Mehemt Shehu ju premtoi amnisti, por pushkatoi 167 burra malësorë
VIRTYT ABDYLI
28/01/2008 Në 63-vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste të Malësisë së Madhe
Dështimi i kryengritjes
MALESI E MADHE– Këto ditë në Malësinë e Madhe u përkujtua në një simpozium shkencor, 63-vjetori i kryengritjes së parë antikomuniste në Shqipëri, e njohur edhe si kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Evropën.
Duke iu referuar shkrimeve të historianit Ndue Bacaj, mësohet se lëvizja antikomuniste e Malësisë u zhvillua në kushtet kur Shqipëria po "pushtohej" nga një ideologji e re, por me prapavijë të vjetër dukshëm antishqiptare, ku çdo vonesë do të kishte pasojat e pariparueshme për fatet e mjeruara e sakatuara të shqiptarëve. Në janar të vitit 1945 kur “fara” komuniste e mbjellë nga të dërguarit sllavë sapo kishte filluar të mbijë edhe në Malësi, malësorët dhanë të parët Kushtrimin, “Të rroken armët e shkatërrohet kjo farë e huaj që po rritej për të zezën e Malësisë e Shqipërisë”.
Malësorët e dëgjuan kushtrimin ndaj rrëmbyen armët dhe arritën që përkohësisht ta çlirojnë Malësinë, por fatkeqësisht kushtrimi nuk u dëgjua nga pjesa tjetër e Shqipërisë e për rrjedhojë kryengritja u shua.
Por edhe pas kësaj të keqe që mbuloi vendin, idealet e ndezura në janarin e vitit 1945 nuk u shuan edhe pse për ato u pagua mjaft shtrenjtë me jetë njerëzish, vite tepër të gjata burgosjesh e internimesh si dhe persekucioni të pashembullt në luftën e gjatë të klasave.
Për malësorët dhe historianët e zonës, padyshim që kjo lëvizje ishte kryengritja e parë antikomuniste, kushtrimi më antikomunist jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën.
Organizimi i kryengritjes në fundvitin 1944
Historiani Ndue Bacaj shkruan për këtë lëvizje se, “Organizimi filloi në ditët e fundit të vitit 1944, kur burrat e urtë e trima që Malësia e më gjerë i donte e i respektonte kishin bërë takimin solemn në malin e Shkrelit e në Bajzë të Kastratit për t'u organizuar e dhënë besën njëri-tjetrit që komunizmin ta luftojnë me armë në dorë siç kishin luftuar çdo pushtues tjetër, edhe pse rreziku ishte tepër i madh e me pasoja për këta burra që kurrë nuk e kishin bërë fjalën dysh kur ishte puna për të mbrojtur trojet, zakonet, jetën, nderin, besën, burrërinë e fenë e të parëve kristianë e muhamedanë e që pushtuesit komunistë jo vetëm nuk i njihnin, por kërkonin t’i përdhosnin përgjithnjë.
Sipas historianit Bacaj, fjalët e njërit nga drejtuesit e kryengritjes antikomuniste më datë 24 dhjetor 1944 trimit të urtë Gjon Martin Lulati në takimin e zhvilluar në shtëpinë e Gjok Tom Kokajt me bashkëluftëtarët e organizatorët e kryengritjes do të kumbonin në veshët e kryengritësve më shumë se plumbat e renegatëve komunistë.
Gjon Lulati në atë natë të paharruar ndër të tjera tha: "Vëllazën, mirse u bashkuam në këtë kuvend burrash malësorë, i cili që tashti na thërret që me guxim e trimni, por edhe me zgjuarsi e besë që kurrë s'u ka munguar, të bisedojmë në mes vedit e të caktojmë detyra për secilin që pa humbur kohë të shkojmë, fis në fis, katund në katund, shpi për shpi për të përgatitur ditën e kryengritjes. Por për këtë ne e dimë se malësorët e më gjerë janë të gjithë me ne, por për ta përforcuar këtë kisha dashtë me me e dijtë të gjithë se çfarë është komunizmi dhe çfarë do të thotë të sundojë ai, se po ta dini mirë si e di vetë ma parë do të pranojshin të gjithë me u mytë në Vire (një thellësi e ftohtësi e pashoqe të liqenit të Shkodrës).
