Domosdoshmëria e të vepruarit me sunnet
Falënderimi i takon All-llahut xh.sh., Zotit të botëve dhe përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.
Bekimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e tij, Muhammedin, i cili është dërguar si mëshirë për mbarë botën dhe argument për të gjithë njerëzit. Bekimi dhe paqja qofshin edhe mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ua përcollën Librin e Zotit dhe Sunnetin e të Dërguarit gjeneratave pas tyre me besnikëri dhe precizitet, duke mbajtur mënd mirë fjalët dhe kuptimet. Qoftë i kënaqur All-llahu me ta dhe na bëftë prej pasuesve të tyre të mirë.
Janë dakorduar të gjithë dijetarët se bazat për sqarimin e hallallit dhe haramit janë: Kur’ani i Madhëruar, i cili është i paprekshëm nga ndryshimet dhe rrenat, Sunneti i Resulull-llahut s.a.v.s. dhe në fund pëlqimi i të gjithë dijetarëve rreth ndonjë çështjeje.
Argumentet për këto baza janë të shumta dhe të njohura.
Sa i përket bazës së parë - KUR’ANIT, All-llahu xh.sh. në shumë ajete urdhëron në domosdoshmërinë e të punuarit me të, si dhe në domosdoshmërinë e ndalimit të asaj që ai e ndalon.
All-llahu xh.sh. thotë:
"Pasoni atë që u është zbritur nga Zoti i juaj, dhe mos zini miq pos Tij. Pak është ajo që e merrni si përvojë."
"Dhe ky libër është dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij dhe ruajuni ashtu që të mëshiroheni."
"Juve ju erdhi nga All-llahu dritë dhe libër i qartë: All-llahu me të e vë në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e Tij dhe me ndihmën e tij i nxjerr ata prej errësirës në dritë dhe i udhëzon në rrugë të drejtë"
"Ata që mohuan Kur’anin kur u erdhi janë të marrë. Ai është një libër ngadhënjyes. Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit"
"Më është zbritur ky Kur’an që t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet"
"Ky (Kur’an) është kumtesë për njerëz, që me të të këshillohen"
Ka edhe shumë ajete tjera të cilat flasin mbi këtë temë.
Gjithashtu kemi edhe mjaft hadithe të vërteta nga Resulull-llahu s.a.v.s. me të cilat ai na urdhëron t’i përmbahemi Kur’anit, duke aluduar në ate se kush e përfill udhëzohet, kurse kush e braktisë, lakon nga rruga e drejtë.
Nga këto hadithe është edhe hadithi që e ka thënë në hutben e tij në haxhul-veda (Haxhxhin e lamtumirës):
"Ua kam lënë juve një gjë, që nëse kapeni për të nuk do të lajthitni, e ky është Libri i All-llahut." (transmeton Muslimi në Sahihun e tij).
Gjithashtu transmeton Muslimi në sahihun e tij nga Zejd ibn Erkami r.a. i cili thotë se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
"Ju kam lënë dy gjëra: gjëja e parë është Libri i All-llahut, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, pra veproni me Librin e All-llahut dhe kapuni për te. Gjëja e dytë është familja ime. Ju përkujtoj në emër të All-llahut në familjen time, ju përkujtoj në emër të All-llahut në familjen time."
Në një transmetim tjetër qëndron:
"Kur’ani është litari i All-llahut, kush kapet për te udhëzohet kurse kush e braktis, lajthitë nga rruga e drejtë"
Gjithashtu ka edhe hadithe tjera që flasin mbi këtë temë.
Janë dakorduar të gjithë dijetarët, nisur prej sahabëve dhe të tjerëve pas tyre, se është obligim i domosdoshëm të kapurit për Librin e All-llahut xh.sh. dhe të gjykuarit me të në përputhje me Sunnetin e Resulull-llahut s.a.v.s., gjë që nuk ka nevojë ta argumentojmë duke pasur parasysh ajetet dhe hadithet e lartpërmendura.
