LIBRI I NUMRAVE
Titulli
Emri “Numrat” që tani përdoret pothuajse në të gjitha përkthimet, i vjen këtij libri prej përkthyesve në greqisht të Shkrimit të shenjtë, nga të Shtatëdhjetët. Të Shtatëdhjetët e titulluan librin e katërt të Pesëlibërshit të Moisiut “Arithmoi”, të cilin Vulgata e përktheu me “Numeri” ose “Liber Numeri”. Po këtë titull e morëm edhe në përkthimin tonë. Bibla hebreje përdor dy emërtime: “Vayyedabber - E /Zoti/ foli”, fjala e parë e librit, dhe atë që është shumë më i përhapur në Biblat hebreje moderne: “Bemidbar - Në shkreti”, që më mirë i përgjigjet përmbajtjes dhe është fjala e katërt e librit.
Ndarja dhe përmbajtja e Librit
Libri ndahet lehtë në tri pjesë:
a/ Në Sinai/ 1, 1 10, 10/, ku flitet se si populli, sipas vullnetit hyjnor, është një bashkësi e përbërë prej dymbëdhjetë fisesh. Libri hapet me “numërimin”, regjistrimin për rishtari ushtarake, nga edhe të Shtatëdhjetët ia caktuan emrin /1 4/. Vend të veçantë ka fisi i Levit, i cili nuk hyn në numërimin e ushtarëve për shkak se, për vullnet të Zotit, është i caktuar të kryejë shërbesat hyjnore në Tendë. Kapitujt 5 10 përmbajnë një përmbledhje ligjesh të ndryshme që vështirë lidhen me përmbajtjen e librit.
b/ Në shkreti/10, 11 22, 1/, ku flitet për kohën që populli e kaloi në shkretëtirë dhe për ngjarjet e ndryshme që atje i përjetoi. Është pjesa thelbësore e librit ku shihet fytyra e njeriut e fytyra e Zotit: populli s’pushon së qituri shqelma e nynykaturi aq sa dëshiron të kthehet në Egjipt, pra, në skllavëri, kurse Zoti, gjithherë i mëshirshëm, qorton por nuk heq dorë nga njeriu për ta shpënë në Tokën e premtuar në liri.
Edhe kjo pjesë e këput vazhdimësinë e tregimit të ngjarjeve me disa përmbledhje ligjesh që janë si një shtojcë e Daljes dhe e Levitikut si p. sh. kap. 15, 1 15: ligje për fli e kushte etj. etj.
Në udhëtim drejt Tokës së premtuar populli jo vetëm se vonon arritjen e vet në Tokën e premtuar për shkaqe të brendshme: murmurime, mospërfillje e vullnetit të Zotit, por has edhe në pengesa të jashtme: populli i Edomit /20, 14 22/, i Aradit /21, 1 3/, i Seonit /21, 21 31/, i Ogut /21, 32 35/, që ia vonojnë arritjen në cak.
c/ Në tokën e Moabit /22, 2 36, 13/ Izraelitët janë afruar Tokës së premtuar. Aty pengohen nga mbreti Balak, i cili kërkon ndihmën e vëguesit Balaam që, me mallkimin e tij, ta pengojë Izraelin. Balaami, në vend që ta mallkojë Izraelin, i shtytur prej Hyjit, e bekon.
Pas ngjarjeve tronditëse të lavirësisë së izraelitëve me idhuj në Beelfegor /25/, populli bie përsëri në fije /26/. Ndërkaq populli fiton ligje të reja që duhet t’i rregullojnë jetën në Tokën e premtuar. Populli mbetet në rregullimin fisnor, këndej edhe Tokën e premtuar e ndajnë në krahina ndër njëmbëdhjetë fiset e Izraelit, kurse Levitëve u caktohen qytetet e tyre, sepse ata nuk kanë pronë të veçantë si fis dhe njëkohësisht caktohen gjashtë qytetet strehim për ata që do të bëjnë disa krime /35/.
Libri në thelb flet se si Hyji e organizon popullin e vet në shkretëtirë dhe si i prin drejt Tokës së premtuar.
Vlera e pakalueshme e këtij libri dhe, që e bën gjithmonë të kohës, qëndron në paraqitjen e shtegtimit të popullit të Hyjit, të atij të Izraelit, për të cilin flet, si dhe të çdo populli tjetër që shtegton shpirtërisht drejt Zotit. Zoti e bën të zemërimiojë e të çojë; i prin dhe e ushqen, e përkrah dhe e ndëshkon. Por populli /edhe çdo njeri/ i kundërshton, lodhet, mërzitet në shtegtim drejt Tokës së premtuar / jetës së ndershme besimtare morale/, aq sa dëshiron e planifikon të kthehet në Egjipt në skllavëri. Kështu e vonon arritjen e vet në cak, madje edhe të mirëve s’u mbetet tjetër, por ta vërejnë së kundrualli. Kë intereson shtegtimi shpirtëror drejt përsosmërisë, qoftë si popull, qoftë edhe si person, libri i Numrave është me vlerë papërshkrueshmërisht i rëndësishëm.
Krijoni Kontakt