nga Ardian Klosi
Theodor Anton Ippeni pati lindur në një qytet të vogël të Bohemisë 141 vjet më parë, më 29 nëntor. Kjo datë mjaft e njohur për ne shqiptarët na sjell në një mendim jashtë vullneti: as ajo si ditë e Çlirimit nuk i bëri qeveritarët dhe akademikët tanë të pasluftës ta trajtonin pakëz me më shumë tolerancë njeriun i cili jo vetëm kishte nxjerrë me aq hollësi në dritën e botës shkencore kohët e vjetra të Shqipërisë, por edhe kishte ndihmuar prapa kuintave të diplomacisë në mënyrë vendimtare në krijimin e shtetit shqiptar, i cili themi se pa Ippenin, si të vetmin ekspert të çështjeve shqiptare në Konferencën e Londrës do të ishte katandisur edhe më keq nga sa doli me dhimbje në vitin 1913. Libri "Shqipëria e vjetër", që është botuar këto ditë, shpresojmë se dalëngadalë do t'i japë studiuesit austriak vendin që meriton tek ne, në atë pasqyrë të madhe të cilën na e mbajnë përpara disa pak të huaj të ditur, që i quajmë albanologë dhe që na ndihmojnë aq shumë të kuptojmë vetveten.
Kur mendon për arsyet që e kanë shtyrë regjimin e kaluar ta mbajë në heshtje një vepër të tillë, gjen se ato kanë qenë të ngjashme pothuaj se për gjithë dijetarët europianë që kanë hedhur dritë në historinë dhe botën shqiptare. Megjithatë në rastin e Ippenit shtoheshin edhe dy arsye më tepër: së pari, ishte ai që pati negociuar me Portën e Lartë më 1897 dhënien e protektoratit Austro-Hungarisë për katolikët e Shqipërisë, duke u bërë edhe si konsull në Shkodër një nga përfaqësuesit më aktivë të monarkisë për mbrojtjen dhe mbështetjen e interesave të tyre; së dyti, në ndryshim nga disa autorë, e zëmë konsulli frëng Pouqueville, që kanë pasur në raport me shqiptarët edhe nota subjektivizmi deri edhe racizmi, Ippenin e shquante dobësia e përkushtimi për këtë vend, për aq sa ia lejonte një diçka të tillë mënyra e tij thjesht shkencore e trajtimit të çështjeve. Mirëpo përkushtimi ndaj çështjes shqiptare shihej më me dyshim nga gjithçka tjetër, sepse prapa saj udhëheqësit shqiptarë mbas 1945 dhe shkruesit e tyre shihnin menjëherë interesa imperialiste, ekspansioniste e ku di unë.
Në të vërtetë është e padiskutueshme se ishte pikërisht politika e Austro-Hungarisë ndaj trevave shqiptare, sidomos pas miratimit të strategjisë së vitit 1896, ajo që nxiti një plejadë të tërë studiuesish historianë, etnografë, gjuhëtarë, arkeologë etj. që të merren me Shqipërinë. Ajo bëri që të hartohen harta gjithmonë e më të hollësishme për viset shqiptare, të botohen gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe, të shkollohen nxënës e studentë shqiptarë në Vjenë, Grac ose Insbruk, të përkrahen deri edhe përcaktimi i alfabetit të shqipes ose i gjuhës zyrtare të shtetit të ri shqiptar. Synimi i Vjenës ndaj Shqipërisë ishte, siç formulohej në një mesazh të Ballplatzit për konsullin e vet në Stamboll: "Nuk kemi qëllim ta pushtojmë vetë Shqipërinë, por shpresojmë, në rast se shpërbëhet perandoria turke, për një Shqipëri autonome, ndoshta nën një princ të huaj, por sidoqoftë nën protektoratin tonë" (dt.18.2.1897, mesazh nr. 658). Ishte ky diktat i ekuilibreve politike-ushtarake të kohës a ishte një emancipim më i lartë i monarkisë austro-hungareze, me përvojë të gjatë në dhënie të autonomive kulturore për popujt e shumtë të zotërimeve të veta, këto çështje mund t'u lihen për diskutim filozofëve të historisë; neve na intereson këtu më tepër realiteti dhe realiteti është që ndërhyrja politike-kulturore e Austro-Hungarisë në fatet e Shqipërisë dhe të kulturës shqiptare ka dhënë fryte që në balancën e përgjithshme të historisë sot i gjykojmë si mjaft pozitive. Po të krahasohet me ndërhyrje fuqish të tjera, bie fjala të Italisë musoliniane në vitet '30 e '40 do të shihet se kjo e fundit ishte shumë më e drejtpërdrejtë dhe më e cekët në pikëpamje kulturore, pikërisht sepse e pillte një politikë e interesave direkte, që shpërfillte detajet, që shihte më larg se Shqipëria, për ta përdorur këtë në fund të fundit si plasdarm pushtimesh të mëtejshme.