SUNNETI (baza e dytë) është vepra dhe fjalët e Resulull-llahut s.a.v.s. që ka depërtuar tek ne nëpërmjet transmetimit të vertetuar (të saktë), transmetim i cili është bërë nëpërmjet sahabëve dhe transmetuesve të besueshëm, të cilët e kanë ndjekur rrugën e të Dërguarit s.a.v.s. me korrektësi.
Të gjithë dijetarët prej sahabëve dhe të tjerëve pas tyre besojnë në këtë bazë, argumentojnë me te dhe ia mësojnë popullit këtë. Kanë shkruar mbi këtë bazë libra të shumtë dhe e kanë sqaruar këtë në librat e (usuli-fikhut) dhe terminologjisë së hadithit (mustalah hadithit).
Ajetet që flasin mbi këtë janë të shumta. Nga këto ajete janë edhe ajetet që urdhërojnë muslimanët ta pasojnë dhe respektojnë Sunnetin e të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. Këto ajete u janë drejtuar muslimanëve të kohës së tij, si dhe atyre që vijnë pas, ngase ai është i Dërguar nga All-llahu për të gjithë dhe ngase të gjithë janë të urdhëruar ta pasojnë dhe respektojnë, deri në Ditën e Kijametit.
Muhammedi s.a.v.s. është komentues i Librit të All-llahut, sqarues i tij me fjalët, veprat dhe pëlqimet e tij. Po qe se nuk ekzistonte Sunneti (hadithet), muslimanët nuk do ta dinin numrin e rekateve të namazeve, formën e tyre dhe çka është vaxhib në to. Nuk do t’i dinin me përpikëri rregullat e agjërimit, zekatit, haxhxhit, xhihadit, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, nuk do të dinin me përpikëri rregullat e marrëdhënieve ndërnjerëzore (muamelat) dhe atë që All-llahu e ka bërë obligim të realizohet, qoftë dënim ose kundërvajtje, e që nuk është përmendur në Kur’an.
All-llahu xh.sh. thotë:
"Bindjuni All-llahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni"
"O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, parashtrojeni atë te All-llahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari i Tij, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë."
"Kush i bindet të Dërguarit, ai i është bindur All-llahut, e kush e refuzon, ne nuk të kemi dërguar ty roje kundër tyre"
Si mund të respektohet dhe si mund të parashtrohen çështjet te Libri i All-llahut subhanehu ve te’ala (të Lavdëruar dhe të Lartësuar) dhe Sunnetit të të Dërguarit të tij s.a.v.s. nëse Sunneti i tij nuk është argument, ose nëse Sunneti i tij nuk është i ruajtur në tërësi. Nëse dikush thotë kështu, atëherë kjo do të thotë se All-llahu xh.sh. i ka urdhëruar robërit e tij në diçka që nuk ekziston, kurse kjo është rrena më e madhe dhe kufri (mosbesimi) më i madh.
All-llahu xh.sh. thotë:
"Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre me shpresë se do ta studiojnë"
"Ne nuk ta shpallëm ty Kur’anin për tjetër gjë, përveç se t’u sqarosh atyre për çka u përçanë, e që të jetë udhëzim e mëshirë për ata që besojnë"
Si mundet që All-llahu xh.sh. t’i japë lejen Muhammedit s.a.v.s. për sqarimin (shpjegimin) e Kur’anit, nëse Sunneti i tij nuk do të ekzistonte ose nuk do të kishte fuqi argumentuese?
All-llahu xh.sh. thotë:
"Thuaj: respektoni All-llahun, respekto- ni të Dërguarin! Nëse ata refuzojnë, atyre u takon përgjegjësia për atë që janë ngarkuar, ndërsa juve ju takon përgjegjësia me atë që jeni ngarkuar. Nëse i bindeni atij, keni gjetur të vërtetën. I Dërguari ka për obligim vetëm komunikimin e qartë."
