Pasditja e djeshme ka "zhytur" në një kaos institucionin e akuzës. Dhjetëra prokurorë, kryesisht njerëzit e ngushtë të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, janë transferuar në prokuroritë e rretheve. Gjithçka është zyrtarizuar me një dekret të Presidentit Bamir Topi. Thirrjet e vazhdueshme të politikës për një reformë të thellë në organikën e akuzës qendrore, kanë pasur miratimin e kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit, për rreth dy muaj në krye të prokurorisë, ka hartuar listat, ku lëvizja kryesore është e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë, në akuzën qendrore, Ardian Visha, i cili emërohet në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër. Rama ka transferuar edhe prokurorin Haxhi Giu, që kryesoi hetimet për vrasjen e Azem Hajdarit, i cili do të vazhdojë karrierën në Krujë.
Akuza qendrore
Më dorë të hekurt, kryeprokurorja Ina Rama ka kryer disa transferime në akuzën qendrore. Madje, nuk i kanë shpëtuar edhe prokurorët e Durrës-Kukës. Duket se takimet e Ina Ramës me Kryeministrin Berisha, në javët e fundit, ku zyrtarisht u kërkua kaseta e mbledhjes së qeverisë, kanë vijuar me lëvizjen e prokurorit Xhevat Hana, një prej drejtuesve të çështjes. Ky i fundit është emëruar prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. Gjithsesi, ky veprim duket se i ka befasuar hetuesit e çështjes, të cilët ende kanë të njëjtin mendim me ish-kryeprokurorin Sollaku, se rruga "patriotike" po ndërtohet duke shkelur ligjet e shtetit shqiptar.
Janë gjithsej 14 prokurorë, të cilët janë transferuar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Më konkretisht, Saliko Hajno, i cili ka udhëhequr Drejtorinë e Gjyqësorit, është transferuar në Shkodër. Aleksandër Goga, në Drejtorinë e Hetimit, ka shkuar në Prokurorinë e Apelit Vlorë. Lëvizjet e tjera janë të prokurorit të çështjes së vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit.
Prokuroritë e rretheve
Pas gati dy muajve në krye të institucionit të akuzës, kryeprokurorja Ina Rama ka nisur dhe reformë të thellë në prokuroritë e rretheve, ku fillimisht ka emëruar drejtuesit e saj. Një lëvizje befasuese e Ramës ka qenë emërimi në krye të Prokurorisë së Durrësit të Arian Ndojës, i shkarkuar nga Sollaku për abuzime me detyrën. Madje, Ndoja ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë, por pa mundur të rifitojë një pozicion në prokurori. Kryeprokurorja Ina Rama ka emëruar Sokol Malajn, një nga prokurorët me frytdhënës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejtues i Prokurorisë së Vlorës. Malaj ka kryesuar hetimet për disa nga bandat më famëkeqe në Shqipëri, si ajo e Lul Berishës. Një tjetër prokuror i suksesshëm te Krimet e Rënda është emëruar në krye të Prokurorisë së Shkodrës. Përparim Kulluri ka drejtuar hetimet për Bandën e Lushnjës dhe aktualisht vijonte hetimet për masakrën e Qafë-Gjashtës në Sarandë, ku ekzekutua një punonjës i policisë. Ndryshime ka pasur edhe në Prokurorinë e Tiranës. Ina Rama ka emëruar në krye të kësaj prokurorie, Genti Xholin, deri dje prokuror në njësinë antikorrupsion. Xholi prej disa muajsh vijonte hetimet për ish-zëvendës ministrin e Transporteve, Nikolin Jakën dhe tatimorët. Gjithashtu, është emëruar në krye të Prokurorisë së Elbasanit Elvin Gokaj, ndërsa në Fier, Altin Binaj.
Drejtuesit e rinj të prokurorive:
Në Tiranë, Genti Xholi
Në Vlorë, Sokol Malaj
Në Shkodër, Përparim Kulluri
Në Elbasan, Elvin Gokaj
Në Fier, Altin Binaj
Transferimet e Prokurorisë së Përgjithshme
Saliko HAJNO, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Shkodër
Aleksandër GOGA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë
Valentina AHMETAJ, transferohet prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Mihallaq BLETA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë
Ylli BASHA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë
Ardian VISHA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër
Zamira GJEBERO, transferohet prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Artan LULAJ, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda
Shkëlqim KOKONA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Ylli BEDALLI, transferohet prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda
Stiliano BANDILLI, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Ushtarak
Haxhi GIU, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë
Xhevat HANA, transferohet prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda
Ledina RIZA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Shkarkohet
Bashkim Malaj
Krijoni Kontakt