NË SPIKAMË
Shkruan: Jusuf FERIZI
Internacionalistët miopë shqiptarë vazhdojnë të mbajnë të ndezur slloganin se "nacionalistët nuk po i pranuaka qytetërimi evropian"! Pra, për të hequr dyshimin se je nacionalist, po u dashka të bëhësh aq i mjerë sa të përbuzish dhe të përqeshish kombin tënd. (Një fëmij francez nuk mund të pranohet në shkollë fillore, po nuk e diti himnin e vet kombëtar. Nuk ka shtet më "fanatik" në botë në mbrojtjën e traditës kombëtare sesa Anglia me përvojë më të lashtë shtetformuese në Evropën e pas Krishtit).
Mirëpo, shqiptarët, posaçërisht këta të Kosovës, sipas kozmopolitëve vulgarë, për t'u pranuar në Evropë po u dashka të tjetërsohen, edhe në majmunë qoftë, për të marrë "vizën" e komunitetit evropian! Po u dashka të veprojnë kështu, këta të njëjtit shqiptarë në emër të të cilëve Konica i madh, në kohën e tij, i drejtohej opinionit evropian me këto fjalë: "Kombi i Dioklecianit, i Justinianit..., një komb që kishte një qytetari të tij, kur stërgjyshërit e francezëve e të anglezëve, visheshin me lëkura bualli dhe rronin nëpër shpella"...
Nacionalizmi i "rrezikshëm"!
Ç'të bëjnë atëherë shqiptarët, posaçërisht këta të Kosovës, që të pranohen në Evropë? Apo, mos do të ishte më e arsyeshme që shqiptarët, edhe pse janë zanafilla e kontinentit të vjetër, edhe pse janë vazhduesit e vetëm të Evropës së lashtë në Gadishullin Ilirik, edhe pse janë fillesa e Evropës, para se të kërkojnë të pranohen në Evropën "plakë" të Shirakut e Shrederit, pra në "Evropën" franko-gjermane-ruse, të kërkojnë të pranohen në Amerikë, në atë vendin e bekuar tejatlantik që i shpëtoi shqiptarët pa u zhbërë dy herë gjatë shekullit që e lamë pas. Sepse, siç po shihet, që ta pranojnë Parisi, Berlini dhe Moska shtetin e Kosovës në Evropë, ai do të duhej t'i përmbushte edhe do "standarde" që nuk i ka përmendur Shtajneri akoma! Kështu, Kosova, edhe pse mban në gji të saj me shekuj popullin më të lashtë të kontinentit të vjetër, ajo nuk "guxon" ta përmend Ilirinë, Dardaninë, e hiç se hiç Pellazginë, sepse edhe aludimi më i vogël kah këto emërtime të "rrezikshme", mund t'i zemërojë serbët, grekët... Pjesa evro-majtiste e kontinentit tonë do t'u preferonte shqiptarëve përgjithësisht që të mos insistojnë shumë as në prejardhjen e gjuhës së tyre nga iliro-pellazgishtja, edhe pse gjuha është atdheu i vërtetë shpirtëror i një populli, sepse, edhe potencimi "i tepruar" i këtij argumenti shkencoro-historik do të mund t'i acaronte tensionet në Evropën Juglindore! Sipas këtij alogjizmi evro-komunist shqiptarët do të duhej ta "modifikojnë" edhe historinë e tyre të "rrezikshme", ashtu siç e patën modifikuar në kohën e monizmit, deri në atë shkallë sa ajo të marrë kuptimin e pakuptimësisë së ekzistencës së këtij populli, për ta bërë kështu, siç parashohin "standardet" e pashpallura, "të pëlqyeshme" e "të pranueshme" edhe për minoritarët në Kosovë, edhe për "qytetërimin" evropian! Gjatë këtij tjetërsimi, shqiptarët nuk do të duhej të thonë, përkatësisht do të duhej të harrojnë njëherë e përgjithmonë se janë autoktonë dhe banues të parë të këtyre trojeve, sepse nëse e thonë të vërtetën, do të mund t'i nervozonin serbët, edhe pse këta të fundit, serbët pra, kanë pikur këtu pasi që shqiptarët i kishin banuar këto troje për gjatë 5500 vjetëve, sepse kjo e vërtetë e "hidhur" do t'u prishte qetësinë edhe shumë ministrave evropianë që fatkeqësisht merren me fatin e popujve të kësaj pjese të Evropës. Po sikur të thuhej, ruana Zot, ajo që ka thënë Platoni për Perandorinë Pellazgjike, si pararendëse e asaj iliri-shqiptare, që ka ekzistuar para 12 mijë vjetësh, atëherë, nuk do të ishte kurrfarë çudie që Evropa "plakë" të ngritet edhe në protesta.
Mesazhet e shëmtuara!
Për ta përhapur mesazhin e shëmtuar mbi pakuptimësinë e ekzistencës së shqiptarëve si komb, u vunë në veprim të gjithë mekanizmat e të ashtuquajturit "revolucion i vonuar demokratik" të Qosjes, i cili për vetëm gjashtë muaj (1997) arriti ta institucionalizojë kaosin më barbar që ka njohur ndonjë herë shteti amë. Frerët e këtij kaosi i mori në duar kurajoja e vonuar e frikacakëve që kishte heshtur me dekada. Ishin këta servilët, puthadorët dhe deshtakët e kompleksuar që nuk kishin guxuar të ndihen në "kohë të vështira" e të cilët, që nga viti i zi 1997 vazhdojnë t'i përbaltojnë vlerat dhe traditën e shenjtë të kombit shqiptar. Duke uluruar se "nacionalizmi shqiptar është bërë rrezik ekstrem", në ndihmë këtyre turmave vulgare në Tiranë, e më vonë në Prishtinë, u erdhi Sorosi, duke kërkuar ku janë e ku s'janë shqiptarët kozmopolitë. Shqiptarët që iu përgjigjen kësaj thirrjeje nuk ishin shartuar në kozmopolitë ashtu siç ishin konvertuar pjestarët e popujve të tjerë të Evropës Juglindore. Ishte ky një zhdan shqiptarësh që ishte betuar se do ta flakë substancën kombëtare. Sepse, gjakimi për të qenë qytatarë të botës me çdo kusht, në rastin shqiptar, u ndesh e po ndeshet me pamundësinë për ta arritur këtë, me paaftësinë e "kozmopolitit" shqiptar, gjë që shkaktoi dhe po vazhdon të shkaktojë kompleksin e inferioritetit kombëtar. Si pasojë e këtij inferioriteti, në Shqipërinë e vitit 1997 ndodhi përmbytje e madhe kur u demonstrua vulgariteti më antishqiptar që ka njohur historia jonë ndonjëherë. Dashuria absurde ndaj çdo gjëje që ka shenjën e huaj, dhe urrejtja çmendurake ndaj çdo gjëje që është shqiptare, i befasoi edhe të huajt. Disa lëpëkëica të Kosovës, për t'u dëshmuar si "evropianë", edhe nënave të tyre ua hoqen veshën kombëtare, duke i detyruar të vishen me dofarë uniformash të ngjashme me gratë malaziase të Velikës së Malit të Zi! Një zhdan intelektualësh, të cilët në kohën e Enverit ishin përpjekur t'i japin botës shembullin e parë të popullit të pafe në planetën tonë, tani janë nxitur nga një shëmti tjetër, që t'i japin botës shembullin e parë të popullit pa atdhe në rruzullin tokësor! Padashuria kaq këmbëngulëse ndaj kombit dhe shtetit lidhet me fillesën jokombëtare të komunizmit shqiptar, sepse Marksi kishte thënë: "Proletarët nuk kanë atdhe". Kjo lidhet edhe me faktin tjetër, sepse një kohë të gjatë komunistët e Shqipërisë atdhe të tyre kishin konsideruar Bashkimin Sovjetik. Lidhet edhe me faktin tjetër më të ri se "kozmopolitët" komunistë të Kosovës "atdhe" të tyre e pranojnë "atdheun" e paraardhësve komunistë që në njëfarë kohe quhej "Jugosllavi" socialiste vetëqeverisëse titisto-rankoviçiste.
"Bota sot", 14 qershor 2003
Krijoni Kontakt