"Falni rregullisht namazin, jepni zekatin dhe respektoni të Dërguarin, që të mëshiroheni!"
"Thuaj: o ju njerëz! Unë jam i dërguar i All-llahut për të gjithë ju! Të cilit (All-llahut) i takon sundimi i qiejve dhe i tokës. S’ka të adhuruar tjetër pos Tij. Dhënësit të jetës dhe Dhënësit të vdekjes. Pra besoni All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, pejgamberin e pa- shkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij. Ndiqni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën!"
Prej këtyre ajeteve shihet qartë se udhëzimi në të vërtetën dhe mëshira e All-llahut gjenden në mirëmbajtjen e Sunnetit të Muhammedit s.a.v.s. Pra, si mundemi të udhëzohemi dhe të mëshirohemi nga All-llahu përveç duke e praktikuar Sunnetin e të Dërguarit të ndershëm, Muhammedit s.a.v.s.. Sidomos çfarë do të ndodhë me ata që thonë se Sunneti nuk është shtyllë e sheriatit, kur dihet se i Lartmadhëruari thotë:
"Le të ruhen ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij (e të Dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe (fitne = përçarje, sprovim), ose do t’i zë dënim i dhemb- shëm"
"Ç’ka t’ju jep i Dërguari merreni, e çka t’ju ndalon, përmbajuni"
Shumë ajete flasin mbi këtë temë dhe të gjitha këto aludojnë në atë se respektimi dhe pasimi i Muhammedit s.a.v.s. është vaxhib (obligim i domosdoshëm), njëlloj siç është e domosdoshme edhe kapja për Kur’anin, për çka na argumentuan ajetet e lartpërmendura.
Kur’ani dhe Sunneti janë dy baza të pandashme. Kush e mohon njërën prej tyre, ka mohuar dhe përgënjeshtruar edhe tjetrën. Të gjithë dijetarët thonë se kjo është kufër (mosbesim), humbje dhe dalje nga Islami.
Gjithashtu ka edhe shumë hadithe që flasin mbi domosdoshmërinë e respektimit të Resulull-llahut s.a.v.s., pasimin e tij dhe ndalimin e të bërit mëkat ndaj tij (duke mos iu nënshtruar Sunnetit të tij). Këto hadithe janë në numër aq të madh, saqë kanë filluar të konsiderohen si hadithe mutevatir (hadith mutevatir është ai hadith të cilin e transmetojnë nga çdo gjeneratë një grup njerëzish, ashtu që numri i madh i tyre mohon mundësinë e gënjeshtrës). Normalisht, kjo vlen për çdo kohë, qoftë për ata që kanë jetuar në kohën e të Dërguarit, qoftë për ata që jetonë sot ose në të ardhmen, deri në Ditën e Kijametit.
Transmetohet në sahihajn (dy librat me hadithe të vërteta sahihul-Buhari dhe sahihul-Muslim) nga Ebu Hurejre r.a. se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
"Kush më respekton mua, e ka respektuar All-llahun, e kush bën mëkat ndaj meje, ka bërë mëkat ndaj All-llahut."
Transmeton Buhariu në sahihun e tij nga Ebu Hurejre r.a. se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
"I gjithë ummeti im do të hyjë në xhennet, përveç atij që do të refuzojë."
Kanë thënë: "Kush do të refuzojë?" Ka thënë: "Ai që më respekton, hyn në xhennet, e ai që bën mëkat ndaj meje, vetëmse ka refuzuar"
Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi dhe Hakimi me sened (zinxhir transmetuesish) të vërtetë nga Mikdam bin Madijkereb se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
"Më është dhënë Libri dhe një gjë e ngjashme me të. Kam drojën se ndonjë njeri i ulur në kolltuk do t’ju thotë: Detyrë e keni të kapeni për Kur’anin, ç’të gjeni në të hallall, bëne hallall (konsiderone për hallall), kurse ç’të gjeni në të haram, bëne haram." (konsiderone si haram).
