Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “17 nëntori”, pa nevojën e nazistëve

    “17 nëntori”, pa nevojën e nazistëve

    Nga Bashkim Kopliku


    Me gjithëse në terr, vazhdojnë diskutimet se në cilën datë duhet të festohet fundi i pushtimit nazist të Shqipërisë, më 28 apo më 29 nëntor 1944. Ky sherr u ka kushtuar, këto 15 vjetët e fundit, me mijra orë diskutime dhe nerva, politikanëve, historianëve, gazetarëve dhe amatorëve të politikës. Shqiptarët janë ndarë në katër pjesë, ku njëra pjesë është për “29-ën”, tjetra për “28-ën”, kurse dy pjesët e tjera nuk e çajnë kokën fare të merren me këtë punë. Si mund të marrë fund ky sherr? Mbyllet vetëm me një kompromis politiko-historik: të caktohet një datë tjetër, p.sh. 17 nëntori, një datë që të mund t’i kënaqë të dy pjesëtqë janë në sherr. Dokumentet historike nuk e mbyllin dot sherrin, sado të pakundërshtueshme t’i duken palës përkatëse ato—qofshin dhe naziste!. Edhe një “referendum mbarëpopullor,” për të caktuar në mes “29-ës e 28-ës”, nuk është zgjidhja: nga njëra anë, do të ishte, në thelb, një mashtrim, sepse njerëzit nuk do të votonin për festën, por për “pro PD-së apo pro PS-së”, dhe nga ana tjetër, do të linte të pakënaqur një masë të konsiderueshme, ata që do të humbnin referendumin.

    Kompromisi për festën

    Kudo në botë, datat e festave që përkujtojnë ngjarje historike, në shumë raste janë konvencionale (të vendosura me marrëveshje), dhe jo thjeshtë të lidhura me momentet kohore konkrete të ngjarjeve që përkujtojnë. Edhe vetë “9 maj 1945”, dita e fitores mbi nazizmin, është një datë konvencionale, sepse në fakt, edhe në mëgjesin e 10 majit, edhe ditë të tjera pas datës 9 maj, ka pasur njësi naziste që nuk kishin “kapitulluar”, që vazhdonin të luftonin, e vazhdonin të vriteshin njerëz.
    Edhe zgjidhja e problemit të datës së çlirimit të vendit tonë nga nazistët, duhet të jetë një kompromis politiko-historik, në mes shqiptarëve të periudhës post komuniste, siç u bë për ndryshimin e shumë festave të tjera të sajuara gjatë komunizmit (kujtoni festën e ushtrisë, të policisë etj.). Të dy partitë e mëdha, PD e PS, bëjnë mirë të bien në konsensus për një datë tjetër të festës së çlirimit të Shqipërisë, që mos të jetë as 28 e as 29, p.sh. për datën 17 nëntor 1944. Përse kjo datë është mjaft e përshtatëshme për të gjitha palët?
    Veteranët komunistë të luftës së dytë botërore, nuk kanë sepse ta kundërshtojnë datën “17 nëntor”, për dy arsye kryesore. E para, sepse është një datë që lidhet me ngjarje të po të njëjtës periudhë: çlirimi i kryeqytetit nga nazistët, si kontributi i shqiptarëve përkrah aleatëve amerikano-anglo-sovjetikë. E dyta, sepse nuk ka rrezikun e humbjes së rëndësisë së këtij përkujtimi, që do të sillte bashkimi i dy festave, krejt të ndryshme, në të njëjtën datë, siç mund të ndodhte me datën “28 nëntor”, që do të përfshinte në “një datë” dy ngjarje krejt të ndryshme, atë të pavarsisë nga osmanllinjtë në vitin 1912, edhe atë nga nazistët në vitin 1944.
    Antinazistët që janë njëkohësisht edhe antikomunistë, as ata nuk kanë sepse ta kundërshtojnë datën “17 nëntor”, sepse nuk është “data e caktuar nga Enveri, 29-ta”, “nuk kombinon me festën e Titos” e të tjera arsye që janë rreshtuar kundër datës “29 nëntor”.