Tashmë që kemi filluar të bëhemi më pak dyshues ndaj të huajve që merren me ne (dyshim i mallkuar që na e la edukimi ynë e që unë do ta krahasoja edhe me dyshimin që kemi sot ndaj bashkqytetarësh me mundësi financiare-politike, që mund të kenë nisur sot të bëjnë gjëra të mira për këtë vend), dimë ta shohim veprën e tyre të shkarkuar nga konotacione që ua ngarkonin në mënyrë absurde me terma si "interesa", "ekspansion", "synime" etj. dhe të shohim në to tek e fundit vetëm dobinë. Është mendoj, i vetmi këndvështrim se si mund të shihet një vepër hulumtuese-shkencore.
Pasi e lamë pas këtë fantazëm të së kaluarës, le të japim disa shënime mbi jetën dhe veprën e Theodor Ippenit:
Studimet e mesme Ippeni i kreu në Pragë e pas tyre u regjistrua në Akademinë Orientaliste të Vjenës, ku u diplomua në vitin 1884. Po në këtë vit emërohet në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër. Në tre vitet e mëpasme ndodhet në Plevlje si referent politik i komandës së atyshme ushtarake; këtu mbledh shënime të shumta për Novipazarin dhe Kosovën, të cilat i boton më 1892.
Viti 1896 që shënon, sikurse e përmendëm, fillimin e një aksioni energjik të monarkisë austro-hungareze për Shqipërinë, sjell edhe emërimin në Shkodër si konsull i përgjithshëm të një njohësi të mirë të i rrethanave shqiptare, sllave e turke, Theodor Ippenit.
Në shtatë vjetët e qëndrimit të tij në këtë post, Ippeni kryen një punë intensive diplomatike dhe hulumtuese për Shqipërinë, sidomos për atë të Veriut. Në radhën e diplomatëve që janë marrë me Shqipërinë duke punuar në konsullata të qyteteve të saj është i ngjashëm me të ndoshta J.G. von Hahni, konsull i Austro-Hungarisë në Janinë, në mesin e shekullit të 19. Ippeni ndërmerr udhëtime të shumta në brendësi të luginave mbi Drin, drejt Alpeve të Shqipërisë Veriperëndimore e nën Drin, nëpër Mirditë e Mat. Veç kësaj udhëtime të tjera të shpeshta, edhe si gjahtar, e bëjnë ta njohë ultësirën bregdetare mes Shkodrës e Tiranës, me katër qytetet e saj kryesore, më mirë se çdo studiues tjetër që i pat rrahur këto anë. Interesat e tij janë, sikurse kuptohet nga politika e atëhershme e qeverisë së tij, në radhë të parë gjeografike-etnografike (plotësim i hartës me vende të panjohura, korrigjim i një numri toponimesh që deri më aty shkruheshin gabim në hartat ushtarake austro-hungareze), por ato janë edhe arkeologjike, numizmatike, arkitekturore, historike, religjioze etj. Prej udhëtimeve dhe informacionit të pasur që mbledh do të dalin një radhë studimesh për çështje albanologjike.
Monografitë e tij të plota, që shkojnë nga pak faqe në rrotull të 100-ave, janë afër 15. Në librin që doli tani në shqip janë përfshirë katër nga monografitë e tij më të gjata si numër faqesh e më të plota si cilësi: Malësia e Shqipërisë Veriperëndimore, Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë së Veriut, Monumente të periudhave të ndryshme në Shqipëri dhe Kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri; këto janë botuar përkatësisht në vitet 1900, 1907, 1907 dhe 1908 dhe janë të gjitha, siç kuptohet, fryt i qëndrimit të tij shtatëvjeçar në Shqipëri. Ndër monografi të tjera të rëndësishme që shpresoj të botohen së shpejti hyjnë edhe "Kontribut në historinë e brendshme të Shqipërisë", "E drejta zakonore e malësorëve të Shqipërisë", "Kontribut për historinë e Shqipërisë në shekujt 13.-14" etj.
Periudha e qëndrimit në Shqipëri shquhet edhe nga përpjekja e vazhduar për ta shtrirë ndikimin e monarkisë në Shqipëri të Veriut dhe për ta ndihmuar çështjen e zgjimit shqiptar me të gjitha mënyrat - çka përbënin në atë kohë dy aspekte të po të njëjtit veprim. Kleri katolik ndihmohej në mënyra e forma të ndryshme, natyrisht edhe me subvencione, sidmos urdhri i franceskanëve; një numri teologësh të rinj iu krijua mundësia të studionin në universitete të Austrisë. Duhet përfytyruar se në ç'vështirësi e zhvillonte Ippeni këtë veprimtari, i survejuar dhe i penguar pa prerë nga autoritet turke. Për të dhënë vetëm një shembull të rrezikut që sillnin kontaktet e tij me parinë shqiptare: pas takimit me Murat bej Toptanin, i cili e pati mysafir Ippenin gjatë udhëtimit që përshkruhet edhe në librin "Shqipëria e Vjetër", Toptanasi arrestohet dhe dërgohet syrgjyn në Tripoli, prej nga do të arratisej më pas, por pa guxuar të kthehet në Shqipëri.
Në takimet me këta njerëz fjala ishte për përhapje të kulturës shqiptare, të shkollave shqipe, për bashkërendimin e veprimit mes komuniteteve të ndryshme fetare; tek e fundit për krijimin e një Lidhjeje të dytë shqiptare që do ta çonte vendin drejt autonomisë, deri në zgjidhjen grindjeve të gjata që shoqëruan vendosjen e alfabetit shqiptar.
"Po të shihet programi i Lidhjes", i shkruante Ippeni në prill 1897 Ministrisë së tij të Jashtme, "ai shpie domosdo në një organizim federalist, që ka si gjymtyrë fiset, qarqet dhe qytetet që e përbëjnë sot Shqipërinë. Përfaqësuesit e këtyre do mund të krijonin pastaj një konventë drejtuese, e cila do të vendoste natyrshëm në krye të vet si administrator të përgjithshëm një personalitet nga mesi i saj... I diktoj mirë të metat dhe rreziqet që bart në vetvete një organizimi i tillë i lirshëm, megjithatë është i vetmi që mund të realizohet pa pahir për së jashtmi, që i përgjigjet karakterit kombëtar të shqiptarëve, historisë dhe dokeve të tyre të sotme".
Në vitin 1902 Ippenit i rëndohet sëmundja e reumatizmës, që thuajse e paralizon. Pas disa përpjekjeve për kurim detyrohet të largohet nga konsullata e Shkodrës në vitin 1903. Në vitet e mëpasme do të përfaqësojë monarkinë si konsull në Amsterdam e në Athinë dhe si drejtor komercial në ambasadën e Londrës. Prej nëntorit 1911 punon në Ministrinë e Jashtme në Vjenë.
Me shpërthimin e luftërave ballkanike dhe hapjen e Konferencës së Londrës, që do të vendoste për fatet e Shqipërisë, Ippeni caktohet në krah të përfaqësuesit austriak kontit Mensdorff si këshilltar. Me hollësitë më të mëdha i tregon atij dhe ministrit Berthold se ku shtrihen vendbanimet shqiptare, duke pasë përgatitur për këtë edhe hartat gjeo-demografike. Këmbëngul sidomos për ruajtjen e kufirit me Malin e Zi, për përfshirjen e Shkodrës, Gjakovës dhe Dibrës etj. brenda kufijve të shtetit të ri. Njihet tashmë, nga një sërë botimesh qëndrimi i Austro-Hungarisë për Shqipërinë e ardhme, praktikisht e vetmja fuqi që ishte e interesuar për një shtet që do mund të mbahej mbi këmbët e veta. Konti Mensdorff këmbëngulte, se do të ishte absurde "të krijohej një Shqipëri anemike, atrofike, që do të barte që në lindje tharmin e vetëshkatërrimit të saj, duke luajtur në duart e fuqive që e kishin krijuar një rol qesharak" (telegram i dt. 22.1.1913 drejtuar Ministrisë së Jashtme në Vjenë). Italia kërkonte vetëm të frenonte ekspansionin austro-hungarez, kurse Rusia ishte zëdhënësia dhe mbrojtësja kryesore e shteteve agresive fqinje me Shqipërinë. "Rusët nuk lodhen shumë, ata heqin vetëm katër vija të drejta", i shkruante Ippeni ministrisë së tij "...në Veri kufirin e kërkojnë aty ku kalon rruga nga Shkodra për në Urën e Vezirit: por një rrugë s'mund të jetë kurrë një kufi. Në lindje ai duhet të ndjekë rrjedhën e Drinit të Zi; mirëpo një lumë mund të jetë një kufi i mirë, vetëm kur ai ka rrjedhë të gjerë e mund të bëhet pengesë, por Drini i Zi kaptohet me va në shumë pika". Kurse për Gjakovën, p.sh., shkruante: "Ky qytet është qendra politike dhe ekonomike e malësorëve muhamedanë dhe këmbëngul edhe më shumë për ruajtjen e tij, pasi te këto fise shoh bastionin e natyrshëm shqiptar kundër ekspansionit serb" (telegram i dt. 1.2.1913). Theodor Ippeni në atë konferencë ishte praktikisht i vetmi specialist dhe njohës i Shqipërisë; gjithë pjesëmarrësit e tjerë ishin politikanë ose diplomatë, që operonin sipas nevojave ose diktateve politike.
Njihen mirë përfundimet e asaj konference që vazhdon t'i ketë pasojat e saj deri në ditët tona. Ippeni mund të jetë krenuar që saje këmbënguljes së tij, brenda kufijve të Shqipërisë mbeti Shkodra dhe që trupat malazeze e lëshuan qytetin e moçëm, por mund ta përfytyrojmë edhe dëshpërimin i tij për humbjen e qyteteve të tjera kryesore shqiptare të Veriut dhe Verilindjes.
Në periudhën e Luftës së parë botërore Ippeni u mor më tepër me frontin Jugperëndimor (Itali e Veriut). Me krijimin e Republikës së parë austriake ishte ndër funksionarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, duke luajtur edhe rolin e ministrit për një periudhë të shkurtër gjatë bisedimeve për paqe në vitin 1920. Më1921 del në pension, duke vazhduar të jetë aktiv në "Komisionin ndërkombëtar për Danubin". Disa vite para vdekjes goditet nga një apopleksi e rëndë, që e paralizon krejtësisht. Me sa duket në këtë periudhë, i sëmurë dhe i vetmuar ka zhdukur gjithë dokumentat private dhe korrespondencën, sikurse mendon studiuesja e vetme e tij Annelise Wernicke (Theodor Ippen, Wiesbaden 1967), pasi veç punimeve të botuara dhe letrave zyrtare, në arkiva nuk është gjetur asgjë tjetër. Në vitin 1932 merr nga mbreti Zog Urdhrin e Skënderbeut. Vdes më 31 janar 1935 në Vjenë.
Jemi të sigurt që libri "Shqipëria e vjetër", nën shqipërimin e Gj. Karaiskajt dhe A.Klosit, botuar nga K&B, edhe pse nuk mund t'ia japë menjëherë tek ne vendin që meriton albanologut të madh, njeriut që vuri, heshturazi por me forcën e diturive të tij, një pjesë të madhe në themelet e shtetit shqiptar, prapëseprapë është tribut mirënjohjeje për veprën e tij, që rikthehet shqip në vendet të cilat i përshkroi një shekull më parë. Më anë tjetër këto katër monografi të Theodor Ippenit janë dëshmi e pasur, se si mund të shkruhet paanshëm për një vend dhe për një popull edhe duke i dashur.
Krijoni Kontakt