Për këtë duhet t’i sqaroni njerëzit se komunizmi ju grabit, tokë, bagëti, shtëpi e pasuri, ju prish kisha e xhamija, ju ban të mohoni nanën, babën, vëllanë e motrën, ju ban mos me njoftë kushri, fis as kumari. Ju grumbullon si bagtia në një vathë e ju çon me punue e jetue në rresht tuj u grahë e rrahë hori i horave që e vënë komunizmi në krye të huqametit të vet. E kur t'u teket këtyre horave komunistë edhe ju vret e pret, ju fut në burg, e trupin tuej ju a qet qenve, për mos me u gjet as kurrë vorret tuaja. Prandaj duke pasë parasyshë këto të këqija që s'kanë fund ju baj thirrje që edhe nëse vdesim sot, të vdesim me nderë e për hatër të fëmijëve tanë që të jenë pa komunistë nesër...".
Në këtë kuvend qëndronin edhe trimat e maleve, patriotët Mirot Paloka, Mark Gjok Kokaj, Kol Gjok Kokaj, Tom Lek Daka, Mark Luc Gjoni, Gjok Nikoll Voci, Zef Ded Nika, Pjetër Gjok Doda, Palok Gjokë Hoti e Pjetër Gjokë Hoti, Kol Llesh Malaj, Zef Gjon Malaj e Mark Nikoll Malaj, Gjergj Prek Malaj, etj.
Malësorët organizohen nëpër çeta
Historiani Ndue Bacaj shkruan se në Shkrel përgatiste terrenin për kryengritje oficeri famëmadh Llesh Marashi, i cili padyshim ishte edhe figura kryesore që do të drejtonte krejt kryengritjen e Malësisë në ditët e ardhshme të janarit 1945.
Kryengritja po përgatitej të fillonte edhe në Kelmend ku si prijës ishte legjendari Prek Cali, por kryengritja po përgatitej edhe në Mirditë, në Shkodër, Postribë e mbi të gjitha në zonën e nënshkodrës që njihet me emrin si kryengritja e Berdicës, por që në fakt pjesëmarrësit që përgatiteshin për këtë kryengritje ishin nga të gjitha katundet e zonat e rrethit Shkodër, nga ku shpresonin se do të dëgjonin edhe trevat e tjera shqiptare, duke marrë trajtat e një kryengritjeje mbarëkombëtare.
Mjerisht planet e kryengritjes sado sekret që të ishin ato shpesh po dekonspiroheshin e raportoheshin te komunistët nga vigjilentët e tyre spiunë, të cilët po dëmtonin jo pak interesat e kryengritjes, por pa vonuar edhe të tyre e familjes tyre.
Gjithsesi në këto kushte po lindte nevoja e fillimit të kryengritjes jo kur ishte planifikuar nga pjesa më e madhe e veriut të Shqipërisë në fillim të pranverës, por menjëherë në janarin e egër nga moti i stinës dhe boja e kuqe komuniste që po invadonte me shpejtësi Malësinë e Shqipërinë.
Menjëherë pas kësaj situate që në ditët e para të janarit deri më datën 10 janar 1945 Llesh Marashi e Mirot Paloka kishin grumbulluar disa malësorë trima, të cilët i kishin organizuar në çeta të përqendruara në katund e Kastrat, të cilat stërviteshin e strehoheshin nga familjet bujare të zonës, ku dallohet për bukëdhënë familja e Nikoll Vat Ivanit.
Por as ky organizim nuk i kishte shpëtuar syrit vigjilent të spiunëve komunistë, fatkeqësisht edhe Malësorë, si rezultat më datën 10 janar te kisha e katundit të Kastratit u bë përpjekja e parë me armë në mes kryengritësve e komunistëve, ku pasi zgjati disa orë dhe forcat komuniste u thyen mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq pa vonuar dëshmori i parë i kësaj kryengritjeje Kol Shotaj, i cili luftoi trimërisht me armë në dorë kundër bishave të kuqe që si manekin ishin indoktrinuar e importuar nga parcelat e jugut.
Me të dëgjuar këto krisma që paralajmëruan stuhinë organizime çetash antikomuniste pati deri në Reç e sa për Kelmendin ai tashmë ishte përfshirë i tëri.
Kryengritja, tashmë e pashmangshme
Në këtë kohë edhe në zonën e nënshkodrës antikomunistët e njohur Jup Kazazi e Abaz Ermenji ishin të strehuar në fshatin Trush në shtëpinë e Xhurretajve, ku kishin bërë shumë takime me vendas antikomunistë si me vëllezërit Xhurretaj ku spikaste Shaqir Xhurreta, por edhe trimat Ded Shabani prej Malit Kolaj, Sadik Mema, Nikoll Zefi, Veli Xhepi e Sait Cani prej Trushit.
Tjetër kuvend ishte zhvilluar po në Trush në shtëpinë e Dedë Gjondashit ku kishin marrë pjesë Ded Shabani me trimat e tij, por edhe nga Lezha Xhemal Mlika që përfaqësonte parinë antikomuniste atje. Nga këto takime sipas të mbijetuarve në qendër të vëmendjes ishte lidhja e koordinimi i veprimeve me kryengritësit malësorë Prek Cali e Llesh Marashi, si dhe me Gjonmarkajt e Mirditës. Qëllimi ishte që kryengritja të shpërthente në një kohë që mbasi të merrej Shkodra me krijue një zonë e lirë deri në portin e Shëngjinit ku shpresonin se do të zbarkonin forcat aleate antikomuniste të Evropës Perëndimore e Amerikës.
Për të arritur këto që në mbrëmjen e 14 janarit të vitit 1945 te kisha e Beltojës u mblodhën qindra burra trima të betuar kundër komunizmit, të cilët ishin nga katundet Trush, Berdicë, Melgushë, mali i Kolajve, Ana e Malit, Beltojë e tjerë, të cilët ishin të gatshëm me msye "pushtetin" komunist të instaluar dhunshëm në kryeqendrën veriore të Shqipërisë, Shkodrën e pushtuar në këto ditë tragjike.
Për të realizuar çlirimin e Shkodrës nga komunistët shqiptaro-sllavë po më 14 janar 1945 si masë paraprake ishte prerë lidhja telefonike me pjesët e tjera të Shqipërisë, si dhe bllokuar rruga kryesore që lidhte Shkodrën me Tiranën me mjetet rrethanore, e të gjitha këto do të bënin që kryengritësit e Shkodrës e nënshkodrës të takoheshin në Shkodrën e çliruar, me forcat kryengritëse të Malësisë së Madhe që do të çlironin Malësinë nga forcat komuniste, nga ku besohej se Evropa e bota do të dëgjonte thirrjen e kushtrimit për të shkatërruar farën bolshevike që rrezikonte krejt kontinentin. Gjithsesi në këtë organizim çlirimtarësh dalloheshin figurat patriotike e antikomuniste Abaz Ermenji, Ded Shabani, Jup Kazazi, Halit Gerbeti, Arif Selimi e mbi të gjitha trimi legjendar Hasan Isufi e tjerë...
Natyrisht gjatë kësaj kohe në Malësi të Madhe ziente lufta për organizimin e përgatitjen e kryengritjes që tashmë po bëhej e pashmangshme e me rreziqe të sigurta për malësorët, të cilët nuk donin t'ia dinin më, por donin vetëm të luftonin për të dëbuar e dëmtuar komunizmin sllav që paralajmëronte fundin e “Botës Shqiptare e Malësore”...
Kryengritësit morën postën dhe komunën
Më datë 21 janar Llesh Marashi që ishte dhe udhëheqësi kryesor ushtarak i kryengritjes ishte i strehuar në shtëpinë e Luket Marashit, nga ku komunistët të mirinformuar kërkonin ta kapnin të gjallë. Por përpjekja tjetër e kryengritësve ishte lidhja me Prek Calin e për këtë u nisën nga qendra e kësaj kryengritje vetë trimat Gjon Martin Lulati e Mirot Paloka me disa kryengritës. Gjatë rrugës në Grishaj këto forca u ndeshën ballë për ballë me forcat komuniste, ku pas luftimesh të ashpra fituan kryengritësit e Shkrelit e Kastratit, të cilët zunë robër 15 partizanë komunistë, që vetëm sa i çarmatosën e ju falën jetën, ndonëse ata kishin plagosur luftëtarin e lirisë Gjokë Hotin (nipin e Gjon Martinit).
Pas kësaj beteje fitimtare, kryengritësit arritën në Bajzë ku takuan priftin e famullisë Pater Çiril Canin, i cili në shenjë alarmi u ra kumonëve të kishës, ku brenda një kohe tepër të shkurtër u grumbulluan te kisha qindra kastratas trima e antikomunistë që me armë në dorë zhvilluan një betejë të pashoqe kundër forcave të ndjekjes e komandës komuniste të instaluar në Bajzë.
Këto luftime të ashpra bënë që të kenë edhe viktima nga të dyja palët, ku për fat të keq të vrarët ishin të gjithë malësorë, nga kryengritësit ranë me armë në dorë trimat Lulash Cuk Curri nga Jerani dhe Zef Toma nga Shkreli, ndërsa nga forcat komuniste u vranë të gënjyerit nga "droga e kuqe" Jonuz Naçi nga Aliajt dhe Myftar Sokoli nga Reçi.
Në këtë betejë u arrit që të merret jo vetëm posta ushtarake e komunistëve, por edhe komuna si institucion, ku për këtë ndihmoi padyshim sekretari i komunës, intelektuali me banim në Shkodër Luigj Gjekë Kastrati, i cili nuk pranoi të bashkohej me forcat komuniste, por madje "keqinformoi" pushtetin komunist në Shkodër duke mos u treguar situatën reale në Malësi të komunistëve, natyrisht për këtë e pagoi më vonë me jetën e tij, por kështu ai më mirë preferoi një vdekje me nderë se një jetë me faqe të zezë.
Lufta vazhdon e ndezur...
Pas kësaj që u arrit në Bajzë forcat çlirimtare të Malësisë u rritën në mënyrë të mahnitshme, duke krijuar kështu një kryengritje të madhe antikomuniste, ku pjesëmarrësit u shtuan nga të gjitha trevat e Malësisë. Nga këtu u nisën këto forca për çlirimin e Koplikut që në atë kohë ishte nënprefekturë, ku pas disa luftimesh u arrit të merrej kjo qendër e rëndësishme, ku nga forcat komuniste u kapën rreth 20 robër, të cilët pasi u çarmatosën u mbajtën në gjendje arresti në dyqanin e Lekë Gjeloshit të Pjetroshanit në Koplik, por që as nuk u dhunuan e as nuk u pushkatuan.
Ato ditë janari ishin vërtetë të stuhishme për Malësinë e më gjerë pasi tregonin trimërinë e guximin e kësaj treve legjendare ndër shekuj për t'u ndeshur me këlyshët e ujkonjave sllave që kishin lindur në tokat mjerisht shqiptare. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve ishte çuar në vend amaneti i të parëve për të pritur me pushkë çdo pushtues qoftë ky edhe me emra shqiptarësh. Data 25 janar 1945 i gjen kryengritësit në formacion luftimi tek ura e Rrjollit përballë forcave të shumta komuniste që për fat të keq nuk kishin arritur që "kryengritësit" e Shkodrës e nënshkodrës t’i ndalonin, pasi kryengritja e Berdicës siç njihet kishte dështuar aksidentalisht, ose më saktë ishte tradhtuar mizorisht nga këlyshët që ditën hanin tek antikomunistët e natën lehnin te komunistët.
Forcat antikomuniste malësore ishin ndarë në tre formacione luftimi, në krahun e djathtë qëndronte Gjon Martini me trimat e tij, në krahun e majtë qëndronte me trimat Mirot Paloka, ndërsa në qendër të urës së Rrjollit ishte vendosur me "luanët" e tij Llesh Marashi.
Lufta tashmë ishte ndezur me tërë arsenalin e saj, "luanët" malësorë luftonin pa u trembur kundër mijëra forcave komuniste për shumë orë, deri sa ranë në krye të betejës trimat legjendarë Gjon Martin Lulati e Mirot Palok Kokaj, si dhe u plagos luftëtari Gjon Nikë Preçetaj.
Hakmarrja komuniste mbi kryengritësit
Pas kësaj beteje të pabarabartë ku forcat kryengritëse malësore mbetën të izoluara u detyruan të tërhiqen, por për të vazhduar përsëri rezistencën. Në këtë kohë, Mehmet Shehu për të gënjyer malësorët shpalli amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje, por duke përjashtuar, drejtuesit e kryengritjes Llesh Marashin, Rrok Kantin (nipin e Lleshit), Pejtër Gjokën (Bajraktarin e Vrishit) si dhe po të ishin gjallë Gjon Martinin e Mirot Palokën...
Në fakt pas kësaj në mal mbeti vetë komandant Llesh Marashi me disa bashkëluftëtarë të tij, por duke parë fatin tragjik të shokëve të tij të rinj, ai vendosi të dorëzohet e sakrifikohet vetë për të shpëtuar shokët.
Siç dihet Lleshi u ekzekutua nga komunistët me varje, por shokët e tij të dorëzuar më parë e tani edhe pse kishte dalë amnistia pësuan kalvarin e tmerrshëm të makinës kriminale komuniste që i preu në besë.
Komunizmi pas shtypjes së kësaj kryengritjeje antikomuniste të Malësisë së Madhe e deri përpjekjet e vëllezërve të tyre të nënshkodrës e më gjerë, filloi të forcohet jo vetëm në trevat e tjera të Shqipërisë, por edhe në simbolet antikomuniste shqiptare në Malësi e Shkodër, kur padyshim kalvari çnjerëzor ka qenë më i tmerrshmi i të tmerrshmëve që njeh historia e gjithë diktaturave të të gjitha kohërave, të paktën që nga mesjeta e vonshme e këtej...
Postkryengritja
Hakmarrja komuniste, pushkatoi 167 persona
MALESI E MADHE- Disa nga ata burra që morën pjesë në mbledhjen e 24 dhjetorit 1944 e në kryengritje, që sipas amnistisë ishin falur, pabesia komuniste u mori jetën, duke i lënë shpesh ashtu si i paralajmëronte komandanti trim i Katratit Gjon Martin Lulati pa varr.
Pas kësaj Malësia e Madhe pësoi një kalvar kriminal nga regjimi gjakatar komunist, ku 167 burra malësorë u pushkatuan, vetëm se donin lirinë e Shqipërinë, ndërsa vetëm periudha pas kryengritjes (1945-1952) shënon emrat e 47 prej 167 viktimave.
Të pushkatuarit:
Gjokë Tom Kokaj
Luigj Kastrati
Tom Lek Dakaj
Ndok Nikë Preçetaj
Prek Cali
Ded Lulash Smajli
Ded Gjo Deda
Idrize Kadri Delaj
Fran Dash Preka
Mri Dash Preka
Kartina Nikë Bikaj
Dila Luç Dakaj
Gjon Preç Rexhaj
Ujk Mark Qosja
Mark Gjelosh Mirukaj
Gjekë Marash Tinaj
Mare Ilia Vacaj
Gjergj Lul Hysaj
Ndue Fred Rrukaj
Tom Lekë Daka
Gjok Tom Kokaj
Gjok Nikoll Voci
Ndok Nik Pretaçaj
Pashko Ded Curraj
Mark Nikoll Malaj
Pjetër Gjok Koti
Mark Luc Gjoni
Gjok Ded Braci
Luc Gjeto Lakaj
Nikoll Gjon Vneshti
Kol Llesh Malaj
Nosh Llesh Malaj
Luigj Gjeto Kastrati
Gjon Lucë Kaçaj
Nikoll Prek Dedaj
Pjetër Nikë Nikaj
Gjokë Nikë Luli
Dyl Bajrami
Maliq Bajrami
Ded Gjekë Vukçaj
Gjon Lek Xhaj
Gjekë Kol Pëllumbi
Mirash Gjon Sokoli
Prekë Lekë Rushaj
Mark Tom Makaj
Taro Keq Balaj
Lan Sadik Lani
Adem Rrustem Tahiraj
Ibrahim Caf Burgaj
Hasan Isufin
Ahmet Isufi
Adem Isufi
Veli Sala
Lush Paloka
Shaban Dani
Hider Dyli
Martin Rroku
Pjetër Darragjati
Pjetër Harapi
Pjetër Loroja
Xhemal Mlika
Arif Selimi
Neta Fuga
Taip Halili
Rexhep Halili
(babë e bir)
Dom Ndre Zadeja
(famullitar me influencë në zonën e Shkrelit e më gjerë)
Idriz Jaho Ilia
(ish-prefekti i Gjirokastrës i pushkatuar së bashku me malësorët)
Shemsi Feri (nipit i patriotit kosovar Jakup Feri)
Hamdi Feri (nipit i patriotit kosovar Jakup Feri)
metropol
Krijoni Kontakt