numër i madh i përkthyesve. Por nga punëtorët më së shumti kishte të atillë që punonin punë krahu, shumica e tyre vinin vetëm gjatë verës (vala e fundit ishte gjatë vitit 1994/95). Vite me radhë spitalet e Beogradit ishin përplotë me shqiptarë dhe personeli mjekësor sillej mirë ndaj tyre, veçanërisht ndaj atyre që vinin me marka gjermane.

    Shqiptarët e dalluar të cilët ishin banorë të Beogradit
    Në Beograd ishin vendosur politikanët Mehmet Hoxha, Ismet Shaqiri, Alush Gashi (mbesa e tij është gazetare e njohur RTV B92 Antigona Andonov), Ali Shukria, Sinan Hasani, Kol Shiroka, Hadije Morina me bashkëshortin Murat Morinën, Sokol Nimani, drejtor i Fondit për Rezerva, me bashkëshorten Antigona Nimanin, përkthyese dhe spikere. (Ata me fëmijët, të birin Akilin dhe vajzën Zanën u shpërngulen në Kanada kur filluan luftrat në ish-Jugosllavi), ambasadorët Elhami Nimani, Rexhep Xhiha, Xhavit Emini, Gjon Shiroka, Mesud Besniku, Kol Shkreli, shkrimtari (Elhami Nimani pas një ngjarje tronditëse vdiq më 1998, në varrimin e të cilit në Beograd u grumbulluan shumë miq për t'ia dhënë lamtumirën e fundit), përkthyesi dhe shkrimtar Sitki Imami, gazetaret Hilmi Thaçi, korrespondent i "Rilindjes" dhe Masar Murtezai, redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe të TV Beogradit (68-74), më vonë shef i kabinetit të Fadil Hoxhës dhe Sinan Hasanit. Eprorët ushtarakë të lartë Xhemail Bajraktari, i cili bëri vetëvrasje, dhe Imer Dauti, i cili ishte disa vite komesar i Spitalit Ushtarak të Beogradit, e pastaj punoi si historian në Institutin Ushtarak për Histori, doktorët Beqir Saitoviq, kirurg në Spitalin e Traumatologjisë dhe Ortopedisë (vdiq në vitin 1976), dhe Zekeria Elmazi, internist në Entin për sëmundje urgjente interne dhe cerebralo-vaskulare, Albert Dushi drejtor i "Filmske novostit" (Kinoditarit), Sherif Dunica, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Ismet Gjoshi, zbutës i njohur i qenëve dhe autor i librit "Zbutja dhe zbukurimi i qenëve", i cili u ribuotua disa herë, Shefik Kryeziu, pilot i Armatës Popullore të Jugosllavisë, i cili u pushua nga puna më 1993, tani biznesmen i suksesshëmm, Ali Taraku, kapiten i reprezentacionit jugosllav dhe trajner i ekipit të femrave "Radniçki" të Beogradit (vdiq në vitin 1980), Petrit Fejzullahu, hendbollist i shkëlqyer në klubin e "Crvena zvezdës" edhe në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, Fahri Musliu, gazetar i cili një kohë ishte korrespodent i "Rilindjes", pastaj i "Bujkut", i të përditshmes "Zëri" të Prishtinës, por në të njëjtën kohë dhe i "Zërit të Amerikës", piktori dhe dizenjatori Mateja Rodiqi dhe piktori Isak Asllani, xhiruesi televiziv Fatmir Nushi, mjeshtër i spoteve muzikore, në Fakultetin e Dramës në Beograd profesor i skenarit për film është Petrit Imami, i cili në vitin 2000 e botoi librin "Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj", ku i trajtoi marrëdhëniet politike dhe kulturore midis këtyre popujve, aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli dhe Enver Petrovci, të cilët patën karrierë artistike shumë të suksesshme në Beograd.

    Cilët shqiptarë ishin më të njohur në Beograd?
    Padyshim më i njohuri është aktori i famshëm i filmit Bekim Fehmiu. Me rastin e vizitës Beogradit qysh në vitin 1962, shkrimtari i njohur francez, Zhan Pol Sartër e vërejti talentin e tij në shfaqjen e dramës "Pengjet nga Altona" edhe pse ai kishte një rol shumë të vogël, i cili zgjati vetëm disa minuta. Famën botërore e arriti në filmin jugosllav "Mbledhësit e puplave" i cili në vitin 1967 ka bërë bujë në festivalin e filmit në Kanë. Në Beograd e botoi pjesën e parë të memoareve të veta "Shkëlqimi dhe tmerri", ku në mënyrë tërheqëse e përshkruan fëmijërinë e vet në Prizren.
    Gjatë viteve të 80-ta një nga këngëtaret më të popullarizuara të pop-muzikës ishte Zana Nimani. Edhe pse nuk jeton më në Beograd këngët e saj edhe sot e kësaj dite dëgjohen me të madhe.