    Dokumenti nazist nuk vërteton “29-ën”

    Edhe prova e “ditarit të Luftës së Komandës së Lartë të Ushtrisë Naziste”, rezultoi se nuk provonte fare se Shkodra “qenka çliruar më 29 dhe jo më 28, dhe prandaj festa duhet më 29”.
    Mund ta hedhim poshtë këtë provë, në mënyrë indirekte: duke provuar se në të “ka gabime të tjera”, prandaj nuk është e besueshme dhe si rezultat nuk ka sepse “të merret për bazë”, as edhe ajo pjesë e saj që i intereson ndokuj. Nga kjo “provë” (dokument) po veçojmë dy data brenda të njëjtit rresht: e para, “më 20 nëntor u braktis Tirana”, dhe e dyta, “më 29 nëntor u braktis Shkodra”. Në se ky dokument do të interpretohej mekanikisht, se Shkodra qënka “çliruar” më 29 nëntor, atëhere duhet të interpretohej edhe se Tirana na qenka çliruar më 20 nëntor, e jo më 17! Me që nuk ka asnjë shqiptar, që të thotë se Tirana nuk është çliruar më 17 nëntor, del të pranojmë se datat naziste janë të zhvendosura mbrapa në kohë, me disa ditë: datës naziste “20” (Tirana) i përket data jonë “fakt”, 17. Atëherë, me që rregulli duhet të jetë njësoj për të gjithë dokumentin (së paku brenda një rreshti të tij), mbetet të pranojmë se datës naziste “29” (Shkodra) duhet t’i përkasë një datë jona “fakt”, “28 e bile më pak”. Nejse, t’i lemë qesënditë: e mbyllim duke “i vënë vulën” se ky dokumenti nazist nuk vërteton fare se për Shqipërinë duhet festuar më 29 (e jo më 28) nëntor, ashtu siç nuk vërteton fare se për Tiranën duhet festuar më 20 (e jo më 17) nëntor, bile nuk vërteton fare as se çlirimet faktike, janë bërë në këto data.
    Për të lënë rrehat ata që e kanë mit, që e besojnë pa mëdyshje saktësinë e nazistëve, po themi se po t’i hyhet më thellë lojës me datat, mund të bindemi se edhe nazistët, në të tyren, mund të mos e kenë patur gabim, si edhe shqiptarët nuk e kanë gabim: të gjitha datat mund të jenë njëkohësisht të vërteta, varet nga këndvështrimet. Për ata që duan t’i hyjnë këtij diskutimi, u themi që të kenë kujdes në përkthimin nga gjermanishtja: kështu p.sh., dokumenti nazist, përdor fjalën “u braktis” (gjermanisht “preisgeben”) për Tiranën dhe Shkodrën (pra nga vetë nazistët, jo të detyruar nga partizanët!), dhe nuk përdor fjalët “ra në duart” (gjermanisht “fält in die Hand”) e partizanëve, siç thuhet për Beogradin, duke u pranuar që iu muar nazistëve me forcë nga “ushtria e kuqe dhe partizanët e Titos”! Sidoqoftë, ne nuk kemi ndërmend të humbim më tepër kohë me dokumentin nazist, prandaj këtu po e ndërpresim analizën për të!

    Keqpërdorimi politik i oficerëve të Natos

    Tani që u sqarua se ç’përmbante, në fakt, ky dokumenti nazist “super i besueshëm” (vetëm këto ditë, u botua fotokopja e tij, që po e ribotojmë në këtë shkrim), ia vlen të ndalojmë pak për të komentuar manipulimin politik të bërë nga qeveritarët tanë. Ata nuk nguruan që, për qëllimet e tyre, të shtyjnë në gabime edhe oficerë të Natos. Dorëzimin e këtij “dokumenti”, para disa viteve, e patën paraqitur sikur çoç ishte, duke e trumpetuar me show televiziv e me buzëqeshje ministri. E pakuptueshmja ishte se si u bënë aktorë të kësaj shfaqje propagandistike, edhe oficerë të Natos, ata oficerët gjermanë që i pamë në ekranet e televizorëve, se si me pompozitet dorëzuan “dokumentin”. Ata gjermanët oficerë të Natos, shkelën statusit e ushtarakut, duke ndërhyrë në një debat lokal të politikës shqiptare, që nuk kishte asnjë rëndësi ndërkombëtare.
    Duhet të futim kulturën e të marrurit vesh me njeri me tjetrin, si shqiptarë, qoftë dhe si kundërshtarë politikë, PS dhe PD, dhe jo të arrijmë që “për inatë të sime vjehër, të flejmë me mullixhiun”, në këtë rast, “për inat të PD-së, shkojmë e ngatërrohemi me të huajt, bile edhe me nazistët”!

    GSH.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Gjermanët ikën pa luftë nga Tirana”

    Rrëfimi i 81 vjeçarit tiranas, Xhemal Alimehmeti për betejën e çlirimit të kryeqytetit në nëntorin e 1944

    “Gjermanët ikën pa luftë nga Tirana”

    Alimehmeti: Natën partizanët qëllonin kot në ajër

    Dashnor Kaloçi


    Plot 61 vjet më parë, më 17 nëntor 1944 forcat e fundit të ushtrisë gjermane u larguan nga Tirana duke ia lëshuar kryeqytetin shqiptar partizanëve të Enver Hoxhës të cilët me brigadat e divizionet e tyre ishin përqëndruar në rrethinat e fshatrat për rreth. Që nga ajo kohë e gjatë gjithëe periudhës së regjimit komunist, historiografia zyrtare dhe veteranë të ndryshëm ish-pjesmarrës të formacioneve partizane, në kujtimet e tyre e paraqisnin çlirimin e Tiranës si një datë krejt të veçantë të Luftës Antifashiste Nac-Çlirimtare. Sipas tyre për çlirimin e kryeqytetit shqiptar, forcat partizane kishin bërë një luftë të ashpër kundër forcave naziste, duke luftuar shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, dritare më dritare dhe deri trup me trup. Kjo luftë e përgjakëshme e cila u drejtua nga dy strategët më të zotë të ushtrisë partizane, gjeneralët Dali Ndreu e Mehmet Shehu, zgjati rreth dy javë dhe aty luftuan heroikisht disa brigada, divizione e korpuse të cilat kishin vepruar sipas planeve operative strategjike të hartuar prej komandantëve të tyre. Dhe si përfundim ajo betejë shënoi edhe humbje të konsiderueshme të ushtrisë gjermane, me qindra të vrarë e të palgosur, pa mohuar edhe humbjet e forcave partizane të cilat ishin më të pakta. Madje, gjeneral-major Arif Hasko, komandanti i batalionit të parë të Brigadës së Parë, (pas lufte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm) në kujtimet e tij të botuara para viteve ’90, ka shkruar se në luftën për çlirimin e Tiranës partizanët nxorrën jashtë luftimit rreth 3000 forca naziste. Por ndryshe nga sa është thënë në historiografinë e regjimit komunist dhe në kujtimet e veteranëve ish-pjesmarrës së asaj lufte, të tjerë veteranë, ish-pjesmarrës në formacionet nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, sjellin tjetër tabllo të asaj ngjarje që tashmë njihet si Lufta për çlirimin e Tiranës. Sipas tyre e gjithë ajo ngjarje është e ekzagjeruar dhe glorifikuar ashtu si e gjithë historia e Luftës Antifashiste për qëllime politike të atyre që dolën dhe fitues të saj. Një nga ata veteranë që ka luftuar me armë në dorë me çetat e Ballit Kombëtar, është dhe 81 vjeçari Xhemal Alimehmeti, ish shok klase me Ramiz Alinë, i cili e konteston luftën për çlirimin e Tiranës që pretendojnë ish-partizanët. Lidhur me këtë, ai na njeh me intervistën e tij ekskluzive për Gazetën, që po e botojmë më poshtë në këtë shkrim.

    Zoti Xhemal, si e kujtoni luftën për çlirimin e Tiranës dhe ku jeni ndodhur ato ditë?

    Që nga fundi i tetorit ‘44 kur u kuptua më së miri se partizanët e Enver Hoxhës po e fitonin luftën, e deri sa më arrestuan në ditët e para të dhjetorit, unë kam qenë në shtëpinë time (ish Befotrofi) këtu në Tiranë. Nuk është aspak e vërtetë se gjatë atyre ditëve ka pasur një luftë për çlirimin e Tiranës. Lufta që pretendojnë ish-partizanët ka qenë një luftë fiktive dhe më shumë demonstrative. Që nga fundi i tetorit e deri në 17 nëntor, forcat partizane ishin vendosur në fshatrat në lindje të Tiranës dhe nuk guxonin të hynin në qytet ku gjermanët kishin vendosur disa bunkerë dhe tanket e tyre. Gjatë asaj periudhe kohe ditët ishin krejt të qeta dhe njerzit dilnin e psonisnin pa asnjë problem, ndërsa gjatë gjithë natës dëgjoheshin shpërthime dhe të shtëna nga fshatrat e periferia e lagjeve lindore të Tiranës. Të shtënat vinin nga partizanët të cilët qëllonin kot në ajër në mënyrë demonstrative gjoja se po përgatiteshin të sulmonin, ndërsa shpërthimet vinin nga gjermanët të cilët hidhnin vetë në erë depot e tyre. Nga të shtënat që dëgjoheshin natën, ta thoshte mëndja se rrugët ishin mbushur me kufoma, por në mengjez s’shihej asnjë i vrarë. Ato ditë gjermanët kontrollonin gjithë bulevardin kryesor nga materniteti e deri tek komanda e tyre aty ku sot është korpusi i Universitetit ku kishin rreshtuar dhe tanket e mjetet e blinduara. Ndërsa tek xhamia dhe në qëndër të Sheshit “Skënderbej” ku ka qenë shatërvani i rrumbullakët, ata kishin vendosur nga një bunker nën tokë për të kontrolluar të gjitha kryqëzimet e rrugëve nga ku mund të sulmoheshin. Pra si të thuash vija e demarkacionit që i ndante forcat partizane që ishin në lindje të Tiranës dhe ato gjermane në pjesën perendimore, ishte Bulevardi Zogu i Parë, Rruga Mbretërore dhe ajo e Barrikadave. Në kodrat e Saukut gjermanët kishin vendosur dy mortaja dhe herë pas here qëllonin kot në drejtim të pjesës lindore të Tiranës e cila kontrollohej nga partizanët. Forcat e garnizonit gjermane të Tiranës që komandoheshin nga kapiteni i dytë, Ledërer prisnin autokolonën që vinte prej Elbasanit me të cilën ata do të largoheshin për në drejtim të Shkodrës. Por ajo u vonua sepse u bllokua në Mushqeta dhe aty pothuaj u asgjesua e gjitha nga aviacioni anglo-amerikan i cili e bombardoi me urdhër të Misionit Aleat në Bari të Italisë. Është e vërtetë se disa formacione partizane i kishin zënë asaj pritë në afërsi të Mushqetasë, por kur erdhi autokolona me dhjetra makina e cila e kishte bishtin deri në Elbasan, partizanët u zbrapsën dhe kërkuan ndihmën e aviacionit aleat anglo-amerikan i cili gabimisht gjatë bombardimeve mitraloi dhe vrau gjermanë e partizanë bashkë. Jo vetëm unë por të gjithë bashkëmoshatarët e mi dhe ata që e kanë jetuar atë kohë, e mbajnë mënd shumë mirë se në ditët e para të nëntorit 44, gjermanët vunë shpallje në të gjitha rrugët e kryeqytetit ku mes të tjerash shkruhej: “Në mesin e nëntorit ne do të largohemi nga Tirana, prandaj lutemi mos na krijoni incidente dhe mos digjni kryeqytetin tuaj”. Kur erdhi një pjesë e autokolonës që shpëtoi nga bombardimi në Mushqeta, në pasditen e 17 nëntorit gjermanët u larguan të qetë pa luftë nga kryeqyteti. Në Rrugën e Kavajës përballë Kishës Katolike makina e fundit e autokolonës u qëllua me një plumb dhe gjermanët zbritën duke bërë shumë arrestime. Në momentin që do i pushkatonin, aty ndërhyri Pjetër Elezi, një mësues i vjetër që kishte mbarura në Gjermani, dhe një prift katolik që dinte gjermanisht të cilët i shpëtuan ata nga plumbi duke i bindur gjermanët se ata ishin të pafajshëm. Atë pasdite tek kryqëzimi i Zogut të Zi, ishte vënë një barrikadë dhe gjermanët u detyruan të ktheheshin majtas duke u larguar nga fusha e Aviacionit pa shkrehur një pushkë.

    Pra ju thoni se nuk ka pasur fare luftë për çlirimin e Tiranës e gjithashtu as partizanë e gjermanë të vrarë?

    Nuk e di në qoftë se mund të quhet luftë ajo që bënin partizanët që qëllonin kot në ajër natën nga periferia lindore e kryeqytetit. Ndërsa të vrarët kane qenë fare të pakët aq sa në atë kohë ata njiheshin dhe me emra. Ato ditë është vrarë nga një snajper gjerman, nalt tek banjat e Lik Demnerit pranë Sheshit “Avni Rustemi” një djalë i ri nga familja Karapici, i cili ishte vëllai i Sul Karapicit, ish-drejtor i Sigurimeve Shoqërore para viteve ’90. Ai nuk ishte partizan, por u vra lart në një tarracë shtëpie ku kishte hip me bë sehir. Edhe tek shtëpia ime ke Befotrofi u vranë shtatë vetë, gra e fëmijë, të cilët u qëlluan nga mortajat gjermane që ishin në kodrat e Saukut. Mund të ketë pasur edhe ndonjë tjetër tek tuk të vrarë, si partizan ashtu dhe gjermanë, por jo aq sa thonë komunistët dhe historia e tyre. Po të kishte të vrarë komunistët do të kishin vënë pllaka përkujtimore dhe lapidare, por ju mund ta shihni fare mirë se nuk ka të tilla për ato ditë. Ato janë fare pak dhe mua më kanë treguar se disa prejt tyre nuk kanë qenë fare partizanë, por xhandarët e Kadri Cakranit, komandantit të Ballit Kombëtar. Partizanët kanë fallsifikuar historinë duke i quajtur si të vrarë në luftën për çlirimin e Tiranës ata që u vdisnin nëpër male nga të ftohtit, ngricat e sëmundjet.

    G.SH
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Si dështoi ‘aksioni’ i partizanëve aty ku sot është ‘Zëri i Popullit”

    “Si dështoi ‘aksioni’ i partizanëve aty ku sot është ‘Zëri i Popullit”

    Veterani nacionalist, 81 vjeçari Xhemal Alimehmeti nga Tirana, në dëshminë e tij për “Gazetën” shprehet tepër skeptik për atë që njihet në histori si Lufta për çlirimin e Tiranës. Madje ai i mban mënd fare mirë disa nga të ashtuquajturat aksione të partizanëve, në lagjen e tij tek Kodra e Kuqe, të cilat më pas tregoheshin si heroizma të mëdha. Lidhur me këtë ai kujton: “Aty nga data 10 nëntor ‘44, kur forcat partizane ishin ende në lindje të Tiranës, në kryeqytet vepronin disa persona që thonin se ishin aktivistë të Lëvizjes. Ata njiheshin se vinin nga një leckë të kuqe në krah dhe organizonin kalamajtë e lagjes gjoja për ndonjë aksion. Një prej tyre ishte një biçikletaxhi që e kishte dyqanin e tij afër shtëpisë sonë aty tek Befotrofi, i cili quhej Myslym (mbiemëri nuk më kujtohet, por Rif Peza mund ta mbaj mënd). Ai mori nja tre djem të rinj dhe jua tha se do të bënin një aksion për vrasjen e një gjermani që rrinte në rrugë përballë ndërtesës ku sot është “Zëri i Popullit”. Sipas planit të aksionit, Myslymi do ecte përpara gjoja si kalimtar i rastit dhe kur ai të ngrinte kapelen, tre djemtë që do e ndiqnin nga pas do qëllonin me revole mbi gjermanin që ruante tanket në bulevard. I ndjekur nga pas nga tre djemtë e rinj të lagjes sonë, Myslymi kaloi nga Rruga e Barrikadave dhe kur doli në bulevard afro 50 m larg rojes gjermane, ngriti kapelen. Por kur nuk dëgjoi asnjë të shtënë, ktheu kokën pas dhe duke parë tre djemtë që vraponin me të katra andej nga kishin ardhur, tha: Ou, a ikët or dreq. Edhe tek shtëpia jonë tek Befotrofi erdhën nja shtatë a tetë partizanë të cilët qëlluan në drejtim të blindave gjermane, por kur gjermanët dolën prej tyre, ata zbritën shkallët me vrap dhe nuk u panë më tek ne”.

    G.SH.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    panorama


    clirimi i tiranes
    luftimet


    61-vjetori i çlirimit të kryeqytetit. Lot te të përndjekurit, lule te partizanët


    Çlirimi i Tiranës, Enveri: Arrestoni kundërshtarët!




    Rezarta Delisula

    Triumfin e flamurëve të kuq që mbushin rrugët e kryeqytetit, fjalimet e veteranëve të luftës, takimet e përzemërta mes politikanëve para monumentit të Ushtarit të Panjohur dhe simpoziumet, i zbehin fotografitë dhe qirinjtë e ndezur para selisë së Shoqatës së ish të përndjekurve politikë.

    17 Nëntori, Çlirimi i Tiranës është festë për qytetin dhe ditë zie për ato familje që kujtojnë 37 viktimat e para të komunizmit. Përpara selisë së ish të përndjekurve është ndërtuar një obelisk pllakati pranë së cilit është shënuar: Ky monument i kushtohet terrorit komunist të Tiranës, që filloi me dëshmorët e parë të 30 tetorit dhe 16 nëntorit 1944. Nebil Çika, një nga gazetarët më të spikatur në vitet ’20-’30, i cili shkruante në të përjavshmen “Arbënia” (1929) e në revistën “Minerva” është një prej 37 personave që u ekzekutuan në prag të çlirimit të kryeqytetit.
    Një luftë e dyfishtë, kundër pushtuesve gjermanëve dhe kundra intelektualëve me prirje perëndimore dhe sigurisht jo komunistë. Kjo është tabloja e kryeqytetit në nëntor të vitit 1944. Rrugë të lara me gjak, barrikada, tanke gjermane të pozicionuara një tek Xhamia e Vjetër, ku sot është monumenti i ushtarit të panjohur dhe një tek dyqani “Zingoni” pranë Pallatit të Kulturës. Një pjesë e madhe e familjeve tiranase u larguan drejt periferive, ndërsa gjermanët kishin nisur të tërhiqeshin. Kjo është tabloja e kryeqytetit në nëntor të vitit 1944. Luftimet që nuk zgjatën shumë ditë mes forcave gjermane dhe partizane, kishin edhe koston e vet. Musa Karapici, një nga dëshmorët e luftës u vra më 17 nëntor. Tiranasit e vjetër kujtojnë se partizani ka qenë duke bërë roje në tarracën e banjës të shtëpisë së Demnerve, kur u qëllua nga gjermanët. Ndërkaq, një pasuri historike u shua gjatë kësaj luftë, Xhamia e Vjetër, e ndërtuar bashkë me Tiranën më 1614. Në vitin 1949 në vend të xhamisë së shkatërruar u ngrit monumenti i Partizanit të Panjohur. Më 17 Nëntor qyteti u çlirua plotësisht. Por lufta kundër intelektualëve kishte nisur që në tetor të ’44-ës. 37 intelektualë u morën nëpër shtëpi dhe u ekzekutuan pa gjyq nga forcat partizane. Bodrumet e hotel “Bristolit” u kthyen në varrin masiv ku dergjeshin ata që quhen dëshmorët e parë në luftën kundër komunizmit. Një tjetër personazh i pushkatuar pak ditë para çlirimit ishte Petraq Pekmezi, përkthyes i gjermanëve dhe ndërmjetës për shkëmbimin e tre vajzave naziste me 10 komunistë në kampin e Prishtinës. Sipas dëshmitarëve të kohës, ky i fundit u pushkatua në oborr të shtëpisë së tij në lagjen “Ali Demi”. Këto histori të ndryshme bëjnë që çlirimi i Tiranës të përkujtohet me festë dhe qirinj.



    lista e personave te vrare pa gjyq

    Abdulla Saraçi
    Muharrem Liku
    Hamit Greblleshi
    Azis Blloshmi
    Muharrem Lleshi
    Akil Sakiqi
    Nazmi Uruçi
    Hasan Dine
    Bajram Cuka
    Boris Belevski
    Fahri Dabulla
    Faik Shkupi
    Ismail Petrela
    Jusuf Allamani
    Jorgji Mema
    Jakup Deliallisi
    Kapllan Deliallisi
    Shefqet Deliallisi
    Selim Braja
    Muntaz Kokalari
    Syrja Kokalari
    Vesim Kokalari
    Anton Fekeçi
    Mehmet Dado
    Petraq Pekmezi
    Selman Alikorça
    Rifat Tërshana
    Aleks Mavraqi
    Selman Shtjefëni
    Minella Kotkoçi
    Ndue Pali
    Selim Kelmendi
    Nebil Çika
    Lluka Xhumari
    Ali Panariti
    Subi Topulli
    Reshat Stërmasi



    Udhëzim drejtuar Shtabit të Korpoarmatës i të UNÇSH-së, 19 nëntor 1944

    Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe të tjera organizata të mobilizohen për sigurimin e qytetit, veçanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për qeverinë, këshillin, shtetin, rininë, gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 vetë, përveç 300 vetave të batalionit të Shtabit. Të rregullohen zyrat. Për 28 Nëntor të thirren delegacione nga 10-15 veta nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, Kruja, Peza, krahinat e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për jugun lajmërojmë ne. Të thërriten delegatë nga fshatrat afër Tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 nëntor, që të mos bëhen çrregullime atë ditë. Të organizohet një paradë e madhe për 28 Nëntorin me brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre ndodhet larg të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë ku të marrë pjesë në mënyrë të organizuar i gjithë populli. T’u jepen udhëzime organizatave të tjera të Shqipërisë së mesme dhe të veriut për këtë festë. Ardhja e Qeverisë të mbahet konspirative. nenshkrimi,Enver
    --

    Panorama

  5. #5
    Atdhetar Maska e Dasius
    Anëtarësuar
    21-07-2010
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    288
    Pirdh, pirdh se lirohesh i thone kesaj. Thote nje fjale te urte populli:

    Nuk mbulohet dielli me shoshe.

    Kjo vlen per te gjithe ata tregimtaret e pas pilafit qe nxjerrin koken ketu neper forume e qe si merr njeri seriozisht, madje as Blendi Fevziu.
    Atdheu mbi të gjitha
    Tradhtarët në të s'ëmës

  6. #6
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Asnje nga TIRONASIT nuk e konsideron feste daten 17/11/1944. Ai eshte vetem nje pushtim i dyte dhe akoma me i eger. TIRONASIT kane feste te qytetit daten 26/11/1912, ngritjen e Flamurit, ashtu si çdo SHQIPTARE nuk ka feste me te madhe se 28/11/1912. Prandaj ata qe merren me histori mos te lodhen t'a lajne mhutin me shhurre ...
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  7. #7
    Numeroj peshqit Maska e peshkaqeni33
    Anëtarësuar
    31-12-2005
    Vendndodhja
    Ce pyesni kot, as vet se di ku eshte.
    Postime
    584
    Akoma te ura keta...
    Dikur i syrgjynosnin neper internime tani bejne gjasme u qajne hallin.

    Te gjithe ata maskarenjte, ata larot, qe dikur kane lyer duart me gjak dhe kan syrgjynosur qindra te pafajshem tani kan teseren e PDse. Domethene Buca nene(PD) dhe kelyshte e saj tani bejne sikur qajne per prene qe dikur e kane vrare dhe e kan ngrene.
    Proletar te te gjitha vendeve bashkohuni

    Nisuni ju para, sa te therras Saliun

Tema të Ngjashme

  1. Mbi nevojen e nderrimit te elites
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 05-07-2006, 01:24
  2. do hapen dosjet e Nazisteve:
    Nga Kryeplaku në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 30-05-2006, 06:04
  3. A e zhduk përparimi i qytetërimit nevojën për fenë?
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-01-2006, 14:41
  4. Feja Islame pervec Kuranit!(Sahihu Buhari)
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 03-09-2005, 13:19

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •