Ideatorë të “Shqipërisë së Madhe”

Debatet diplomatike mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të krijimit të shtetit shqiptar në dekadat e fundit të shekullit XIX. Përse mbështetja për shqiptarët e ambasadorëve të Francës dhe Anglisë në Stamboll, J. Fournier dhe G. Goschen konsiderohej si “herezi” nga Parisi dhe Londra

Prof. Pëllumb Xhufi


Shpërthimi i Krizës Lindore, më 1875, tregoi qartë se Perandoria shumëshekullore Osmane kishte mbërritur në çastin e saj të mbramë dhe se tashmë ishin pjekur kushtet që në Ballkan të ngriheshin shtetet kombëtare. Vendet ballkanike paraqiteshin në stade të ndryshme zhvillimi në këtë çast historik. Greqia, Serbia, Mali i Zi, Rumania e së fundi edhe Bullgaria, i kishin krijuar shtetet kombëtare dhe në atë kohë synimi i tyre ishte ta plotësonin apo ta zgjeronin territorin e vet sipas vijave etnike ose sipas ambicjeve ekspansioniste të shprehura në programet e tyre nacionaliste, siç ishin “Megali Ideja” greke, apo “Naçertanija” serbe. Vijat e zgjerimit territorial të shteteve të reja ballkanike përthyheshin të gjitha në territoret e banuara nga popullsi shqiptare, gjë që alarmoi qarqet patriotike shqiptare dhe që çoi, në fund të fundit, në organizimin e “Lidhjes së Prizrenit”, i pari organizim mbarëshqiptar në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. “Kriza Lindore dhe Kongresi i Berlinit më 1878”, thotë historiani grek L. Sigalos, “shënoi fillimin e nacionalizmit shqiptar”. Atë kohë u formulua edhe kërkesa unitare e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar, që të përfshinte territoret e katër vilajeteve, të Shkodrës, Shkupit, Manastirit e Janinës.

Beteja për bashkimin e Shqipërisë

Kjo betejë e parë e patriotëve shqiptarë në mbrojtje të integritetit të rrezikuar territorial të Shqipërisë, evidentoi qartë rrethanat e vetmisë së madhe, në të cilat ata do të ishin të detyruar të vepronin, ndërkohë që fuqitë e mëdha, si Franca, Britania e Madhe e Rusia (Austro-Hungaria, Prusia e Italia ruajtën atë kohë një profil të ulët angazhimi) sponsorizonin e mbështesnin pretendimet absurde të fqinjëve të Shqipërisë, klientë të tyre. Megjithatë, ideja e krijimit të një shteti të fortë shqiptar, nuk mungoi të gjejë përkrahës edhe në zyrtarë të lartë të Anglisë e të Francës, që iu kundërvunë hapur politikave zyrtare që dy fuqitë e mësipërme, protagoniste të Kongresit të Berlinit, ndiqnin në Ballkan. Jo rastësisht shprehës të qëndrimeve të tilla kundra-rrymës u bënë atë kohë Ambasadori i Francës në Stamboll, J. Fournier, dhe Ambasadori i Anglisë po në Stamboll, G. Goschen. Nga observatori i tyre ideal për Ballkanin, siç ishte kryeqyteti i Perandorisë Osmane, këta dy përfaqësues të lartë të Londrës e të Parisit kishin mundësinë të vëzhgonin e të gjykonin mbi zhvillimet e pritshme ballkanike. Interesante është që edhe kolegu i tyre rus, Ambasadori Labanov, ndante një pjesë të mirë të mendimeve të tyre mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Idetë e tij mbi vendin dhe rolin e Shqipërisë në të ardhmen e Ballkanit, Ambasadori Fournier i shpreh në tre raporte dërguar nga Stambolli Ministrit të Jashtëm të Francës, Vadington, përkatësisht në 30 dhjetor 1878, në 11 shkurt 1879 e në 25 shkurt 1879. Sigurisht, Fournier ishte i ndërgjegjshëm se idetë e tij mbi Shqipërinë ishin “heretike” në raport me politikën zyrtare e posaçërisht me idetë e Ministrit të tij, lordit Vadington, që njihej si filo-helen e përkrahës pa kushte i pretendimeve greke e të atyre serbe e malazeze mbi territoret shqiptare. Ndaj, për të anashkaluar konfliktin e drejtpërdrejtë me Ministrin Vadington (që ishte njëherësh edhe Kryeministër i Francës), Fournier parazgjedh t’i paraqesë tezat e tij mbi Shqipërinë në formën e një polemike me kolegun e tij, Ambasadorin e Francës në Athinë, Tissot, zëdhënës servil i qëndrimeve të Ministrisë së Jashtme Franceze. E pra, në kundërshtim të hapur me Ambasadorin Tissot, “që nuk kishte besim në vitalitetin e një Shqipërie të Madhe”(sic!), dhe që përkrahte idenë e kompensimit të fqinjëve sllavë e grekë të Shqipërisë me territore shqiptare, ai, Fournier, shpaloste bindjen e tij se një Shqipëri e Madhe do të ishte në interes të të gjithëve, përfshi Greqinë, të parapëlqyerën e Ministrit Vadington. Nëse Greqia duhej të zgjerohej, sugjeronte Fournier, le të zgjerohej në krahun e Egjeut, por jo në drejtim të territoreve shqiptare. Po qe se Greqia, Mali i Zi e Serbia do të shpërbleheshin me toka shqiptare, “rezultati përfundimtar i kësaj zhvatje territoresh do të ishte që Shqipëria të mbetej si një mbeturinë, që do të bëhej objekt i lakmive të zjarrta të të gjithë fqinjëve të saj, i aqmiqësive e luftrave midis tyre, i intrigave dhe i ndërhyrjeve politike të çdo lloji”. Përkundrazi, një Shqipëri “e madhe” dhe “kompakte”, do të ishte një digë e sigurtë ndaj ekspansionit të popujve sllavë, rol të cilin, sipas Fournier, Greqia nuk ishte në gjendje kurrësesi ta luante.

Debatet për Epirin

Përsa i përkiste ngushtësisht çështjes së aneksimit të Epirit me Janinën nga ana e Greqisë, një temë e ditës kjo e shtruar në Kongresin e Berlinit pikërisht nga Ministri i Jashtëm Francez, Vadington, Ambasadori Fournier guxon të shprehë një mendim kryekëput të kundërt me atë të shefit të tij. Shqiptarët, shkruante ai, urrejnë çdo lloj autoriteti që vjen nga jashtë, nga Stambolli, nga Greqia apo ngadoqoftë. Ata janë fanatik ndaj “identitetit të racës dhe tërësisë së territorit të tyre”. Fournier heq dorë nga çdo rezervë, kur deklaron hapur që Janina duhej t’i mbetej me çdo kusht Shqipërisë: “Nëse Janina nuk është kryeqendra e Shqipërisë, ajo është padyshim kryeqëndra e shqiptarëve: Janina është bulevardi historik i luftrave të tyre kombëtare kundër autoritetit shtypës të sulltanëve, Janina është pikërisht vendi ku shqiptarët mendojnë të bëjnë një ditë takimin e përgjithshëm, që u dikton dashuria e tyre për pavarësi”. Nuk e quan të parëndësishëm Fournier, faktin që në Janinë, “e vetmja industri e gjallë që i jep një farë lëvizje qytetit dhe ushqen banorët e tij, është prodhimi i kostumeve kombëtare shqiptare, pas së cilës ky popull është veçanërisht i dashuruar”. Pas këtij arsyetimi sugjestionues e in crescendo, Fournier konkludon në formë paralajmërimi: “t’u marrësh shqiptarëve Janinën për t’ia dhënë Greqisë, do të thotë t’u bësh një fyerje për vdekje, t’i bësh armiq të papajtueshëm e të përhershëm me grekët, t’i hedhësh në krahët e Turqisë apo të ndonjë faktori të jashtëm më të fuqishëm (dmth. Anglisë ose Rusisë-shën. ynë)”. Janina, përfundon ai, “është zemra e Shqipërisë së vjetër dhe e Shqipërisë së ardhme”. Raporti i parë i Ambasadorit Fournier për Ministrin e Jashtëm Vadington, ai i dhjetorit 1878, përveç se një pro-memorie, donte të ishte edhe një lloj tentative për ta larguar atë nga pozitat e paragjykuara pro-greke e anti-shqiptare, pikërisht në pragun e një vizite në Paris të një delegacioni të Lidhjes Shqiptare, të kryesuar nga Abdyl Frashëri, me të cilin Fournier kishte kontakte të rregullta. Në fakt, Ministri francez nuk u tund nga pozicionet e tij dhe takimi i tij me delegacionin shqiptar u karakterizua nga një frymë krejtësisht refraktare ndaj kërkesave të drejta të tij. Gjithsesi, nga ai moment Franca e moderoi disi qëndrimin e saj në lidhje me aneksimin e Epirit në favor të Greqisë e për rrjedhojë Kongresi i Berlinit u kufizua me një lëshim të vogël në drejtim të Artës. Në këtë pozicionim të ri luajti padyshim rol qëndresa politike, diplomatike e ushtarake e Lidhjes Shqiptare për zonën e jugut, një faktor i ri ky, që Franca dhe fuqitë e tjera u detyruan ta marrin parasysh në vendimet e tyre për Shqipërinë. Por nuk përjashtohet të ketë luajtur rolin e vet edhe Ambasadori “heretik” francez i Stambollit, i cili të paktën arriti ta ndërgjegjësojë Parisin mbi nevojën e ndjekjes së një politike afatgjatë në Ballkan, që i leverdiste sa Shqipërisë, aq edhe Greqisë. Akoma më shumë, ai u shty deri në idenë e krijimit të një shteti dualist greko-shqiptar, sipas modelit të Austro-Hungarisë. Ide që në momente të caktuara u përqafua nga mjaft patriotë shqiptarë, përfshi Ismail Qemalin e Faik Konicën. Por që u hodh poshtë nga pala greke, e cila e dinte mirë se në një shtet dualist, pesha e faktorit shqiptar do të ishte mbizotëruese, përsa kohë që në vetë shtetin grek jetonte prej shekujsh një popullsi e konsiderueshme shqiptare (arvanitët), e cila në një pjesë të mirë të saj kishte mundur t’i shpëtonte procesit të asimilimit dhe në fund të shek. XIX përfaqsonte më shumë se një të tretën e popullsisë së Greqisë.

Ide “revolucionare” për Shqipërinë

Në kohën kur Ambasadori i Francës përpunonte idera të tilla “revolucionare” për Shqipërinë e shqiptarët, një tjetër “ekselensë” e trupit diplomatik të akredituar në Stamboll, Ambasadori Goschen i Britanisë së Madhe arrinte në përfundime të ngjashme. Idetë e tij paraqiten në një raport për Ministrin e Jashtëm anglez, Grenville. Ashtu si në rastin e Ambasadorit Fournier, shkas për hartimin e këtij raporti plot nerv, u bë një memorandum tendencioz e antishqiptar i hartuar nga kapiteni anglez Sejl, përfaqsues i Britanisë së Madhe në Komisionin e Fuqive të Mëdha të ngarkuar me përcaktimin e kufijve të Malit të Zi. Në këtë memorandum, që i ishte bërë i njohur edhe Ambasadorit Goschen në Stamboll, kapiteni Sejl sygjeronte që, përballë qëndresës shqiptare ndaj lëshimit të territoreve të Plavës e Gucisë në favor të Malit të Zi, të kërcënoheshin ata se do të humbnin pronat, madje se “do t’u shkuleshin fshatrat e do t’u shkatërroheshin xhamitë”, në rast se nuk hiqnin dorë nga kundërshtimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit. Që në fillim të raportit të tij, Goschen e quan “të padrejtë, ndëshkues, të turpshëm e cinik” një projekt të tillë dhe shpreh dëshirën që “ai të mos gjente jehonë tek qeveria e Madhërisë së Saj”. Sa i përkiste atij vetë, “unë e shikoj si detyrën time të regjistroj protestën time energjike kundër një plani, që parashikon të shtypë kundërshtimin e shqiptarëve me kërcënime që rrallëherë, në mos kurrë, janë përdorur në rrethana të tilla”, shprehet plot mllef Goschen. Kaq mjafton për të kuptuar pozicionimin e tij në çështjen shqiptare. Ishte data 26 korrik e vitit 1880 kur ai niste drejt Londrës raportin e tij për Ministrin e Jashtëm Grenville, dhe ndërkohë në Ballkan kishin ndodhur shumë ngjarje. Ngjarje, që e kishin bindur Goschenin se, siç shprehej ai, “kombësia shqiptare ishte një element që nuk mund të mos përfillej në kombinimet politike të së ardhmes”. Veprimtarinë politike e ushtarake të Lidhjes së Prizrenit në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë, Goschen e konsideron si “krejt të natyrshme”. “Si një racë po aq e vjetër e origjinale sa çdonjëra nga ato që e rrethojnë”, shkruan ai, “shqiptarët kanë parë se si kombet fqinje janë marrë në mbrojtjen e Fuqive të ndryshme evropiane...Ata po shohin se si çështja lindore po zgjidhet në bazë të parimit të kombësisë dhe se si Gadishulli Ballkanik po ndahet gradualisht mes racave të ndryshme në bazë të këtij parimi. Mirëpo, nga ana tjetër ata shohin se ata vetë nuk kanë të njëjtin trajtim: kombësia e tyre injorohet, ndërsa toka të banuara prej shqiptarësh i jepen në veri Malit të Zi, protezhé i Rusisë, kurse në jug Greqisë, protezhé e Anglisë dhe e Francës”. Në këto kushte, vijon Goschen, “kundërshtimi i shqiptarëve ndaj vullnetit të Evropës mua më duket i natyrshëm dhe aspak për t’u qortuar. Në fund të fundit, duke iu kundërvenë kalimit nën një sundim të huaj të një pjese të bashkatdhetarëve të tyre, shqiptarët s’bëjnë gjë tjetër veçse veprojnë sipas të njëjtit parim të kombësisë që ka frymëzuar zgjidhjen e çështjes lindore”. Ashtu si Ambasadori Fournier, edhe Goschen ishte i bindur se “krijimi i një Shqipërie të fortë e të bashkuar, do të krijonte një digë ndaj çdo ndërhyrje të huaj nga veriu, duke garantuar që gadishulli i Ballkanit të mbetej në dorë të racave që e banojnë atë aktualisht”. Vizioni i Goschenit ishte një Shqipëri unitare, “një Shqipëri e ndërtuar më shumë në bazë race, se sa në bazë feje”. Në këtë kuadër, vijon Goschen, “mua do të më vinte keq të përjashtoheshin nga projekti i një Shqipërie të tillë fiset katolike të Veriut, duke marrë për to masa që do t’i veçonin ato nga shumica e shqiptarëve”. Vizioni i një Shqipërie të fortë e unitare e shtyn Ambasadorin anglez të denoncojë ato politika që synonin t’i ndanin shqiptarët e Veriut nga ata të Jugut, t’i shtonin dallimet mes shqiptarëve, në vend që t’i sheshonin ato. Goschen parashikonte që projekti i tij mbi Shqipërinë të mos gjente zbatim të menjëhershëm. Por, paralajmëronte ai, prej tij nuk duhej hequr dorë, dhe në asnjë mënyrë nuk duhej që zgjidhja strategjike e çështjes shqiptare të sakrifikohej për hir të zgjidhjeve të shpejta e të përkohshme. Me një fjalë, Shqipërisë nuk i duheshin hequr pjesë të territorit të saj në favor të fqinjve, pasi një gjë e tillë kompromentonte zgjidhjen finale të këtij problemi, dhe bashkë me të kompromentonte edhe interesat afatgjata të paqes në rajon dhe vetë interesat e Anglisë në Ballkan.

Duket fare e qartë, se këta dy diplomatë të shquar të dy fuqive protagoniste të Kongresit të Berlinit, kishin konverguar në qëndrime të ngjashme, pas diskutimesh të gjata që kishin patur mes tyre gjatë viteve të krizës lindore. Ishte hera e parë që e ardhmja e Ballkanit shihej si një variabël shqiptar dhe një gjë e tillë u krijoi dy ambasadorëve kurajozë armiq të shumtë në Paris e Londër, por edhe në Athinë e Beograd (Kryeministri grek Delijannis bëri ndërhyrje të hapura pranë Kryeministrit britanik për ta tërhequr Ambasadorin Goschen nga Stambolli). Në fakt, Goschen e Fournier e paguan shumë shpejt disponimin dhe sensibilitetin “e paautorizuar” pro-shqiptar të tyre, kur thuajse njëkohësisht u detyruan të lenë postin e tyre të përfaqsuesit të Francës e të Anglisë në kryeqytetin e Perandorisë Osmane.


ABC nr.8-Prof. Pëllumb Xhufi
24.10.2005