Transmetojnë Ebu Davudi dhe ibn Maxhe me sened të vërtetë nga Ebi Rafiu, nga babai i tij e ky nga Muhammedi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Të mos e gjej ndonjërin prej jush të ulur në kolltuk, të cilit i vjen ndonjë urdhër prej urdhrave të mi ose ndonjë ndalesë, e thotë: Nuk e di, atë që e kemi gjetur në Kur’an, do ta pasojmë"
Hasan bin Xhabiri ka thënë: E kam dëgjuar Mikdam Madijkerebin r.a. duke thënë : Bëri (i përcaktoi si) haram disa sende Muhammedi s.a.v.s. në ditën e Hajberit, e pastaj tha: "Kam drojë nga njeriu i ulur në kolltuk, i cili më përgënjeshtron duke i thënë fjalët e mia: Mes nesh kemi Kur’anin a.sh. dhe çdo gjë që do të gjejmë në të që është hallall, e bëjmë (e konsiderojmë) hallall, dhe çdo gjë që gjejmë në të haram e bëjmë (e konsiderojmë) haram. Dijeni, atë që Resulull-llahu e ka bërë (e ka përcaktuar si) haram është njëlloj sikur që e ka bërë (e ka përcaktuar si) haram All-llahu." Transmetojnë Hakimi, Tirmidhiu dhe ibn Maxhe me sened të vërtetë.
Në shumë hadithe transmetohet se Muhammedi s.a.v.s. gjatë hutbeve i ka porositur sahabët e tij që ai që është prezent t’ia përcjell ligjërimin atij që nuk është prezent, duke u thënë: "Ndodh që atij që ia përcillni e kupton më mirë". Transmetohet në sahihajn (Buhariu dhe Muslimi) se Muhammedi s.a.v.s. pas hutbes së Lamtumirës në ditën e Arafatit, ditën e kurbaneve ka thënë: "Ai që është prezent le t’ia kumtojë atij që nuk është prezent, se ndodh që ai, të cilit i kumtohet, është më mendjemprehtë se ai që kumton."
Po qe se Sunneti nuk do ta kishte vlerën e argumentit në Islam deri në Ditën e Gjykimit, i Dërguari nuk do të urdhëronte një gjë të tillë (që i pranishmi t’ia përcjell ligjërimin të papranishmit). Nga kjo ndodhi kuptojmë se Sunneti është argument për atë që e ka dëgjuar nga goja e Resulull-llahut s.a.v.s., si dhe për atë, te i cili ka arritur nga ana e përcjellësve të ndershëm.
Shokët e të Dërguarit s.a.v.s. e kanë ruajtur Sunnetin, qoftë me hadith ose me vepër, dhe këtë ua kanë kumtuar tabiinëve, ndërsa tabiinët atyre që kanë ardhur pas tyre. Në këtë mënyrë dijetarët e kanë përmbledhur hadithin prej njerëzve të sigurtë gjeneratë pas gjenerate, shekull pas shekulli dhe kështu hadithet i kanë tubuar nëpër libra duke i sqaruar hadithet e vërteta nga të jovërtetat. Gjithashtu dijetarët vendosën rregulla, nëpërmjet të cilave dallohet hadithi i vërtetë prej të jovërtetit. Dijetarët i kanë përdorur librat e haditheve të vërteta dhe i kanë mësuar përmendësh, njëlloj siç e kanë mësuar përmendësh Kur’anin e madhëruar dhe e kanë ruajtur nga ndryshimi i ndryshuesve dhe nga devijimi i devijuesve duke e realizuar ajetin fisnik:
"Ne e shpallëm Kur’anin dhe ne gjith- sesi jemi mbrojtësit e tij."