    A ka pasur shoqata të shqiptarëve në Beograd?
    Fill pas Luftës së Dytë është formuar një shoqatë e shqiptarëve e cila ka vepruar një kohë shumë të shkurtër. Nga mesi i nëntorit të vitit 1957 në Universitetin e Beogradit u themelua Shoqata letrare "Përpjekja", të cilën e përbënin studentët shqiptarë të cilët kishin ardhur për të studiuar. Ajo së shpejti u bë shoqatë letrare-muzikore dhe gjatë ekzistimit të saj zhvilloi aktivitete mjaft të begatshme. Iu ndalua puna në vitin 1984. Në vitin 1988 disa shqiptarë intelektualë biseduan për mundësinë e formimit të një shoqate të shqiptarëve, ku një nga iniciatorët ishte edhe korrespodenti i atëhershëm i "Rilindjes" Fahri Musliu, por shpejt u pa se një gjë e tillë në atë kohë ishte e pamundur.

    Disa rrugë në Beogradi i morën emrat sipas shqiptarëve
    Skender-begova ulica (Rruga e Skënderbeut) gjendet në pjesën e vjetër të Beogradit, në Dorqol, dhe quhet sipas heroit më të madh të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut që nga viti 1896. Një nga rrugët më të vjetra në qendër të Beogradit "Makedonska ulica", prej vitit 1872 deri 1896 është quajtur "Kastriotova ulica" (Rruga e Kastriotit), në kohën kur është mendur se ai ka qenë me origjinë serbe.
    Ulica Majke Angeline (Rruga e Nënës Angjelinë) e mban emrin e bijës së Arianitit e cila është e martuar në Shkodër më 1460 për princin serb Stefanin e Verbër. Ai ishte i biri i Gjurgj Brankoviqit nga Smedereva, të cilit për dënim i ka nxjerrë sytë në vitin 1441 dhëndri i tij Sulltan Murati II. Angjelina u është përkushtuar të varfërve dhe të sëmurëve, për çka në Srem e kanë quajtur "Nënë Angjelina". Në shenjë përkujtese për të, Kisha Ortodokse Serbe e kremton 12 gushtin si Ditë të Shën Angjelinës. Në fillim të shek. XVII kulti i saj është përhapur edhe në Rusi. Prej vitit 1940 në Beograd një rrugë në komunën Zvezdara quhet sipas saj.
    Kondina ulica (Rruga e Kondës) quhet sipas një shqiptari ortodoks nga Shqipëria Jugore, i cili ka treguar trimëri të madhe në vitin 1806 kur Beogradi është çliruar nga turqit. Kjo rrugë në qendër të Beogradit e mban emrin e tij prej vitit 1872.
    Esad-pašina ulica (Rruga e Esad Pashës) është emërtuar me emrin e këtij shqiptari në shenjë mirënjohjeje, pasi i ka ndihmuar ushtrisë serbëve gjatë tërheqjes përmes Shqipërisë. Gjenerali serb, Dragutin Milutinoviq ka thënë: "Sikur të mos e kishim pasur Esadin si mik, ne do të kalonim edhe më keq në vitin 1915 me rastin e tërheqjes". Pikërisht për shkak të kësaj një rrugë në komunën e Vozhdovcit e mban emrin e tij prej viti 1935.
    Ulica Sadika Ramiza (Rruga e Ramiz Sadikut) e ka marrë emrin sipas këtij revolucionari dhe komunisti nga Kosova, hero i popullit në Luftën e Dytë Botërore. Rruga gjendet në Beogradin e Ri, afër bregut të lumit Sava, në lagjen e dikurshme të punëtorëve, sot jo larg hoteleve më luksoze në Beograd "Hajatit" dhe "Interkontinentalit".
    Skadarska ulica (Rruga e Shkodrës) konsiderohet si një nga rrugët më atraktive në Beograd, në të cilën gjenden disa kafene të vjetra shumë të vizituara, dhe këtë emër e ka marrë qysh në vitin 1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur edhe me emrin Skadarlija. Me të njëjtin emër quhet edhe një rrugë e vogël në Zemun.
    Albanska ulica (Rruga e Shqipërisë) gjendet në një nga komunat më të vjetra të Beogradit, në Palilulë. Këtë emër e ka marrë në vitin 1927, dhe e ka pasur deri në vitin 1972, kur është ndryshuar në "Ulica Albanske spomenice" (Rruga e Përkujtimores së Shqipërisë). Emrin e ka marrë sipas asaj që kanë mbajtur mend ushtarët serbë të cilët janë tërhequr në kushte shumë të rënda përmes Shqipërisë në vitin 1915. Në komunën e Zemunit, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu, një rrugë është quajtur Albanska ulica (Rruga e Shqipërisë), dhe këtë emër edhe sot e kësaj dite e mban.

    Dračka ulica (Rruga e Durrësit) gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, në Dorqol, dhe këtë emër e ka marrë në vitin 1930 sepse ai qytet në Shqipëri u ka mbetur në kujtesë të bukur ushtarëve serbë gjatë viteve 1912-1913.
    Lješka ulica (Rruga e Lezhës), e cila gjendet në komunën e Çukaricës, e ka marrë këtë emër në vitin 1930 për shkak të kujtimeve të cilat i kanë pasur ushtarët e Ushtrisë serbe në vitin 1912, kur më 18 nëntor e kanë çliruar këtë qytet nga turqit, dhe më 1915 kur në rrugët e ngushta të këtij qyteti, në rrugën në drejtim të Durrësit, kanë kaluar shumë ushtarë të rraskapitur serbë dhe civilë duke u tërhequr para ushtrisë austriake.
    Palata Albanija (Pallati i Shqipërisë) gjendet në vendin ku para Luftës së Parë Botërore, në qendër të Beogradit, ka qenë kafeneja "Albanija", emrin të cilin pronari ia ka dhënë për nderë të luftëtarëve serbë të cilët në vitin 1912-1913 kanë luftuar në Shqipëri. Është ndërtuar në vitin 1939 dhe ka qenë ndërtesa më e lartë në atë kohë në Jugosllavi, të cilën e kanë quajtur "Pallati i Shqipërisë", sipas kafenesë në fjalë, dhe me këtë emër edhe sot e kësaj dite e quajnë beogradasit.
    HISTORI E KESAJ TOKE
    LARRE ME GJAKUN E SHOKEVE

  2. #2
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907
    keto jane shume interesente, por me shume interesante eshte ajo se ku i gjete te gjitha keto?!
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  3. #3
    Ikon-thyes Maska e Qafir Arnaut
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Vendndodhja
    Shum po shndrit aj Diell, e pak po nxeh
    Postime
    1,542
    Jane marre nga faqja e radios b-52 a b-82 *or smth like that*
    Adresat e faqeve personale mund ti vendosesh ne profil por jo ne firme. Stafi i Forumit

  4. #4
    pse me rrejt , jam habit....,
    si ka mundsi
    Nuk ka perëndi tjetër përveç ZOTIT

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e joss
    Anëtarësuar
    15-09-2005
    Postime
    311
    Skadarska ulica (Rruga e Shkodrës) konsiderohet si një nga rrugët më atraktive në Beograd, në të cilën gjenden disa kafene të vjetra shumë të vizituara, dhe këtë emër e ka marrë qysh në vitin 1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur edhe me emrin Skadarlija. Me të njëjtin emër quhet edhe një rrugë e vogël në Zemun.


    Kam vizituar Beogradin, ne vitin 2004, dhe pikerisht ne Skadarlija, kam darkuar ne nje restorant karakteristik "tre sesire" "tre kapelet", me muzike folklorike serbe. Nuk u çuditen kur i thashe se jam shqiptar, nga Shqiperia. Me pyeten: "A ka rrezikohet nje serb te vizitoje Shqiperine?", sepse kishin qellimin te vinin ne Shqiperi per sezonin e plazhit. Kuptohet, une bera nje cike reklame per plazhet tona.............

Tema të Ngjashme

  1. Shqiptarët e Beogradit mes Serbisë dhe Kosovës
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 22-08-2010, 19:28
  2. Eksploziv në ambasadën e Shqiperisë në Beograd
    Nga Nice_Boy në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 04-01-2006, 08:31
  3. Si kan bashkëjetuar shqiptaret me serbët në Beograd?
    Nga Tirana në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-07-2004, 05:37
  4. 50 grate e Nanos ne Beograd - Apokalipsi
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-06-2003, 04:34
  5. Rryma e trete, "nostalgjiket e titos"
    Nga ganoid në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 18-11-2002, 02:24

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •