Promovimi i një albumi historik të viteve 1944-1991 nga shkrimtari historian, Agim Musta.

Burgjet e diktaturës komuniste në një album

Një album me vlera historike në tre gjuhë; shqip,anglisht dhe italisht u promovua në LSHA, javën që kaloi. Autori i këtij libri është Agim Musta, i cili e ka titulluar “Burgjet e Diktaturës Komuniste në Republikën e Shqipërisë” 1944-1991. Detaji që ka ngjizur konceptualisht këtë album është ai që shumë nga ndërtesat që u kthyen në burgje e kazerma kanë qenë ndërtesa që i përkisnin trashëgimisë historike, kulturore, ose fetare. Parë nga ky këndëvështrim, albumi jep një dritë tjetër vështrimi e ndërgjegjësimi për arsyet që komunizmi në Shqipëri qe aq i ashpër, sa bashkë me vrasjet e persektutimet e intelektualëve dhe njerëzve të ditur, përdhos edhe objekte historike e kulturore me vlerë, duke i shndërruar në burgje.

Albumi historik përfshin rrëfime mbi faktin si “Shqipëria një vend i vogël në pjesën Jugperëndimore të Gadishullit Balkanik, me një popullsi me rreth 2 milion banorë, gjatë regjimit diktatorial komunist, nëntor ‘44-mars ‘91, përjetoi diktaturën më të egër ndërmjet vendeve të Europës Lindore. Gjatë kësaj periudhe u ekzekutuan për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Shqipëria u shdërrua në një burg të madh." Brenda këtij burgu të madh sipas autorit ndodheshin 40 burgje të mbyllur dhe 50 kampe me punë të detyruar, me të dënuar për motive politike.

Albumi ka mjaft fotografi dhe fakte që ndriçojnë për brezat e
sotëm dhe të ardhshëm.