S’ka dyshim se Sunneti i të Dërguarit s.a.v.s. është shpallje e zbritur nga All-llahu xh.sh. dhe Ai e ka ruajtur atë ashtu siç e ka ruajtur edhe Kur’anin e madhëruar, gjithashtu ka krijuar dijetarë, të cilët do ta mbrojnë nga devijimi i devijuesve dhe nga komentimi i gabuar i injorantëve, do ta pastrojnë nga ajo që ia kanë mveshur injorantët dhe gënjeshtarët. All-llahu xh.sh. e ka bërë Sunnetin komentues të Kur’anit të madhëruar dhe sqarues të dispozitave përmbledhëse, kurse në brendi të tij ka rregulla për të cilat nuk ka folur Kur’ani, siç është sqarimi i gjerësishëm i rregullave të afërsisë nga qumështi, disa rregulla të trashëgimisë, ndalesën e bashkimit të gruas me tezen e saj (në një martesë), ndërmjet gruas dhe hallës së saj, si dhe rregulla të tjera, të cilat nuk i përmend Kur’ani, ndërsa gjenden në hadithin e vërtetë.
Do të përmendi disa ngjarje që transmetohen prej sahabëve, tabiinëve dhe atyre që kanë ardhur pas tyre, të cilat rrëfejnë për vlerën e madhe që ia kanë dhënë sahabët Sunnetit:
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., i cili ka thënë:
"Pas vdekjes së të Dërguarit s.a.v.s. disa arabë u bënë murtedë (braktisën Islamin), dhe Ebu Bekri r.a. tha:
Pasha Zotin, do ta luftoj atë që ndan namazin prej zekatit (që e kryen njërën, e tjetrën e le). Umeri r.a. i tha:
Si mund t’i luftosh kur i Dërguari ka thënë: Jam urdhëruar (nga All-llahu) t’i luftoj njerëzit derisa të thonë La ilahe il-l All-llah, e kur ta thonë këtë, do ta mbrojnë (sigurojnë) gjakun dhe pasurinë e tyre, përveç me të drejtën e saj (përveç nëse nuk i plotësojnë kushtet për vlershmërinë e kësaj thënieje). Ebu Bekri tha:
A thua zekati nuk është prej të drejtave të kësaj fjale? Pasha Zotin, nëse e ndalin një litar (kërpesh) që ia kanë dhënë të Dërguarit s.a.v.s., do t’i luftoj për këtë. Umeri r.a. tha:
Kuptova se All-llahu e ka zgjeruar gjoksin e Ebu Bekrit për luftimin e tyre dhe kuptova se është në të drejtë.
Në këtë vendim (Ebu Bekrin) e ndihmonin të gjithë sahabët, ashtu që i luftuan murtedët derisa i kthyen në Islam, ndërsa ata që ishin këmbëngulës në këtë i vritnin."
Një ditë te Ebu Bekri r.a. erdhi një gjyshe për ta pyetur se a ka ndonjë pjesë nga trashëgimia. Ai iu përgjigj:
Në Kur’an nuk flitet se ke ndonjë pjesë, e as nuk e di se a të ka ndarë i Dërguari s.a.v.s. diçka, por do t’i pyes edhe njerëzit. Pasi që i pyeti edhe sahabët, disa prej tyre i thanë se i Dërguari ia ka caktuar plakës të gjashtën, dhe Ebu Bekri r.a. veproi ashtu siç e kishte caktuar Resulull-llahu s.a.v.s.
Umeri r.a. i porosiste nëpunësit e tij që të gjykojnë me Kur’an, nëse nuk gjejnë përgjigje në Kur’an, të gjykojnë me Sunnetin e të Dërguarit s.a.v.s. Për këtë shkak, kur e kanë pyetur për imlasin (abort spontan - i padëshiruar, i shkaktuar prej goditjes nga jasht), Umeri u është drejtuar sahabëve dhe i ka pyetur, kurse Muhammed bin Muslime dhe Mugire ibn Shu’be i janë përgjigjur duke thënë:
"I Dërguari s.a.v.s. për këtë çështje ka gjykuar lëshim të një robi të bardhë, ose robëreshe të bardhë". Me këtë rast Umeri gjykoi ashtu siç kishte gjykuar edhe i Dërguari s.a.v.s..
Kur Uthmani r.a. qe i pyetur për atë, se a mund ta kalojë gruaja idetin (koha kur gruaja nuk mund të martohet pas vdekjes së burrit) në shtëpinë e saj, Feriateja, bija e Malik bin Sinanit, motra e Ebu Seidit r.a. e lajmëroi se i Dërguari s.a.v.s. e pat urdhëruar që pas vdekjes së burrit të saj të mbetet në shtëpinë e tij derisa të kalon ideti (katër muaj e dhjetë ditë). Kështu Umeri e zgjidhi çështjen. Gjithashtu në të njëjtën mënyrë veproi edhe kur u parashtrua çështja e pirjes së alkoolit, të cilën gjë e kishte bërë Velid bin Ukbe.
Kur Aliu r.a. kuptoi se Uthmani r.a. e ndalon haxhxhin temetu, bëri nijet (vendosi) që ta bëjë këtë haxhxh dhe tha: "Nuk e lë Sunnetin e të Dërguarit për fjalën e ndonjë njeriu!"
Disa njerëz u arsyetuan për çështjen e haxhxhit temetu te ibn Abbasi r.a. me fjalët e Ebu Bekrit dhe Umerit r.a. dhe ibn Abbasi tha:
"Kam frikë se do të bien gurë nga qielli. Unë ju them: ka thënë i Dërguari s.a.v.s., kurse ju thoni: ka thënë Ebu Bekri, ka thënë Umeri!"
Nëse kemi frikë se do të bien gurë nga qielli për atë që kundërshton Sunnetin për shkak të fjalëve të Ebu Bekrit dhe Umerit, atëherë ç’mbetet për ata që e kundërshtojnë Sunnetin për shkak të disa njerëzve që kanë vlerë më të vogël se këta të dy, ose për shkak të mendimit dhe ixhtihadit të tij personal?
Disa njerëz nuk u pajtuan me Abdull-llah ibn Umerin në disa sunnete, dhe ky u tha:
"A jemi urdhëruar që ta përmbajmë Umerin ose Sunnetin?"
Një ditë Imran ibn Husejni fliste për Sunnetin, dhe një njeri i tha:
"Na flit për Kur’anin!" Imrani u hidhërua dhe tha:
"Sunneti është komentues i Kur’anit! Nëse nuk do të ishte Sunneti, si do ta dinim se dreka ka katër rekate, akshami tre, sabahu dy, nuk do t’i dinim rregullat e dhënies së zekatit në përpikëri dhe nuk do t’i dinim shumë rregulla tjera, të cilat i ka sqaruar Sunneti."
Njëherë, kur Abdull-llah ibn Umeri e tha hadithin e të Dërguarit s.a.v.s., i cili thotë: "Mos i ndaloni robëreshat e All-llahut (femrat dhe gratë) nga shtëpitë e All-llahut (xhamitë)!" Bijtë e Abdull-llahut thanë: "Vall-llahi do t’i ndalim!" Abdull-llahu u hidhërua shumë dhe tha: "Unë ju them se ka thënë i Dërguari s.a.v.s., e ju thoni vall-llahi do t’i ndalim!"
Kur Abdull-llah ibn Mugafeli r.a. pa një të afërm të tij si gjuan me gurë, e ndaloi nga kjo duke thënë:
"I Dërguari s.a.v.s.e ka ndaluar gjuajtjen me gurë!" dhe e citoi hadithin: "Me këtë (me gjuajtjen e gurëve të vegjël) nuk mund ta gjuash gjahun, e as ta vrasësh armikun, por kjo ta then dhëmbin dhe ta verbon syrin!" Më vonë Abdull-llahu përsëri e pa të afërmin e tij si gjuan me gurë dhe i tha:"Vall-llahi nuk do të flas më asnjëherë, të tregova se i Dërguari s.a.v.s. e ka ndaluar këtë vepër, ndërsa ti edhe më tej e bën të njëjtën gjë!"
Transmeton Bejhakiu nga Ejub es-Sihtijani (tabiin), i cili ka thënë:
"Nëse një njeriu i flet me Sunnet, kurse ai të thotë: lere këtë e më flit nga Kur’ani, dije se është i humbur!"
Evzaiu r.a. ka thënë: "Sunneti është vendimtar për Kur’anin, dmth: e përkufizon të pakufizuarën, ose vjen me rregulla të cilat nuk gjenden në Kur’an, siç thotë All-llahu xh.sh:
"Ty ta zbritëm Kur’anin që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë"
Përmendëm më parë hadithin e të Dërguarit s.a.v.s.:
"Më është dhënë Kur’ani dhe një gjë e tillë me të"
Transmeton Bejhakiu r.a. nga Amir ibn esh-Shabiu r.a. i cili u ka thënë disa njerëzve:
"Jeni shkatërruar kur i keni lënë hadithet."
Transmeton Bejhakiu nga Evzaiu r.a. i cili u ka thënë disa njerëzve:
"Nëse dëgjon ndonjë hadith të të Dërguarit s.a.v.s., i mjeri ti nëse nuk vepron me të, ngase i Dërguari ka kumtuar prej All-llahut xh.sh."
Transmeton Bejhakiu nga Imam Sufjan eth-Thevriu r.a., i cili ka thënë:
"Dituri është dituria e hadithit"
Imam Maliku ka thënë:
"Çdokush prej nesh kundërshton dhe i kundërshtohet, përveç pronarit të këtij varri (duke treguar drejt varrit të të Dërguarit s.a.v.s.)"
Ebu Hanife r.a. ka thënë:
"Nëse vjen ndonjë hadith prej të Dërguarit s.a.v.s., është mbi kokë dhe mbi sy (dmth i përulemi atij hadithi)."
Imam Shafiu r.a. ka thënë:
"Nëse ua transmetoj ndonjë hadith të vërtetë nga Muhammedi s.a.v.s. dhe nuk veproj me të, dijeni se mendja ime ka shkuar (jam çmendur)". Gjithashtu ka thënë:
"Nëse ju kam thënë ndonjë fjalë, e cila është në kundërshtim me fjalën e të Dërguarit s.a.v.s., hudheni fjalën time për muri"
Imam Ahmedi r.a. u ka thënë disa shokëve të tij:
"Mos më pasoni as mua, as Malikun e as Shafiun në të verbër, por merrni nga kemi marrë edhe ne (nga Sunneti)". Gjithashtu ka thënë:
"I çuditem popullit, i cili e din senedin (vargun e transmetuesve) të ndonjë hadithi dhe vepron me mendimin e Sufjanit, kurse All-llahu xh.sh. thotë:
"Le të ruhen ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij (e të Dërguarit), se ata do t’i zë ndonjë telashë, ose do t’i zë dënim i dhembshëm"
dhe (Imam Ahmedi) ka vazhduar:
"A e dini se ç’është fitneja (telashja)? Fitneja është shirku. Ndoshta duke refuzuar ndonjë pjesë të hadithit të të Dërguarit s.a.v.s. futet në zemrën e tij sëmundja dhe shkatërrohet"
Transmeton Bejhakiu nga Muxhahid ibn Xhebri r.a., (i cili është tabii i mirë), kur e ka komentuar fjalën e All-llahut xh.sh.:
"O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, parashtrojeni atë te All-llahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari i Tij, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë."
Ka thënë: ta parashtrosh te All-llahu do të thotë ta parashtrosh te Libri i Tij, ndërsa ta parashtrosh te i Dërguari i Tij do të thotë t’ia parashtrosh Sunnetit.
Transmeton Bejhakiu nga Zuhriu r.a., i cili ka thënë:
"Dijetarët tanë në të kaluarën thonin: Kapja për Sunnet është shpëtimi"
Muvefikud-din ibn Kudame r.a. në librin e tij "Reudetun-nadhir" thotë:
"Baza e dytë është Sunneti i të Dërguarit s.a.v.s., fjala e tij është argument, ngase (muxhizeja) e ka argumentuar se është e vërtetë dhe se All-llahu xh.sh. i ka urdhëruar muslimanët ta respektojnë atë dhe ua ka tërhequr vërejtjen atyre që e kundërshtojnë urdhrin e tij"
Ibni Kethiri r.a. duke komentuar ajetin:
"Le të ruhen ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij (e të Dërguarit), se ata do t’i zë ndonjë telashë, ose do t’i zë dënim i dhembshëm"
Ka thënë: dmth., "ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij", që është rruga, metoda, Sunneti, ligji dhe sheriati i tij. Pra, duhet peshuar fjalët dhe veprat tona me fjalët dhe veprat e tij. Nëse pëlqehen veprat tona me fjalët e tij, veprat tona do të pranohen, përndryshe ato do të refuzohen, pa marrë parasysh se cili prej nesh e ka bërë (veprën), siç transmetohet në sahihajnë se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë:
"Kush vepron ndonjë vepër që nuk është në çështjen tonë (Islamin), do t’i refuzohet".
Pra, le të ketë kujdes dhe le të frikësohet ai që e kundërshton sheriatin e tij, përndryshe "...do t’i zë ndonjë telashë..." dmth: në zemrën e tij, siç është kufri, nifaku dhe bidati "...ose t’i godasë dënim i dhembshëm dmth., në këtë botë me realizimin e dënimit të sheriatit: me vrasje, burgim etj.
Transmeton Imam Ahmedi r.a., i cili ka thënë: Më ka treguar Abdur-Rezaku, i cili ka thënë: Më ka treguar Muameri, i cili transmeton nga Hemam ibn Munebehu, i cili ka thënë: Këtë ma ka treguar Ebu Hurejreja r.a., i cili ka thënë: I Dërguari i All-llahut ka thënë:
"Shembulli im dhe i juaji është si shembulli i një njeriu, i cili ndez zjarr dhe pasi që e ka ndriçuar vendin përreth fillojnë të bien në të fluturat dhe insektet tjera, kurse ky i pengon nga kjo, mirëpo ato e fitojnë dhe bien në zjarr. Ky është shembulli im me ju, unë mundohem që t’ju pengoj nga zjarri, kurse ju nxitoni kah zjarri, më fitoni dhe bini në të."
Sujuti r.a. në librin e tij "Miftahul-xhenneti fil-ihtixhaxhi bis-Sunneti" (Çelësi i xhennetit është në të argumentuarit me Sunnet) thotë:
"Dijeni, All-llahu ju mëshiroftë, se ai që refuzon se hadithi i të Dërguarit s.a.v.s. është argument,qoftë në fjalë ose në vepër, duke poseduar kushtet e njohura bën kufër dhe del nga qarku i Islamit duke u ringjallur në Ditën e Gjykimit me krishterët dhe çifutët, ose me atë grup të kafirave që don All-llahu."
Në këto transmetime kemi argumente të qarta për respektin e madh që e kanë pasur sahabët, tabiinët dhe dijetarët ndaj Sunnetit, si dhe domosdoshmërinë e të vepruarit me te. Gjithashtu ka edhe shumë thënie të tjera të cilat tërheqin vërejtjen nga kundërshtimi i tij, mirëpo kjo që e përmendëm mjafton dhe mendoj se e bindë kërkuesin e së vërtetës. I lutem All-llahut xh.sh. që të na udhëzojë kah ajo që e don Ai (kah e mira) dhe të na shpëtojë nga hidhërimi i Tij, e gjithashtu i lutem që të na udhëzojë të gjithëve në rrugën e drejtë, Ai dëgjon, është afër.
Ves-sal-lall-llahu ves-selem ala abdihi ve resulihi, nebijjina Muhammed ve ala ‘alihi ve as-habihi ve etbaihi bi ihsan!
Krijoni Kontakt